Kuratori i “Gjon Milit” mbajti ligjëratë në GKK mbi influencën e teknologjisë në jetët tona

“Imagjinojeni sikur jeni në një dhomë, dritat ndalen për disa sekonda, kur dritat të jenë ndezur njëri nga të pranishmit është i vdekur. Pasi e thërrasim policinë ata vendosin që t’i konfiskojnë të gjithë telefonat celularë të pranishmëve. A mendoni që përmes telefonave tuaj, policët, mund ta zgjidhin çështjen?”

Në këtë mënyrë, shkrimtari dhe kuratori João Ribas, kuratori i edicionit e 16-të të Bienalit të fotografisë “Gjon Milit”, e ka filluar ligjëratën e tij mbi influencën e teknologjisë në jetët tona, që u mbajt në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Përballë kolegëve dhe studentëve João Ribas ka treguar se si teknologjia, në mënyrë të pashmangshme ka ndikuar drejtpërdrejtë në jetët tona, që nga mënyra se si ecim, si rrimë dhe si flasim me njerëzit.

“Lidhja e teknologjisë me jetën e tanishme është shumë interesante sepse e ka ndryshuar komplet dinamikën e jetës sonë”, ka thënë Ribas.

“Ashtu si natyra, teknologjia na ka detyruar t’i adaptohemi asaj. Në një anë na ka ndihmuar që të krijojmë imazhe dhe gjëra që kanë ekzistuar vetëm në imagjinatën tonë, por nga ana tjetër duhet të paguajmë një çmim të mirë për këtë”, ka shtuar Ribas.

Pjesa më interesante e kësaj ligjërate ka qenë debati se si ndikon teknologjia në ligjbërje.

“Pse rrini para semaforit për ditën jeshile, pse nuk ecni në mes të rrugës, edhe kur nuk ka makina në rrugë. Të gjitha këtë janë prova që teknologjia ka ndikuar prej vitesh në jetën tonë, dhe më e rëndësishmja, në bërjen e ligjeve”, ka shpjeguar ai.

Duke cituar nga një studim i tij, i titulluar “Etika rreth teknologjisë”, Ribas ka treguar se me kohë imazhet ose kujtimet janë shndërruar vetëm në një “Swipe”.

“Sipas statistikave njerëzit rrinë para pikturës së Da Vinçit apo Mona Lizës, vetëm për 15 sekonda, por nuk e kanë problem të rrinë me orë të tëra në telefonat e tyre. Sipas ligjit as fotot që i vë online nuk janë më pronë komplet e jotja pasi i përkasin një publiku më të gjerë që mund të bëjë gjithçka me to.

Shumë shpesh kemi parë që njerëzit bëhen shikues të shfaqjes të tyre online, dhe mund t’ua siguroj që të gjithë në telefonat tonë kemi prova për një krim të kryer. Pavarësisht i çfarë nivelit është ky krim”, ka shpjeguar Ribas në fund të debatit.

João Ribas është shkrimtar dhe kurator bazuar në Porto. Ai më parë ishte drejtor i Muzeut të Arteve Bashkëkohore Serralves, Porto, ku gjithashtu mbajti postin e zëvendësdrejtorit dhe kuratorit të lartë (2014-2018). Gjithashtu ishte kurator i MIT List Visual Arts Center (2009-13) dhe i Qendrës së Vizatimeve, New York (2007-09). Ribas fitoi katër çmime të njëpasnjëshme AICA për ekspozitën më të mirë (2008-2011) dhe Emmy Hall Awards Tremaine Exhibition (2010). Shkrimet i tij janë botuar në publikime të shumta, si Artforum, Afterall, Artnews, Art in America, Frieze, Mousse, The Exhibitionist, Spike dhe The Guardian.  / Rrona Jaka / KultPlus.com