Filmi ‘’Galaktika e Andromedës’’ i More Raçës vazhdon rrugëtimin në Francë

Filmi i metrazhit të gjatë ‘’Galaktika e Andromedës’’ nga regjisorja More Raça po vazhdon të ketë suksese të njëpasnjëshme. Kësaj radhe, ai do të shfaqet në Francë përkrah filmave evropian, shkruan KultPlus.

Festivali i filmit ‘’Les Arcs’’ do të shfaq filmin shqiptar në programin ‘Hauteur’.

Regjisorja More Raça për KultPlus është shprehur se ndjehet tejet e lumtur për këtë sukses të radhës të filmit të saj dhe se filmin e presin edhe të reja të tjera, të cilat do t’i bëj publike më vonë.

‘’Ky është një program shumë i veçantë i festivalit sepse shfaq dhjetë filma evropian dhe autorial që trajtojnë tema shumë të rëndësishme dhe provokojnë mendjen e audiencës’’, thekson Raça për programin në të cilin do të shfaqet filmi.

Tutje, ajo tregon se ‘’Galaktika e Andromedës’’ do të zë vend përkrah filmave të dëshmuar në kinematografitë e popujve të ndryshëm.

‘’Andromeda do të shfaqet bashkë me filma tjerë të shkëlqyer dhe që kanë pas rrugëtim të suksesshëm ne festivalet më prestigjioze’’, ka shtuar regjisorja e filmit.

‘’Galaktika e Andromedës’’ është dëshmuar nëpërmjet pjesëmarrjeve në Festivalin e Filmit në Sarajevë, Kajro dhe tanimë edhe në Francë. / KultPlus.com

Filmi “Galaktika e Andromedës” i More Raçës, nominohet në Festivalin e filmit në Kajro

Pas pjesëmarrjes në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ‘’Galaktika e Andromedës’’ po vazhdon rrugëtimin e tij suksesshëm. Filmi i metrazhit të gjatë është nominuar në festivalin e kategorisë A, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro, shkruan KultPlus.

Regjisorja e këtij filmi, More Raça për KultPlus është shprehur se ndjehet e lumtur për suksesin e  radhës të filmit, pasiqë Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kajro është festival prestigjioz ku janë zgjedhur filma shumë të suksesshëm dhe të dëshmuar në festivalet botërore.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që pas premierës botërore në kategorinë kryesore të festivalit të Sarajevës marrim pjesë në një festival prestigjioz të kategorisë A”, u shpreh Raça.

Tutje regjisorja theksoj se filmi “Galaktika e Andromedës” është në programin ‘’International critics’ week’’ dhe garon për dy çmime që ndahen për këtë kategori.

Ky film është i pari i metrazhit të gjatë për regjisoren More Raça, teksa në rolet kryesore luajnë: Sunaj Raça, Juli Emiri, Elda Jashari, Avni Dalipi, dhe Don Raça.

Filmi me producent Sunaj Raçën është bashkëprodhim i Kosovës me Spanjën dhe është financim i Qendrës Kinematografike të Kosovës. /KultPlus.com

More Raça organizon ’Javën ndërkombëtare të filmit të grave’, promovon regjisoret

Medina Pasoma

Prishtina do të mirëpres “Javën ndërkombëtare të filmit të grave”, një festival ky që i shtohet listës së festivaleve në vend, mirëpo me një fokus krejt të veçantë.

Gruaja do të jetë ajo që do të zërë vend në dy pozicione në kuadër të ‘’Javës ndërkombëtare të filmit të grave’’, si protagoniste kryesore dhe si person i cili dirigjon gjithë procesin e transmetimit të rrëfimit nëpërmjet mediumit të filmit, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet i ri kulturor i cili do të sjell gjallëri në kryeqytet do të mbahet përgjatë datave 23-30 nëntor, duke e bërë Prishtinën virtualisht cak të kineasteve nga vendet e ndryshme si Italia, Greqia, Argjentia, Lebanoni dhe shumë të tjera.

Përgjatë javës do të shfaqen 19 filma të shkurtë, 2 deri në 3 prej tyre brenda ditës, të cilët fokusin tematik dhe regjisurën do ta kenë për dhe nga gratë. Ndërkaq ajo që e bën edhe më të veçantë do të jetë karakteri garues i organizimit, ku për filmin më të mirë do të dhurohet çmimi me emrin e regjisores së parë shqiptare, ‘’Xhanfise Keko’’.

