Kryeministri Kurti: Lajm i mirë, ngritja e Universitetit të Prishtinës në renditjen me të lartë në Webometrics ndonjëherë

Kryeministri Albin Kurti i është gëzuar lajmit Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është ngritur për disa vende më lartë në Webometrics.

Në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se UP-ja ka shënuar rritjen më të lartë ndonjëherë, por edhe ka përmendur mundësitë e transferimit e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik

“Universiteti i Prishtinës me ngritjen më të madhe dhe renditjen me të lartë në Webometrics ndonjëherë.  Ky lajm i mirë i shtohet lajmit tjetër të ditëve të fundit, që me rastin e miratimit të Statutit të ri të Universitetit, për herë të parë, anëtarë të personelit akademik që janë në marrëdhënie të rregullt pune në një universitet që është në mesin e katërqind (400) universiteteve më të mira në botë, sipas renditjes së ‘Times Higher Education World University Rankings’ ose ‘QS World University Rankings’ do të kenë mundësi transferimi në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik”.

“Sipas statutit të ri, ‘kërkesa për transferim bëhet me propozimin e rektorit, dekanit ose këshillit të njësisë akademike përkatëse dhe miratohet nga senati.’ Kështu, kandidatët e interesuar, që e plotësojnë kriterin e mësipërm, mund të shprehin interesin te cilido prej këtyre autoriteteve, pra rektori, dekani ose këshilli i fakultetit përkatës”, ka thënë Kurti.

Kurti për Betejën e Korrikut ’98 në Rahovec: Krimet e Serbisë s’do të mund të zhduken e harrohen

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar Betejën e Korrikut të vitit 1998, për të cilën tha se filloi më 17 korrik brenda qytetit të Rahovecit dhe në fshatin Fortesë.

Sipas Kurtit, UÇK-ja po mbronte popullatën civile nga depërtimi i forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec, teksa forcat serbe vranë 150 civilë shqiptarë.

“’Gjatë luftimeve në rrugë, civilët shqiptarë ishin lidhur në shtylla elektrike si mburoja njerëzore për forcat serbe. Dy persona raportohet se u panë të varur në shtylla elektrike, disa të tjerë u masakruan duke ua prerë fytin dhe hequr sytë, ndërsa disa të tjerë raportohet se u shkelën nga automjetet e blinduara dhe tanket’, thuhet mes tjerash në Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, më 23 shtator 1998. Në këtë opinion, flitet edhe për ekzekutime brenda dhe rreth teqes dhe xhamisë në Rahovec, ku forcat policore serbe kishin shtënë në një grup refugjatësh, përfshirë gra dhe fëmijë, duke vrarë shumë prej tyre”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Kurti përmendi edhe rastin e vrasjes së prijësit fetar 78-vjeçar, Sheh Myhedinin, për të cilin tha se u kishte ofruar civilëve strehim në teqe, teksa policia serbe e qëlloi nga afër për vdekje.

“Forcat policore e ushtarake serbe vranë 150 civilë shqiptarë. Shumë nga ta u varrosën në dy gropa të mëdha, në përpjekje të zhdukjes së gjurmëve të krimeve. Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen”.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e rënë në betejën e lavdishme të Rahovecit”, tha ai.

Kryeministri Kurti uron Metsolën: Mezi presim forcimin e mëtejshëm të raporteve BE – Kosovë

Kryeministri Albin Kurti e ka uruar Roberta Metsolën për marrjen edhe të një mandati në krye të presidencës së Parlamentit Evropian.

Në platformën X, Kurti ka thënë se ka pritshmëri që të vazhdojë edhe më tutje bashkëpunimin me miken e Kosovës.

“Ju uroj suksese të vazhdueshme dhe mezi presim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ekipit Olimpik të Kosovës: Çdo fitore e juaja është të gjithë neve

Nëntë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” iu është dorëzuar flamuri i shtetit nga presidentja Vjosa Osmani.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rast.

Pjesëmarrjes për herë të tretë të Kosovës në këto lojëra, shefi i qeverisë e ka quajtur moment historik, i cili ka ardhur si rezultat i një pune dhe pasioni të pashoq të sportistëve, por edhe të trajnerit të xhudos Driton Kuka.

Ai tha se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të mëdha.

“Mos harroni që çdo hap që bëni e çdo fitore që arrini është një fitore për të gjithë ne”, tha Kurti.

Gara e LO “Paris 2024” do të mbahen nga 26 korrik e deri më 11 gusht.

