Përkujtohet poeti Ndoc Gjetja në 80-vjetorin e lindjes! Zogaj: Ishte mik i gjithë letrarëve

Në kujtim të poetit të ndjerë, Ndoc Gjeta, u organizua një veprimtari përkujtimore në Lezhe me rastin e 80-vjetorit të tij.

Lezha solli në kujtesë poetin dhe humanistin e madh Ndoc Gjetja. Në 80-vjetorin e lindjes së tij, u organizua një veprimtari përkujtimore, ku merrnin pjesë studiues, shkrimtar e bashkëpuntor të poetit.

“Ndoci për të gjithë ne është një kujtim i bukur, është pjesë e trashëgimisë. Një portret, një figurë e çmuar”, tha shkrimtari Preç Zogaj.

Poeti Ndoc Gjetja u nda nga jeta 14 vite më parë në moshën 66-vjeçare pas një  sëmundje të rëndë. Autor i disa vëllimeve poetike si “Rrezatim”, “Qëndresa”, “Çaste”, “Kthimet”, “Dhjata ime”, “Biri i njeriut”, Gjetjen e kanë cilësuar si “poet humanist”.

Në poezitë e tij lëviz jeta, natyra,  dashuria njerëzore dhe dritë-hijet e kohës. Mbi varrin e njeriut të madh dhe poetit të shquar Ndoc Gjetja, janë shkruar këto vargje, shkëputur nga poezia “Epitaf për veten”, shkruar kur ishte gjallë me dorën e tij:

Këtu prehet ai që quhet Ndoc Gjetja

 I cili pati ardhur gabimisht në këtë botë

Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha

Dhe gjithë njerëzit i quante shokë”./Shqiptarja.com/KultPlus.com

Përkujtohet intelektuali, kleriku e publicisti Patër Anton Harapi

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin, klerikun, publicistin Patër Anton Harapin (5 janar 1888- 20 shkurt 1946).

Patër Anton Harapi lindi më 5 janar 1888, në Shkodër. Studioi për teologji dhe filozofi në Hungari e më pas filloi punë si meshtar në Grudë. Në vitin 1910 jepte mësim në Kolegjin e Fretërve në Shkodër. Në vitet 1918-1919 shërbeu si famulltar në Malësinë e Madhe.

Gjatë viteve 1922-1924 ishte drejtues e bashkëthemelues i grupit atdhetar “Ora e Maleve”. Punoi si mësues filozofie në gjimnazin “Illyricum” dhe më 1924 u bë drejtor i këtij institucioni. Më pas, në vitet 1930-1936 drejtoi revistën “Hylli i Dritës”.

Gjatë kësaj periudhe shkroi rreth 70 artikuj në revista të ndryshme dhe botoi disa libra. Në 1940-ën u zgjodh anëtar i “Institutit të Studimeve Shqiptare”. Në vitin 1943 u emërua anëtar i “Këshillit të Lartë të Regjencës” deri në fund të vitit 1944. U arrestua më 5 qershor 1945 dhe u pushkatua pas një viti, më 20 shkurt 1946./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet patrioti dhe poeti Sali Butka

Më 24 tetor 1938, u nda nga jeta Sali Butka.

Patriot shqiptar, kaçak, poet dhe një nga delegatët e qytetit të Korçës në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920. Butka dëshmoi dhe kontribuoi në hedhjen e themeleve të shtetit të pavarur shqiptar.

Lindi në fshatin Butkë të Kolonjës, në vitin 1857. Mori emër pas ngritjes së çetave kundër Turqisë, në krye të të cilave priu çlirimin e Ersekës dhe të Korçës. Butka i përkiste një brezi burrash të fshatit që u mësuan dhe u bashkuan me bandat guerile përmes përpjekjeve letrare të inteligjencës shqiptare.

Pasi mësoi vetë të lexonte shqip, Butka shkroi poema revolucionare që ndërthurën tekste natyraliste me tema nacionaliste, në një formë të poezisë popullore. Poezitë e tij do të ktheheshin në këngë që u bënin thirrje fshatarëve analfabetë, duke ushqyer ndërgjegjen e tyre kombëtare.

Butka bashkëpunoi me veprimtarin e spikatur të Rilindjes Kombëtare, Petro Nini Luarasin, duke e ndihmuar në ngritjen e shkollës së parë shqipe në Kolonjë.

Gjatë periudhave të ndryshme Sali Butka është vlerësuar me dekorata si me Urdhrin e Skënderbeut, të Flamurit Kombëtar dhe Urdhrin e Lirisë./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet në Lezhë 152-vjetori i lindjes së At Gjergj Fishtës

Bashkia e Lezhës organizoi sot për të tretin vit radhazi Konkursin letrar mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta”, në nder të 152-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, personalitete të fushës së artit dhe letërsisë, akademikë dhe të ftuar të tjerë të linjës.

Konkursi kishte në konkurrim 44 vepra në tri gjini: prozë (roman), vëllim poetik si dhe vepër studimore.

Juria e përbërë nga Mark Simoni, Diana Çuli e prof. Alfred Çapaliku vlerësuan me çmime  disa nga veprat letrare më të spikatura, ndër të cilat:

Me çmimin “At Gjergj Fishta” për romanin më të mirë u vlerësua shkrimtari Primo Shllaku, me romanin “Pesha e padurueshme e pafajësisë”.

Me çmimin “At Gjergj Fishta” për vëllimin poetik më të mirë u vlerësua poetja Vlora Ademi me librin “Katërdhetë e pak”.

Me çmimin At Gjergj Fishta për librin studimor më të mirë u vlerësua shkrimtari Gjon Marku me veprën “Gazullorët. Traditë në Rilindjen Evropiane”.

U vlerësuan me “Çmim karriere” për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur nga Kosova Sabri Hamiti, si dhe shkrimtari i njohur Agim Isaku.

U vlerësuan me “Çmim karriere” (post mortum) për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe dy shkrimtarët lezhjanë Ndue Gaspri dhe Daniel Gazulli./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet poeti e shqipëruesi Faslli Haliti

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi sot poetin dhe shqipëruesin Faslli Haliti, i cili u nda nga jeta më 16 tetor të vitit 2020.

“E kujtojmë me nderim sot, për gjithë kontributin e dhënë në historinë e letërsisë shqipe, me përkthimin në shqip, të një prej poetëve të tij të dashur, Nazim Hikmet”, shkroi QKLL duke publikuar një prej poezive të sjella në shqip nga Faslli Haliti. Faslli Haliti, poeti, shqipëruesi, një nga zërat e rëndësishëm të historisë sonë letrare, u shua në moshën 85-vjeçare. Ai ishte autori i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Haliti lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935 dhe mbaroi Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe iu hoq e drejta e botimit.

Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Ai është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare dhe është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.

U shpalll qytetar nderi në qytetin e Lushnjës. Në 2017-ën ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” , dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”./atsh/KultPlus.com