Baleti Kombëtar nis provat për premierë në New York

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e dytë për vitin 2024, shfaqje kjo e cila do të shfaqet si premierë në New York të SHBA.

Në bashkëpunim me primabalerinën dhe koreografen Chiara Ajkun, kjo shfaqje, premierën botërore do ketë me dt 31.05.2024, në teatrin St.Jean, në Manhattan të New York-ut./ KultPlus.com

Inaugurohet rruga “Ismail Qemali” në New York

Një nga rrugët e State Island në New York, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është inauguruar me emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, “Ismail Qemali”.

Këtë e bëri të ditur përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, kryetari i bordit të shkollave shqipe në New York, Qemal Zylo.

Ai ka thënë se duhet ta mbajnë amanetin e të parëve në zemrat e tyre, pasi siç shkruar Zylo flamuri, atdheu dhe gjuha shqipe janë ruajtur nga gjaku i derdhur i martirëve. / KultPlus.com

Një rrugë në New York pritet të mbajë emrin e Ismail Qemalit, konsiderohet moment historik

Qyteti i New York-ut pritet të nderojë një nga heronjtë e shquar të Shqipërisë duke i vënë emrin e tij një rruge. Rruga, e cila është hera e parë që do të mbajë emrin e një heroi shqiptar në këtë qytet të madh amerikan, do të mbajë emrin e Ismail Qemalit, figurës kryesore të pavarësisë shqiptare dhe presidentit të parë të shtetit të pavarur shqiptar.

Emërimi i një rruge në emër të Ismail Qemalit në New York nuk është vetëm një nderim për figurën e tij historike, por gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në qytetin e madh amerikan.

Shqiptarët janë një nga komunitetet më të rëndësishme dhe më të vjetra të diasporës në New York, dhe emërtimi i një rruge me emrin e një heroi kombëtar shqiptar përforcon identitetin dhe pranimin e tyre në këtë qytet.

Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island, Naser Nika, dhe biznesmeni Shpëtim Qorraj, djali i dëshmorit Mustafë Qorraj nga Pemishta e Drenicës, janë shprehur se janë në përpjekje të vazhdueshme për të realizuar një ndër arritjet më të rëndësishme për komunitetin shqiptar në New York.

Siç kanë bërë të ditur për Dukagjinin, ata po angazhohen intensivisht për të emëruar rrugën e parë në Staten Island në nderim të një heroit shqiptar, duke e bërë kështu një ngjarje të pazakontë dhe historike.

Në një ceremoni emocionuese që do të zhvillohet më 3 qershor 2023, komuniteti shqiptar në Staten Island, New York, do të festojë momentin historik – emërimin e rrugës “Ismail Qemali”.

Ceremonia do të zhvillohet në Miller Field, një park i njohur i Parkut Board Walk, që ndodhet përball Rrugës Seaview Ave dhe Father Capedaano Blvd, në Staten Island.

Aktivitetet e ceremonisë do të jenë të shumta dhe do të kënaqin të pranishmit me një atmosferë festive.

Muzika shqiptare do të dëgjohet në tone të larta, recitimet do të përshkruajnë historinë dhe kontributin e Ismail Qemalit, ndërsa vallëzimet tradicionale do të japin një frymë autentike kësaj ngjarjeje.

Komuniteti shqiptar në të gjitha trojet do të mblidhet për të festuar këtë moment të rëndësishëm dhe për të shprehur krenarinë dhe dashurinë për trashëgiminë e tyre kulturore.

Rruga “Ismail Qemali” do të jetë një kujtim i përhershëm i kontributit të tij në historinë e Shqipërisë dhe do të shërbejë si një shenjë e unitetit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve shqiptare dhe amerikane New York. Ismail Qemali lindi në vitin 1844 në Vlorë dhe u bë figura kryesore e lëvizjes për pavarësi në fillim të shekullit të 20-të. Në vitin 1912, ai shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe u bë kryetari i parë i shtetit të pavarur shqiptar. / Insajderi / KultPlus.com

New Yorku shpall gjendje të jashtëzakonshme për ‘krizën’ e emigrantëve

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të trajtuar një “situatë krize” për shkak të fluksit të emigrantëve, përcjell KultPlus.

Më shumë se 17,000 emigrantë kanë mbërritur në qytet nga kufiri jugor që nga prilli.

Shtetet republikane si Teksasi, Arizona dhe Florida kanë dërguar emigrantë në zonat demokratike muajt e fundit.

Është pjesë e një mosmarrëveshjeje me Shtëpinë e Bardhë pasi një numër i paprecedentë njerëzish mbërrijnë në kufirin SHBA-Meksikë.

Që nga shtatori, mesatarisht pesë deri në gjashtë autobusë kanë mbërritur në qytet çdo ditë, tha zoti Adams në një konferencë për shtyp të premten.

Ai tha se një në pesë persona në sistemin e strehimoreve të qytetit është aktualisht azilkërkues.

“Shumë nga ata që vijnë janë familje me fëmijë të moshës shkollore dhe kanë nevojë serioze për kujdes mjekësor”, tha ai. /KultPlus.com

New Yorku ia kthen Italisë veprat e artit në vlerë 19 milionë euro

New Yorku i ka kthyer Italisë veprat e artit të vjedhura në vlerë 19 milionë dollarë, raporton BBC.

58 veprat e artit që datojnë 200 vjet para Lindjes së Krishtit, vlerësohen rreth 3 milionë dollarë.

Artefaktet e vjedhura ishin shitur nëpër muze dhe te shitësit privatë nga hajdutët, të cilët u dënuan më pas, ka thënë prokurori i qarkut të New Yorkut, Alvin Bragg.

Është tentimi i radhës i New Yorkut për t’i kthyer artefaktetet e vjedhura te shtetet e origjinës. / KultPlus.com

Jon Saqipi sjell edhe një çmim ndërkombëtarë në Kosovë

Regjisori i ri, Jon Saqipi ka shënuar edhe një sukses ndërkombëtar me filmin e tij të metrazhit të shkurtër “Circle” apo rreth.

Ai ka lajmëruar nëpërmes rrjeteve sociale që ka fituar çmim në New York në festivalin “Grand New York Film Awards – USA”.

Regjisori në një intervistë për T7 kishte thënë së është në pritje edhe të një çmimi në Berlin, konkretisht në festivalin “Emerald Peacock” ku është i nominuar në të gjitha kategoritë.

Deri me tani “Circle” (Rreth) ka pasur shumë sukses nëpër festivale ndërkombëtare. Ai ka fituar në katër sosh dhe ka qenë i nominuar në disa kategori.

Ai ka fituar çmimet si; filmi më i mirë studentor në – Gold Star Movie Awards – NEW JERSEY, USA; filmi më i mirë studentor në – Mumabi International Film Festival – INDI, filmi më i mirë studentor në – Grand New York Film Awards – USA dhe titull nderi për filmin më të mire studentor në – Arrow International Film Festival – PARIS, FRANCË.

Ai po ashtu ka qenë gjysmë Finalist në kategorinë për Regjisorin më të mire në – Hollywood International Golden Age Festival që është mbajtur në New York të SHBA-vë, mandej gjysmëfinalist për filmin më të mire studentor në Palm Springs Shorts  të Kalifornisë derisa është selektuar në të gjitha kategoritë në Emerald Peacock  të Berlinit në Gjermani.

