57 mijë kosovarë hoqën dorë nga shtetësia për 16 vjet

Rreth 57 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia, nga fillimi i vitit 2008 e deri në fund të 2023-ës. Këtë e kanë bërë të ditur për Radio Kosovën zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas MPB-së, arsyeja kryesore për kërkesë për lirimin nga shtetësia është moslejimi i dy shtetësisë në shtete të ndryshme, kryesisht të BE-së.

Kërkesat për lirim nga shtetësia po vazhdojnë edhe gjatë këtij vitit, teksa numri i kosovarëve që janë liruar nga shtetësia është treshifrorë. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi, e cila tregon numrin e qytetarëve që kanë hequr dorë apo edhe kanë fituar shtetësinë e Kosovës nga 1 janari i vitit të kaluar.

“Nga 1 janari e deri më 12 shkurt 2024 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 329 persona. Gjatë kësaj periudhe shtetësinë e kanë fituar 61 persona. Ndërsa, gjatë gjithë vitit 2023 nga shtetësia janë liruar 3 mijë e 98 persona, kurse shtetësinë e Republikës se Kosovës e kane fituar 708 persona”, tha ajo.

Nga viti 2008 deri në fund të vitit 2023, nga shtetësia e Kosovës janë liruar 57 mijë e 155 persona, tha Fetoshi, duke shtuar se për periudhën e njëjtë kohore shtetësinë e kanë fituar 3 mijë e 568 persona.

Ndërkohë, zëdhënësja e MPB-së tregoi për Radio Kosovën arsyet kryesore që i shtyjnë kosovarët që të kërkojnë lirimin nga shtetësia.

“Arsyet e heqjes dorë nga shtetësia e Republikë së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i kësaj, kanë fituar të drejtën e fitimi të shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme, në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi ”, tha Fetoshi.

Referuar të dhënave të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, të vitit 2011, numri prej 57 mijë e 155 personave që kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare është rreth 7 mijë më i madh se numri i përgjithshëm i popullsisë në tri komunat e regjionit të Ferizajt: Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës, të cilat së bashku kanë rreth 50 mijë banorë./radiokosova/KultPlus.com

Shtatë kosovarë kërkojnë ndihmë për t’u larguar nga zona e luftës në Izrael, tetë të tjerë u sollën në Kosovë

Shtatë kosovarë aktualisht po kërkojnë ndihmë nga Ambasada e Kosovës në Izrael, për t’u ofruar zgjidhje, që të largohen nga zona e luftës që shpërtheu.

Veç tyre, tetë të tjerë tashmë janë kthyer në vendlindje për shkak të sulmit terrorist ndaj shtetit të Izraelit që ndodhi të shtunën, më 7 tetor të këtij viti.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një përgjigje për klankosova.tv, ka bërë të ditur tutje se ndihmë në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem kanë kërkuar edhe shtatë shtetas të tjerë, të cilëve do t’u ofrohet zgjidhje.

“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit. Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po mban kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen me punë në shtetin e Izraelit si pjesë e stafit ndërkombëtar të organizatave të huaja apo agjensioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – OKB-së”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu, theksohet se nga informacionet e pranuara deri më tash nuk raportohet për ndonjë shtetas të Republikës së Kosovës që ka humbur jetën apo është lënduar.

Deri tani numri i izraelitëve të vrarë  ka shkuar në 900, ndërkaq i palestinezëve 687. Lufta nisi kur Shërbimet izraelite të emergjencës kanë bërë të ditur se dhjetëra raketa u lëshuan nga Rripi i Gazës drejt Izraelit./KlanKosova/KultPlus.com

Shqipëria sonte evakuoi edhe kosovarë nga zona e luftës në Izrael

Avioni i parë që solli sonte në Rinas shqiptarë nga zona e luftës në Izrael, përfshinë edhe disa nga Kosova.

Këtë e ka bërë të ditur sonte, Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme në Republikën e Shqipërisë, në një njoftim të saj, ndërsa jep detaje për gjithë pasagjerët që arritën të fluturojnë nga Izraeli për në Tiranë, transmeton klankosova.tv.

”Avioni “Air Albania” me 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut, të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pak më parë”.

Të njëjtit sipas njoftimit të ministrisë, kanë kërkuar vet që të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Pasagjerët janë pritur dhe përshëndetur nga ministri, Igli Hasani

”Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, ndërkohë që MEPJ është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”./KlanKosova/KultPlus.com