Kosova shënon “Javën e Personave të Pagjetur”

Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj ka dërguar agjendën për shënimin e “Javës së Personave të Pagjetur”, që nis me 23 prill dhe do të vazhdojë deri më 27 prill të këtij viti.

“Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare te të Zhdukurve të Kosovës dhe organizatat tjera vendore e ndërkombëtare, organizojnë shënimin e ‘Javës për Personat e Pagjetur’ në vigjilje të shënimit të 27 prillit – ditës së të pagjeturve të Kosovës”, njofton Qeveria.

Më poshtë gjeni agjendën e Qeverisë për këtë ditë:

Sot nga ora 09:00 janë vendosja e luleve të përmendorja dedikuar personave të zhdukur (përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës);

Më 24 prill 2018, do të vizitohen dhe realizohen takime me familjarët e personave të zhdukur, nga Komuna e Fushë Kosovës dhe Komuna e Obiliqit;

Më 25 prill 2018, do të vizitohen dhe realizohen takime me familjarët e personave të zhdukur, nga Komuna e Vushtrrisë ;

Më 26 prill 2018, do të realizohen aktivitete lokale në nderim dhe përkujtim te të gjithë personave të zhdukur dhe të rënëve për lirinë e vendit;

Më 27 prill 2018, duke filluar nga ora 12:00, mbahet Tubimi Qendror Përkujtimor, në Kompleksin Memorial në Mejë, Komuna e Gjakovës.

As 19 vite pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave të zhdukur.