Në rolet kryesore të këtij filmi luajnë: Sherif Bega, Shengyl Ismaili, Shkumbin Veseli, Rabije Kryeziu, Fatmir Haliti. Regjia është punuar nga Jon Saqipi me asistente Qëndresë Krasniqi. Producentë i filmit është Kastriot Saqipi, kameramanë Fitim Saqipi, organizator: Bleron Hevziu, montazher Xhemail Bajrami, tonist Shqiptar Dervisholli dhe post produksion i audios, Ben Haliti. /KultPlus.com

Loredana shfaqet në ‘billboardin’ e Times Square në New York

Një prej emrave më të përfolur në tregun e muzikës, këngëtarja shqiptaro-gjermane, Loredana, po vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

Fama e saj ka përshirë një treg më të gjerë.

Suksesin e radhës, Loredana e shënoi duke u shfaqur në ‘billboardin’ gjigant të Time Square në New York.

Fotografia e saj në sheshin e qytetit amerikan u publikua nga Spotify dhe nuk vonoi dhe reperja e ka ripostuar në llogarinë e saj në Instagram.

Loredana është një prej artisteve që sjell më së shumti projekte gjatë vitit duke qenë kështu gjatë gjithë kohës nëpër top listat më të njohura.

Projekti i saj i fundit është bashkëpunimi me reperin shqiptar, Noizy “Heart attack” që është kthyer në një hit veror. / KultPlus.com

“Vallëzimi tradicional shqip” i fëmijëve shqiptarë në New York

Shkolla Shqipe në Staten Island, New York e organizuar nga Shoqata Atdhetare Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini, nëpërmjet mësimit të gjuhës amtare dhe mësimit të këngëve e valleve shqipe, po krijon një traditë të shkëlqyer të ruajtjes së identitetit kulturor e kombëtar të fëmijëve shqiptarë në mërgatën e Amerikës.

Mësueset e vallëzimit tradicional shqip, Hana Demiri dhe Nadia Hoxha, kanë rrëfyer për “Diellin” emocionet e rralla dhe ndjesinë e veçantë me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2021-2022.

KËRCIMI E VALLËZIMI SHQIP SI MUNDËSI E RUAJTJES SË TRASHËGIMISË KULTURORE SHQIPTARE

Na duket si ëndërr kjo kohë që ka kaluar, sepse gjithmonë e kemi pasur dëshirën që të shpërndajmë dashurinë tonë për Vallëzim e sidomos për folklorin shqiptar edhe me të tjerët. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajmë se sa të kënaqur jemi me progresin e fëmijëve dhe me dashurinë e sapo gjetur për vallëzim që shohim tek ata nxënës. Ne e duam secilin nxënës dhe mezi presim t’i shohim të përparojnë. Na vjen shumë mirë edhe që ato kanë një krenari dhe dëshirë që përmes kërcimit të ruajnë trashëgiminë kulturore shqiptare.

FËMIJËT DHE EMOCIONET E MAGJISHME…

Në fillim fëmijët kanë pasur turp të kërcejnë dhe të flasin gjuhën shqipe. Kur i kanë mësuar hapat e valleve, fytyrat e tyre shkëlqenin nga lumturia dhe nga krenaria që kanë arritur të bëjnë këtë gjë.

V

ALLE E MUZIKË NGA TREVAT SHQIPFOLËSE

Në vitin e ardhshëm kemi disa valle të tjera për fëmijët. Kemi dëshirë t’i familjarizojmë me të gjitha vallet shqipe. Unë dhe Nadia jemi nga Kraja por edhe fëmijët nga Ana e Malit dhe Ulqini njohin vetëm vallëzimet e tyre. Është me rëndësi që ti lidhim me shumë valle dhe në anë e tjera të Shqiptarisë, Kosovës etj, që të mos kufizohen vetëm në vallet e vendit nga ato janë. Kufijtë nuk mund të na ndajnë prej kulturës tonë, dhe shpresojmë që t’i bëjmë nxënësit ta kuptojnë këtë gjë duke mësuar valle të ndryshme shqiptare.

SHOQATA ATDHETARE KRAJA, ANA E MALIT DHE ULQINI, BASHKËPUNIM TË SHKËLQYER

Prindërit na kanë mbështetur gjatë karrierës sonë të vallëzimit me nxënësit. Kur vendosëm që do të bëheshim mësuese, ato ishin krenar që përdorëm aftësitë tona si valltarë për të mësuar të tjerët. Drejtuesit e Shoqatës Kraja, të Anës Malit, dhe të Ulqinit besuan shumë tek ne që ditën e parë dhe na kanë mbështetur edhe më shumë sepse unë dhe Nadia jemi prej zonave të tyre. Ata dëgjuan çdo kërkesë tonën.

NXËNËSIT I TEJKALUAN PRITSHMËRITË…

Nxënësit i tejkaluan pritshmëritë tona në shumë mënyra. Ata u përparuan shumë në një kohë të shkurtër dhe e dimë që do të vazhdojnë të zhvillojnë aftësitë e kërcimit me një ritëm të shpejtë. Ato e dinë vallen e Krajës, të Ulqinit, të Anës Malit, të Kosovës, dhe Shqipërisë të Jugut. Ato kanë dëshirë të mësojnë edhe Vallen e Kukësit dhe Valle me motive nga Malësia dhe nga Tropoja.

KUSH JANË MËSUESET HANA DEMIRI DHE NADIA HOXHA?

Hana Demiri filloi vallëzimin folklorik në vitin 2014. Nadia Hoxha filloi të kërcente kur ajo ishte pesë vjet dhe ka mbushur vallëzim folklorik në vitin 2016. Kam një pasion të madh për shkencat por edhe për gjuhët e huaja. Në Gusht do filloj vitin e tretë të universitetit duke studiuar shkencën e mjekësisë. Nadia u diplomua këtë vit me një diplomë në “marketing”. Ajo ka një pasion për të punuar me fëmijë të vegjël dhe për të udhëtuar. Të dyja i duam fëmijët dhe jemi shumë krenare për rrënjët tona shqiptare. Kemi dëshirë të shpërndajmë këtë krenari për shqiptarizmin përmes mësimit të këngëve dhe vallëzimit shqip./Dielli/ KultPlus.com

Nesër protestë në Nju Jork për moslejimin e riemërtimit të një rruge me emrin e Fan Nolit

Kryeministër, themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare autoqefale, diplomat, shkrimtar, mjeshtër përkthyes i Shekspirit, Servantesit, Ibsenit, Poe, Fan Noli ishte një figurë madhështore në historinë shqiptare, transmeton KultPlus.

Komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork po përpiqet të riemërtojë një rrugë me emrin e tij.

Megjithatë, këshilltarja Marjorie Velazquez po bllokon kërkesën pa dhënë asnjë arsyetim.

Nesër do të ketë një protestë në Nju Jork.

