Katër shpella unike të Kosovës në pulla postare

Posta e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, lansoi sot emisionin më të ri të pullave postare kushtuar katër prej monumenteve natyrore më të veçanta të vendit: Shpella e Kusarit, Shpella “Gryka e Madhe”, Shpella e Hoxhës dhe Shpella e Demës.

Ky emision paraqet një udhëtim vizual të pasur nëpër thesaret nëntokësore të vendit tonë – dëshmi të rralla të gjeologjisë, arkeologjisë, biodiversitetit dhe historisë sonë të lashtë. Përmes këtyre pullave, publiku ka mundësinë të njihet me vlerat e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore që i ofron Kosova.

Shpella e Kusarit, gjendet pranë fshatit të lashtë Kusar në rajonin e Gjakovës, është pjesë e peizazhit karstik të Malit Pashtrik. E formuar në shkëmbinj gëlqerorë me një histori mijëvjeçare, shpella mbart gjurmë të banimit të hershëm dhe ofron një ambient unik për studiuesit dhe vizitorët.

Shpella “Gryka e Madhe”, e pozicionuar në kilometrin e tetë të Grykës së Rugovës, 60 metra mbi shtratin e Lumëbardhit të Pejës, ofron një pamje imponuese që i ngjan një tempulli natyror. Brenda saj gjenden stalaktite dhe stalagmite të mahnitshme, lumenj e liqene nëntokësore, duke e renditur këtë shpellë ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe rajon për nga vlera speleologjike dhe turistike.

Shpella e Hoxhës, mbi fshatin Vrellë të Istogut, në masivin malor të Moknës, përfaqëson një lokalitet arkeologjik me rëndësi të madhe. Ajo ka qenë e banuar që nga parahistoria e deri në kohët moderne. Brendësia e saj ruan fragmente qeramike, gurë të punuar dhe një liqen të brendshëm, që formohet nga pikimi i vazhdueshëm i stalaktiteve.

Shpella e Demës, e cila ndodhet në hyrje të Grykës së Rugovës, pranë Patrikanës së Pejës, shquhet për vlerat e saj historike dhe biologjike. Si lokalitet arkeologjik, kjo shpellë simbolizon lidhjen e përhershme ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke ruajtur gjurmë të qëndrueshmërisë njerëzore nëpër shekuj.

Përmes këtij emisioni të veçantë, Posta e Kosovës synon të promovojë dhe të nxisë vetëdijen për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Kosovës. Pullat postare shërbejnë jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si ambasadorë të vlerave tona kombëtare në botë./ KultPlus.com

Katër vite nga vdekja e fizikanit të njohur Stephen Hawking

Sot bëhen katër prej se Stephen Hawking, një prej fizikanëve më të njohur në botë, ndërroi jetë. Ai vdiq në moshën 76-vjeçare në shtëpinë e tij në Cambridge.

Anglezi ishte i njohur për punën e tij me vrimat e zeza dhe relativitetin, po ashtu ka shkruar disa libra të njohur shkencor duke përfshirë “Një histori e shkurtër e kohës”.

Në moshën 22-vjeçare mjekët i kishin dhënë vetëm disa vite jetë, pasi u diagnostikua me një sëmundje të rrallë nervore. Sëmundja e la atë në karrocë me rrota dhe po thuajse të pa aftë për të folur.

Hawking gradualisht kishte humbur përdorimin e dorës së tij, dhe me 2005 ai filloi të kontrollojë pajisjen e tij të komunikimit me lëvizjet e muskujve të faqeve, me një normë prej rreth 15 fjalë për minutë.

Stephen William Hawking, u lind më 8 janar të vitit 1942 në Oksford, Britani e Madhe dhe ishte një prej fizikanëve teorik më te njohur në botë.

Ai ishte astrofizikan dhe që nga viti 1979 pronar i katedrës lukasiane dhe profesor matematike në Universitetin e Kembrixhit, detyrë që mbahej dikur nga Isak Njutoni. / KultPlus.com