Artpolis organizon marshin “Stop Femicidit! #BollMa” dhe performancën artistike “Hope Bubble”

Vrasja e grave e dhuna sistematike e patriarkatit duhet të marrë fund! Femicidi, mizogjenia e maskuliniteti toksik vazhdojnë të na terrorizojnë përditshëm. Jeta e grave cenohet çdo ditë, në shtëpi, në rrugë, në punë, në hapësira publike e private.

Femicidi është urgjencë kombëtare. Është momenti i fundit që institucionet tona dhe shoqëria ta trajtojë me seriozitetin më të lartë vrasjen e grave e dhunën ndaj tyre, dhe të dënojë maksimalisht kriminelët përkitazi me ligjin.

Ndaj, më 7 dhjetor 2023 nga ora 12:00 marshohet nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të kundërshtuar shtypjen e vrasjen e grave nën moton “Stop Femicidit! #BollMa”, së cilës i paraprin performanca artistike “Hope Bubble” udhëhequr nga Donikë Ahmeti. 

Vrasja e Liridona Ademajt ka shpërfaqur fytyrën e vërtetë të sistemit patriarkal. Nëse ndokush deri më tash ka pasur dyshime se femicidi nuk ekziston në Kosovë, vrasja e Liridona Ademajt është rast puro femicid: planifikim, organizim, ekzekutim.

Është momenti i fundit t’i japim fund femicidit.

Është momenti i fundit të sjellim drejtësi, e barazi gjinore.

Është momenti i fundit t’i japim fund patriarkatit, e bashkë me të edhe shtypjes.

Që të mos ketë Liridona të tjera, viktima të femicidit. / KultPlus.com

Mbrëmje artistike me V në Prishtinë, autorja amerikane që ka prekur zemrat e miliona lexuesve

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon ngjarjen e veçantë kulturore “Mbrëmje artistike me V”, që do të mbahet më 21 nëntor, nga ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

“Mbrëmja Artistike me V” është një festë e letërsisë, artit, aktivizmit feminist dhe avokimit për ndryshime shoqërore.
V, një dramaturge, autore, interpretuese, feministë dhe aktiviste amerikane, e njohur më parë si Eve Ensler, ka prekur zemrat dhe mendjet e miliona lexuesve me veprat e saj të fuqishme.

“Shko aq larg sa të mos kesh më frikë të mos kthehesh.” – V

Veprat artistike të V dhe kontributi i saj aktivist kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në botë. Ajo renditet ndër autoret me numrin më të madh të kopjeve të librave të shitura nga lista e New York Times, me dramat dhe librat e saj të botuara në mbi 48 gjuhë dhe të interpretuara në mbi 140 vende. V është vlerësuar edhe me “Çmimin Tony” për arritjet në Teatrin Amerikan Broadway dhe “Çmimin Obie” për arritjet në shfaqjet e luajtura jashtë Broadway. Ajo njihet edhe për themelimin e “V-Day”, lëvizjes globale me bazë në komunitet për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave (përfshirë personat cis-gjinor, transgjinor, atyre që mbajnë identitet fluid, dhe jo-binar) dhe planetit. Ajo është themeluese e “One Billion Rising”, fushatës më të madhe për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave në mbi 200 vende, si dhe bashkëthemeluese e “City of Joy”, një qendër revolucionare udhëheqëse për gratë kongoleze të mbijetuara të dhunës në Bukavu të Republikës Demokratike të Kongos.

“Mbrëmja Artistike me V” ofron një mundësi unike që përmes diskutimit të njoftoheni me perspektivat e saj depërtuese mbi letërsinë dhe përkushtimin e V ndaj kauzave aktiviste feministe e ndryshimeve shoqërore.

Diskutimi do të shoqërohet me interpretime artistike të copëzave nga krijimet letrare të V, të interpretuara nga shkrimtaret/ët dhe artistet/ët e Ansamblit të Artpolis. Mbrëmja do të moderohet nga Zana Hoxha, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis. / KultPlus.com

Me mesazhe të fuqishme për gratë dhe premierën ‘Fefu dhe shoqet e saj’, hapet edicioni i 11-të i ‘FemArt’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, hapësira dhe enterieri i veçantë i menzës ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë kishte marrë një pamje krejt tjetër meqë po shënohej hapja e edicionit të 11-të të ‘FemArt’, i cili organizohet nga ‘Artpolis’. Publiku jo i vogël në numër kishte mbushur plot ulëset e salles, e shumë të tjerë me shumë kuriozitet kishin vendosur që këtë mbrëmje të veçantë ta ndiqnin në këmbë, shkruan KultPlus.

Dalëngadalë po shënonte ora 20:00, e kështu edhe po i vinte koha hapjes. Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, njësoj me slloganin e sivjetëm në këtij edicioni, hapja u shënua me këngën ‘Kalle tuten’ interpretuar nga këngëtarja Zana Berisha shoqëruar nga kitaristi Urim Maliqi.

Ky interpretim rrëqethës, solli emocione të pashoq qysh në fillim e që nuk u ndalën gjer në përfundim të mbrëmjes.

Më pas, radha i erdhi shfaqjes ‘Fefu dhe shoqet e saj’, me regji të Arlinda Morinës. Shfaqje kjo e cila vjen si rezistencë e grave, dhe një fuqi për të vazhduar jetën, që gratë të jenë të bashkuara, e të mbrojnë njëra-tjetrën. Artistet e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis, Aurita Agushi, Zhaneta Xhemajli, Qendresa Kajtazi, Donikë Ahmeti, Kaltrinë Zeneli, Blerta Gubetini, Dora Xhemajli sollën një rrëfim emocional, emancipues për sfidat e grave në sistemin patriarkal.

 Pas hapjes, mes emocionesh për KultPlus foli drejtuesja e ‘ArtPolis’, Zana Hoxha, e cila u shpreh e lumtur që ky edicon filloi pikërisht me këngën ‘Kalle Tuten’ dhe shfaqjen ‘Fefu dhe shoqet e saj’.

“Në hapjen e këtij edicioni pati një numër goxha të madh të publikut që kanë ardhur ta shijojnë shfaqjen. Ishte një hapje e cila filloi me këngën ‘Kalle tutën’, e cila është e bazuar në tektin që e kemi sivjet si moto dhe pastaj me shfaqjen ‘Fefu dhe shoqet e saj’ e cila është premierë dhe që e elektrizoi publikun sepse është një shfaqje ku publiku dhe aktorët janë shumë pranë njëri-tjetrit. Temat janë të lidhura me seksizmin, diskriminimin, paragjykimet dhe mizogjeninë e grave ndaj grave”, deklaroi Hoxha.

Më pas, Hoxha u shpreh se festivali sivjet i ka 28 ngjarje, e ku do të prezantohen 15 shtete me reth 200 artistë dhe artiste, aktivistë dhe aktiviste që kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës.

Më tutje, ajo foli edhe për slloganin, i cili përveç që zgjoi kureshtje të madhe,  u mirëprit mjaft në publik.

“Sllogani ‘Kalle Tuten’ ka qenë një propozim i aktorëve dhe stafit të ‘Arpolis’. Kjo organizatë ka rreth 23 persona të punësuar  rregullisht prej të cilëve 12 janë artistë dhe 11 staf, duke përfshirë këtu aktorë, koreografë e regjisorë dhe ne shumë shpesh në vit bëhemi bashkë dhe reflektojmë për sukseseset për sfidat e problemet por edhe për planet dhe kështu ky sllogan erdhi si ide”, tha Hoxha duke su shprehur e lumtur që ky sllogan është mirëpritur shumë në publik.

Pas një paraqitje të suksesshme e që u përcoll me duartrokitje të shumta në publik, për KultPlus foli edhe Arlinda Morina, regjisorja e shfaqjes ‘Fefu dhe shoqet e saj’, e cila vlerësoi lart paraqitjen e aktoreve dhe tha se qëllimi i saj për të sjellë një shfaqje shumë afër publikut, u arrit në këtë mbrëmje.

‘Është problem ta shfaqim një shfaqje në një ambient të tillë sepse njerëzit janë mësuar të shohin shfaqje në teatër. Megjithatë, qëllimi im ishte që ta bëj të mundshme që publiku të kënaqet duke shijuar një shfaqje edhe në një kafene. Jam shumë e kënaqur me prezantimin e aktoreve, më kanë dhënë shpirt, dije dhe inspirim për gjithka”, tha mes tjerash Morina, duke shtuar se shpreson që pas kësaj paraqitje, kjo shfaqje të udhëtojë edhe më tutje.

E krejt në fund mbrëmja u përmbyll me performancën elektrizuese të artistes nga Bosnja e Hercegovina, Dj Marina Mimoza nën tingujt e muzikës elektronike./KultPlus.com

Artpolis sjell edicionin e 11-të të Festivalit FemArt nën moton “Kalle Tutën”

Artpolis, përmes Festivalit FemArt, edhe sivjet pasuron skenën kulturore të Kosovës me aktivizëm artistik të nivelit botëror, krahas prezantimit dhe mbështetjes së skenës vendore dhe rajonale.

Më 15-21 maj, 2023 në Prishtinë dhe Mitrovicë do të realizohet edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – FemArt, i cili vjen nën moton “Kalle Tutën”.

“Kalle Tutën” vjen si thirrje për të flakur tutje tutën, me i dhënë mundësi të resë, guximit dhe dashnisë që të lindë.

Guximi është parakusht që të mposhtim frikën. Për shumë gjatë na mësuan të heshtim, është koha të guxojmë të flasim. Do të flasim dhe do të kallim tutën guximshëm e me dashni edhe në edicionin e 11-të të Festivalit FemArt.

“Më 15-21 maj, 2023 dhe çdo ditë tjetër do të flasim edhe për gratë që nuk dëgjohen, edhe për vajzat që ëndërrojnë. Kemi kaq shumë për të thënë përmes shfaqjeve teatrore, paneleve të diskutimit, ekspozitave, konferencave, performancave, punëtorive dhe këngëve e kërcimit”, thuhet në njoftim.