Kjo kauzë që konsiderohet si e denjë pritet të mbështetet nga qytetarët për të ndarë të paktën detaje të protestës me shqiptaro-amerikanët që jetojnë në Nju Jork. / KultPlus.com

Lufta e Kosovës përmes filmit po përcillet nëpër botë, ‘Sofra e Varrit’ do të shfaqet edhe në New York

Filmi i shkurtër artistik “Sofra e Varrit” me skenar të Mentor Zymberaj dhe regji të Mirak Zymberaj ka arritur edhe një sukses tjetër ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Pas suksesit në Festivalin Ndërkombëtar të filmit “Artkino” në Moskë të Rusisë dhe selektimit në Festivalin “The Palace International Short Film Festival” në Sofje të Bullgarisë, tani filmi është ftuar për Festivalin “The 4th Meihodo International Youth Visual Media Festival” në New York.

Edhe një tjetër sukses për filmin nga Kosova i cili trajton temën e luftës 1999 në Kosovë dhe pasojat, fatet e njerëzve dhe luftën e heroizmat e pakompromise për të shpëtuar njëri tjetrin.

Këtë vit MIYVMF po fokusohet në tre kategori: Film me metrazh të gjatë, Dokumentar dhe Video muzikore./KultPlus.com

Jusuf Buxhovi u mirëprit nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork


Sot, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ata patën nderin të presin shkrimtarin, historianin, intelektualin dhe aktivistin e mirënjohur politik të Kosovës, profesorin Jusuf Buxhovi.

Fillimisht, Ambasadori Isufaj e informoi profesorin Buxhovi për aktivitetet dhe funksionimin e Konsullatës në Nju-Jork ku, përpos shërbimeve të rregullta konsullore që ofrohen për qytetarët tanë në këtë pjesë të botës, ata janë përkushtuar edhe në zhvillimin dhe ruajtjen e raporteve me OKB-në dhe përfaqësuesit e Misioneve të Përhershme pranë kësaj organizate.

Nga ana tjetër, profesori Jusuf Buxhovi, përveç që bëri një përshkrim të shkurtër mbi historiografinë e tyre, që nga kohërat e lashta e deri në historinë më të re, duke qenë dhe vetë dëshmitar i saj, ai inkurajoi që si përfaqësues të shtetit të Kosovës të shpërfaqin historinë e tyre, gjithnjë të bazuar në argumente të besueshme historike.

Dëshmi që e përthekon tërë këtë historiografi është dhe vëllimi i tre librave të profesor Buxhovit, që kur flitet për rrënjët shqiptare-nga Dardania në kohërat antike dhe të Mesjetës te periudha e Perandorisë Osmane e deri te historia e tyre më e re-nga okupimi e deri te Protektorati Ndërkombëtar.

Këta libra nuk i kontribuojnë vetëm një realiteti historik, shoqëror, kulturor e politik të shqiptarisë, porse do të mbesin edhe përjetësisht në sirtarët e një historie të pamohueshme-histori që do t’u shërbejë gjeneratave të reja.

Me këtë rast, profesor Buxhovi i dhuroi atyre disa pako të vëllimit të fundit në gjuhën angleze të librave të tij, “Kosova”. / KultPlus.com

Më 7 janar të vitit ’55, sopranoja Anderson bëhet personi i parë me ngjyrë që perfomon në Operën e Nju-Jorkut

Marian Anderson ka qenë këngëtare amerikane e muzikës klasike dhe spiritualiste.

Si këngëtare me ngjyrë, ajo kishte probleme në Amerikën e asaj kohe kur racizmi ishte mjaft i theksuar.

Anderson u bë një figurë e rëndësishme në luftën për zhdukjen e racizmit dhe paragjykimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë artiste, 7 janari i vitit 1955 ka qenë data më rëndësishme në karrierën e saj.

Mezzo-soprano Mariana Anderson u bë personi i parë me ngjyrë që performoi në Operën Metropolitane të Nju-Jorkut, me shfaqjen “Un ballo in maschera” të Giuseppe Verdit.

Kritiku muzikor Alan Blyth tha: “Zëri i saj ishte një kontralt i pasur, i gjallë me një bukuri të brendshme”. Ajo interpretoi në koncerte dhe recital në vendet kryesore të muzikës dhe me orkestra të famshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Evropë midis viteve 1925 – 1965. / KultPlus.com

Anulohen festimet për Vitin e Ri, Omicron ‘izolon’ disa kryeqytete në botë

Përhapja e variantit të ri të Covid, Omicron muajt e fundit në botë ka bërë që shumë kryeqytete botërore të anulojnë festimet për natën e ndërrimit të viteve.

Në New York festimet do të jenë të kufizuara dhe qytetarët duhet që të përdorin maska.

Evropa është  një ndër vendet që ka shënuar një rritje të ndjeshme të rasteve të reja të të infektuarve me Covid duke bërë që shumë qytete të anulojnë edhe festimet.

Disa nga kryeqytetet evropiane që kanë anuluar festimet janë Athina, Roma, Berlini dhe Londra, ndërsa në vendin tonë edhe pse janë konfirmuar rastet e para me Omicron, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që natën e ndërrimit të viteve të hiqet edhe kufizimi i orës policore. /KultPlus.com

How to Spend New Year's Eve in Paris | The Tour Guy

New York po ndërton një ‘mur’ për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike

Me ndryshimin e klimës që po prek gjithnjë e më shumë zona të banueshme, një qytet amerikan po përpiqet të përgatitet për stuhitë e ardhshme. Qyteti i New Yorkut po realizon një projekt rezistent ndaj klimës për ta ndihmuar atë të shmangë gabimet e së kaluarës dhe të mbrohet nga ndryshimet e motit në të ardhmen, shkruan EuroNews.

Kryeqyteti ekonomik i SHBA-së është shumë i prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Me 836 km vijë bregdetare, ekspertët kanë frikë se nivelet e detit do të rriten midis 20-75 cm deri në vitin 2050, gjë që do të kërcënonte Nju Jorkun , veçanërisht ishullin Manhatan.

Me një popullsi prej 8.5 milionë banorësh, uragani Sandy i vitit 2012 dhe stuhitë Ida dhe Henri këtë verë shkaktuan miliarda dollarë dëme në qytetin më të madh të Amerikës, si dhe mbi 50 viktima. Me gjeografinë e tij të veçantë, “Big Apple” është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj motit të keq dhe së fundmi ka miratuar një plan për elasticitetin e klimës që kushton 20 miliardë dollarë për të parandaluar stuhitë e ardhshme.

Një nga projektet synon sigurinë e Manhatanit.  Si pjesë e projektit prej 1.45 miliardë dollarësh puna ka filluar tashmë në Manhatanin juglindor për të ngritur një sistem prej 4 km të parqeve, mureve dhe portave të lëvizshme me një linjë të vazhdueshme mbrojtjeje kundër rritjes së nivelit të detit dhe kërcënimin e stuhive më të forta bregdetare të përkeqsuara nga ndryshimet klimatike, shkruan abcnews.al

“Ky projekt do t’i mbrojë njujorkezët nga stuhitë bregdetare dhe rritja e nivelit të detit për dekadat në vijim, ndërsa gjithashtu do të investojë në lehtësira dhe do të përmirësojë aksesin në hapësirat publike në anën lindore të Manhatanit,” sipas Kryetarit të Bashkisë për Rezistencën ndaj Klimës, Jainey Bavishi.

