23 vjet nga masakra në Krushë të Madhe, presidentja Osmani: Tri ditët e tmerrit janë dëshmi e egërsisë së pushtetit gjenocidal të Serbisë

Sot shënohet 23-vjetori i fillimit të Masakrës së Krushë të Madhe.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes një postimi në FaceBook thotë se Krusha e Madhe, Krusha e Vogël dhe fshatrat përreth janë dëshmi për çmimin e lirisë dhe sakrificën për të.

Në vijim gjeni postimin e plotë të presidentes Osmani:

 Ndërmjet 25-27 mars të vitit 1999, në Krushë të Rahovecit si dhe fshatra të tjera përreth u vranë qindra persona të pafajshëm dhe u dogjën shumica e shtëpive në këto fshatra. Tri ditët e tmerrit janë dëshmi e egërsisë së pushtetit gjenocidal të Serbisë, i cili nuk zgjodhi mjete kundër banorëve të këtyre fshatrave.

Krusha e Madhe, Krusha e Vogël dhe fshatrat përreth janë dëshmi për çmimin e lirisë dhe sakrificën për të. Këto vende ngjallin dhimbje, pikëllim, por edhe krenari. 23-vjet pas krimit, gratë e Krushës janë shndërruar në inspirim dhe në model të ngadhënjimit ndaj të keqes.

Krusha dhe i gjithë shteti i Kosovës do të jetojnë përherë me kujtimin për të gjithë ata që ranë për liri. Nuk do t`i harrojmë ata, por njësoj sikurse gratë e Krushës do të shikojmë kah e ardhmja dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi.

Secila nga këto ditë deri në mes të qershorit, është e mbushur me dhimbje e krenari për popullin e Kosovës. Dje përkujtuam edhe të rënët në masakrën në Kotlinë të Kaçanikut, veprimtarët Latif Berisha e Agim Hajrizi (me familjarë) që u ekzekutuan më 24 mars në Mitrovicë si dhe avokatin e humanistin Bajram Kelmendin, i cili u ekzekutua mizorisht së bashku me dy djemtë e tij. Nesër, bëhen 23 vjet nga masakra e tmerrshme ndaj familjes Berisha në Suharekë, ku pushteti i atëhershëm serb dëshmoi qëllimin e vet shfarosës duke vrarë në mënyrën më brutale fëmijë, gra e të moshuar.

Të gjithë të rënët janë kujtimi ynë i përhershëm, por edhe forca dhe vullneti për të ecur përpara!./ KultPlus.com

19 vjet nga masakra e 243 personave në Krushë të Madhe

Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

19 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës, përcjell KosovaPress.

Në përkujtim të shënimit të kësaj date të dhimbshme do të mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore, ku do të marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj./ KultPlus.com