Legjenda ‘Kostandini dhe Doruntina’ u gjet për herë të parë tek arbëreshët

Legjenda e famshme “Kostandini dhe Jurendina” është padyshim më e bukura dhe më tronditësja në trashëgiminë tonë gojore.

Për herë të parë dëshmon si studim etnologjik me materiale burimore qysh me Dorëshkrimin e Famshëm Arbëresh të Kieutit, (1737) vepër e shkrimtarit të njohur arbëresh Nikollë Filja (1671-1769), lindur nga një familje historike arbëreshe, shpërngulur në Italinë e Jugut pas pushtimit osman te Shqipërisë në shekullin XV, me origjinë nga Filati i Çamërisë. Filja renditet midis folkloristëve të parë arbëreshë, përcjell KultPlus.

Në kapitullin III, të këtij dorëshkrimi, nën titullin “Kënkezë të pleqrijsë”, jepen 18 këngë popullore, balada, këngë historike dhe lirike popullore, të cilat i përkasin folklorit të arbëreshëve të Sicilisë.

Legjendën e famshme e gjen në dhjetëra variante në tërë hapësirën shqiptare, veri e jug, por asnjë prej tyre nuk ka bukurinë e variantit arbëresh. Më vonë ajo mori përkushtimin e zjarrtë të poetit më të madh lirik shqiptar, De Radës dhe sa e sa poetëve e studiuesve të tjerë arbëresh të Italisë.

Vetëm tek ky version gjejmë për herë të parë emrat real (dhe jo artistikë) të baladës, vendin ku u martua motra e Kostandinit dhe ngjyrime të tjera thellësisht arbërore. Heronjtë e saj janë Kostandini dhe Jurendina, një emër, që më së shumti, nga banorët e vjetër shqiptohej edhe me rënien e ‘”J” së pazëshme, duke mbetur thjesht Urendina ose Urëndina.

Shembull: “Urëndina, motra ima, ç’ësht ki sinjall (ki shëngj) që m’shek? I vreni ka xerku: “Veshzit tënd jan t’pluhuruara” … rrëfiar nga nglezot Matallena Brunetti (101 vjet). / KultPlus.com