Manhattan gjithashtu do të mbjell mijëra pemë përreth vendit të ndërtimit dhe do të përmirësojë sistemet nëntokësore për kanalizimet./abcnews.al /KultPlus.com

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi “Panairin e librit 2021”

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi Panairin e librit New York 2021.

Në këtë event morrën pjesë shkrimtarë nga Amerika, Kanadaja, Shqipëri, Italia. Gjithashtu pjesë e këtij panairi ishin edhe shkrimtarët Visar Zhiti dhe Gjekë Marinaj.

Panairi u organizua në orën 13:30, pranë Qendrës Kulturore Shqiptare Illyria.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është shtëpia e shkrimtarëve, ku vlerësohet fjala e tij e bukur, e ngrohtë, me një art tepër origjinal të rrëfimit. / KultPlus.com

Rastet me ‘omicron’ alarmojnë New Yorkun, vendosen masa të rrepta ndaj COVID-19

Qyteti i Nju Jorkut do të kërkojë që të gjithë punëtorët e sektorit privat të vaksinohen plotësisht kundër Covid-19, tha të hënën kryebashkiaku Bill de Blasio, transmeton KultPlus.

Kryebashkiaku njoftoi se vaksinimi është rruga e vetme për të dalë nga kjo pandemi.

“Qyteti i Nju Jorkut nuk do të japë asnjë centimetër në luftën kundër COVID-19. Vaksinimi është rruga për të dalë nga kjo pandemi dhe këto janë masa të guximshme, të para në vend për të inkurajuar njujorkezët të mbajnë veten dhe komunitetet e tyre. sigurt”, tha kryebashkiaku de Blasio.

Për më tepër, de Blasio tha se do të kërkohet gjithashtu prova e vaksinës për ngrënie në ambiente të mbyllura, fitnes dhe argëtim për fëmijët 5 deri në 11 vjeç, duke filluar nga 14 dhjetori.

Aktivitetet e brendshme gjithashtu kërkojnë tani dy doza vaksinash, nga një për njerëzit e moshës 12 vjeç e lart.

Ai gjithashtu njoftoi se fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç do t’u kërkohet të vaksinohen për të marrë pjesë në aktivitete jashtëshkollore me rrezik të lartë. Këto aktivitete përfshijnë sportin, grupin, orkestrën dhe kërcimin. Kjo kërkesë për dozën fillestare të vaksinës do të hyjë në fuqi më 14 dhjetor.

Qyteti i Nju Jorkut ka administruar mbi 12.5 milionë doza vaksinimi. Gati 6.5 milionë njujorkezë – duke përfshirë 89% të të rriturve – kanë marrë të paktën një dozë. Më shumë se 125,000 fëmijë të moshës 5-11 vjeç kanë marrë tashmë të paktën një dozë, sipas të dhënave të qytetit. /KultPlus.com

New York City Sets Covid-19 Vaccine Mandate for Private-Sector Workers - WSJ

Dua Lipa me një lajm të keq për fansat e saj, mjeku ia anulon koncertin e fundvitit

Këngëtarja Dua Lipa ka njoftuar fansat e saj për një lajm të keq që ka marrë nga mjeku i saj, pasi nuk do të performojë në eventin “Jingle Ball” të iHeartRadio KIIS FM, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Insta-Story”, 26 vjeçarja ka bërë të ditur se nuk do të jetë e pranishme në koncertin e fundvitit, pasi u diagnostifikua me laring.

“Më thyhet zemra që duhet të ndaj me ju faktin se nuk do të mund të performoj në ‘Jingle Ball’ të iHeartRadio KISS FM për shkak të laringitit”, ka shkruar Lipa.

“Më vjen shumë keq për të gjithë fansat e mi dhe jam vërtet mirënjohëse për mirëkuptimin tuaj. ‘Jingle Ball’ ka një formacion yjor me performanca të mahnitshme për të gjithë ju që jam e sigurt që do t’ju pëlqejë”, tha ajo.

Festivali që do të mbahet në qytetin e New Yorkut, do të jetë i mbushur me artistë me famë botërore sikure: Doja Cat, Ed Sheeran dhe Lil Nas X janë vendosur të performojnë aktualisht, lista mund të shtohet. /KultPlus.com

Image

New Yorku stoliset me flamuj kuq e zi

28 nëntori edhe këtë vit, në Shtetet e Bashkuara e Kanada erdhi me një serë aktivitetesh për nder të Ditës së Flamurit – 109 Vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë .   

Shqiptarët në zonën e Nju Jorkut,  sipas një tradite e nderojnë këtë ngjarje historike me ngritjen flamurit kuq e zi në qytetin e Nju Jorkut, dhe qyteteve të tjera, Çikago, Detroit, Boston, Filadelfia, Stanford dhe Toronto – Kanada, gjatë ceremonive qendrojn dy  flamur ai shqiptar dhe amerikan për t’u valëvitur krah njëri tjetrit.

Shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara aleatin e tyre më të ngushtë – që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë një shekull më parë, deri tek mbështetja më e fundit amerikane për pavarësinë e Kosovës. 

Ngritja e flamurit kuq e zi – krah atij amerikanë në shtyllat e ndriçimit të buluverdave të këtyre qyteteve është për të kremtuar edhe një marrëdhënie të veçantë, si dhe idealet tona të përbashkëta për lirinë dhe demokracinë.

Me këtë rast në rrugët e New Yorkut në qender të qytet-lagjeve (Borough) në Bronx, Brooklyn dhe Staten Island –  ku edhe mësë shumti jetojn shqiptarët, zbukurohen për disa ditë me flamurin kuq e zi dhe atë amerikanë.

Brooklyn: 

Edhe sivjet Brooklyni – New York , u gdhi me atmosferën e festës së flamurit kuq e zi ku shqiptarët nisën të festojnë Ditën e Flamurit. 

Dy bulevardet në qytetin e Brooklynit Bay Parkway dhe Cropsey Ave., deri në zgjatjen e 60th St. u stolisën përsëri nga  Shkumbin Hasangjekaj dhe Shkumbin Balidemaj me ndihmën e kompanisë « ABC Builders » me pronar Blendi Bekteshi, të financuara nga Fondacioni Plavë e Guci. 

Shkumbin Hasangjekaj, një shqiptar që jeton në New York, ka publikuar fotografi duke e mbushur një hapësirë me flamuj kombëtar.

“Tradita në Brooklyn vazhdon”, ka shkruar ai.

Staten Island: 

Edhe në këtë qytet nisën si çdo vjet kremtimet për 28 Nëntorin . Rrugët qytetit ku mendohet se jetojnë 20 mijë shqiptar në Staten Island – New York, janë veshur me flamujt kuq e zi.

“Edhe këtë vit është familja Çoku (Belul Çoku) nga Dibra e Madhe, e cila po sponsorizon flamujt në Staten Island, së bashku me organizatën  “Albanian Roots” që të mbushin këto rrugë me krenari shqiptare”, shkruhet në një informacion të publikuar nga “Albanian Roots”.