“Arti dhe aktivizmi janë hapësira jonë e lirisë, e rrëfimit mbi jetën, kuriozitetit dhe magjepsjes sonë të pafund. Përmes artit tonë themi atë që mendojmë dhe besojmë, e përmes diversitetit tregojmë se kush jemi. Dallimet tona etnike, fetare, racore e gjinore përbashkohen rreth feminizmit tonë edhe në këtë edicion të FemArt. Kemi vullnet të rimarrim atë që na takon – jetën e përmbushur. Do ta bëjmë tash! Me guxim për çlirim”, thuhet tutje.

Kalle tutën nga patriarkati! Kalle tutën e paragjykimit! Kalle tutën e dështimit! Kalle tutën nga gjithçka që të ndalon të lëvizësh. Mjaft kemi qëndruar një hap prapa! Bashkë e kallim tutën! Bashkë zhvendosemi një hap para! 

Prandaj, guxo të lëvizësh edhe në errësirën e natës. E nëse ke frikë të lëvizësh në errësirën e natës, së bashku e ndriçojmë qytetin! Guxo e kalle tutën për me i lënë vend dashnisë për veten dhe të tjerët!

Gratë artiste do të bëjnë hapjen e Festivalit FemArt përmes shfaqjes “Fefu dhe Shoqet e Saj”, produksion i veçantë nga Artpolis dhe premierë në edicionin e 11-të të Festivalit. I gjithë ekipi në krijimin e kësaj shfaqje përbëhet nga artiste të dëshmuara të skenës teatrore kosovare, përfshirë këtu edhe Trupën Artistike Rezidente të Artpolis me regji të Arlinda Morinës. 

“Fefu dhe Shoqet e Saj” do të prezantohet më 15 maj nga ora 20:00 në Menzën Ramiz Sadiku.

Ndër të tjera publiku në Kosovë do të ketë rastin të shikojë shfaqjet e prezantuara në Festivalin prestigjioz të Avignonit; “Jogging” nga Libani, dhe “Olympe Et Moi” nga Franca, me artistët e nivelit botëror Hanane Hajj Ali, Patrick Mons dhe Veronique Ataly.

Përveç tyre, pjesë e FemArt do të jetë Trupa Artistike nga Izraeli të udhëhequr nga një prej producenteve më të njohura në botë, Yu Jingyi, dhe aktori dhe artisti multidisiplinar Yehezkel Lazarov. Përveç prezantimit të shfaqjes “The Superfluos Man – Oblomov” ata do të ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre përmes një punëtorie dhjetë ditore me artistë nga Kosova, duke krijuar kështu një urë lidhëse të rëndësishëm ndërmjet dy vendeve duke bashkëpunuar me artistët e Trupës së Artpolis dhe Noah Dance Company që do të rezultojë me shfaqjen e përbashkët në natën e fundit të festivalit.

“The Superfluos Man – Oblomov”, e prezantuar në “Isra-Drama: Ekspozimin Ndërkombëtar të Teatrit Izraelit”, është një përshtatje e klasikut rus Oblomov që ngre pyetjen: A ka të drejtë njeriu të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë?

Në këtë edicion sjellim tingujt latin përmes koncertit të La Chica-s, e cila sjell temperamentin dhe entuziazmin shpirtëror venezuelas, të përzier me ndikimin multikulturor, urban dhe modern parisien. Në muzikën e saj ndërthuren zhanret e ndryshme si pop, hip-hop, ritëm dhe bluz, muzikë latine, muzikë afro-karaibe dhe ndikimi i muzikës klasike të Debussy-t që vjen në tri gjuhë; spanjisht, frëngjisht dhe anglisht.

Këtyre iu bashkohen edhe artiste/ë dhe aktiviste/ë nga Sllovenia përmes shfaqjes “Pesë Llojet e Heshtjes”, me regji nga Maša Pelko, Polonia “Gruaja dhe Jeta” me regji të Piotr Łukaszczyk, Serbia “Vajzat” me regji të Milena Bogavac, si dhe DJ nga Bosnja dhe Herzegovina Marina Mimoza.

E rol të rëndësishëm luan sivjet edhe skena artistike vendore, fuqizimi i së cilës është një nga synimet kryesore të Festivalit FemArt, që nga themelimi. FemArt, e krijuar nga gratë për gratë, hapësirë të veçantë iu jep edhe sivjet artisteve dhe aktivisteve vendore, prezantimit dhe promovimit të punëve të tyre.

Pjesë e Festivalit është edhe filmi “Vera Andrron Detin” nga Kaltrina Krasniqi, që ka rrëmbyer dhjetëra çmime të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare, i cili shoqërohet me një panel diskutimi në mes artisteve që e krijuan filmin dhe publikut në Kino Armata.

Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar do të prezantohen shfaqjet “Gratë” me regji të Nastazja Domaradzka, si dhe “Molly” me regji të Sibel Abdiu. Kurse në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” do të prezantohet shfaqja “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër” me regji të Ana Bateva. E sivjet bashkëpunimi vazhdon me Teatrin Oda, Teatrin Dodona, Teatrin e Qytetit të Mitrovicës, dhe Pallatin e Rinisë. Kurse tek Klubi i Boksit sjellim ekspozitën “Status” nga Mimozë Sahiti, me kurator Albert Heta.

Ndërsa tek Dispanzeri afër QKMF-së në Prishtinë do të prezantohet shfaqja “Sober” me regji nga Butrint Pasha, në të cilën luajnë aktorët e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis.

FemArt sjell në Bibliotekën Kombëtare konferencën “Kalle Tutën: Një Konferencë për Jetesë të Guximshme”, që bën bashkë artiste/ë, aktiviste/ë dhe personalitete të shquara në këto panele diskutimi: “Përtej paragjykimeve: Fuqizimi i grave për të tejkaluar stereotipet në vendimmarrje në art dhe në kulturë”, “Paqja dhe siguria: Kapërcimi i frikës dhe ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme”, “Thyerja e stigmës: Shëndeti mendor dhe mirëqenia në kohë sfiduese”.

Në Mitrovicë programi i FemArt realizohet në bashkëpunim me 7 Arte, si dhe Muzeun e Mitrovicës. Aty do të prezantohen dokumentari dhe paneli i diskutimit Biba May “Jo Më” produksion nga Artpolis, shfaqja “Gratë”, si dhe performanca “Olympe et Moi”.  

Edicioni i 11-të do të përmbyllet me koncertin e tre emrave të njohur në skenën e muzikës vjeneze Rina Kaçinari Trio, në përbërje të Rina Kaçinarit, Carles Muñoz Camarero dhe Jörg Mikula, me mysafir special Kori i Grave “Okarina”. Kjo treshe do të prezantojë në FemArt kompozime origjinale që përshkruajnë momentet e ndryshme të jetës trishtimin, dashurinë dhe lumturinë.

Ditët në vazhdim FemArt do të ndajë me ju detajet e programit, përfshirë edhe konceptet e aktiviteteve, për të cilat mund të informoheni në rrjetet sociale dhe webfaqen e Festivalit. / KultPlus.com

Me “Poezi për Fuqi” Artpolis shënon Ditën e Gruas, solidarizohet me tri gra

Me poezi inspiruese dhe fuqizuese nga poetet/ët, të interpretuara edhe nga aktoret/ët dhe aktivistet/ët, Artpolis do të sjellë mbrëmjen poetike “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 mars” në Menzën Ramiz Sadiku, më 2 mars, 2023 nga ora 20:00.

Audienca do të ketë rastin të përjetojë një mbrëmje artistike të veçantë, në të cilën ndërthuren arti i poezisë feministe, aktrimit, muzikës dhe vallëzimit. Që të gjitha në shërbim të fuqizimit të grave dhe vajzave në Kosovë.   

Në këtë mbrëmje do të interpretojnë artiste/ë dhe aktiviste/ë të dëshmuar në Kosovë, në mesin e tyre do të jenë poetet/ët: Arbër Selmani, Gili Hoxhaj, Sibel Halimi dhe Shpëtim Selmani.

“Poezi për fuqi” do të pasurohet edhe me interpretimet e aktoreve/ëve dhe aktivisteve/ëve: Anisa Ismaili, Aleksandra Jovičić, Denis Galushi, Donato Giuliani, Fatmir Menekshe, Igballe Qena, Mila Mihajlovic, Meli Qena, Neri Ferizi dhe Shkelzen Veseli.

Gjithashtu do të interpretojë poezi të përzgjedhura nga Shpëtim Selmani edhe Trupa Artistike Rezidente e Artpolis në përbërje të: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qendresa Kajtazi, Zhaneta Xhemajli.

Me koreografi nga Robert Nuha do të sjellin vallëzime bashkëkohore kërcimtarët: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Lavdije Idrizi, Enis Mulaku, Genta Hoxha,  dhe Ibrahim Tusha.

Poezitë do të përcjellën me muzikë nga bendi i Semira Latifit, së bashku me Arian Randobrava dhe Ilir Bajri.

“Poezi për Fuqi” edhe sivjet udhëhiqet nga regjisorja dhe drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha.

Edhe sivjet solidariteti është pjesë e rëndësishme e kësaj mbrëmje. “Poezi për Fuqi” mëton të fuqizojë tri gra kryefamiljare nga Skenderaj, Klina dhe Mitrovica, qytete këto prekura nga vërshimet. Paratë e mbledhura nga biletat do t’iu dedikohen këtyre grave!

E për publikun edhe këtë herë do të jetë në dispozicion “Mikrofoni i hapur”, që mund të bashkohet në skenë me artistet/ët për të interpretuar poezitë e tyre ose të autoreve feministe.

Ky aktivitet realizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, mbështetur nga cfd. / KultPlus.com

Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”  së shpejti vjen nga Artpolis

Artpolis është në përgatitjet e fundit për realizimin e mbrëmjes poetike Poezi për Fuqi- Çdo ditë është 8 Mars, mbrëmje që përfshinë poetë dhe aktorë nga vendi dhe jashtë, shkruan KultPlus.

Për këtë ngjarje poetike kanë njoftuar vetë organizatorët, dhe më poshtë keni njoftimin e plotë të kësaj organizate.

Me poezi inspiruese dhe fuqizuese nga poetet/ët, të interpretuara nga aktoret/ët dhe aktivistet/ët ju mirëpresim në Menzën Ramiz Sadiku, të enjten, më 2 mars, 2023 nga ora 20:00, për të përjetuar një mbrëmje artistike të poezisë dhe muzikës për fuqizim të grave dhe vajzave në Kosovë.

