Përkujtohet në Lezhë 152-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës

Bashkia e Lezhës organizoi sot për të tretin vit radhazi Konkursin letrar mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta”, në nder të 152-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, personalitete të fushës së artit dhe letërsisë, akademikë dhe të ftuar të tjerë të linjës.

Konkursi kishte në konkurrim 44 vepra në tri gjini: prozë (roman), vëllim poetik si dhe vepër studimore.

Juria e përbërë nga Mark Simoni, Diana Çuli e prof. Alfred Çapaliku vlerësuan me çmime  disa nga veprat letrare më të spikatura, ndër të cilat:

Me çmimin “At Gjergj Fishta” për romanin më të mirë u vlerësua shkrimtari Primo Shllaku, me romanin “Pesha e padurueshme e pafajësisë”.

Me çmimin “At Gjergj Fishta” për vëllimin poetik më të mirë u vlerësua poetja Vlora Ademi me librin “Katërdhetë e pak”.

Me çmimin At Gjergj Fishta për librin studimor më të mirë u vlerësua shkrimtari Gjon Marku me veprën “Gazullorët. Traditë në Rilindjen Evropiane”.

U vlerësuan me “Çmim karriere” për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur nga Kosova Sabri Hamiti, si dhe shkrimtari i njohur Agim Isaku.

U vlerësuan me “Çmim karriere” (post mortum) për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe dy shkrimtarët lezhjanë Ndue Gaspri dhe Daniel Gazulli./atsh/KultPlus.com

Hapet konkursi letrat për organizimin “Vjeshta poetike në Obiliq-Kastriot”

Me mbështetje të DKRS-së, Komuna e Obiliqit-Kastriotit, organizon edicionin e tretë më radhë kulturor “Vjeshta poetike në Obiliq-Kastriot”, shkruan KultPlus.

Ky edicion organizohet në mbështetje të rrjetit global të poetëve, “100 Mijë Poetë Për Ndryshim Iniciativa Globale” me moton “Lexojmë Një Poezi Për Një Fëmijë”.

Me rastin e mbajtjes së këtij manifestimi kulturor poezitë e lexuara nga poetet-poetët, do të botohen në një libër të veçantë për edicionin e vitit të ardhshëm. Ky vit është i rëndësishëm për të theksuar rëndësinë e fëmijëve në botë.

Për poezi ndahen këto katër çmime letrare:
1. Çmimi i parë
2. Çmimi i dytë
3. Çmimi i tretë
4. Çmimi motivues për krijuesin e ri
( Ky çmim ndahet pas leximit të disa krijuesve të ri, për të cilin vendos juria e cila do formohet ditën e mbajtjes së orës letrare).

Kriteret e konkursit:

Të drejtë konkurrimi kanë të gjithë krijuesit letrarë, nga gjeografia e atdheut, dhe nga mërgata e jonë, pa dallim moshe. Krijimet duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe, ( gjatësi e një faqe A4 me shkronja 12 pikëshe). Konkurruesit kanë të drejtë pjesëmarrje vetëm me një poezi, e cila nuk është publikuar në revista, gazeta apo portale elektronike.
Poezia nuk duhet të kalojë më shumë se 30 vargje dhe duhet të jetë e lektoruar dhe me emër e mbiemër të plotë të autorit, ndërsa autorësia dëshmohet me kopje të poezisë së printuar, ditën e mbajtjes së manifestimit. Dërgimi i poezive bëhet në emalin: [email protected]

Afati i dërgimit të poezive është nga data: 08.09.2018 deri më 20.09.2018

Shpallja dhe publikimi i rezultateve bëhet nga juria profesionale ditën e mbajtjes së manifestimit, më 29.09.2018. Ora letrare fillon në ora 14h dhe mbaron në ora 15:30h, në sallën e Kuvendit Komunal të Kastriotit.
Për krijuesit nga Shqipëria, Maqedonia, dhe komunat e tjera, është siguruar transporti falas me autobus, ardhje-vajtje para bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Autobusi me krijuesit nga Prishtina, nga Biblioteka Kombëtare për Kastriot niset në ora 13:30h. / KultPlus.com