Bronx:

Edhe,  këtë 109 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë vendosja e flamujve kuq e zi  është bërë i mundëshëme nga inisiativa disa vjeçare e zotit Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, dhe njëkohësisht këshilltar i Bashkisë së New York-ut, i cili është dhe sponsorizuesi kryesorë me kontributin financiar edhe me atë të disa veprimtarëve të tjerë të komunitetit.

“Kjo i jep bashkësisë shqiptare, këto ditë feste edhe një ndjenjë tjetër të krenarisë sonë kombëtare, kur këto ditë në prag të festës së madhe Ditës së Flamurit, kemi për të parë këto flamuj kuq e zi – duke u valëvitur, përkrah flamurit amerikan si një faleminderim për atë çkan bërë për ne Shtetet e Bashkuara”, thotë Mark Gjonaj . 

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për shqiptarët që të vazhdojnë për të festuar kulturën dhe trashëgiminë e tyre,” ka deklaruar Gjonaj. / KultPlus.com

Mbi 600 mijë dollarë për një kitarë të Eric Clapton

Një kitarë nga koleksioni i  Eric Clapton u ble për 625 000 dollarë në qytetin e Nju-Jorkut, çmimi më i lartë në një ankand kushtuar legjendave të rock-ut, që arriti një shumë totale shitjesh prej gati 5 milionë dollarësh, njoftoi shtëpia e ankandeve “Julien’s”.

E shpallur si pika kryesore e këtij ankandi, që u zhvillua në Hard Rock Caffe, Nju-Jork, por edhe në internet, kjo kitarë akustike, një Martin D-45, e përdorur nga Clapton në vitin 1970 gjatë një koncerti të parë të drejtpërdrejtë nga grupi i tij, Derek dhe Dominos, ishte vlerësuar midis 300 000 dollarë dhe 500 000 dollarë nga Julien’s.

Çmimi i saj i shitjes mbetet shumë më i ulët se rekordi për një kitarë, i arritur nga ajo gjysmakustike e këngëtarit i Nirvana-ve, Kurt Cobain, e përdorur gjatë koncertit të famshëm “MTV Unplugged” në vitin 1993 (6 milionë dollarë në 2020, në Julien’s Auction).

Kitarat e tjera të shitura përfshinin një Gibson Explorer e vitit 1976 “The Edge”, e përdorur nga U2, që u shit për 437 500 dollarë dhe një Fender Stratocaster, e përdorur ga muzikanti i Pink Floyd, David Gilmour, që u shit për 200 000 dollarë.

Gati 1 000 lote dhe objekte të ndryshme, të kaluara nëpër duart e Beatles, Guns N’Roses, Nirvana, Michael Jackson, Amy Winehouse, Whitney Houston, Lady Gaga, Madonna, Elvis Presley, Rolling Stones, u shitën gjatë këtyre ankandeve. / KultPlus.com

32 vjet nga Seminari kushtuar 300 vjetorit të Pjetër Bogdanit në New York

32 vjet më parë, në 7 tetor 1989, komuniteti shqiptar në New York mbajti një Seminar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit.

Rëndësia e kësaj veprimtarie shkon shumë më larg se ajo e një ngjarjeje komunitare, kulturore, apo akademike. Vështirë që edhe vetë organizatorët dhe pjesëmarësit e kësaj ngjarjeje të kenë qenë të ndërgjegjshëm sesa monumentale do të mbetej aktiviteti në histori.

Do të mundohem për aq sa lejon një editorial të shpalos këtu ndikimin historik të Seminarit, po për një kuptim të plotë duhen lexuar përmbledhjet e medias të kohës, vetë ligjëratat e mbajtura, e kujtimet e pjesëmarrësve.

Në veçanti historia do t’i mbetet mirënjohëse Tonin Mirakajt, një nga organizatorët kryesorë, drejtues i Seminarit dhe autor i një libri që përshkruan me hollësi ngjarjen.

Kush ishte Pjetër Bogdani, që të meritonte një Seminar si ky? Një mënyrë për ta përshkruar është të thuash që ishte i fundmi i katër B-ve të mëdha të themeleve të gjuhës dhe kujtesës sonë kombëtare shqiptare, të prodhuara në perëndim të civilizimit të madh katolik në trojet tona. Pas Buzukut, Budit dhe Bardhit, Imzot Pjetër Bogdani ka lënë një trashëgimi të paçmueshme gjuhësore me “Çetën e Profetënve”. Me veprimtarinë e gati një jete, ai lidhet ngushtë me përpjekjen e fundit serioze për t’u shkëputur nga pushtimi otoman e për t’u rikthyer në gjirin e Perëndimit. Kjo ishte një periudhë historike që u paraprin ndërgjegjësimit të kombeve, po lëvizja e rezistencës që frymëzoi Bogdani ishte thelbësore për vetëdijen shqiptare për lidhjen historike me epoka e heronj të lavdishëm, për rolin e kësaj popullate e këtyre trojeve me gjenezën e fesë së krishterë, lidhje këto që do të shërbenin jashtëzakonisht shekujt më vonë kur shqiptarët të përballeshin me ndryshime që rrezikonin gjithë ekzistencën e tyre.

Pa figura si ajo e Bogdanit nuk do të kishte Rilindje Kombëtare, mbi bazën e të cilës shqiptarët mundën të mbijetojnë në hartën e botës. Po më shumë se një shekull që prej Rilindjes, bashkatdhetarët e Bogdanit ishin sërish në udhëkryqe historike që kërkonin ndihmën e tij. Në këtë 300-vjetor të Bogdanit, shqiptarët e Kosovës mund të hidhnin poshtë me krenari narrativën historike serbe që e përshkruante Kosovën si të përmbytur nga shqiptarët pas eksodit serb që shoqëroi dështimin e kryengritjes serbe në shekullin e 18. Veprimtaria e Bodganit shenjon në histori rezistencën shqiptare si pjesë e Ligës së Shenjtë Europiane shumë përpara se të zgjoheshin serbët nga ndikimi i Rusisë.

Ndërsa në Shqipëri ishin ndaluar të drejtat e njeriut dhe feja, ky kontribut madhor i Bogdanit shkëlqente nga e kaluara si frymëzim i refuzimit të një populli në kërkim të lirisë së tij.

Fakti që përkujtimi po bëhej i mundur nga një bashkëpunim të krishterësh e myslimanësh dëshmonte për frymëzimin mbarëshqiptar që prodhonte shembulli e kujtimi i Bogdanit.

Mes historisë së dikurshme dhe realitetit të kombit shqiptar në 1989, qendronte më mes komuniteti shqiptaro-amerikan. Kjo ngjarje shënon gjithashtu fillimin e një rilindjeje të madhe që do ta ngjiste komunitetin tonë në krye të sfidave kombëtare si kishte ndodhur vetëm në kohën e Nolit dhe të Konicës.