Kosovën do ta përfaqësojnë pesë sportistë nga xhudoja, të prira nga medalistet e arta të “Tokyo 2020”, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, një nga boksi (Donjeta Sadiku), një nga atletika dhe dy nga noti.

Kryeministri Kurti përkujton Masakrën e Poklekut: Jemi të mbijetuarit e gjenocidit serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përkujtuar masakrën e Poklekut. Ai ka thënë se Serbia me projektin e saj “Paktoi”, vrau edhe gra shtatzëna me qëllim që ta shfaroste popullin shqiptar. Kurti u shpreh se shqiptarët e Kosovës, janë të mbijetuarit e gjenocidit serb në Kosovë.

“Më 17 prill 1999, në shtëpinë e familjes Muçolli, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç, te foshnja 6 muajshe, Liria, e deri te gratë shtatzëna. U vranë edhe foshnjet në djep, e foshnjet e palindura, sepse ishin e ardhmja e një populli të cilin Serbia donte ta shfaroste me projektin serbomadh “Patkoi”. Ne, populli i Kosovës, jemi të mbijetuarit e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Prandaj asnjëherë nuk mund të harrojmë. Gjithnjë do të dëshmojmë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se Pokleku i vjetër është dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve të Kosovës.

Kryeministri Kurti: Masakra e Srebrenicës ishte paralajmërim i gjenocidit në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, masakrën e Srebrenicës e ka cilësuar si paralajmërim të projektit gjenocidal serb në Kosovë.

“Çdo përvjetor është dhimbje që ripërtërihet jo vetëm për popullin boshnjak por edhe për ne popullin e Kosovës, që 25 vjet më parë kemi përjetuar tmerrin e luftës. Masakra në Srebrenicë krahas së qeni dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviqit në Bosnje e Hercegovinë, ishte edhe paralajmërim i projektit gjenocidal të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti gjatë ceremonisë përkujtimore të Srebrenicës, e cila u mbajt në Institutin e Historisë në Prishtinë.

Ai ka thënë se kjo masakër ka lënë plagë të hapura në ndërgjegjen e njerëzimit, teksa ka thënë se regjimin e Millosheviqit e ka përjetuar edhe Kosova. Njësoj si në Bosnje e Hercegovinë, Kurti ka thënë se edhe në vendin tonë ka familje të cilët ende e ndjejnë dhimbjen e luftës, duke përmendur masakrën e familjes Bogujevci, ku mbetën të vrarë 14 anëtarë të familjes, ndërkaq nënkryetarja e tanishme e Kuvendit, Saranda Bogujevci i mbijetoi masakrës. 

“Serbia nuk u mbajt përgjegjëse asnjëherë. Derisa familjet kërkojnë ende eshtrat e të dashurve të tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje ose madje të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale…Teksa vazhdon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e luftës, pasardhësit politik të Millosheviqit që udhëheqin me Serbinë, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste ndaj Bosnje e Hercegovinës e ndaj Kosovës”, ka deklaruar kryeministri.

Zëvendëskryeministrja nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilja Rexhepi, ka thënë se gjenocidi ndaj popullit boshnjak ka ndodhur sepse Serbisë nuk i ka pëlqyer përkatësia e tyre kombëtare ose fetare.

“Srebrenica është bërë simbol i dhimbjes njerëzore. Jetët e pafajshme janë shuar dhe kanë lënë zbrazëti të cilat asnjëherë nuk mund të plotësohen. Fëmijët kanë mbetur pa baballarët e tyre, nënat kanë humbur djemtë, bashkëshortet kanë mbetur pa bashkëshortët. I tërë komuniteti ka qenë i thyer”, ka thënë ajo.

Kryeministri Kurti në CNN: Projekti gjenocidal i regjimit të Millosheviqit nuk do të ndalej pa intervenimin e NATO-s

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pa intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999, projekti gjenocidal i regjimit të Millosheviqit nuk do të ndalej.

Në një paraqitje për gazetaren Christiane Amanpour në CNN, Kurti tha se forcat policore dhe ushtarake të Millosheviqit e deshën Kosovën vetëm si territor, por pa popullin e saj shqiptar.