Iniciatorja e kësaj nisme, regjisorja More Raça, për KultPlus theksoj se ideja dhe dëshira për realizimin e këtij organizimi i kishte lindur qysh moti, sa herë që ajo kishte marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

‘’Gjithmonë kam dalur me përvoja interesante dhe bashkëpunime për projektet e mia nga këto festivale. Ka qenë shumë inkurajuese kur kam takuar filmbërëse nga e gjithë bota dhe kemi diskutuar rreth sfidave dhe ideve tona. Këtë frymë kam dashur ta sjell edhe në këtë festival’’, shpjegon Raça.

Për organizimin i cili së shpejti do të gjallëroj jetën kulturore nëpërmjet filmave të shfaqur virtualisht, përgatitjet kishin filluar para disa muajsh. Anipse situata pandemike bëri që kjo javë filmike të mos organizohet me të gjitha planifikimet, sërish ajo do t’i dhuroj audiencës bindjen dhe kurajon se arti triumfon.

‘’Jemi të lumtur që kemi një program shumë interesant, divers dhe me vlera të mëdha artistike, filma që trajtojnë tema të rëndësishme, zëra të rinj që premtojnë shumë’’, shprehet More Raça.

Përderisa lista e filmave dhe anëtarët e jurisë do të bëhen me dije për publikun këtë të premte, ajo që do të karakterizoj këtë organizim do të mbetet qasja feministe, gjegjësisht promovimi i kultit të gruas nëpërmjet subjekteve të filmave.

‘’Filmat trajtojnë problematikat e gruas në shoqëritë ku jetojnë autoret e filmave. Temat janë nga më të ndryshmet si dhuna në familje, aborti, migrimi, shëndeti i gruas dhe fuqizimi i vajzave’’, thekson organizatorja Raçi.

Portretizimi i këtyre problematikave do të përdor artin si mjet për t’i shprehur ato, mirëpo, secili nga këta filma ka dimensione të reales dhe me të vërtetë një grua e botës ka frymuar me to.

‘’Janë filma të cilat portretizojnë gruan në sfidat dhe momentet e fitores, filma që vijnë nga realiteti dhe peripecitë e gruas’’, sqaron regjisorja.

Mirëpo, realiteti nuk do të shfaqet vetëm nëpërmjet artit por, edhe përmes rrëfimit. Gratë të cilat e kryen regjisuren e këtyre ‘’problematikave’’, do të shpalosin rrugëtimet e tyre subjektive.

‘’Gjithashtu publiku do të ketë mundësinë të dëgjoj rrëfimet e kineasteve dhe përmes filmit të njoftohet me realitete të reja’’, u shpreh More Raça.

Sipas regjisores Raça mesazhi mes kombinimit grua dhe film qëndron te krijimi i hapësirës për këtë kategori të shoqërisë dhe dhurimit të vëmendjes për këto rrëfime, duke krijuar ura lidhëse mes filmit dhe audiencës.

Publiku do t’i qaset gjithë këtyre gërshetimeve artistiko-reale nëpërmjet faqes në facebook të këtij organizimi: https://www.facebook.com/filmweekprishtina ./KultPlus.com

Regjisorja More Raça ftohet në Sarajevë bashkë me emra të njohur të kinematografisë, flet për rrugëtimin e saj artistik

Regjisorja shqiptare More Raça ftohet në Sarajevo Talents bashkë me emra të njohur të kinematografisë botërore, shkruan KultPlus.

Raça e cila do të prezantojë filmin e saj ‘Galaktika e Andromedës’ ne kategorinë kryesore te Sarajevo Film Festival është ftuar gjithashtu në Sarajevo Talents si eksperte për të folur para kineastëve të rinj që janë përzgjedhur në programin SarajevoTalents 2020.

