Këngët majekrahu si formë unike e komunikimit ndër shqiptarë

Kënga majekrahu, njëra nga më të lashtat ndër shqiptarë, më shumë sesa produkt i shijes artistike, ka qenë një formë komunikimi në një komunitet të caktuar, kryesisht në zonat alpine të trojeve shqiptare.

Epiqendra e këngëve majekrahu ka qenë Malësia e Madhe, zona e Mbishkodrës, Malësia e Gjakovës me Tropojën në qendër Dukagjini dhe zona e Rugovës, përcjellë KultPlus.

Kënga majekrahu është një kumt, një informacion që jepet më anën e këngës, nga një këngëtar (ose edhe dy sish, që alternojnë zërat, për të fuqizuar informatën). Këngëtari vente dorën në vesh, si një ritual për ta përhapur më fort jehonën dhe këndonte dy ose disa vargje, që transmetonin thjesht një kumt, një informatë.

Informata kishte të bënte me një njoftim a kushtrim për luftë, për ndonjë rrezik nga armiqtë, me të cilët banorët e këtyre zonave ishin ballë për ballë me shekuj.

Interpretimi realizohej me anën e theksimeve të rrokjeve, që informata të transmetohej sa më e fortë dhe sa më e qartë, me theksimin e emrave të figurave që ishin subjekt i informacionit. Këngët majekrahu, pra, u kanë shërbyer brezave për komunikim, pra transmetimin e informacionit, pra ato kanë pasur brenda vetes edhe dimensionin estetik mjaft të fuqishëm. Recipientët e saj, të edukuar ndër breza me vlerat e këngës majekrahu, e kanë përjetuar si krijim estetik.

Prandaj, këto këngë janë kënduar edhe në festa familjare, fejesa e martesa, pothuajse si një ritual për mbarësi e trimëri të brezave, shkruhet në librin “Ekskomunikimi- si histori e fshehur”, i shkruar nga Milazim Krasniqi.

Një funksion tjetër i tyre ka qenë forcimi i atdhetarizmit, sepse duke qenë kushtrim, kanë forcuar ndjenjat atdhetare të dëgjuesve të vet. Pra, roli parësor ka qenë komunikimi, transmetimi i informatës, gjë që i bën unike në historinë tonë të komunikimit./ KultPlus.com