“Paraprakisht ka pasur një dyzinë masakrash kundër popullsisë civile në Kosovë ku fëmijë, gra e të moshuar janë vrarë, gra janë dhunuar, shtëpi e fshatra të tërë janë djegur dhe e gjithë kjo ka qenë përbrenda projektit gjenocidal të regjimit të Millosheviqit që Kosova të jetë pa popullin e saj, pa shqiptarë. Pra, ata e panë vendin tonë si territor e jo si popull, dhe deshën që ata njerëz ose të vriteshin ose të dëboheshin. Dhe operacioni ‘Patkoi’ po realizohej kur NATO-ja intervenoi dhe ndaloi gjenocidin e Serbisë. Prandaj, ndalimi i gjenocidit dhe çlirimi i vendit tonë, dhe sjellja e paqes në fund, ishin një dhe e njëjta gjë që u mundësua dhe më vonë u garantua nga NATO-ja”, deklaroi kryeministri Albin Kurti në këtë intervistë.

Vrasja e tre vëllezërve Bytyqi, Kurti: Epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme nga Serbia duhet të marrë fund

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që duhet të marrë fund epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Ky reagim i tij erdhi në platformën X derisa në profilin e tij e ka shpërndarë një postim të zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtëtit, Matthew Miller, i cili ka kërkuar që Serbia të përfundojë hetimin e rastit të vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi në Serbi në vitin 1999.

“Trupat e tre vëllezërve të rinj shqiptarë kosovarë, të cilët ishin gjithashtu shtetas amerikanë, u gjetën në një varr masiv menjëherë pas luftës”.

“Agroni, Mehmeti dhe Ylli u vranë në paraburgimin e policisë serbe, me plumba në kokë, ndërsa duart e tyre ishin të lidhura”.

“Megjithatë askush nuk është mbajtur përgjegjës. Epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme nga Serbia duhet të marrë fund”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti uron kryeministrin e ri të Holandës: Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof, për marrjen e postit të ri.

Përzgjedhja e tij në krye të qeverisë holandeze erdhi pasi Mark Rutte lëshoi këtë post për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Kryeministri Kurti tha se pret që të vazhdojë bashkëpunimin me të dhe të zgjerojë raportet Kosovë-Holandë.

“Urime për Dick Schoof në emërimin e tij si kryeministër i Holandës. Mezi pres që të vazhdojmë bashkëpunimin në zgjerimin e raporteve Kosovë-Holandë dhe promovimin e përbashkët të paqes, sigurisë, zhvillimit dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kryeministri Kurti./ KultPlus.com

Kurti për zbulimin e Altarit romak: Dëshmon vazhdimësinë e jetës në trojet tona nga parahistoria, antika deri në mesjetë

Kryemnistri i vendit, Albin Kurti, e ka quajtur zbulim jashtëzakonisht të rëndësishëm gjetjen  e Altarit romak vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Vuçakut, në Drenas.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kalaja e Vuçakut ishte tipike për kohën e antikitetit të vonë dhe shërbente si sistem mbrojtës për popullatën vendase.

“Gjatë hulumtimit u gjet Altari romak i cili i takon gjysmës së parë të shek.III, pas Krishtit, i ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527-565 p. Kr).

Zbulimi formëson edhe më tej historinë, duke dëshmuar vazhdimësinë e jetës në trojet tona nga parahistoria, antika deri në mesjetë” ka shkruar Kryeministri Kurti në facebook.

Më tej ai ka falënderuar ekipin e ekspertëve, të përbërë nga arkeologët Shafi Gashi dhe Sali Islami dhe skicografin Arbnor Morina, për punën e tyre të kujdesshme dhe për këtë kontribut sipas tij të çmueshëm./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti për Kadarenë: Në errësirën e diktaturës, ishte vezullimi i krijimtarisë, njerëzimit dhe i gjeniut individual

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sërish i ka dedikuar një shkrim autorit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, Ismail Kadaresë.

Përmes një postimi në rrjetin “X”, Kurti ka thënë se shkrimtari Kadare në errësirën e diktaturës në Shqipëri ishte vezullimi i krijimtarisë, i njerëzimit dhe i gjeniut individual.

“Ai u detyrua, si shumica e bashkatdhetarëve të tij, të jetonte brenda kufizimeve më të ashpra politike dhe artistike; e megjithatë ai gjeti mënyra për të ndriçuar, për të pyetur dhe për të qeshur” ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu ka thënë se romanet e tij ishin të bazuara në kulturën dhe historinë shqiptare, por temat dhe zëri i tij ishin universale.

“Çmimi i tij Ndërkombëtar i Librit për Njeriun (i pari i dhënë ndonjëherë) dhe nominimet e përsëritura për Çmimin Nobel për Letërsinë pasqyrojnë staturën e tij globale: ai foli për njerëzit kudo, duke luftuar për të mbijetuar dhe për të gjetur një dritë të pastërtisë mes kompromiseve dhe kufizimeve të jetës”ka thënë ai .

