“Luella”, romani më i ri nga shkrimtarja Kaltrina Maloku

Në vitrinat e bibliotekave tona dhe librarive në Kosovë, tashmë mund të gjeni romanin më të ri të shkrimtares, Kaltrina Maloku.  

Ajo kësaj radhe vjen me romanin “Luella”, në të cilin trajtohet një romancë dashurie me personazh kryesor Luelllën, një vajzë të re, e cila përballet me vështirësitë e karrierës që e shoqërojnë rininë në vendin tonë dhe është vetëm rastësia ajo që i jep mundësinë personazhit kryesor që të shpreh talentin e saj. E liruar nga komplekset dhe paragjykimet e shoqërisë, karakteri i Luellës lufton si për dashurinë, ashtu edhe për punën me forcën e saj, duke u përballuar vazhdimisht me këto dukuri të theksuara në vendin tonë.   

Romani është botuar gjatë këtij muaji nga shtëpia botuese “Lena Graphic”, me redaktor Berat Armagedoni.  

Ndërkaq, botimi i këtij romani është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa lexuesit mund ta gjejnë këtë roman në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë. 

Ndryshe, shkrimtarja Kaltrina Maloku, deri më tani ka botuar romanin “Heshtja e kohës”, “Britmat e shpirtit” dhe librin me poezi për fëmijë “Ma fal buzëqeshjen”.  /KultPlus.com

“Ora e Tahir Deskut” i jepet Kaltrina Malokut

Çmimi letrar “Ora e Tahir Deskut”, të cilin për çdo vit e ndan Komuna e Klinës, këtë vit i është dhënë Kaltrina Malokut për romanin “Britma e shpirtit” (botuar vitin e kaluar nga shtëpia botuese “Armagedoni”).

Kaltrina Maloku, e cila e ka pranuar këtë çmim në Shtëpinë e Kulturës “Jehona Dukagjinit” në Klinë, ka thënë: “Është nder i madh për mua, por edhe motiv për të vazhduar që të shkruaj në të ardhmen”.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, është shprehur se organizimi i Orës Letrare, përveçse përkujton shkrimtarin Tahir Desku, është edhe një vlerësim për krijuesit dhe talentët e vargut poetik.

Shkrimtarja Maloku deri më tani ka botuar dy romane – “Heshtja e Kohës” (2015) dhe “Britmat e shpirtit” (2017) – si dhe librin për fëmijë “Ma fal buzëqeshjen” (2018). /KultPlus.com