Atmosferë feste në ditën e fundit të Javës Kulturore Italiane

Java Kulturore Italiane u mbyll me aktivitete të ndryshme të hapura për të gjithë, në mjediset e Pazarit të Ri.

Në dy sheshe të ndryshme performuan njëkohësisht Kuarteti “Piter Pan” dhe Marlen Deejay e Moonkick Deejay, në zhanre të ndryshme muzike të cilat përfshinë kalimtarët dhe sidomos të rinjtë.

Përveç koncerteve pati dhe aktivitete të tjera si kënd krijimi me pikturë në kanavacë, shije autentike italiane në ushqim e pije tradicionale dhe të gjitha këto u fiksuan në çaste të paharruara në foto.

Dita e fundit e Javës Kulturore Italiane solli një përvojë të paharrueshme mes tingujve dhe shijeve të Italisë, në një udhëtim që bashkon kulturën, traditën dhe krijimtarinë. Aktiviteti, i hapur për të gjithë, ofroi një program të pasur edhe me hapësira të dedikuara për artin dhe artizanatin.

Java Kulturore Italiane zgjati nga 1 deri në 8 qershor dhe do ia lërë vendin Javës Kulturore Izraelite./atsh/KultPlus.com

17 aktivitete në Javën Kulturore Italiane, ambasadori Alberti: Bashkëpunime me Shqipërinë

Shqipëria do të mirëpresë Javën Kulturore Italiane nga data 1 deri më 8 qershor. 17 aktivitete në një javë në qytete të ndryshme të vendit, do të sjellin në qendër të vëmendjes artin, muzikën, teatrin, modën dhe dizajnin italian, duke përforcuar lidhjet e ngushta kulturore dhe historike mes dy vendeve.

Java e Kulturës Italiane në Shqipëri do të çelet me një koncert nga Orkestra “Magna Grecia”, interpretuar në Kishën Katolike në Tiranë mbrëmjen e 1 qershorit. I njëjti koncert do të përsëritet një natë më pas, në 2 qershor, në Amfiteatrin e Durrësit, në një hapësirë që ndërthur historinë dhe artin.

Muzikë, modë, dizajn, kuzhinë e kinemaja do të jenë pjesë e Javës së Kulturës, programi i plotë i së cilës u prezantua sot.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti vuri theksin te një bashkëpunim më i gjerë me të rinjtë.

“Është një program i strukturuar në tre koncepte: E ardhmja- duke përdorur miqësinë dhe të shkuarën, të forcojmë bashkëpunimin, ku do të ketë pjesëmarrje më të gjerë të të rinjve. Fjala e dytë është bashkëpunimi. Java është jo për të promovuar Italinë, por për të realizuar bashkëpunime me Shqipërinë, duke bërë gjëra së bashku. Koncepti i tretë është ndërveprim”, tha Marco Alberti, ambasador i Italisë në Shqipëri.

Gjatë javës do të mbahen 17 veprimtari në qytete të ndryshme

“Si Institut Italian i Kulturës ne organizojmë një seri aktivitetesh gjatë vitit, por Java e Kulturës Italiane është një moment kyç, sepse përpiqet të përmbledhë një seri aktivitetesh në një plan të gjerë veprimtarish e fushash vetëm në një javë. Sa i përket artit pamor, këtë vit kemi zgjedhur një ekspozitë nga Enzo Cucchi-t, një përfaqësues i denjë dhe shumë i njohur i artit bashkëkohor italian”, vëren Ruggera.

Mes veprimtarive të shumta mund të përmendim një koncert të “Neri per caso”, të cilët rikthehen në skenë për të festuar 30-vjetorin e suksesit të tyre në Festivalin e Sanremos. Në të njëjtën ditë, në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, pritet një tjetër performancë klasike nga duoja Lucio Matarazzo dhe Giovanni Masi, një koncert që bashkon teknikat klasike me pasionin bashkëkohor italiante.

3 qershori sjell inovacionin vizual me një video-mapping në ndërtesën historike të ish-hotel “Dajtit”, i ndjekur nga një sfilatë mode me stilistë të rinj.

4 qershori do të jetë dita e muzikës xhaz në Berat, me një koncert të “Aperitivo Italiano”. Në 5 qershor, vëmendja kthehet tek teatri. Në Gjirokastër do të mbahet performanca teatrore “Onora tuo padre – Ndero Babane”, një produksion i përbashkët me artistë nga Italia dhe Shqipëria.

Ndërsa 6 qershori rezervon një ngjarje të rëndësishme muzikore të javës në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku pianisti i njohur Giovanni Bertolazzi, i shoqëruar nga Orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit nën dirigjimin e Andreas Solinas, do të interpretojë një program të përzgjedhur të muzikës klasike italiane.

