Konferenca e Sigurisë në Mynih, Osmani: Përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri. Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që është mbajtur në Mynih, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani thotë se në këto takime tre-ditore, krerët shtetërorë të Kosovës përçuan mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidents Osmani:

Ishin tri ditë intensive në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku së bashku me Kryeministrin Kurti dhe Zëvendëskryeministren Gërvalla, diskutuam në një numër panelesh e tryezash dhe takuam përfaqësues të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare. Në të gjitha këto organizime si dhe takime e diskutime bilaterale, përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon, duke kryer njëkohësisht një sërë reformash brenda vendit të cilat po përkrahen fuqishëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Përkushtimin tonë në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, përtej aspektit deklarativ, po e dëshmojmë me veprime konkrete, prandaj është imperative që e ardhmja e vendit tonë në këto struktura të garantohet duke pasur parasysh ndikimin çdo ditë e më të madh të Rusisë, nëpërmjet Serbisë që ka për qëllim destabilizimin e rajonit.

Në takime me presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të mbrojtjes, senatorë, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e përfaqësues të shoqërisë civile, gjithnjë synojmë avancimin e raporteve me shtete të tjera dhe shtyrjen përpara të interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Kosova ka miq të shumtë në botë, e këto miqësi vetëm sa do t’i shtojmë e do t’i thellojmë./ KultPlus.com