Ndriçim i Kalasë së Lezhës për t’u vizituar edhe gjatë natës

Ekipi i mirëmbajtjes DRTK Shkodër vijon punët e përditshme në funksion të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të sinjalistikës së pasurive kulturore.

DRTK Shkodër njofton se, së shpejti Kalaja e Lezhës do të ndriçohet nga dritat në çdo cep.

Me zbatimin e projektit elektrik, ndriçimi i saj parashikon rizhvillimin energjetik dhe artistik, me vëmendje të veçantë për elementet identifikuese të kalasë, duke iu shtuar rrjetit të ndriçuar të kalave në të gjithë vendin.

E veçanta e këtij investimi është se, për herë të parë në një objekt të tillë, siç është Kalaja e Lezhës do të bëjë që kalaja, jo vetëm do të ketë një pamje madhështore, por ajo do të mund të vizitohet edhe gjatë natës nga vizitorë të ndryshëm.

Ndriçimi përfshin, hyrjen e kalasë, ndriçimin e mureve të jashtme dhe të objekteve të brendshme me vlerë./atsh/KultPlus.com

Kalaja e Lezhës, e restauruar dhe me shërbime të reja për vizitorët e turistët e shumëfishuar (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka postuar sot në rrjetin social një video me pamje nga Kalaja e Lezhës, e cila është restauruar dhe tashmë ofron shërbime të reja për vizitorët e turistët e shumëfishuar.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këto pamje fantastike nga Kalaja e Lezhës, e restauruar dhe me shërbime të reja për vizitorët e turistët e shumëfishuar”, shkruan kryeministri Rama.

Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. Objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture. Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik. /KultPlus.com