‘Kosova fatkeqe’, libri i Milazim Krasniqit që sjellë trekëndëshin mbi të cilin ngritet kjo fatkeqësi

Suada Qorraj

Në kohë pandemie e mes lirisë së cunguar në orën policore të asaj kohe, u shkruan shkronjat e para të librit mbi historinë fatkeqe të Kosovës. Trekëndëshi i kësaj fatkeqësie lidhet ngushtë me mitin për ‘tokën e shenjtë serbe’, papërgjegjësinë e elitave politike për shtet ndërtim, si dhe politikat jo korrekte ndërkombëtare kundrejt Kosovës. Pikërisht ky trekëndësh shënon edhe preokupimin kryesor të autorit Milazim Krasniqi, i cili në librin e tij të fundit ‘Kosova fatkeqe’, sjellë analizën dhe përfundimet e tija mbi rrënjët e kësaj fatkeqësie, shkruan KultPlus.

‘Kosova fatkeqe’ është vazhdimësia e librave të mëparshëm të autorit; ‘Kosova pas 22 janarit 1998’, ‘Në çfarë Kosove do të jetojmë’, ‘Ankthi i vjetër në shekullin e ri’ dhe ‘Krimet e vjetra dhe marrëzitë e reja’, në të cilët shtjellohen shqetësimet dhe bindjet e Krasniqit për problemet politike, kulturore e nacionale të Kosovës dhe shqiptarëve, fillesa e të cilave shënohet që në fillimin e viteve të 80-ta.

Në një intervistë për KultPlus, autori, publicisti dhe profesori universitar Milazim Krasniqi ka treguar se libri i tij i fundit shënon një përpjekje për të sintetizuar të gjitha preokupimet e tij në aspektin politik e nacional të Kosovës. Sipas autorit fatkeqësia e Kosovës lidhet me tri nivele, mitin që Serbia ka krijuar për Jerusalemin Serb, elitat politike të paafta në drejtimin e shtetit dhe politikat ndërkombëtare dhe animi i tyre i madh kundrejt Serbisë.

“Fatkeqësia e parë e Kosovës është se në themelet e saja është miti serb për Kosovën i cili gjeneron politikat shtetërore dhe religjioze serbe, fatkeqësia e dytë e Kosovës është elita politike të cilët janë të papërgjegjshëm dhe të paaftë për të ndërtuar një shtet të jetueshëm dhe me vlera demokratike. Kurse fatkeqësia e tretë janë faktorët ndërkombëtar që me politikat e tyre jo korrekte shpesh herë kanë mbajtur anën e Serbisë, sikur në rastin e Gjykatës Speciale”, ka thënë Krasniqi.

Profesori universitar ka shtuar se në këtë kohë, dilemat për Kosovën janë shtuar edhe më shumë si dhe janë më serioze sepse sipas tij Serbia është fuqizuar më shumë në arenën ndërkombëtare dhe kësisoj është bërë edhe më agresive, duke u shndërruar në një problem më të madh për Kosovës.

“Kam ardhur në përfundim që Kosova ka fatkeqësi në këto tri nivele, në këtë lloj trekëndëshi dhe në kohën kur ne po flasim, mendoj se janë shtuar dilema shumë serioze për të ardhmen e këtij vendi, a duhet të ekzistoj apo jo, si dhe në çfarë forme duhet riorganizohet për shkak se Serbia është bërë më agresive dhe është fuqizuar më shumë në arenën ndërkombëtarë. BE-ja e përkrahë në mënyrë të pa balancuar, siç e përkrahin edhe Kina e Rusia, e kohëve të fundit ka ndryshim edhe në politikën amerikane që po synon të shndërroj në aleat Serbinë, e që është një rrezik shumë i madh për Kosovën”, ka thënë tutje ai.

Publicisti Krasniqi ka pohuar se tekstet e këtij libri përfshijnë ngjarjet që nga Pavarësia e Kosovës e tuje, sepse ishte pikërisht pavarësia ajo që shënoi pikën kulminante të projektit nacional që gjenerata e tij kishte për Kosovën. Sipas tij ishte pikërisht kjo pikë ku pritej që Kosova të ngritej edhe më shumë, por kjo për fat të keq shënoi një degradim edhe më të madh të shtetit.

“Tekstet që lidhen me këtë libër janë që nga periudha e pavarësisë së Kosovës e këndej sepse me shpalljen e pavarësisë është arritur pika kulminante e projektit nacional që kemi pasur për Kosovën. Është pritur që nga kjo pikë vendi të vij duke u ngritur, të konsolidohet shteti, por në fakt vetëm është degraduar. Unë këto segmente i kam trajtuar në kontekste të ndryshme, që nga ajo kohë e deri në ditët tona, bile edhe tek qeverisja e LVV-së e cila ka shtruar dilema strategjike me prishjen e raporteve me SHBA-në, duke i shtuar kështu një problem më shumë krizës politike të vendit”, ka thënë Milazim Krasniqi.

