Kamp artistik me 20 nxënës të Klubeve Teatrore dhe trupën artistike të Artpolis në fshatin Kukaj

Qendra për Art dhe Komunitet, ArtPolis me datat 3-6 korrik do të realizojë aktivitetin e parë në kuadër të projektit “ArtEd – Rritemi përmes artit në arsimim – Fuqizimi i 20 klubeve teatrore në shkollat kampione”, me ç’rast 20 nxënës të klubeve teatrore dhe trupa artistike rezidente e Artpolis do të përfshihen në fuqizimin e këtyre klubeve përmes edukimit jo-formal të nxënësve, përcjellë KultPlus.

Rrugëtimi me klubet teatrore të 20 shkollave kampione të Kosovës nis me kampin artistik me 20 nxënës dhe trupën artistike rezidente të Artpolis, e do të mbahet në Etno-Kompleksin në Kukaj, Prishtinë, për katër ditë radhazi.

Me 3 korrik nis fuqizimi i klubeve teatrore në shkollat kampione përmes edukimit jo-formal të nxënësve për t’i ndihmuar në zhvillimin e tyre personal dhe profesional, duke përdorur artin si mjet.

Gjatë kësaj periudhe nxënësit, nën mentorimin e aktorëve/eve të Qendrës Artpolis, do të bëjnë ushtrime e prova rreth teatrit, shfaqjeve forum-teatër, aktrimit, këndimit, vallëzimit, shkrimit, derisa do të ketë edhe diskutime e aktivitete të tjera argëtuese. Ata do të mësojnë se si duhet ta përdorin artin për të promovuar dhe punuar për të drejtat e njeriut duke adresuar fenomenet negative prezente në shoqërinë tonë.

Këta nxënës do të përforcojnë njohuritë e tyre për të qenë të gatshëm të ndihmojnë klubet teatrore në shkollat e tyre. 

Qëndrimi në Kukaj do të jetë 24 orësh në mbikëqyrje të stafit Artpolis në përputhje me masat e Ministrisë së Shëndetësisë për COVID-19, si dhe agjendës së aktiviteteve, të cilën e posedojnë edhe prindërit/kujdestari ligjor dhe institucionet shkollore përkatëse.

Ky projekt organizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me përkrahjen e GIZ Kosovo në emër të Qeverisë Gjermane. / KultPlus.com