✨Mysafire speciale e kësaj mbrëmje artistike është poetja nga Shqipëria, Mimoza Ahmeti. Kurse do të interpretojnë edhe poetet/ët: Sibel Halimi, Shpëtim Selmani, Gili Hoxhaj dhe Arbër Selmani.

🎭“Poezi për fuqi” do të pasurohet edhe me interpretimet e aktoreve/ëve dhe aktivisteve/ëve: Meli Qena, Igballe Qena, Shkelzen Veseli, Denis Galushi, Anisa Ismaili, Fatmir Menekshe, Neri Ferizi, Mila Mihajlovic, Aleksandra Jovičić, dhe Donato Giuliani.

Gjithashtu do të interpretojë poezi të përzgjedhura nga Shpëtim Selmani edhe Trupa Artistike Rezidente e Artpolis në përbërje të: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qendresa Kajtazi, Zhaneta Xhemajli, dhe koreografit Robert Nuha. Kjo mbrëmje udhëhiqet nga regjisorja dhe drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha.

🎶Poezitë do të përcjellën me muzikë nga bendi i Semira Latifit, së bashku me Arian Randobrava dhe Ilir Bajri.

Duke ardhur në këtë mbrëmje ju kontribuoni me blerjen e biletës, që i dedikohet fondit të solidaritetit të Artpolis për tri gra kryefamiljare nga Skenderaj, Klina dhe Mitrovica, qytete këto prekura nga vërshimet.

🎤Për publikun edhe këtë herë do të jetë në dispozicion “Mikrofoni i hapur” që të kontribuoni në këtë mbrëmje artistike duke lexuar poezitë e juaja ose të autoreve të tjera feministe.

🎟️Biletat mund t’i rezervoni duke kontaktuar në këtë numër të telefonit: +38345216493

Me blerjen e një bilete për ju do të dhurohet një bluzë e veçantë me dizajnin e “Poezi për fuqi”.

Ky aktivitet realizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, mbështetur nga cfd./ KultPlus.com

Premiera e “Sober” jehoi me mesazhin human të ndihmës ndaj varësisë

Premiera e shfaqjes “Sober” jehoi me mesazhin human të ndihmës ndaj varësisë. Përmes protagonistëve, të hënën mbrëma, më 19 dhjetor, 2022 Dispanzeri i Tuberkulozit u bë vendi prej ku publiku u bind se komuniteti është shtylla kyçe e luftimit të drogave dhe alkoolit, përcjell KultPlus.

Rrëfimi, nën regjinë e Butrint Pashës, me aktorët e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis solli një version tjetër të shërimit: atë nëpërmjet një rrethi që bashkëndjen.

Secili nga protagonistët ka një histori ndryshe të varësisë dhe për të gjitha adresë bëhet një shtëpi. Pjesa kulminante është fakti që vet të shëruarit nga varësia shndërrohen në personel mjekësor, duke e lehtësuar procesin e shkëputjes nga kjo gjendje.

E bazuar në veprën e Duncan MacMillan “Njerëz, vende dhe gjëra”, shfaqja “Sober” solli histori suksesi të personave të varur nga droga dhe alkooli.

Aktoret/ët: Zhaneta Xhemajli, Shpetim Selmani, Kumrije Hoxha, Kaltrinë Zeneli, Blerta Gubetini, Edlir Gashi, Blend Sadiku, Zana Berisha, Altin Vraniqi

Koreograf: Robert Nuha

Kompozitor: Adhurim Grezda

Kostumet dhe Skenografia: Alma Krasniqi

Ndriçimi: Mursel Bekteshi

Përkthimi: Brezar Xërxa

Asistente teknike: Elira Lluka

Grimi: Myrvete Tahiri dhe Flori Hasani

Produksioni: Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet

Fotografitë: Esad Duraki

Kjo shfaqje është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, cfd, Qendra e Mjekësisë Familjare në Prishtinë dhe sponsori gjeneral Buçaj sh.p.k / KultPlus.com

Artpolis prezanton premierën e shfaqjes “Sober” më 19 dhjetor

Më 19 dhjetor, 2022 do të jepet premiera e shfaqjes “Sober”, me regji të Butrint Pashës, nga ora 20:00 tek Dispanzeri, afër QKMF-së në Prishtinë.

“Sober”, e cila bazohet në veprën e Duncan MacMillan “Njerëz, vende dhe gjëra”, është një histori suksesi ku një njeri arrin të mposhtë varësinë ndaj drogës, fenomenit botëror që në vazhdimësi vret njerëz dhe shkatërron familje. E bazuar në një ngjarje sentimentale të një vajze që vuan nga alkoolizmi dhe varësia ndaj drogës që po rehabilitohet në një qendër, Ema vjen si personifikim i shumë njerëzve të stigmatizuar nga shoqëria për shkak të pasigurisë që i është krijuar nga varësia, që ka ndikuar edhe në karakterin e saj.

Sivjet kjo shfaqje do të ketë edhe dy repriza të tjera, më 20 dhe 21 dhjetor nga ora 20:00.

Regjisor: Butrint Pasha

Aktoret/ët: Zhaneta Xhemajli, Shpetim Selmani, Kumrije Hoxha, Kaltrinë Zeneli, Blerta Gubetini, Edlir Gashi, Blend Sadiku, Zana Berisha, Altin Vraniqi

Koreograf: Robert Nuha

Kompozitor: Adhurim Grezda

Kostumet dhe Skenografia: Alma Krasniqi

Ndriçimi: Mursel Bekteshi

Përkthimi: Brezar Xërxa

Asistente teknike: Elira Lluka

Produksioni: Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet

Kjo shfaqje është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, cfd, Qendra e Mjekësisë Familjare në Prishtinë dhe sponsori gjeneral Buçaj SH.P.K. /KultPlus.com

Artpolis organizon marshin “Boll Ma! Abuzimi nuk fshehët brenda mureve”

Më 8 dhjetor 2022, Artpolis do të organizojë marshin “Boll Ma! Abuzimi nuk fshehët brenda mureve”.  Për herë të parë një marsh që thërret kundër abuzimit të grave me aftësi të kufizuara.

Marshi do të nisë në sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 12:00, për të përfunduar para Qeverisë së Kosovës në ora 13:00.

“Boll Ma! Abuzimi nuk fshehët brenda mureve” i dedikohet vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë viktima të abuzimit seksual, fizik, emocional dhe ekonomik.

“Boll Ma!…” është një thirrje për të ndaluar abuzimin ndaj grave brenda e jashtë mureve, në hapësira publike e private. Mosraportimi, heshtja dhe fshehja e rasteve riprodhon strukturat e patriarkatit. 

“Boll Ma!…” synon të jetë zëri i revoltës që tenton të sfidojë e dënojë mizogjeninë, racizmin, seksizmin, diskriminimin, abuzimin dhe dhunën në të gjitha format e saj.

“Boll Ma!…” heshtja nuk është zgjidhje. Raportimi dhe luftimi i fenomeneve të tilla na afron drejt barazisë sociale e gjinore.

Ky aktivitet organizohet nga Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.

Sponsor Gjeneral Buçaj SH.P.K /KultPlus.com

‘Artpolis’ me aktivitete edhe jashtë Kosovës në ’16 Ditët e Aktivizmit’

16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore është fushatë ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 Dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut.

E rrënjosur në pabarazitë e pushtetit midis grave dhe burrave, dhuna me bazë gjinore prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat. Është një nga shkeljet më të përhapura dhe të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në të gjithë botën, dhe në të shumtën e rasteve mbetet e paraportuar për shkak të mosndëshkimit, neglizhencës, heshtjes, stigmës dhe “turpit” që e rrethon.

Dhuna me bazë gjinore nuk është gjithmonë fizike ose seksuale, ajo mund të jetë gjithashtu psikologjike dhe ekonomike, duke përfshirë dhunën e partnerit/es, dhunën seksuale, gjuhën e urrejtjes, ngacmimin seksual e kibernetik, trafikimin e qenieve njerëzore, gjymtimin gjenital, femicidin dhe martesën e fëmijëve.

Me art dhe aktivizëm Artpolis sfidon qëndrimet që përjetësojnë, racionalizojnë dhe normalizojnë dhunën dhe mohojnë të drejtat e grave.

“16 Ditët e Aktivizmit” nga Artpolis do të shtrihen në vende të ndryshme të Kosovës, dhe jashtë saj. Përveç Prishtinës, do të ketë aktivitete edhe në Pejë, Gjakovë, në Itali dhe Serbi. Kjo ngjarje e rëndësishme do të hapet me prezantimin e “Çikave të Sjellshme” në SHFMU “Iliria” në Prishtinë, më 25 nëntor nga ora 15:00. 

Shfaqja teatrore “Toka e Shpirtrave të Trazuar” do të ketë tri repriza: në Pejë, Gjakovë dhe Romë. Kurse në Serbi do të realizohet pjesa e dytë e Shkollës Feministe Pranverore, më 1-4 nëntor në Vrnjçka Banja.

Artpolis sivjet vazhdon edhe me marshin “Boll Ma!”, i cili vjen nën moton “Abuzimi nuk fshehët brenda mureve”, më 8 dhjetor 2022.

Përpjekja për ngritje të vetëdijes për barazi gjinore dhe të drejtat e grave do të vazhdojë edhe online, me prezantimin e pesë videove feministe, të përgatitura nga Trupa Artistike Rezidente e Artpolis, që gjithashtu do të prezantojë shfaqjen “Top Girls” më 8 dhjetor në Teatrin Dodona.  

Në kuadër të 16 Ditëve të aktivizmit do të realizohen edhe punëtoritë “Adresimi i Ngacmimeve Seksuale” dhe “Shkëmbimi ndërkulturor”.

“16 Ditët e Aktivizmit” përmbyllen me një histori guximi, vendosmërie, përkushtimi dhe dashurie. Filmi dokumentar për Biba May “Jo Më” me autore Shqipe Malushi dhe regji të Zana Hoxhës do të jepet premierë më 9 dhjetor në Kino Armata në Prishtinë, kurse më 10 dhjetor në Kino “Jusuf Gërvalla” në Pejë./ KultPlus.com

Armend Zeqiri dhe Florist Bajgora me “Par Fumé” rikthejnë fuqishëm artin e poezisë feministe

Era Berisha

Një mbrëmje poetike nën emërtimin “Par Fumé” ka qenë kryevepra mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, organizuar nga aktorët Armend Zeqiri dhe Florist Bajgora. Poezi të përzgjedhura nga autore gra, për gratë, kanë jehuar nëpër katër muret e hapësirës me ç’rast të pranishmit kanë përjetuar një karusel emocionesh, shkruan KultPlus.