Seminari përkonte me daljen, si asnjëherë tjetër, në skenë të komunitetit katolik të Nju Jorkut që po e kthente suksesin ekonomik e shoqëror të dekadave në mërgim, në një forcë të madhe kombëtare. Familjet që dikur kishin mbërritur në këtë vend si mërgimtarë të rrënuar ia kishin dalë me sukses jo vetëm të mbijetonin po të realizonin ëndrrën amerikane. Ata kishin ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre, kishin ruajtur identitetin e tyre kombëtar, fetar me traditat kulturore e zakonore. E tani ishin gati për të dhënë më shumë për atdheun e largët.

Vetëm pak ditë, përpara Seminarit, udhëheqësit e komunitetit katolik kishin blerë truallin ku do të ngrihej Kisha e Zojës së Shkodrës, në Hartsdale, që është sot një nga tempujt kombëtarë të shqiptarëve të Amerikës. Të bashkuar në një kishë të vetme, katolikët shqiptarë njujorkezë ishin një komunitet në ngritje të pandalshme gati për të folur me një zë autoritar për fatin e kombit.

Kush më mirë se ata mund të bënte një Seminar në këtë 300-vjeçar të Pjetër Bogdanit.

Suksesi tyre ishte edhe një sukses i mbar komunitetit shqiptaro-amerikan. Ishte zemërngrohëse bujaria e bashkëpunimi me vëllezërit myslimanë e të feve të tjera për këtë ngjarje të madhe.

Ishte dëshmi e ambicies së re të këtij komuniteti që Seminari u zhvendos nga ku ishte menduar fillimisht, në mjedisin e një restoranti, në një nga hapërsirat e Fordham University. Ligjëruesit nuk do të ishin veprimtarë të njohur e egot e rënda të komunitetit, po studiues e intelektualë të vërtetë, me tituj akademikë e me vepra kushtuar trashëgimisë së Pjetër Bogdanit.

Ngjarjet e mëdha janë shpesh të tilla se rastisin me kthesa historike dhe ndikojnë në to. Seminari për 300-vjetorin e Pjetër Bogdanit kishte rëndësi se u parapriu ngjarjeve të mëdha shndërruese të kohës. Vetëm pak më shumë se një vit më vonë do të rrëzohej komunizmi në Shqipëri, do të rivendoseshin lidhjet me SHBA-në, do të ligjërohej pluralizmi e me liritë fetare do të rihapeshin kishat e xhamiat.

Mes studiuesve të ftuar ishte edhe një emër që shumë shpejt do të bëhej më i njohuri i mbarë botës shqiptare. Në kohën, kur Tonin Mirakaj me shokë vendosën të ftojnë për në këtë Seminar Dr. Ibrahim Rugovën, ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Jugosllavi. Ai u ftua si albanolog, studiues e njeri i letrave. Vetëm pak pas kthimit në atdhe, ai do të vihej në krye të partisë së parë demokratike në trojet shqiptare në epokën e re.

Mirëpo, ndonëse ky prezantim i parë me komunitetin në SHBA nuk ishte i natyrës politike, ai hodhi rrënjët e një bashkëpunimi politik që vazhdoi deri në fund të jetës së Presidentit historik të Kosovës.

Kur u kthye herën tjetër në SHBA, Dr. Rugova ishte bërë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por për ta mbështetur nuk ishin rreshtuar vetëm patriotët nga Kosova, po mbarë komuniteti dhe si rrallë më parë, komuniteti katolik i shqiptarëve, në New York, po edhe në Michigan e më tej.

Nuk kishte dyshim se Dr. Rugova kishte fituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve që e ndoqën gjatë asaj vizite e seminari në 1989. Ngjarja i shërbeu kauzës së Kosovës, në mënyra që as që mund të imagjinoheshin në atë kohë.

Pa ia hequr asnjë meritë Dr. Ëngjëll Sejdaj, pa ndërmjetësimin e të cilit, vizita e Rugovës mund edhe të mos kishte ndodhur e që ndoshta mes dy miqve nga Kosova ishte ai që ishte marrë më shumë me Bogdanin, po kjo vizitë e Rugovës ishte një ogur i mirë, një shenjë gati mbinjerëzore e ndryshimeve që po sillte koha.

Nga ana tjetër edhe vetë Dr. Ibrahim Rugova pati shansin të njihej me komunitetin shqiptar në SHBA. Ai gjeti mes komunitetit të Zojës së Shkodrës, një forcë që po zgjohej e që do të mbizotëronte në jetën e fatin e kombit. Arkitekti i Kosovës së Pavarur mori pjesë edhe vetë në vendosjen e gurthemelit të kishës në Hartsdale, New York, ku një ditë do të pritej me bujë si hero e mik i madh. Shqiptarët e Amerikës i dhanë mundësinë të njihej me ndërtesën e OKB-së, me ndërtesat qeveritare në Washington DC etj. Në një nga shkrimet për këtë temë, Frank Shkreli tregon për vizitën e Rugovës në shtëpinë e tij, në kryeqytetin amerikan. Për turin e ndërtesave qeveritare, Kongresin Amerikan, Shtëpinë e Bardhë. Rugova nga një anë ishte thjesht një albanolog që vizitonte Amerikën, por e parë me sytë e historisë sot, fare mirë mund edhe të kishte qenë një gjeneral që instikti e intuita e çojnë që të vizitojë fushën e betejës përpara edhe se të nisë lufta. Në këto institucione ndikimi shqiptar e serb do të përplaseshin po aq ashpërsisht sa në Kosovë, nëse i heq dhunën e armët.

Ëngjëll Sejdaj Frank Shkreli Ibrahim Rugova Washington DC 1989

Nëse Rugova ka pasur nevojë për zemërdhënie se Kosova nuk do të ishte vetëm e se Amerika me gjithë shkëlqimin dhe lavdinë e saj ishte e arritshme, ai pa diskutim është furnizuar bujarisht gjatë kësaj vizite. Kujtimet e saj kanë qenë padyshim në mendjen e tij kur themeloi e mori në drejtim LDK-në dhe lëvizjen për pavarësimin e Kosovës.

Nuk kam dyshim se katolikët shqiptaro-amerikanë do të ishin bashkuar gjithësesi në përpjekjet shqiptaro-amerikane në lobimin historik për Kosovën. Mirëpo, kjo njohje paraprake me udhëheqësin vendimtar të lëvizjes për pavarësi qenë një garanci e një nxitje e madhe për ta parë kauzën e Kosovës edhe si të tyren.

Komuniteti shqiptaro-amerikan është një, po është gjithashtu edhe i përbërë nga një numër komponentësh. Komunitetet e grumbulluara rreth kishave katolike janë nga më të lidhurit, më të mëdhenjtë e më të fuqishmit. Nëse dëshiron t’i japësh jetë e gjallëri një kauze në këtë komunitet mbështetja e komunitetit të famullisë Zoja Jonë e Shkodrës është një nga faktorët idealë për t’u kooptuar. Ky është një komunitet me pasuri të madhe njerëzore. Po ndarjet janë të natyrshme. Njerëzit orientohen sipas prejardhjes së vjetër në atdhe, sipas krahinës, lidhjeve farefisnore, tempujve të besimit, ideologjive, organizatave dhe kauzave të përbashkëta që kanë për zemër, miqësitë e krijuara, fqinjësia nga banesa në SHBA, vendi i përbashkët i punës, e profesioni. Këto lloj ndarjesh krijojnë segmente të natyrshme të organizimit të komunitetit. Mes tyre vështirë të gjesh një grumbullim më të madh, më të bashkuar e më përfaqësues se ai i Zojës Sonë të Shkodrës.