Libri ‘Kosova fatkeqe’ i cili ende nuk ka mbërritur në Kosovë për shkak të mbylljeve të kufijve me shtetet fqinje që janë bërë si pasojë e pandemisë, ka në thelb të tij edhe përdorimin e antitezës së oksimoronit, apo thënë ndryshe bashkimin e fjalëve me kuptime kontradiktore.

Krasniqi ka shpjeguar se panatyrshmëria që tregon kjo figurë përkon edhe me gjendjen e Kosovës, pasi që sipas tij të dyja janë të njëjta. E këtë ai e ka shpjeguar me shpalljen e Kosovës shtet dhe qeverisjes së saj në bazë të Rezolutës 1244, si dhe thirrjen për një demokraci liberale në një shoqëri ku mbizotëron fryma patriarkale.

“Oksimoroni tregon kontradikta, tregon panatyrshmëri dhe mua më duket gjendja e Kosovës që qëndron brenda kësaj figure. Në kemi bërë shpalljen e shtetit të pavarur dhe sovran e në të njëjtën kohë Kosova është protektorat ndërkombëtar që qeveriset në bazë të rezolutës 1244. Tek ne shpallen programe për bashkim kombëtar përderisa nuk jemi të zotët që të mbrojmë hapësirën që e kemi, flitet për demokraci liberale ndërsa shoqëria është patriarkale, flitet për qeverisje të mirë ndërsa dominon kultura e korrupsionit. Pra është komplet në një gjendje kontradiktore, pothuajse skizofrenike, dhe për këtë arsye e kam emëruar me këtë figurë stilistike”, ka thënë autori.

Që në parathënien e këtij libri autori shpjegon se përmbledhjen e këtij libri e ka bërë gjatë kohës kur në vend tashmë ishte vendosur që të ketë orë policore. Profesori universitar për KultPlus ka thënë se për të por edhe personat e gjeneratës së tij ora policore është një traumë në vete ngase ata kanë përjetuar orë policore që nga viti 1981 e tutje. Madje autori nuk lë pa përmendur faktin që ndonëse e lirë, Kosova kishte shpallur orë policore edhe në vitin 2004. E pandemia e këtij viti që solli një mbyllje të re ngjalli dhe një herë po të njëjtin dëshpërimin, e pamundësi komunikimi, sikur kishte ndodhur vite më parë.

Krasniqi shpreson që libri krahas lexuesve t’ju tërheqë vëmendjen edhe politikanëve shumica e të cilëve sipas tij nuk e kanë idenë që publicistika, shkenca dhe dija mund të përdoren në procesin e politikbërjes. Ai madje shpreson që mesazh i tij për gjendjen e keqe që mbizotëron në vend të përçohet te qytetarët por edhe politikanët.

I pyetur se a do të bëjë promovimi e këtij libri, Milazim Krasniqi ka treguar se në njëzet vitet e fundit ai e ka konsideruar të panevojshëm këtë proces sepse promovimi është degraduar si proces ngase tashmë promovohen libra e autorë pa vlerë.

“Unë këto 20 vitet e fundit praktikisht nuk i kam promovuar librat për shkak se mendoj që promovimi është degradu shumë e ka hup kuptimin, promovohen libra pa vlerë, autorë pa vlerë, thjesht unë nuk i promovoj librat. Kështu që as këtë libër nuk besoj që do ta promovoj. Mënyra më e mirë e prezantimit të librit për mua është prezantimi në rrjete sociale edhe në portale, pastaj kush ka interes mund ta gjej librin edhe në librari”, ka pohuar publicisti.

Krejt në fund autori ka thënë se nuk synon që të bëjë përkthimin e këtij libri apo publikimin e tij jashtë kufijve vendor, ngase ai këtë e konsideron si punë që duhet të kryhet nga ana e shtetit apo edhe e shtëpisë botuese, por jo nga shkruesi i librit.

“Zakonisht përkthimet i bëjnë shtëpitë botuese, ose politikat qeveritare ndajnë fonde për këtë punë. Qeveria jonë nuk ndanë asnjë cent për prezantimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në botë prandaj neve nuk na njeh askush në botë dhe prandaj diskursi dominant për Kosovën edhe shqiptarët është i serbëve për shkak se ata financojnë shumë botime në gjuhët e huaja, teksteve që kanë për Kosovën dhe për ata çka e llogarisin si pretendim. Ndërsa qeveritë tona nuk merren fare me këtë problem kështu që në këtë aspekt unë nuk kam ndërmend me u marrë fare me këtë punë, unë e plasoj në treg në kuptimin e botimit pastaj thjesht është proces me të cilin duhet të merren shtëpitë botuese, agjencitë e ndryshme qeveritare, por jo autori”, ka përfunduar kështu intervistën shkrimtari Milazim Krasniqi./ KultPlus.com

Milazim Krasniqi