Poezi nga Xhejlane Tërbunja, Eli Krasniqi, Nora Prekazi, Alda Merini, Lia Brunetti dhe Maya Angelou janë interpretuar në mënyrë të mahnitshme jo vetëm nga organizatorët por edhe nga të pranishmit. Ka qenë një mbrëmje jo e zakonshme dhe kjo e gjitha nga ideja për të zhvilluar diçka ndryshe, diçka që publiku nuk ka pasur rastin për ta përjetuar më parë.

Fillimisht, aktori Florist Bajgora ka hapur mbrëmjen duke thënë se kjo ngjarje, ka qenë shumë e dashur për të.

“Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen. Ky event për neve është shumë i dashur dhe në fakt kemi menduar që ka qenë lehtë por ka qenë edhe një sfidë me vete. Shpresojmë që edhe në fund të kësaj mbrëmjeje, ka me qenë një event shumë i afërt për ju, njëjtë sikur për neve. Fjalët tingëllojnë shumë të mëdha por kur kemi filluar ta krijojmë këtë projekt, na ka ndërruar edhe neve koncepti se çka mendojmë ne se çka është feminizmi. Me të vërtetë kemi menduar që kemi qenë shumë të përgatitur por sa më shumë që lexon, e sheh që të duhet ende akoma më shumë. Kur kemi filluar të lexojmë poezi, asgjë që kemi lexuar nuk ka qenë diçka metafizike apo e komplikuar por thjesht ka qenë thirrje e gjyshes, nënës, motrës, shoqes, e gruas që e takojmë çdo ditë. Kjo na ka lënë pa fjalë dhe sot para jush qëndrojmë me mendje hapur, pa mendim, pa përjetim dhe po ju ftojmë për të hapur një vend për të dëgjuar zërat e autoreve gra të periudhave dhe vendeve të ndryshme”, ka thënë ai.

Ndërsa, aktori Armend Zeqiri i ka treguar të pranishmëve që edhe ata do të jenë pjesë e mbrëmjes, me ç’rast vetë publiku do të interpretoj poezi.

“Po shpresojmë që prej disa prej jush, pse jo edhe të gjithë, të përjetoni diçka që nuk e keni pasur në plan për të përjetuar sonte. Ne vijmë nga fusha e aktrimit dhe kemi thënë që nëse në një moment na tradhton ideja nga emocioni i tepërt, çështja nuk është fare tek emocioni. Pavarësisht gjithë analizave, vjen në një pikë në të cilën thua se kjo qenka diçka e re, tjetër, dhe të cilën duhet hulumtuar e punuar për të. Sonte, ju nuk do të dëgjoni poezi, por do të jeni ju ata që do të lexoni vetë këto poezi”, ka thënë ai.

Sipas organizatorëve, “Par Fumé” është tymi i një qiriu të fikur të cilit i duhet një shkëndije e vogël për ta kthyer tymin në flakë. “Par Fumé” është tentativë për të treguar shumë dhe nga kjo shumë të na kthejë në nivelin zero të njohurive duke hapur horizont të panjohur dhe duke parë që ajo që ne shohim e dimë është asgjë. “Par Fumé” është ekspozitë fjalësh të shkruara nga boja e dhimbjes, nga maja e vuajtjes në trupin e adhuruar e shumë të vlerësuar për aq sa trupi nuk është një letër e hedhur në kosh plehrash. “Par Fumé” është aroma që do u mbajë gjatë, edhe kur të zhvishni kostumin e intelektit dhe të hiqni grimin e patriarkut. “Par Fumé” do jetë aty kur trupi, mendja e zemra juaj do jetë e lodhur e shpirti do te marrë formë. “Par Fumé” është thirrja për të bërë diçka më shumë se leximi i një poezie.

Të pranishmit tashmë pjesë e “Par Fumé”, kanë pasur një numër të caktuar në dorë që paraprakisht është shpërndarë nga aktori Armend Zeqiri. Një vazo që ka mbajtur numra të llojllojshme ka qenë përcaktuesja e atyre personave që kanë dal për të interpretuar poezi para publikut. Mes buzëqeshjeve, fotografive, videove e të qeshurave, mbrëmja i ka përthekuar të gjithë brenda ndjenjës së pakrahasueshme të poezisë. Poezia, mbretëresha e arteve, gjithmonë në ashtin e saj posedon një magji që rrallëherë përjetohet nga ndonjë degëz tjetër arti, dhe kjo është dëshmuar mbrëmë, me rastin e poezive si “Nanë ma gjej një njeri të lumtur”, “E kam msu veten me ik prej dhimtes”, “Po të ishte Zoti feminist”, “Teksti i himnit të shtetit të Kosovës”, “Akt”, “Unë ngrihem”, “Ka gra”, “Grua lëviz” e shumë të tjera.

Një strehë e artdashësve ka qenë mbrëmë KultPlus Caffe Gallery, andaj kjo mbrëmje ka dalë përtej imagjinatës së mundshme. Nën muzikën e veçantë nga Agnes, mbrëmja përgjatë një ore ka udhëtuar nëpër një vije që dukshëm ka luhatur në nivele diversive. Duke filluar nga këndi i këndshëm, dritat e ngrohta përreth dhe audioja e përsosur, “Par Fumé” ka dëshmuar që organizime të tilla vijnë më ëmbëlsisht kur të pranishmit bëhen edhe shpirtërisht pjesë e tyre.

Krejt në fund, aktori Armend Zeqiri është ndalur tek ideja se si një njeri dukshëm ka ndikimet e veta në jetën e tij, dhe sipas tij, këto kryesisht vijnë nga gratë e familjes.

“Nëse ndalem dhe analizoj ndikimin e gjitha grave në jetën time, patjetër që fillimisht ka me më ra në mend për gratë e familjes. Për secilin njeri krijohet një ‘folder’ dhe aty ruhen ato ndikimet që munden me i pas nga ato gra. Nëse e nisi në këtë formë, atëherë prej grave të familjes do të flas për hallat, motrat, për vajzat e tyre, dhe nga to kam mësuar që dashuria është e shenjtë dhe çka do që mundet me dal përpara, duhet luftuar sepse në fund të ditës, ti ke me arrit deri tek qëllimi yt. Nëse flasim për anën e familjes së nënës, atëherë aty kam mësuar se si duhet menaxhuar një situatë më mirë, si duhet kontrolluar e mbajtur harmonia brenda familjes. Pastaj kemi edhe ndikimet e shoqërisë dhe shembujt e ndryshme të jetë së tyre që dëshmojnë për një fuqi të paparë. Tutje kemi edhe njerëzit që punon me ta dhe unë kam pasur fatin të punoj me Vjosa Berishën, Zana Hoxha, Xheraldina Vula, të cilat janë shembull i punës dhe tregojnë që me ngulm arrihet gjithçka”, thotë Zeqiri.

Sipas tij, kur ata kanë filluar këtë nismë, është menduar që në fund të natës, publiku të jetë ai që do të bënte një pagesë e cila do të shkonte direkt për botimin e një libri me poezie të një autoreje.

“Me Floristin kemi arritur deri në një pikë ku sonte nuk kemi nevojë për ndihmën e juaj, pasi që jemi duke punuar dhe besojmë që shumë shpejt do të vijmë me një mbrëmje tjetër, pra me një libër të botuar me poezi prej një gruaje. Së bashku do t’i lexojmë poezitë e saj. Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj”, përfundon ai.

Ndërkaq, aktori Florist Bajgora ka përmbyllur këtë natë duke shtruar pyetjen se cila është ajo grua që ka bërë një ndryshim, sado të vogël, në jetën tonë.

“Pata dëshirë që të tregoj pse kemi menduar që së bashku me Armendin, ne të gjithë t’i lexojmë poezitë së bashku. Kur mendon diçka të duket se po i din gjërat, dhe kur fillon, e sheh se nuk i din me të vërtetë të gjitha gjërat dhe ne jemi ndjerë me të vërtetë në atë pikën zero që e përmendëm në fillim. Ne kemi lexuar shumë poezi dhe e kemi parë në fakt se sa pak kemi lexuar. Andaj, dëshironim që edhe ju të përjetoni këtë natë, ashtu si ne e përjetuam. Unë dua të ju pyes juve cila është gruaja që ka bërë një ndryshim sado të vogël, në jetën e juaj”, përfundon Bajgora.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të Fondit për Art Feminist të Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë-financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

Artpolis me dy aktivitete në Forumin e Grave, Paqes dhe Sigurisë

Artpolis vjen me dy aktivitete në Forumin e Grave, Paqes dhe Sigurisë

Në partneritet me Zyrën e Presidencës, Artpolis do të kontribuojë me dy aktivitete në edicionin e parë të Forumit të Grave, Paqes dhe Sigurisë (WPS) – iniciativë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.

Kontributi i Artpolis në një iniciativë kaq të rëndësishme për gratë dhe shoqërinë kosovare në ndërtimin e paqes është një angazhim me rëndësi të veçantë. Prandaj, Artpolis sjell dy aktivitete të aktivizmit artistik më 23 tetor, 2022 në Klan Arena:

·         Panel ndërkombëtar “Roli i artisteve në ndërtimin e paqes” – ora 19:00-20:00

·         Shfaqja teatrore “Toka e Shpirtrave të Trazuar” – ora 20:00 – 21:10.


Edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i kushtohet trashëgimisë historike të sekretares amerikane të Shtetit dhe mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright. 

Albright vazhdon të jetë inspirim për shumë gra e vajza edhe në Kosovë, dhe sot kujtojmë ndër shprehjet e saj më të fuqishme si grua, “Mu deshtë kohë e gjatë ta kem zërin tim, dhe tani që e kam, nuk do të hesht”. 

Forumi WPS vjen në një kohë kur paqja dhe siguria sulmohen në zemër të Evropës, ku gratë dhe vajzat janë sërish në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor. Qëllimi i Forumit është të sjellë liderë/e, ekspertë/e, akademikë/e, përfaqësues/e të shoqërisë civile, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat e paraqitura në agjendën e WPS gjatë këtyre kohëve të pasigurta. 

