Klubet e natës në SHBA dhe Evropë po mbyllen me shpejtësi, duke shënuar fundin e një epoke të artë të muzikës dhe vallëzimit. Në dekadën e fundit, rënia ka qenë e dukshme, sidomos pas pandemisë COVID-19 që ndryshoi sjelljet sociale dhe solli krizë ekonomike të rëndë për këtë industri.
Brezat e rinj, veçanërisht gjenerata Z, po preferojnë shoqërinë në shtëpi, mbledhje të vogla, festivale apo forma alternative argëtimi, duke lënë pas modelin e “clubbing”-ut që shënoi vitet ’80 dhe ’90.
Shifrat flasin qartë: në Francë, numri i klubeve ka rënë nga 6,000 në vetëm 1,400 që nga vitet ’80, ndërsa në Britani 31 për qind e tyre janë mbyllur vetëm mes viteve 2020-2023.
Në SHBA, qytete si Los Angeles kanë parë rënie me 20 për qind të hapësirave të jetës së natës që nga viti 2019. Arsyet janë të shumta nga taksat dhe qiratë e larta, deri tek ndryshimet kulturore që po e zhvendosin rininë drejt argëtimit më intim dhe larg turmave, transmeton KultPlus.
Një studim i GlobalData tregon se 21 për qind e gjeneratës Z planifikojnë të dalin më pak jashtë shtëpisë, ndërsa një sondazh i YouGov (2024) zbulon se vetëm 28 për qind e 18-34-vjeçarëve në SHBA frekuentojnë rregullisht klubet, krahasuar me brezat e mëparshëm. Ekspertët paralajmërojnë se kjo rënie nuk është vetëm një çështje ekonomike, por edhe një krizë kulturore, pasi klubet e natës dikur përfaqësonin qendra të jetës shoqërore.
Paradoksi është se largimi nga skena e natës nuk po sjell më shumë lidhje shoqërore, përkundrazi: një sondazh amerikan i vitit 2021 tregoi se 61 për qind e të rinjve të gjeneratës Z ndihen të vetmuar, krahasuar me 44 për qind në vitin 2010. Në këtë mënyrë, ndërsa klubet po shuajnë dritat, një brez i tërë po përballet me një formë të re të vetmisë dhe ndryshimit të mënyrës së jetesës./KultPlus.com