Mjafton të kujtojmë Festivalin e përvitshëm folklorik kombëtar që mbetet ngjarja më e madhe e më e larmirshme artistike e kulturore e komunitetit shqiptar në histori. Sikur të mos mjaftonin këto është edhe ngjarja më afatgjatë, pas asaj obliguese të festimit të 28 Nëntorit. E nisur vetëm pak kohë pas Seminarit, përsëri nga Tonin Mirakaj me shokë, Festivali vijon edhe sot e kësaj dite. Edicioni i radhës do të organizohet së shpejti e nëse nuk e keni ndjekur kurrë, mos e humbisni këtë radhë.

Roli i katolikëve shqiptarë meriton një vëmendje që shkon përtej numrave të tyre kur flitet për pavarësimin e Kosovës. Ishte dëshmia e tyre e madhe historike që rrëzoi narrativën serbe se konflikti për Kosovën ishte një përplasje e “civilizimeve fetare”, mes të krishterëve serbë si mburojë e Europës dhe Perëndimit dhe e myslimanëve shqiptarë si agresioni që vjen nga Islami, Lindja apo Azia. Mbijetesa e madhe katolike e Kosovës është dëshmi e një krishterimi paraserb, madje edhe paraeuropian. Perëndimi e Europa ishin shekuj larg njohjes e përqafimit të Jezu Krishtit kur Shën Pauli shkroi letrat e tij për Romakët nga trojet e Ilirisë. U desh madje një perandor ilir që të zyrtarizonte krishtërimin si fe të Perandorisë Romake e të fillonte epokën e madhe të fesë së krishterë në këtë kontinent. Serbët me manastiret e tyre e kishat që ua vodhën me dhunë katolikëve shqiptarë e ua ndërruan identitetin sjellin në debatin e sotëm data që janë të paktën 1,000 vjet më të vonuara se ato të shqiptarëve. Një mijëvjeçar nuk mund të fshihet kaq lehtë nga historia e njerëzimit e nëse serbët duan të kthehen e të flasin për Mesjetën, po ashtu edhe shqiptarët kanë të drejtë e të flasin për rrënjët e tyre ilire e për tradita që nuk mund të injorohen më.

Seminari për 300-vjetorin e Pjetër Bogdanit mund të kishte qenë i natyrës akademike e kulturore për ai ndihmoi në gjenerimin e një përkrahjeje të madhe politike. Në një farë mënyre, ai zgjoi në momentin e duhur historik shpirtin rebel të Bogadnit që u mishërua në hovin e ri shqiptar për të jetuar në liri e mëvetësi. Bogdani jetoi në një epokë kur ndërgjegjja kombëtare nuk ishte zgjuar. Mesazhi dhe thelbi i lëvizjes së tij ishte thjesht fetare e katolike, po në zemrën e vet kishte diçka universale që rezonon në çdo kohë: dëshira për liri, lidhja e natyrshme shoqërisë shqiptare me Perëndimin, mbijetesa dhe qendresa e traditave shekullore. Këto nuk vdesin kurrë.

Tre dekada më vonë, shqiptaro-amerikanët duhet të kujtojnë me krenari këtë Seminar. Për nga organizimi i përkryer ai mund të rradhitet mes aktiviteve më me nivel në mbarë New York City-n. Për nga niveli i ligjëratave, ai nuk ka dallim nga seminaret më të ndritura akademike të universiteteve amerikane. Për nga pjesëmarrja e kurioziteti ai dëshmoi një ambicie të komunitetit tonë që shkon përtej materializimit dhe zbrazëtirës shpirtërore e intelektuale të kohës. Për nga pikëpamja historike, Seminari ishte nga ato ngjarje që i ndajnë epokat në dysh, duke shënuar ose fundin e njërës ose fillimin e tjetrës. E çfarë fillimi i madh që ishte ai. Një nga kapitujt më të ndritur të historisë së kombëtare po fillonte duke nxjerrë mësimet e një kapitulli tjetër pothuajse të harruar 300 vjet më parë. Në një farë mënyre shqiptarët e Amerikës u ngritën dhe thanë, shikoni çfarë ka ndodhur përpara 300 vjetëve. Po shikoni më mirë se çfarë do të bëjmë në këtë shekull të katërt. Sot, në këtë përvjetor gjendja e shqiptarëve as që mund të krahasohet me atë të kohës së Seminarit. E shekulli ynë i premtuar vetëm sa ka filluar. / Illyria

Nga Ruben Avxhiu / KultPlus.com

Për herë të parë në historinë e tij, ‘Governors Island’ në Nju Jork do të jetë i hapur gjatë gjithë vitit

Governors Island’ në Nju Jork do të mbetet i hapur për publikun gjatë gjithë vitit, për herë të parë në historinë e tij, si një hapësirë ​​publike, njoftuan zyrtarët lokalë.

“Pandemia COVID-19 ka krijuar një mundësi të paparë për të imagjinuar hapësirën publike në këtë qytet dhe tani jemi krenarë që e mbajmë xhevahirin e portit tonë të hapur për njujorkezët gjatë gjithë vitit”, tha kryebashkiaku, Bill De Blasio.

“Nga shërbimi i zgjeruar i trageteve, në më shumë shërbime se kurrë, tek vizitorët gjatë gjithë vitit nga i gjithë qyteti, nuk ka kohë më të mirë për të përjetuar dhe investuar në  këtë ishull”, theksoi ai.

“Jam shumë i lumtur që tani do të bëhet një destinacion për të gjitha sezonet”, tha tutje De Blasio.

Ishulli, dikur një bazë ushtarake, tani është shtëpia e parqeve, këndeve të lojërave dhe restoranteve.

Gati një milion vizitorë udhëtuan në ishull në vitin 2019. / KultPlus.com

Momentet më të mira në ‘Tony Awards’ të shpalosura nëpër fotografi

Çmimet ‘Tony Awards’ u zhvilluan të dielën në New York. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u prezentua nga Audra McDonald në teatrin ‘Winter Garden’, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Disa nga mometet më të mira gjatë shfaqjes janë shpalosur përmes këtyre fotografive që shihen më poshtë:

Jared Grimes dhe Daniel J.Watts duke përformuar në skenë.

Te ‘Tony Awards’ përformuan duetin e tyre Leslie Odom Jr. dhe Nicolette Robinson.

Te kjo fotografi shihen të ftuarit e nderit, Chita Rivera dhe Sir Andrew Lloyd Webber.

John Legend, performoi me kastin e “Ain’t Too Proud”.

David Byrne performoi një këngë nga “American Utopia”.

Mary-Louise Parker, fitoi çmimin si ‘Aktorja më e mirë’ për performancën e saj në: “The Sound Inside”.