Në Panelin Ndërkombëtar të Diskutimit “Roli i artisteve në ndërtimin e paqes” do të zhvillohet një diskutim i rëndësishëm me gra artiste e aktiviste nga vendi dhe rajoni, të cilat kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e paqes dhe thyerjen e barrierave në shoqëri.

Diskutimi synon të nxjerrë në pah rolin e grave artiste përmes angazhimit dhe punës së tyre në periudha të ndryshme për ndërtimin e paqes, dhe nismave të tyre për të kërkuar të vërtetën kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe kontributit të tyre në drejtësinë tranzicionale.

Ndërtimi dhe ruajtja e paqes janë përgjegjësi sociale e secilit prej nesh dhe kërkojnë një angazhim të përditshëm. Prandaj, angazhimi artistik i grave ishte dhe është një formë thelbësore e reflektimit se si shoqëria jonë i qaset artit dhe jetës. Eksperienca artistike lë gjurmë te njerëzit, duke i ndihmuar ata të reflektojnë dhe ndryshojnë, duke shpresuar kështu gjithmonë t’i kthejnë në promovues të paqes.

Gjatë gjithë historisë, gratë artiste kanë promovuar me guxim rëndësinë e paqes dhe drejtësisë tranzicionale, duke e joshur publikun emocionalisht dhe shpirtërisht. Si të tilla, gjatë historisë, ato rrezikuan mirëqenien e tyre për të treguar solidaritet dhe rezistencë ndaj sistemeve diskriminuese.

Paneliste të këtij diskutimi janë:  

• Hedwig Fijen // Holandë // Kuratore, këshilltare kulturore, Themeluese i Manifesta

• Rada Borić // Kroaci // Aktiviste për barazi gjinore dhe paqe, profesoreshë universiteti, redaktore

• Dijana Milošević // Serbi // Regjisore, shkrimtare dhe ligjëruese teatri

• Maja Mitić // Serbi // Aktore, regjisore, aktiviste

• Ema Andrea // Shqipëri // Artiste, aktiviste dhe pedagoge

• Blerta Zeqiri // Republika e Kosovës // Regjisore, dramaturge

• MODERATORE:

• Zana Hoxha // Republika e Kosovës // Artiste, aktiviste, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis dheFestivalit FemArt

Më 23 tetor, 2022 në Klan Arena do të prezantohet shfaqja teatrore “Toka e Shpirtrave të Trazuar”, që është një performancë e bazuar në poezitë e Shqipe Malushit, të cilat evokojnë kujtimet tona kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin si një gjendje konstante për shoqërinë kosovare ndër shekuj e në veçanti ndikimin e saj në traumat tona ndër gjenerata.

E shtrirë në një format unik eksperimental në shqip dhe anglisht, performanca e regjisores Zana Hoxha krijon një sinergji multidisiplinare përmes poezive imazhiste të Malushit, koreografisë bashkëkohore teatrore të Robert Nuhës, dhe dramaturgji të Shpëtim Selmanit, muzikës eksperimentale me elemente burimore dhe këndimit, si dhe video projeksioneve që krijojnë një narrativë të re të bazuar mbi kujtesën tonë kolektive.

“Toka e Shpirtrave të Trazuar” përmes akteve kronologjike përshkruan njërën ndër etapat më të rëndësishme të kosovarëve drejt asaj që e kishin ëndërruar ndër shekuj, lirisë.

Por, a është e mjaftueshme të jesh i lirë? A ka diçka përtej saj?

Autore: Shqipe Malushi

Regjia: Zana Hoxha

Dramaturgjia: Shpëtim Selmani

Koreograf: Robert Nuha

Aktorë/e: Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Qendresa Kajtazi, Blend Sadiku, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli, Edlir Gashi.

Kërcimtarë/e: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci, Patriot Osmani

Soliste/ë: Donika Rushiti, Shaban Behramaj, Urta Haziraj, Etrit Nura

Kostumograf: Arbnor Brahimi

Videoprojeksionet skenike: Florian Canga 

Asistente dhe organizatore: Elira Lluka

Skenografia: Arben Shala 

Tonist: Arben Aliu

Ndriçimi: Sherif Sahiti dhe Mursel Bekteshi

Mjeshtër skene: Aziz Maloku, Flora Hasani

Grimere: Myrvete Tahiri, Flora Hasani / KultPlus.com

“Top Girls” premierë në ‘Dodonë’, shfaqja që theu barrierat e kohës nëpërmjet gjashtë personazheve

Era Berisha

Aktoret e mrekullueshme si Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berisha dhe Blerta Gubetini, kanë jetësuar mbrëmë shfaqjen “Top Girls”, dramë e Caryl Churchill që e pati premierën në teatrin ‘Royal Court’ në Londër më 28 gusht të vitit 1982. Kjo është hera e parë që ka ardhur në gjuhën shqipe, me ç’rast shfaqja ka shpalosur një hulumtim të thellë të ndjenjës së të qenurit përbrenda një shoqërie patriarkale, shkruan KultPlus.

E krijuar në mënyrë më moderne, me regji të Shkurtë Aliut, konsiderohet se shfaqja ka shpërfaqur mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë. Kontrollimi i jetës së gruas, ka qenë pika thelbësore nëpërmjet së cilës kanë rrjedhur situatat tinëzare nga më të ndryshmet. Gjashtë personazhet e portretizuara kanë sjell në jetë histori që qartazi tregojnë për rolin e gruas në shoqëri, çmimet që paguajnë ato për të arritur sukses në jetën profesionale por edhe atë personale.

“Top Girls” përqendrohet rreth Marlenes, një grua e cila është e investuar shumë në suksesin e grave në biznes. Ajo është një grua që ftohtësinë e konsideron si pikën më të fortë të saj. Në anën tjetër, të gjitha personazhet janë historikë dhe mjaft komplekse, ndërsa dialogët që mbulojnë njëra-tjetrën, shpalosin jetët e tyre në këndvështrime të llojllojshme. Karriera e suksesshme dhe jeta familjare e rregullt, janë dy pikëtakime që përplasen me njëra-tjetrën dhe personazhet “mund” ta arrijnë veç njërën.

Struktura e shfaqjes që nisi nën muzikë drithëruese, fiks në orën 19:49, është jolineare. Në të tria pjesët, historitë e grave kanë ngjashmëri në mënyrë paralele mes modernes dhe të vjetrës. Dehja, luajtja në bilardo, kërcimi, imitimi i burrave e këndimi, janë ato nëpërmjet së cilave shpalosen vuajtjet, brengat, dhimbjet dhe sekretet e tyre. Të gjitha historitë e pesë personazheve, e bëjnë Marlenen që pa ndalur, ta mendojë zgjedhjen e të hequrit dorë nga fëmija e saj, për të qenë e suksesshme në jetë.

Secili personazh është një grua imagjinare që është përballur në një mënyrë apo tjetër, me fatkeqësi të rënda. Disa nga to janë edhe përdhunimi, ndalimi i gruas në bibliotekë, presioni për të lindur djem, ndalimi i martesës me dikë nga fshati, largimi nga skllavëria e haremit, dëshmia e besnikërisë ndaj burrit, mangësitë e të drejtave të gruas mbi fëmijën, ekzistenca e festës së ‘hënës së plotë’ e shumë të tjera që në një mënyrë apo tjetër, ende janë ekzistenciale përbrenda shoqërisë, ndonëse jo aq të hasura si dikur.

Kjo premierë ka mirëpritur një numër të lartë të të pranishmëve të cilët mbushën Teatrin Dodona në numër maksimal. Shqipërimi nga Arturo Lena, skenografia nga Bekim Korça, kostumet e mahnitshme që i përkisnin epokave të ndryshme nga Arbnor Brahimi, muzika nga Trimor Dhomi, koreografia nga Robert Nuha dhe dizajni i dritave nga Skender Latifi, kanë qenë ato që i kanë dhënë një veçanti krejtësisht të rrallë kësaj premiere.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe idesë pas saj, për KultPlus foli regjisorja Shkurtë Aliu.

“Ky tekst më është ofruar nga ArtPolis-i, si kooproduksion me teatrin Dodona. E kam lexuar dy herë meqë ka qenë një tekst shumë voluminoz. Kjo që e keni parë ju, është ndoshta gjashtëdhjetë përqindje e tekstit, sepse është reduktuar shumë, ngaqë me tekstin origjinal do të zgjaste tri apo katër orë me pauza. Jam munduar t’i prek të tri skenat nga pak dhe jam munduar të krijoj një lidhje skenike në aspektin dramaturgjik, për arsye se të gjitha janë ndryshe dhe nuk kanë lidhshmëri më njëra-tjetrën”, thotë Aliu.

Sipas saj, gjashtë personazhet i shpjegojnë sfidat e tyre gjatë jetës, për t’i arritur synimet dhe në fund është ai emëruesi i përbashkët ‘sistemi patriarkal’ që tregon për pengesat e sakrificat që i kanë bërë të gjitha, secila në mënyrën e vetë, pavarësisht rrugës që e kanë zgjedhur.

“Shfaqja për mesazh ka që gratë pavarësisht sakrificave të tyre, asnjëherë nuk duhet të ndalen, e sidomos për të drejtat e tyre dhe normalisht që gjinia tjetër duhet të jetë më tolerante”, përfundon ajo.

Ndërsa, aktorja Donikë Ahmeti për KultPlus shpalosi vështirësitë për të portretizuar rolin e Marlenes.

“Unë e shoh Marlenën sikur një grua që e ka parë mënyrën e vetme drejt suksesit, që duhet me e mohu vetën e vetë personale dhe me vazhdu me vetën e saj në karrierë, gjë që ndoshta nuk është edhe aq feministe. Unë si nënë e dy fëmijëve, jam e rrethuar prej një rrethi feminist dhe e kam një sistem mbështetës të mrekullueshëm, që më mundësohet mua të bëj një karrierë, gjë që personazhi i Marlenes nuk e ka pasur këtë rehati. Të gjitha karakteret janë gra revolucionare që në kohën kur kanë jetuar, kanë bërë diçka që gruaja nuk ka guxuar të bëjë hiç”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, secili personazh ka thyer barrierat e kohës dhe tabutë në atë kohë. Por në anën tjetër, jeta e tyre ka qenë e mbushur me plot sakrifica e mundime.