Ajo do të flas për rrugëtimin e saj në realizimin e filmit të gjatë ‘Galaktika e Andromedës’. Si ekspert këtë vit ne Sarajevo Talents përveç Moresë janë emrat e njohur të kinematografisë botërore, siç janë aktori danez i njohur për filmin ‘The Hunter’ Mads Mikkelsen, Michel Hazanavcius, regjisori i filmit të mirënjohur ‘The Artis’, fitues i çmimit Oscar. /KultPlus.com

‘Galaktika e Andromedës’ dhe ‘Exil’, në kategorinë kryesore në Festivalin e Sarajevës

‘Galaktika e Andromedës’, filmi debutues nga More Raça dhe ‘Exil’ nga Visar Morina do të jenë pjesë e kategorisë kryesore në edicionin e sivjetëm të Festivalit të Sarajevës që do të mbahet nga data 14 deri më 21 gusht.

Më rastin e publikimit të programit të Festivalit të Sarajevës, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Znj. Vlora Dumoshi i uroi regjisorët dhe ekipet e realizuese përmes një videotelefonate të përbashkët.

“Më gëzoi lajmi që dy filmat ‘Galaktika e Andromedës’ nga More Raça dhe ‘Exil’ nga Visar Morina do të jenë pjesë e kategorisë kryesore të Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Uroj nga zemra dy regjisorët kosovarë dhe ekipet realizuese të të dy filmave për këtë arritje të rëndësishme për ta si regjisorë dhe për kulturën e Kosovës në përgjithësi.
Pata nderin që si ministre e kulturës, rinisë dhe sportit të jem pjesë e premierës evropiane të filmit Exil në festivalin e madh të filmit Berlinale, në shkurt të këtij viti, dhe i gëzohem premierës rajonale të këtyre dy filmave që është hap tjetër i rëndësishëm për promovimin tonë kulturor.

Nga pozita e ministres dhe nga pozita ime personale gëzohem që filmat që ka financuar MKRS-ja përmes QKK-së, kanë arritur sukses në kinematografinë evropiane. MKRS-ja do të përkrahë gjithmonë iniciativa dhe projekte filmike që kanë kualitet të nivelit evropian, dhe me anë të të cilëve prezantojmë shtetin dhe kulturën tonë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ministrja Dumoshi.
Duke u bazuar në rezultatet pozitive të filmave të autorëve vendas dhe atyre të bashkëprodhuara ministrja Dumoshi është koshiente që duhet të punohet në drejtim të rritjes së buxhetit dhe mbështetjes së sektorit të industrisë së filmit në Kosovë.

Kjo do të jetë premierë e rëndësishme për regjisoren e re More Raça. ‘Galaktika e Andromedës’ filmi im i parë i metrazhit te gjatë në festivalin prestigjoz prej më të mëdhenjëve në rajon Sarajevo Film Festival, lajm shumë i gëzueshëm për mua si autore dhe për ekipin e filmit. Uroj gjithë ekipin realizues për këtë sukses të madh” u shpreh regjisorja More Raça.

Përderisa ‘Exil’-i kishte premierën botërore në festivalin e madh të Sundance në SHBA, dhe atë evropiane në Berlinale në shkurt të këtij viti, kjo do të jetë premiera rajonale e filmit nga regjisori kosovar Visar Morina.
Në filmin ‘Galaktika e Andromedës’ në rrolet kryesore luajnë: Sunaj Raça, Juli Emiri, Elda Jashari, Avni Dalipi, dhe Don Raça. Filmi me producent Sunaj Raçën është bashkëprodhim i Kosovës me Spanjën.
Që të dy filmat janë financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

‘Galaktika e Andromedës’ i More Raçës fiton çmimin Glocal in Progres

Filmi debutues i More Raçës “Galaktika e Andromedës” fiton çmimin Glocal in Pogress në kuadër të festivalit ndërkombëtar të San Sebastianit në Spanjë, përcjellë KultPlus.

Filmi Galaktika e Andromedës ka për subjekt Shpëtimin, një baba të vetëm, mbi të cilin rëndojnë problemet sociale dhe dilema të mbetet apo jo kujdestar i vajzës së tij.

Me rastin e marrje së çmimit regjisorja u shpreh: “Filmi është prit jashtëzakonisht mire nga producentët dhe kompanitë me prestigjioze të filmit. Jemi shumë të kënaqur nga kjo pjesëmarrje, është një konfirmim i madh për vlerën e filmit dhe rrugëtimin e suksesshëm në festivale.”

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena me producent Sunaj Raçën, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com