Kryeministri Kurti po ashtu ka thënë se si i rritur në Kosovë nën diktaturën dhe represionin e Beogradit, dhe më pas si i burgosur politik,  zërin e Kadaresë e ka dëgjuar si empati dhe si frymëzim./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti njofton mërgimtarët se nga e hëna mund ta marrin falas policën e sigurimit – Kosova ju pret me krahë t’hapur

Kryeministri Albin Kurti, u është drejtuar mërgimtarëve me një postim në Facebook, ku i ka njoftuar se nga e hëna, ata që vijnë me automjete do të marrin falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.

Kurti u ka uruar atyre mirëseardhje në vendlindje, derisa ka thënë se Kosova i pret me krahë t’hapur.

“Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Mirë se vini në vendlindje! Pushime të këndshme!”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri Kurti: Kosova dhe Serbia kanë marrëdhënie abnormale, Serbia nuk është shtet normal

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk e dijë se kur mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, duke shtuar se kjo ka kuptim vetëm me njohjen e Kosovës.

Ai në konferencë për media ka theksuar se Kosova dhe Serbia kanë raporte abnormale.

“Kosova është normale, Serbia nuk është shtet normal. Për të ndryshuar marrëdhëniet nuk duhet të ndryshojë Kosova, por Serbia. E këtë nuk mund ta bëjmë pa BE-në dhe ShBA-në”, ka pohuar Kurti.

“Ne bëjmë farë dimë dhe farë mundemi, Kosova edhe sot ka qenë konstruktive, ka mbajtur qëndrim parimor, dhe ka qenë e durueshme në shpjegimet me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë”.

“Nuk mund ta dijë se kur mund të kemi normalizim të marrëdhënieve, kjo ka kuptim vetëm me njohjen e Kosovës”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti për emërimin e Rutte si shef i NATO-s: Në Kosovë e festojmë këtë lajm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar zgjedhjen e Mark Rutte në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së.

“Ne në Kosovë e festojmë këtë lajm dhe jemi të etur për të vazhduar marrëdhëniet e forta që gëzojmë me ju në këtë kapacitet të ri”, ka shkruar Kurti teksa ka uruar shefin e ri të NATO-së, Rutte.

Kurti merr pjesë në shënimin e 25 vjetorit të misionit të OSBE-së në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar për shënimin e 25 vjetorit të misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Një figurë e tillë është ambasadori William Walker. Para se OSBE-ja të kishte një mision në Kosovë, pati një mision verifikues të udhëhequr nga ambasadori Walker”.

“ Ky mision ishte dëshmitar i një prej masakrave më të tmerrshme në vendimin tonë, masakrën e Reçakut, ku u vranë 45 civilë – e cila ishte një nga mbi 400 masakrat e kryera nga aparati shtetëror serb në Kosovë. E vërteta për këtë masakër ekspozoi brutalitetin që po përballonte Kosova dhe ndihmoi në nxitjen e ndërhyrjes së NATO-s”, ka thënë Kurti.

Zyra e Kryeministrit tregoi se Kurti ka nënvizuar se gjatë viteve OSBE-ja ka ndihmuar shtetin tonë në ngritjen e një demokracie më të fuqishme duke investuar në sigurinë dhe të drejtat e njeriut.

“Në një kohë kaq të rëndësishme për sigurinë e vendit dhe rajonit, jam mirënjohës për profesionalizmin, kujdesin dhe mbështetjen e treguar, si dhe për pasionin për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, demokracinë dhe prosperitetin e popullit dhe shoqërisë sonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti viziton akademik Qosjen për 88- të vjetorin e lindjes: Puna e tij prej vigani e ka pasuruar trashëgiminë kulturore të vendit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti,ka vizituar akademikun Rexhep Qosja me rastin e 88 vjetorit të lindjes, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se puna e tij si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe si kritik letrar i shquar, e ka pasuruar trashëgiminë kulturore të vendit.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të kryeministrit Kurti në facebook:

Rexhep Qosja, 88 vjet të plota të jetuara e të shkrira në qenien prej vigani në fjalë e në pendë.

Sot pata nderin të vizitoj shtëpinë e autorit të shquar për ta uruar personalisht për ditëlindjen e tij të 88-të.

Kontributi i tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare janë të pashoqe, duke e bërë atë një figurë të dashur në Kosovë dhe më gjerë. Nga fillimet e tij të hershme në Vuthaj deri te rolet e tij të rëndësishme në edukim dhe letërsi, udhëtimi i tij ka qenë një burim frymëzimi. Si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe një kritik letrar i shquar, puna e tij ka pasuruar trashëgiminë tonë kulturore.