Repriza e parë e “Top Girls” vjen më 26 tetor në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase 2022”.

“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. / KultPlus.com

Shfaqja “Top Girls” sonte premierë në Teatrin Dodona

Shfaqja “Top Girls”,  dramë e Caryl Churchill e cila u dha premierë në Teatrin Royal Court në Londër më 28 gusht të vitit 1982, pas rrugëtimit të gjatë ndër vite, tashmë po vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përcjellë KultPlus.

“Top Girls”, shfaqje kjo që vjen si eksplorim i asaj se çfarë do të thotë të krijosh një jetë brenda një shoqërie patriarkale.

“Top Girls” vjen në Kosovë në një version modern me regji të Shkurtë Aliut, dhe shpërfaq mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë, teksa shpalos mënyrat tinëzare në të cilat patriarkati kontrollon jetën e grave.

Shfaqja eksploron rolet që janë në dispozicion të grave në shoqërinë moderne, tregon çmimin që gratë paguajnë për sukses në jetën profesionale dhe gjithashtu se çfarë do të thotë të jesh një grua e suksesshme në shoqëri.

Në shfaqje luajnë aktoret: Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berìsha dhe Blerta Gubetini.

Premiera e shfaqjes vjen sonte, në ora 19:00 në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”. 

“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. /KultPlus.com

“Top Girls” vjen premierë në Prishtinë, shpërfaq mendësinë e sistemit patriarkal në Kosovë

Shfaqja “Top Girls”,  dramë e Caryl Churchill e cila u dha premierë në Teatrin Royal Court në Londër më 28 gusht të vitit 1982, pas rrugëtimit të gjatë ndër vite, tashmë po vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përcjellë KultPlus.

Teatri Dodona në bashkëpunim me Artpolis – Art and Community po sjellin premierën e shfaqjes “Top Girls”, shfaqje kjo që vjen si eksplorim i asaj se çfarë do të thotë të krijosh një jetë brenda një shoqërie patriarkale.

“Top Girls” vjen në Kosovë në një version modern me regji të Shkurtë Aliut, dhe shpërfaq mendësinë aktuale të sistemit patriarkal në Kosovë, teksa shpalos mënyrat tinëzare në të cilat patriarkati kontrollon jetën e grave.

Shfaqja eksploron rolet që janë në dispozicion të grave në shoqërinë moderne, tregon çmimin që gratë paguajnë për sukses në jetën profesionale dhe gjithashtu se çfarë do të thotë të jesh një grua e suksesshme në shoqëri.

Në shfaqje luajnë aktoret: Donikë Ahmeti, Vjosë Tasholli, Molikë Maxhuni, Zhaneta Xhemajli, Zana Berìsha dhe Blerta Gubetini.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 18 tetor, në ora 19:00 në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”. 

“Top Girls” realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism” implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë”. /KultPlus.com



Artpolis ofron kursin e vetëmbrojtjes pa pagesë për vajza dhe gra

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në kuadër të projektit “Humanrightivism” organizon pa pagesë kursin e dytë të vetëmbrojtjes “Çikat e Sjellshme” për vajza dhe gra nga e gjithë Kosova, i cili do të fillojë më 12 shtator, përcjell KultPlus.

Më shumë se kurrë më parë siguria e vajzave dhe grave në ambiente publike e private duhet të rritet, ndërsa përgatitja e tyre fizike e psiqike është domosdoshmëri.

Prandaj, vajza dhe gra, pa dallim moshe, mund të ndjekin kursin e vetëmbrojtjes “Çikat e Sjellshme”, i cili do të mbahet në Akademinë e Arteve Marciale në Prishtinë me instruktorin e Taekwando-së, Nuhi Gashi, me gradën 5 Dan.

Gjatë 24 sesioneve të stërvitjeve çikat e gratë do të pajisen me aftësi, njohuri dhe aftësi të mjaftueshme për të dalë nga situata të përkohshme me rrezik të lartë, të cilat mund të jenë potencialisht kërcënuese për sigurinë e tyre (përdhunim, sulm seksual, grabitje, etj.)

Përveç teknikave të vetëmbrojtjes, çikat e gratë do të ndërtojnë qëndrueshmëri dhe aftësi të përgjithshme fizike, emocionale e psiqike.

Artpolis tashmë me sukses ka përfunduar kursin e parë të vetëmbrojtjes me 25 vajza nga qytete të ndryshme të Kosovës. Për 2 muaj, 1 qershor – 29 korrik, 2022 këto vajza kanë stërvitur, janë përkushtuar e kanë marrë njohuri për teknika dhe mënyra të ndryshme të vetëmbrojtjes.

Në thirrjen e dytë inkurajohen çikat e gratë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë të bëhen pjesë e kursit duke aplikuar përmes këtij linku: https://bit.ly/3eeL3dk

Ky aktivitet organizohet nga Artpolis në kuadër të projektit “Humanrightivism” përkrahur nga Swedish International Development Cooperation Agency – Sida, implementuar Community Development Fund – CDF. / KultPlus.com

Nesër mbahet konferenca “Reprezentimi i barabartë në Teatër – Mundësitë dhe realiteti për aktoret dhe aktorët”

Nesër më 4 gusht, 2022 nga ora 11:00, Artpolis dhe Prizrenfest organizojnë konferencën “Reprezentimi i barabartë në Teatër – Mundësitë dhe realiteti për aktoret dhe aktorët” tek Shtëpia e Shani Efendisë, në Prizren, përcjell KultPlus.

Kjo konferencë sjell një diskutim të gjerë ndërmjet akterëve të teatrit në Kosovë për mungesën e përfaqësimit të duhur të grave në teatër, përcaktimit të profesioneve sipas stereotipeve gjinore, hapësirat jo të duhura për krijime artistike, kushtet e punës, roli i institucioneve kulturore, diversitetit dhe pabarazisë gjinore. Gjithashtu, diskutimi do të zgjerohet në mundësitë ekzistuese dhe ato që duhet krijuar për diversitet dhe barazi gjinore edhe në teatër.

Teatri është një nga pjesët më esenciale të diversitetit kulturor. Megjithatë, shumë shpesh performancat artistike dhe stafi nuk e reflektojnë diversitetin real të qyteteve dhe vendeve në të cilat jetojmë, dhe nuk ka përfaqësim e mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët – pavarësisht gjinisë, orientimit seksual, etnisë apo klasës.

Këtë e tregon edhe hulumtimi “Barazia Gjinore dhe Diversiteti në Teatrot Evropiane” të realizuar nga Konventa Evropiane e Teatrit (ETC), i cili ndër të tjera thotë se gratë kanë pasiguri më të lartë në kontrata se sa burrat, dhe janë të pranishme në “profesione stereotipike gjinore”, dhe “më pak të pranishme në krye të hierarkisë”.  Sipas këtij studimi burrat kanë prezencë më të madhe në programet teatrore dhe dominojnë “pozitat prestigjioze” në dramaturgji, regji, dhe staf teknik, përderisa gratë dominojnë në kostumografi dhe parukeri.

Ky studim vë në pah edhe faktin se kur gratë janë në vendimmarrje si autoret dhe regjisore ato demonstrojnë një prirje të qartë drejt barazisë në krahasim me kolegët e tyre burra.

Si shoqëri duhet t’u përgjigjemi shumë pyetjeve rreth barazisë gjinore në teatër: Cili është roli ynë si artiste/ë në fuqizimin e grave, cilat janë hapat që duhet ndërmerren për barazi gjinore në teatër, si të rrisim prezencën e grave në hierarkinë e teatrit etj?!

Konferenca do të shërbejë si një hapësirë për diskutim të domosdoshëm konstruktiv për të arritur barazinë gjinore, e fuqizimin e grave në teatër. / KultPlus.com

Nis partneriteti mes ‘Artpolis’ dhe ‘Prizrenfest’, sonte në Burgun e Qytetit shfaqet “Ora e Vdekjes”

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka nisur bashkëpunimin dhe ndërtimin e partneritetit me Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur – Prizrenfest.

‘Prizrenfest’, që mbahet në qytetin e Prizrenit, sivjet organizon edicionin e tij të parë, nga 31 korrik deri më 4 gusht, dhe ‘Artpolis’ është e lumtur të kontribuojë me tri aktivitete në një festival që premton shumë dhe është një dritare më shumë në zhvillimin e artit skenik dhe aktivizmit artistik.

Artpolis prezanton në Prizrenfest dy shfaqje teatrore dhe një konferencë.

Shfaqja teatrore “Ora e Vdekjes”, me regji të Ilir Bokshit, do të prezantohet sonte para publikut në Prizren nga ora 21:00.

“Ora e Vdekjes”, bashkëproduksion i Artpolis dhe Bokshi Theater Company, prezantohet në Burgun e Qytetit në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur – Prizrenfest.

Kjo shfaqje trajton fatin e të burgosurve politikë në Kosovë dhe Shqipëri. Shfaqja përfshin edhe tregime nga të mbijetuarit (nga masakra e burgut të Dubravës) si dhe tregime nga të burgosurit nëpër burgjet e tjera të luftës së fundit në Kosovë dhe kohës së komunizmit në Shqipëri. Inskenimi i shfaqjes në hapësirat e burgut, jo vetëm që do ta bëjë publikun të përjetojë shfaqjen dhe tregimet, por gjithashtu do ta bëjë të përjetojë edhe hapësirat e burgut.

“Ora e Vdekjes” ndërthur jetën, moralin, identitetin, fatet, luftën, mbijetesën dhe dashurinë, gabimin dhe pafajësinë, lirinë dhe vdekjen, të gjitha këto të gërshetuara në një koncept inovativ teatror.

Regjia: Ilir Bokshi

Autor: Ulpianë Maloku, Agnesa Mehanolli

Aktorët: Albulena Kryeziu-Bokshi, Kushtrim Sheremeti, Adrian Morina, Arben Derhemi

Kostumografe: Vesa Kraja

Skenograf: Bekim Korça

Kompozitor: Memli Kelmendi

Ndriçimi: Skender Latifi

Më 3 gusht te Kino Plato do të keni të rastin të shihni shfaqjen “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës, nga ora 21:30, bashkëproduksion i Artpolis dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në ditën e fundit të Prizrenfest, më 4 gusht, zë vend konferenca teatrore “Reprezentimi i barabartë në Teatër – Mundësitë dhe realiteti për aktoret dhe aktorët”, tek Shtëpia e Shani Efendisë nga ora 11:00.