Çmimi për aktorin më të mirë iu dorëzua Andrew Burnap, për rolin e tij në “The Inheritance”. / KultPlus.com

Përurohet qendra kulturore shqiptare në New York

Në Bronks, New York u përurua qendra kulturore dhe e mirëqenies për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Qendra “Illyria” shtrihet në një hapësirë prej mbi 10 mijë metrash katrorë, ku do të ofrohen klasë për mësimin e gjuhës shqipe dhe shumë mjedise për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore e sportive.

Investimi kap vlerën e mbi 8.7 milionë dollarëve.

Tani e tutje, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë hapësirë të veçantë për mësimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore me qëllim të ruajtjes së traditave dhe vlerave kombëtare.

Në ceremoninë e hapjes së qendrës shumë-funksionale Illyria, i pranishëm ishte edhe udhëheqësi i shumicës së Senatit, demokrati Chuck Schumer.

Në një koment për Zërin e Amerikës ai foli për rolin e komunitetit shqiptar në ShBA, ndërsa u zotua se do të angazhohet në çështje si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne në Nju Jork e duam komunitetin shqiptar. Njerëzit vijnë këtu për zhvillim ekonomik, për liri fetare. Ata punojnë shumë dhe krijojnë jetë të suksesshme për veten dhe fëmijët e tyre. Në atë mënyrë ata ndërtojnë Nju Jorkun dhe Amerikën. Prandaj sa më shumë emigrantë shqiptarë që të kemi, aq më mirë do të jemi. Po ashtu unë luftoj në Senat që të mbrojmë Kosovën që të sigurohemi se negociatat janë të drejta. Pra ne do të ushtrojmë presion mbi administratën shtetërore që të arrihet një marrëveshje e drejtë për popullin e Kosovës”, tha Schumer për Zërin e Amerikës.

Më shumë se 8.7 milionë dollarë janë investuar nga shteti i New York-ut dhe Këshilli i Bashkisë së qytetit të New York-ut për krijimin e qendrës Illyria, që përveç shkollës shqipe do të ketë edhe një sallë teknologjie, amfitatër, sallë për konferenca dhe simpoziume, sallë sportive dhe kopsht.

Në total është një hapësirë prej mbi 1 mijë metrash katrorë që do të jetë në shërbim të komunitetit shqiptar. Nismëtari i këtij projekti, anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut dhe veprimtari Mark Gjonaj u shpreh i lumtur për, siç tha ai, realizimin e një ëndrre të kahershme

“Kjo është një ditë që është pritur me dekada. Një ditë që shqiptarët sot mund ta gëzojnë së bashku. Kjo është një bërthamë që është mbjellë dekada më parë, ndërsa sot është rritur pema dhe kanë dalë frutat e para që kjo gjeneratë po e gëzon. Është një gjë që e kemi për detyrë, jo vetëm për gjeneratat e ardhme, por ua kemi borxh të parëve tanë që kanë vuajtur e hoqën keq për secilën pëllëmbë toke që e kemi në vendlindjen tonë, sepse çdo pëllëmbë atje është e lagur me djersë, me vaj e me gjak. E kemi borxh ndaj tyre dhe detyrim për të ardhmen”, tha Gjonaj.

Në ceremoni ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Ajo tha se është koha që Kosova dhe Shqipëria të shtojnë mundësitë e përfshirjes së diasporës shqiptare në vendimmarrje.

“Sepse kemi kaq shumë ekspertë të shpërndarë në gjithë botën, kemi kaq shumë njerëz me kompetencë të jashtëzakonshme profesionale, saqë po të krijojmë një platformë, po të krijojmë një formë për përfshirjen e tyre në të gjitha vendimet dhe hapat që merren në Kosovë dhe në Shqipëri, atëherë dy vendet tona do të kishin një potencial për të ecur përpara, për të ndërtuar ekonomi të shëndosha, për një reformim të sistemit arsimor, për një kulturë në një nivel krejt tjetër, i cili sot mua më duket komplet i paimagjinueshëm”, tha Gërvalla.

Pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan u shprehën të lumtur për krijimin e kësaj qendre.

“Ka shumë vlerë për komunitetin dhe gjeneratat e reja. Unë jam rritur duke qenë pjesë e grupeve të vallëzimit, kam folur shqip, kam punuar me komunitetin shqiptar dhe është diçka shumë e rëndësishme ta ketë ky vend”, tha shqiptaro-amerikania Eleni Mazija.

“Ne kur kemi qenë shumë të vogla, vëllai na ka angazhuar në vallëzim shqiptar. Herën e parë nuk kemi dashur të shkojmë. Por kur filluam u kënaqëm dhe tash me të thënë të drejtën nuk mund të jetoj pa të. Besoj se është gjë shumë e rëndësishëm për fëmijët më të vegjël, të mësojnë atë që kemi mësuar ne”, tha motra e Elenisë, shqiptaro-amerikania Murlena Mazija.

“Ne kur kemi emigruar në Amerikë, komuniteti shqiptar ka qenë i vogël. Organizimet dhe angazhime të tilla, sikur shkolla shqipe që shkon vajza ime ishin të pakta. Kjo mundësi për komunitetin tonë sjell frymëzim për kulturën tonë dhe mbështetjen që organizime si kjo mund të sjellim për komunitetin shqiptar”, tha shqiptaro-amerikania Kaltrina Osmani.

“Ka munguar infrastruktura, kanë munguar mjediset. Besoj se kjo nismë do ta bëje më të lehtë që çdo shqiptarë të jetë më afër me gjuhën, më afër me kulturën e pse jo edhe me njëri tjetrin”, tha shqiptaro-amerikani Sebastian Tinaj.

“Unë shpresoj që gjeneratat e reja do të vazhdojnë atë çfarë kemi bërë ne dhe do t’i ruajnë këto tradita, të cilat kanë vlerë tepër të madhe edhe për gjeneratat që janë këtu, sepse një ditë ka mundësi që të shkojnë dhe të punojnë edhe në vendlindje, atje ku kanë lindur baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre”, tha shqiptaro-amerikani Kolë Cacaj. /atsh/ KultPlus.com

Hapet qendra e parë kulturore shqiptare në Bronx

Një qendër e re sociale dedikuar plotësisht komunitetit shqiptar ka çelur dyert mbrëmjen e  djeshme në Bronx, New York. Qendra e parë Kulturore në Bronx e financuar në shumë prej 8.7 milionë dollar nga shteti i New Yorkut, me mbështetjen e këshilltarit shqiptar të bashkisë së New Yorkut, Mark Gjonaj.

Në mbrëmjen inauguruese të pranishëm ishin dhjetra pjesëtarë të komunitetit shqiptar, të cilët pas himneve respektive amerikane e shqiptare dhe fjalës së rastit kanë ndjekur një program artistik të përgatitur nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”.

Nxënësit u shprehën mirënjohës ndaj z. Mark Gjonaj për këtë nisëm që do tí afrojë edhe më shumë shqiptarët mes tyre dhe do ti ofrojë mundësi të reja për arsimim. Tashmë mësimi do të zhvillohet në klasa që plotësojnë të gjitha kushtet.

Nxënësit e shkollës prej gjashtë javësh kanë bërë prova për programin e zhvilluar ditën e inaugurimit. Në ambientet e reja do të ketë vend për nxënësit e shkollës shqipe, si dhe për aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptar. / KultPlus.com