Më 7 qershor, në Amfiteatrin e Butrintit, artisti i njohur me origjinë shqiptare Ermal Meta do të mbajë një koncert emocionues në një prej vendeve më simbolike dhe të mrekullueshme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Java Kulturore Italiane, Veliaj: Mos humbisni aktivitetet fantastike

Së shpejti nis Java Kulturore Italiane. Aktivitetet e saj nisin më 2 dhe përfundojnë më 9 qershor.

Organizatorët e Javëve Kulturore Ndërkombëtare përmes një postimi online shprehen se, lidhja jonë me Italinë është e shenjuar në shekuj e në breza. “Jemi frymëzuar nga kultura italiane me rrënjë të thella dhe jemi tërhequr pafund nga sharmi i saj”, shkruan JKN.

Java Kulturore Italiane konsiderohet si një moment historik pasi do të jetë e mbushur me aktivitete që përfaqësojnë thelbin dhe më të mirën e kësaj kulture që admirohet nga e gjithë bota dhe është një nga lokomotivat e kulturës së njerëzimit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ftoi qytetarët që të mos humbasin një javë të mbushur me një seri aktivitetesh fantastike. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj i fton që të ndjekin aktivitetet e shumta të organizuara, mes të cilave do të ketë koncerte, opera, shfaqje kontemporane, sport, konferenca e shumë të tjera./atsh/KultPlus.com

Java Kulturore Italiane, aktivitete kushtuar trashëgimisë arbëreshe

Java Kulturore Italiane ditën e sotme ia ka kushtuar arbëreshëve.

Sipari i aktiviteteve u çel me kuvendin “Trashëgimia kulturore arbëreshe. Vepra e Jeronim De Radës dhe Anselmo Lorecchio-s”, që u mbajt në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ky kuvend, ku ishin të pranishëm disa studiues të fushës, u zhvillua nën moderimin e prof. Diana Kastratit, kreu i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), e cila është edhe një prej mbështetëseve dhe promovueseve të kësaj konference dhe dite kushtuar arbëreshëve. Në këtë konferencë u fol mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore arbëreshe dhe rolin e saj në lidhjet historike italo-shqiptare.

Prof. Matteo Mandalà, përgjegjës i departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos vuri në dukje projektet e realizuara nga departamenti ku theksoi rëndësinë e projektit “BESA”, që sjell një përmbledhje të bibliotekave publike dhe private në fshatrat e banuara nga arbëreshët në Italinë e Jugut. Ai theksoi rëndësinë e botimeve të kësaj njësie dhe rolin që duhet të luajnë nënat në mësimin e arbërishtes dhe të fëmijëve arbëreshë.

Komuniteti arbëresh është i shpërndarë në 5 rajone të Italisë dhe gjuha arbëresh e ruajtur prej më shumë se 500 vjetësh është shpallur gjuhë në rrezik zhdukjeje nga UNESCO. Kjo ditë tërheq vëmendjen për ruajtjen e gjuhës e traditave dhe përcjelljen e tyre në brezat e ardhshme. Gjatë një interviste për televizionin italian RAI, prof. Diana Kastrati e vlerësoi gjuhën arbëreshe si “thembrën e Akilit” duke shtuar se po bëhet ç’është e mundur për ta ruajtur./ atsh / KultPlus.com

Sopranoja e famshme italiane, Anna Pirozzi në TKOB

Një nga sopranot dramatike më të suksesshme italiane, Anna Pirozzi, fama e së cilës kapërcen kufijtë e rajonit, ka sjellë me vokalin e saj brilant ariet më të bukura verdiane, në skenën gjigande të TKOB-së.

I cilësuar si një event unik për jetën artistike shqiptare, kjo mbrëmje përcolli emocione të veçanta për publikun shqiptar e të huaj. Koncerti u organizua me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturë dhe Ambasadës Italiane, në kuadër të Javës Kulturore Italiane organizuar nga Ministria e Kulturës.

Ministrja Margariti e vlerësoi si të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Një nga yjet e lirikës botërore, sopranoja Anna Pirozzi nderoi skenën shqiptare, duke kulmuar Javën Italiane të Kulturës. Kënaqësi të isha pjesë e publikut për të shijuar interpretimin e saj”, shkroi ministrja e Kulturës në rrjetet sociale ndërsa ka ndarë me ndjekësit edhe një album fotografik nga koncerti i Anna Pirozzi-t dirigjuar nga një tjetër mjeshtër italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.

“Një duartrokitje të fortë edhe për Orkestrën Simfonike të Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nën drejtimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli , për performancën shkëlqyer”, shkruan ministrja e Kulturës, në përmbyllje të mesazhit të saj. Nga ana e tij, maestro Di Pescasseroli e vlerësoi koncertin si spektakolar.

“Jam thellësisht i mallëngjyer. Orkestra ime është “bombë” dhe Anna Pirozzi është legjendë”, shkroi dirigjenti në rrjetet sociale duke iu referuar orkestrës së TKOB.

Sopranoja e famshme Anna Pirozzi në TKOB, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com