Ky është edicioni i parë i Prizrenfest, i cili në vitin e tij të parë sjellë një program të pasur me artistë/e vendorë/e dhe ndërkombëtarë/e nga: Kosova, Shqipëria, Bosnja – Hercegovina, Turqia, Italia dhe Rumania. / KultPlus.com

Asociacioni Kulturanova nga Novi Sadi hap thirrjen për dy aktorë për të marrë pjesë në projektin “Rajoni nga perspektiva ime”

Asociacioni Kulturanova nga Novi Sadi ka hapë thirrjen për dy (2) aktore/ë për të marrë pjesë në projektin “Rajoni nga perspektiva ime”.

Pjesëmarrja do të rezultojë me pjesëmarrje në prova në Prishtinë më 17, 18, dhe 19 maj 2022, me një prezantim publik në Prishtinë më 19 maj. Një tjetër prezantim publik do të mbahet jashtë Prishtinës më 20 maj, kurse më 21 maj në Novi Sad/Serbi, dhe më 22 maj në Kikinda/Serbi.

Prezantimet në Prishtinë dhe Novi Sad do të zhvillohen në kuadër të projektit “Shumë perspektiva, shumë përvoja: Histori gojore” që përmban tryeza të rrumbullakëta dhe konferenca në vendet e lartpërmendura.

Njohja në nivel të mirë e gjuhës angleze (apo boshnjake, kroate apo serbe), është e domosdoshme për të qenë pjesë e kësaj performance.

Aktoret dhe aktorët e përfshirë në këtë projekt do të paguhen 400 dollarë bruto. Të gjitha shpenzimet e transportit dhe akomodimit do të mbulohen nga organizatori.

Aktoret dhe aktorët duhet të aplikojnë duke dërguar CV-në e tyre në emailin: [email protected] më së largu deri më 10 maj, 2022. / KultPlus.com

Me autor Shpëtim Selmani dhe regjinë e Zana Hoxhës, së shpejti premiera e shfaqjes “Çimka”

Më 1 Maj në ambientet e Muzeut të Pergjimeve të Sigurimit të Shtetit “SHTËPIA E GJETHEVE” do të shfaqet premiera e shfaqjes “ÇIMKA”, një krijim unik dhe bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Tiranë dhe Qendrës për Art dhe komunitet – Artpolis, me autor Shpëtim Selmani dhe regjinë e Zana Hoxha, përcjell KultPlus.

“Çimka” është një shfaqje që hedh dritë mbi dy botë paralele të përgjimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe asaj të regjimit jugosllav në Kosovë. E bazuar në personalitete historike sikurse disidentja Musine Kokalari dhe rapsodi Dervish Shaqa si dhe në fiksion, “ÇIMKA” dekonstrukton kontrollin e ideologjive të caktuara politike mbi vullnetin e lirë të njeriut, si e drejtë e patjetërsueshme e tij/saj.

E konceptuar nga regjisorja Zana Hoxha më shumë si një eksperiencë e cila buron nga vet “SHTËPIA E GJETHEVE”, personazhet dhe skenat e krijuara përmes një qasjeje eksperiementale synojnë që të nxisin emocione, reflektim dhe edukim të përbashkët për këtë periudhë të errët të viteve 1960.

Kjo shfaqje si rrallëherë bën bashkë një kastë impresive të artistëve nga Shqipëria dhe Kosova, dhe është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor.

Aktorë: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj dhe Altea Dulellari.

Kompozitor: Liburn Jupolli

Skenografia dhe Kostumet: Youliana Voykova – Najman

Asistentë regjie: Greta Baci & Kevin Rrapaj / KultPlus.com

Mbahet mbrëmja ‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars’, Dones:  Gruaja shqiptare vazhdon të jetë e shtypur

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së shtunës, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u mbajt mbrëmja e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, në shënim të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, përcjell KultPlus.

Kjo ngjarje, përveç poezive me vargje fuqizuese dhe frymëzuese kushtuar grave e që u interpretuan nga artistët rezidentë të ‘Artpolis’, u shënua edhe më një sërë aktivitetesh të tjera që përfshinin të ftuarën speciale, shkrimtaren Elvira Dones, sopranon Besa Llugiqi, shkrimtaren e gazetaren Ilire Zajmi, aktorin dhe poetin Shpetim Selmani, këngëtaren e kantautoren me origjinë shqiptare nga Belgjika’ Ceylan Taci si dhe kërcimtarët e Noa Dance Theatre me koreograf Robert Nuha që i shtuan magjinë kësaj nate me vallëzim kontemporan.

Mbrëmja e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”, e cila mëton të fuqizojë gratë mbijetuese të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u moderua nga Zana Hoxha, themeluese dhe drejtoreshë e ‘Artpolis’.

Nën tingujt e pianos që udhëhiqej nga Alzan Gashi, aktivitetet në këtë mbrëmje nisën me këngën ‘Unë vendos’ të Hana Cakulit, interpretuar nga artistet e ‘Artpolis’, Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Kaltrinë Zeneli, Qëndresa Kajtazi dhe Zhaneta Xhemajli. Kjo mbrëmje u përcoll edhe me interpretimin e katër poezive. Artistet e ‘Artpolis’ interpretuan ‘Mora lule sot’ nga Paulette Kelly, ‘Do t’shkruaj letra’ nga Vera Pavlova, ‘Mos fajësoni askënd’ nga Pablo Neruda dhe ‘Dhuna’ nga Erich Fried,

Më pas trupës së artistëve iu shtuan edhe Edlir Gashi dhe Mikel Markaj duke dhuruar një emocion të pashoq me interpretimin e këngëve ‘Ditë Dimri’ dhe  ‘Fërfëlloj fëllënza në ujë’.

Në ktë mbrëmje, Shpëtim Selmani, Donikë Ahmeti, Mikel Markaj, Edlir Gashi lexuan një bllok me poezi në shenjë solidarimi me popullin ukrainas pas pushtimit nga Rusia.

“Ne si një qendër e tillë, si artistë dhe artiste të angazhuara nuk mund të bëheshim sikur kjo ngjarje nuk po ndodhë. E dimë që Ukraina po kalon nëpër një luftë të tmerrshme për shkak të agresionit rus dhe ne e kemi obligim si qyetarë të kësaj bote të jemi në solidaritet. Shpresojmë që përmes artit tonë të kontribuojë në një ndërgjegjësim që lufta të ndalet, të ketë paqe dhe drejtësi kudo në botë” – tha moderatorja Hoxha.  

Emocioni në sallën e Teatrit Kombëtar u shtua edhe më shumë pas performancës së artistëve të Noa Dance Theathre, si zë i grave të pambrojtura, atyre që shtuan numrin e statistikave të grave që u vranë nga burrat e tyre.

Aktiviteteve të shumta që shënuan këtë mbrëmje, iu bashkua edhe këngëtarja dhe kantautorja me origjinë shqiptare, Ceylan Taci, e cila përveç që interpretoi këngët e saj në shqip ‘Kajti daja’ dhe ‘Ta qes lëkurën në tokë’, tregoi para publikut historinë se si filloi të mësojë e të shkruajë në gjuhën shqipe.

“E gjitha ka fillu në Theth, në Shqipërinë Veriore. Isha duke ecë nëpër kodra e më dukej sikur më flisnin kodrat, e ma tregojshin historinë tem e më detyronin të flas në shqip. U ktheva në Belgjikë e ja nisa me shkrujt në shqip, me fjalë të thjeshta, me imazhe. E fillova me shkru shqip kur vdiq baba, e kur vdiq nana, s’pata me kon me fol, ja nisa me shkrujt, qe historia” – tha Taci, e cila dhuroi emocione të përziera në sallë me rrëfimin e saj dhe performancën e këngëve, përcjell KultPlus.

Në këtë mbrëmje që gërshetoi dhimbjen, forcën, mbështjen, solidarizimin, nuk munguan edhe poezitë për dashurinë që u lexuan nga artistët e ‘Artpolis’.

Dalëngaladë, mbrëmja arriti kulmin e saj, në pjesën ku shkrimtarja Ilire Zajmi intervistoi të ftuarën speciale, Elvira Dones e cila është një romanciere, skenariste dhe producente e filmave dokumentarë shqiptarë. Është romanciere dhe shkrimtare dygjuhëshe (shqip dhe italisht). Ajo ka botuar shtatë romane, dy përmbledhje me tregime të shkurtra, ka shkruar disa skenarë dhe ka drejtuar një seri dokumentarësh për Radion Publike Zvicerane. Romanet e saj janë përkthyer në disa gjuhë.

Dones filloi të flasë për pozitën e gruas në Shqipëri, duke e lidhur me librin e saj ‘Yjet nuk vishen kështu’  për të cilin ajo thotë se është libri i vetëm që nuk do të donte ta kishte shkruar.

“Do të kisha dashur të mos e kisha shkruar sepse ajo faqe e zezë e shoqërisë shqiptare, ajo anë e errët që doli pas ndryshimit të regjimit në Shqipëri dhe ato vite që ishin qeveri pa qeveri, në ato vite filloi kriminaliteti dhe vajzat shqëiptare, merreshin nga shkollat, mashtroheshin se do t’i gjenin punë në Itali, Francë. Dhe këto vajza disa vinin nga familje të varfëra e disa nuk vinin nga familje të varfëra. Disa prej tyre u tradhëtuan nga të fejuarit, nga të dashurit, nga vëllezërit nga baballarët nganjëherë.”  – u përgjigj Dones teksa shton se gruaja shqiptare vazhdon të jetë e shtypur

Duke qenë se subjekt në librat e Elvira Dones janë gratë, fenomone e histori të dhimshme. Autorja tregon se pse trajton pikërisht këto tema.

