More Raça organizon ’Javën ndërkombëtare të filmit të grave’, promovon regjisoret

Medina Pasoma

Prishtina do të mirëpres “Javën ndërkombëtare të filmit të grave”, një festival ky që i shtohet listës së festivaleve në vend, mirëpo me një fokus krejt të veçantë.

Gruaja do të jetë ajo që do të zërë vend në dy pozicione në kuadër të ‘’Javës ndërkombëtare të filmit të grave’’, si protagoniste kryesore dhe si person i cili dirigjon gjithë procesin e transmetimit të rrëfimit nëpërmjet mediumit të filmit, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet i ri kulturor i cili do të sjell gjallëri në kryeqytet do të mbahet përgjatë datave 23-30 nëntor, duke e bërë Prishtinën virtualisht cak të kineasteve nga vendet e ndryshme si Italia, Greqia, Argjentia, Lebanoni dhe shumë të tjera.

Përgjatë javës do të shfaqen 19 filma të shkurtë, 2 deri në 3 prej tyre brenda ditës, të cilët fokusin tematik dhe regjisurën do ta kenë për dhe nga gratë. Ndërkaq ajo që e bën edhe më të veçantë do të jetë karakteri garues i organizimit, ku për filmin më të mirë do të dhurohet çmimi me emrin e regjisores së parë shqiptare, ‘’Xhanfise Keko’’.

Iniciatorja e kësaj nisme, regjisorja More Raça, për KultPlus theksoj se ideja dhe dëshira për realizimin e këtij organizimi i kishte lindur qysh moti, sa herë që ajo kishte marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

‘’Gjithmonë kam dalur me përvoja interesante dhe bashkëpunime për projektet e mia nga këto festivale. Ka qenë shumë inkurajuese kur kam takuar filmbërëse nga e gjithë bota dhe kemi diskutuar rreth sfidave dhe ideve tona. Këtë frymë kam dashur ta sjell edhe në këtë festival’’, shpjegon Raça.

Për organizimin i cili së shpejti do të gjallëroj jetën kulturore nëpërmjet filmave të shfaqur virtualisht, përgatitjet kishin filluar para disa muajsh. Anipse situata pandemike bëri që kjo javë filmike të mos organizohet me të gjitha planifikimet, sërish ajo do t’i dhuroj audiencës bindjen dhe kurajon se arti triumfon.

‘’Jemi të lumtur që kemi një program shumë interesant, divers dhe me vlera të mëdha artistike, filma që trajtojnë tema të rëndësishme, zëra të rinj që premtojnë shumë’’, shprehet More Raça.

Përderisa lista e filmave dhe anëtarët e jurisë do të bëhen me dije për publikun këtë të premte, ajo që do të karakterizoj këtë organizim do të mbetet qasja feministe, gjegjësisht promovimi i kultit të gruas nëpërmjet subjekteve të filmave.

‘’Filmat trajtojnë problematikat e gruas në shoqëritë ku jetojnë autoret e filmave. Temat janë nga më të ndryshmet si dhuna në familje, aborti, migrimi, shëndeti i gruas dhe fuqizimi i vajzave’’, thekson organizatorja Raçi.

Portretizimi i këtyre problematikave do të përdor artin si mjet për t’i shprehur ato, mirëpo, secili nga këta filma ka dimensione të reales dhe me të vërtetë një grua e botës ka frymuar me to.

‘’Janë filma të cilat portretizojnë gruan në sfidat dhe momentet e fitores, filma që vijnë nga realiteti dhe peripecitë e gruas’’, sqaron regjisorja.

Mirëpo, realiteti nuk do të shfaqet vetëm nëpërmjet artit por, edhe përmes rrëfimit. Gratë të cilat e kryen regjisuren e këtyre ‘’problematikave’’, do të shpalosin rrugëtimet e tyre subjektive.

‘’Gjithashtu publiku do të ketë mundësinë të dëgjoj rrëfimet e kineasteve dhe përmes filmit të njoftohet me realitete të reja’’, u shpreh More Raça.

Sipas regjisores Raça mesazhi mes kombinimit grua dhe film qëndron te krijimi i hapësirës për këtë kategori të shoqërisë dhe dhurimit të vëmendjes për këto rrëfime, duke krijuar ura lidhëse mes filmit dhe audiencës.

Publiku do t’i qaset gjithë këtyre gërshetimeve artistiko-reale nëpërmjet faqes në facebook të këtij organizimi: https://www.facebook.com/filmweekprishtina ./KultPlus.com