Java Kulturore Italiane, aktivitete kushtuar trashëgimisë arbëreshe

Java Kulturore Italiane ditën e sotme ia ka kushtuar arbëreshëve.

Sipari i aktiviteteve u çel me kuvendin “Trashëgimia kulturore arbëreshe. Vepra e Jeronim De Radës dhe Anselmo Lorecchio-s”, që u mbajt në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ky kuvend, ku ishin të pranishëm disa studiues të fushës, u zhvillua nën moderimin e prof. Diana Kastratit, kreu i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), e cila është edhe një prej mbështetëseve dhe promovueseve të kësaj konference dhe dite kushtuar arbëreshëve. Në këtë konferencë u fol mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore arbëreshe dhe rolin e saj në lidhjet historike italo-shqiptare.

Prof. Matteo Mandalà, përgjegjës i departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos vuri në dukje projektet e realizuara nga departamenti ku theksoi rëndësinë e projektit “BESA”, që sjell një përmbledhje të bibliotekave publike dhe private në fshatrat e banuara nga arbëreshët në Italinë e Jugut. Ai theksoi rëndësinë e botimeve të kësaj njësie dhe rolin që duhet të luajnë nënat në mësimin e arbërishtes dhe të fëmijëve arbëreshë.

Komuniteti arbëresh është i shpërndarë në 5 rajone të Italisë dhe gjuha arbëresh e ruajtur prej më shumë se 500 vjetësh është shpallur gjuhë në rrezik zhdukjeje nga UNESCO. Kjo ditë tërheq vëmendjen për ruajtjen e gjuhës e traditave dhe përcjelljen e tyre në brezat e ardhshme. Gjatë një interviste për televizionin italian RAI, prof. Diana Kastrati e vlerësoi gjuhën arbëreshe si “thembrën e Akilit” duke shtuar se po bëhet ç’është e mundur për ta ruajtur./ atsh / KultPlus.com

Sopranoja e famshme italiane, Anna Pirozzi në TKOB

Një nga sopranot dramatike më të suksesshme italiane, Anna Pirozzi, fama e së cilës kapërcen kufijtë e rajonit, ka sjellë me vokalin e saj brilant ariet më të bukura verdiane, në skenën gjigande të TKOB-së.

I cilësuar si një event unik për jetën artistike shqiptare, kjo mbrëmje përcolli emocione të veçanta për publikun shqiptar e të huaj. Koncerti u organizua me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturë dhe Ambasadës Italiane, në kuadër të Javës Kulturore Italiane organizuar nga Ministria e Kulturës.

Ministrja Margariti e vlerësoi si të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Një nga yjet e lirikës botërore, sopranoja Anna Pirozzi nderoi skenën shqiptare, duke kulmuar Javën Italiane të Kulturës. Kënaqësi të isha pjesë e publikut për të shijuar interpretimin e saj”, shkroi ministrja e Kulturës në rrjetet sociale ndërsa ka ndarë me ndjekësit edhe një album fotografik nga koncerti i Anna Pirozzi-t dirigjuar nga një tjetër mjeshtër italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.

“Një duartrokitje të fortë edhe për Orkestrën Simfonike të Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nën drejtimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli , për performancën shkëlqyer”, shkruan ministrja e Kulturës, në përmbyllje të mesazhit të saj. Nga ana e tij, maestro Di Pescasseroli e vlerësoi koncertin si spektakolar.

“Jam thellësisht i mallëngjyer. Orkestra ime është “bombë” dhe Anna Pirozzi është legjendë”, shkroi dirigjenti në rrjetet sociale duke iu referuar orkestrës së TKOB.

Sopranoja e famshme Anna Pirozzi në TKOB, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com