“Mua më interesojnë të tregoj dritëhijet dhe hijet, më intereson të tregoj histori të njerëzve që nuk ndodhin tek çdo njeri. Ne, shqiptarët, kosovarët, kemi histori të dhimbshme, nëse nuk e shkruajmë ne historinë tonë, atëherë kush do ta shkruajë. Kam dashur të tregoj këto faqe të errëta jo vetëm shqiptare por edhe histori të tjera. Më intereson të tregoj për fundin e botës, për ata të fundit që askush nuk i vështron, ata lypsarët që nganjëherë para tyre kalojmë drejt dhe vazhdojmë në jetën tonë të rregulluar, të stresuar por të privilegjuar.” – thotë ajo.

Dones dhe Zajmi flasin edhe për librin ‘Luftë e vogël e përkorë’, libër ky në të cilin autorja Dones ka trajtuar luftën e fundit në Kosovë.

“Erdha në Kosovë për herë të parë, katër muaj pas luftës, kur Prishtina dhe e gjithë Kosova ishte akoma gjysmë e rrënuar, mbante erë akoma luftë. Pastaj derisa arrita ta shkruaja librin u ktheva edhe pesë herë të tjera në Kosovë, për respekt ndaj viktimave. Nuk mund t’ia lejoja vetes të bëja fantazi mbi tragjedinë e Kosovës. Kisha nevojë të krijoja distancën time emotive, të shkruaja një libër, ashtu siç kishin ndodhur gjërat” – thotë autorja Dones, e cila shton se libri i saj për luftën në Kosovë, e vuri në vëmendjen e popullit zviceran dhe gjerman atë çfarë kishte ndodhur në Kosovë.

Pas këtij bashkëbisedimi, në skenë u ngjit sopranoja kosovare Besa Llugiqi e cila interpretoi këngët, “Për mu paska ken’ kismet” dhe “Në zaman t’njasaj furie”, duke e shtuar edhe më shumë laramaninë  e kësaj mbrëmjeje.

E krejt në fund, iu dha mundësia edhe pjesëmarrësve në publik që të lexojnë disa nga poezitë e tyre. Një ndër ta ishte edhe Rrezarta Isma, e cila lexoi poezinë e saj në gjuhën angleze, inspiruar nga rrëfimet në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT.

Ky aktivitet u implementua nga Artpolis dhe u mbështet nga UNFPA Kosovë./ KultPlus.com

Artpolis pjesë e Festivalit “Arts & Human Rights” në Beograd

Artpolis do të prezantojë në Beograd performancën skenike “Gjuetaret e Artemidës” në kuadër të edicionit të Festivalit “Arts & Human Rights”, që organizohet nga Teatri DAH, më 24-27 shkurt 2022 që bën bashkë artistë/e dhe aktivistë/e nga mbarë bota.

Me regji të Zana Hoxhës kjo performancë do të prezantohet para publikut në Serbi më 25 shkurt nga ora 20:00 në Dorcol Platz. Inspiruar nga natyra dhe bukuritë e fshatit Kukaj, aty ku hapësira dhe çdo gjë që e rrethon këtë ambient është në harmoni me tokën dhe qiellin, nisi një tregim i jashtëzakonshëm i performancës “Gjuetaret e Artemidës”. Ky proces krijues filloi nga një vizitë në natyrën e qetë, që ishte shërim për trupin dhe shpirtin, e që e frymëzoi regjisoren Zana Hoxha, të krijojë një vepër që është në përputhje me natyrën si perëndeshë shëruese, burim i jetës dhe energji e pashtershme. Koreografia, muzika, kostumet dhe performanca e aktoreve ndërthuren për të vënë në pah fuqinë, dashurinë dhe solidaritetin natyror të gruas.

“Gjuetarët e Artemidës” ishte dhënë premierë pikërisht në Kukaj, më 25.09.2020, në edicionin e dhjetë të Etno-Festit, duke rrëmbyer edhe dy çmime: Shfaqja më e mirë, dhe Performanca më e mirë. Njëherësh kjo i kishte paraprirë edicionit të tetë të Festivalit FemArt.

Aktoret Aurita Agushi, Kaltrinë Zeneli, Donikë Ahmeti, Daniela Markaj, Qendresa Kajtazi, Hajat Toçilla dhe Fitore Jashari sjellin këtë performancë me koreografi të Robert Nuhës, muzikë të Arbër Salihut e kostumografi të Arbnor Brahimit.

Festivali “Arts & Human Rights”, është një platformë për të prezantuar ide dhe koncepte që vënë në pah dhe ndërlidhin artin me të drejtat e njeriut, duke avokuar për respektimin e të drejtave të njeriut. Ky edicion vjen nën moton “Arti në veprim”, me synimin për të inkurajuar dhe fuqizuar qytetarët për të luajtur rol aktiv për ndryshim në komunitet, për t’i bërë bashkë artistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut me një komunitet sa më të gjerë. Pjesëmarrës në këtë edicion të festivalit janë individë dhe organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatën Artpolis nga Kosova, përmes së cilave synohet rigjallërimi i komuniteteve dhe ndërlidhja e dallimeve.

Artistë/e dhe aktivistë/e nga Spanja, Izraeli, Mali i Zi, Kosova, Irlanda, Irani Belgjika e Brazili do të diskutojnë, prezantojnë e performojnë përmes veprave të tyre artistike. /KultPlus.com

Artpolis themelon Fondin për Art Feminist, në shkurt prezantohen katër vepra

Veprat artistike me qasje feministe tani e kanë një adresë përmes së cilës mund të vijnë në jetë – Fondin për Art Feminist të organizatës Artpolis, që ka nisur nga janari i vitit 2022.

E në kuadër të këtij Fondi gjatë muajit shkurt do të jepen premierë katër vepra artistike të artisteve dhe artistëve me tema e mënyra të ndryshme të prezantimit, por me një pikësynim të përbashkët – fuqizim të vajzave, grave e grupeve të margjinalizuara dhe shpërfaqjes së pabarazisë ndaj tyre.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin rreth këtij fondi.

Me dashuri e për dashurinë nis prezantimi i veprave në kuadër të Fondit për Art Feminist. Më 14 shkurt nga ora 18:00 në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë performanca “Vet’♥️” nga Andi Krasniqi e Arbnora Ademi.

“Vet’♥️” ka për qëllim të ngritë vetëdijen te shumica mbi të vërtetat e tranzicionit dhe është e bazuar në rrëfimet e personave që janë në mesin tonë. E ndarë në katër faza në të paraqiten dëshira, ankthi, realiteti personal i personazhit , ai i rrethit dhe të dashurit e vetvetes. Sfida, sakrifica dhe gjykimet që bëhen ndaj dikujt që askush pos tij/saj nuk e di si ndjehet në atë trup.

Katër ditë më vonë, 18.02.2022, para publikut në Teatrit Oda nga ora 18:00 do të prezantohet koreodrama e Leudrita Mustafës me titull “Grua mos hesht”. Kjo vepër vjen si narracion kundër dhunës ndaj grave, dhe sfidat me të cilat ato ballafaqohen në përditshmëri. Ngjarja realizohet përmes vëllëzimit bashkëkohorë në të cilën portretizohet një çift në faza të ndryshme të lidhjes së tyre, deri tek çlirimi përfundimtar i gruas nga një marrëdhënie toksike.

“Grua mos hesht” vjen si thirrje për të gjitha gratë që të mos tolerojnë padrejtësitë ndaj tyre e të kërkojnë ndihmë për t’u çliruar nga prangat e patriarkatit.

Kurse më 22 shkurt në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë baleti “Equal” me koreografi të Robert Nuhës me fillim nga ora 20:00.

“Equal” është projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i cili vjen si rrjedhojë e kërkimeve të koreografisë së bazuar në teknikat më të fundit të dansit bashkëkohorë, konkretisht në improvizim të kontaktit, të cilat nxjerrin në pah shtypjen gjinore si akt i dhunshëm dhe i dëmshëm fizik e psiqik. Përmes imazheve që do të ofrojmë përgjatë kësaj performance do të pasqyrohen situata që ngritin pyetje të cilat targetojnë reflektimin e shoqërisë mbi çështjet fragjile të barazisë gjinore.

E më 24 shkurt në Sallën Koncertale të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Prishtinës do të prezantohet vepra “Sonatë e Kristaltë” nga Entela Qarkagjija.

“Sonatë e Kristaltë” është një performancë në siluetë, duke luajtur në violë e piano që sjell narracionin mbi sfidat dhe paragjykimet me të cilat përballen instrumentistët, veçanërisht gratë.

Kjo iniciativë mbështetet nga Fondi për Artin Feminist i Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

Vazhdojnë aktivitetet për fushatën ’16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore’ nga Artpolis

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis do të organizojë më 10 dhjetor, 2021 panel diskutimi “Rregullorja kundër Ngacmimit Seksual në UP u aprovua. Si të vazhdojmë në 2022”.

Ky aktivitet, që mbahet në kuadër të Fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, do të realizohet në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga ora 11:00-14:00.

“Duke e marrë parasysh rëndësinë e kësaj rregulloreje dhe zbatimin e saj në parandalimin dhe adresimin e ngacmimeve seksuale ky panel diskutimi do të shërbejë si platformë për studentët/et, profesorët/et, dhe aktivistët/et dhe anëtarët e komunitetit të adresojnë ngacmimet seksuale dhe të kuptojnë sfidat dhe mundësitë e adresimit të rasteve të ngacmimit seksual, identifikimin e sjelljeve ngacmuese, kornizat ligjore në Universitetet e tyre dhe në Kosovë lidhur me ngacmimin seksual dhe pasojat që dalin nga ngacmimi seksual, gjithashtu do të diskutohet për hapat të cilët duhet të ndërmerren në implementimin e rregullores për vitin 2022”, thuhet në njoftim të Artpolis.

Diskutimi do të drejtohet në këto pika kryesore:

·               Rëndësia e aprovimit të Rregullores për studentët, stafin akademik, jo-akademik dhe administrativ të UP-së 

·               Cilët janë hapat që duhet ndjekur tash, pas aprovimit të Rregullores?

·               A duhet kjo Rregullore të zgjerohet dhe të vlejë për të gjitha Universitetet në nivel vendi, nga niveli qendror?

·               Si të gjejë zbatim kjo Rregullore dhe si të monitorohet në mënyrë të rregullt ky zbatim?

Pjesë e këtij paneli janë përfaqësues/e të institucioneve arsimore, profesorë universitarë e përfaqësues të organizatave të përfshirë në përpilimin e Rregullores. /KultPlus.com