Elvana Shala morri pjesë në konferencën ndërkombëtare ku Kosova u vlerësua për punën vullnetare të të rinjve

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, sot mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Gentium Modeli i Kombeve të Bashkuara” që zhvilloi punimet në Indi me pjesëmarrjen e 27 përfaqësuesve të vendeve të ndryshme të botës.

Në fjalimin e saj të realizuar online për shkak të pandemisë, Ambasadorja Shala foli rreth rolit të dhënies së donacioneve për vendet me kriza humanitare në situata të jashtëzakonshme si kjo me pandeminë. Shembull konkret ajo ka përmendur Kosovën dhe donacionet e shumta që kemi pranuar këtë kohë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe vendet mike. Ajo gjithashtu ka folur edhe për rëndësinë e punës vullnetare të të rinjëve tanë.

Në këtë konferencë, Kosova u cilësua si shembulli më i mirë i punës vullnetare që bëhet nga të rinjët duke u parë si shtet motivues për arenën ndërkombëtare.

Konferenca ishte organizuar me qëllim bamirësie ku të gjitha donacionet që u dhuruan gjatë dy ditëve të konferencës u dërguan në organizatën Save the Children në Yemen.

Për shkak të pandemisë, agjenda e Ambasadores Shala për përfaqësimin e Kosovës nëpër botë, në fushën e diplomacisë publike, do të vazhdoj online deri në vitin e ardhshëm. / KultPlus.com