Jemi thellësisht mirënjohës për përkushtimin e tij të pandërprerë dhe i urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë!/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron Ditën Memoriale të komunitetit egjiptian: Republika jonë është republikë e të gjithëve

Kryeministri Albin Kurti ka uruar Ditën Memoriale të komunitetit egjiptian në Kosovë.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sot festohet kontributi i vazhdueshëm dhe roli qenësor i pjesëtarëve të tij në shtetin e Kosovës.

“Gjatë këtyre më shumë se tri vjet qeverisje, mirënjohjen ndaj jush e kemi shprehur me mbështetje institucionale në arsim përmes bursave të studimit e qendrave të mësimit, në mirëqenie përmes punësimit dhe programeve për praktikë në punë, ndërtimit dhe renovimit të shtëpive dhe projekteve infrastrukturore, e në ndërmarrësi përmes granteve për biznese të vogla”.

“Republika jonë është republikë e të gjithëve. Zhvillimi dhe progresi është i qëndrueshëm atëherë kur është i gjithëmbarshëm. Në këtë ditë i gëzohemi arritjeve të përbashkëta, rreshtohemi përballë sfidave dhe zotohemi për punë dhe bashkëpunim në përmirësimin e mëtejmë të mirëqenies, pozitës dhe mundësive tuaja në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Kryemnistri Kurti: Më shumë se 7 milionë dokumente të arkivës do të digjitalizohen brenda tri-vjetëve

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se për herë të parë në Kosovë është duke vazhduar digjitalizimi masiv i lëndëve të arkivës.

Me anë të një postimi në platformën X, ai ka theksuar se brenda tre viteve pritet të jenë të digjitalizuar më shumë se 7 milionë dokumente.

“Në kohën tonë, arkivi digjital është një mjet thelbësor për të ruajtur kujtesën tonë institucionale dhe kolektive, si dhe për t’i bërë qytetarët që të kenë qasje më shumë në to”, ka pohuar Kurti. 

Kryeministri Kurti: Dita e Çlirimit të Kosovës më e rëndësishmja në 100 vitet e fundit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se për shqiptarët nuk ka datë me rëndësishme në 100 vitet e fundit, se Dita e Çlirimit të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, në tubimin me strukturat e partisë organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të ‘Javës së Lëvizjes”, tha se nuk është rastësi që Lëvizja Vetëvendosje u formua në përvjetorin e çlirimit të Kosovës në vitin 2005.

Ai tha se nuk është rastësi Vetëvendosje gjithmonë e ka nderuar 10 qershorin e Lidhjes ë Prizrenit dhe 28 Nëntorin e Vlorës, dhe tash me qeverisjen e Vetëvendosjes, edhe 17 shkurtit po i japin kuptimin e vërtet, siç kanë dashur dëshmorët dhe martirët tanë dhe populli liridashës i Kosovës.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka përmendur dhe ish krerët e UÇK-së që janë në gjykim në Hagë e që tha se presin që të kthehen në Kosovë siç e meritojnë ata.

Kryeministri Kurti viziton shtëpinë muze të Ukshin Hotit: Nuk do të rreshtet së kërkuari drejtësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka vizituar shtëpinë muze të filozofit dhe aktivistit të çështjes kombëtare Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe, nga ku  ka thënë se nuk do të reshtet kurrë së kërkuari drejtësi.

Kryeministri Kurti më tutje ka thënë se ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëhet për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:

Sot mendimtari politik, filozofi dhe aktivisti i çështjes kombëtare Ukshin Hoti, do t’i mbushte 81 vjet. Në nderim të ditëlindjes së Bacës Ukë, vizitova Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe, si vend i lavdisë historike shqiptare, i mendimit të thellë politik dhe i një jete të jetuar denjësisht. Këtu kthehemi çdo vit, në ditëlindje e ndërmjet ditëlindjeve, për ta rikujtuar jetën e tij teksa rilexojmë veprën e tij, e cila është përherë aktuale.

Ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, teksteve, e dokumenteve të pabotuara deri më tani për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëjmë, për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin dhe lexuar rreshtat e mendimit të mprehtë politik të tij.

Sepse Ukshin Hoti ka bërë aq shumë për Republikën në kuptimin teorik edhe në aspektin praktik, për arritjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Nuk do të reshtim kurrë së kërkuari drejtësi për Ukshin Hotin, i cili u zhduk menjëherë pas lirimit nga burgu, nga aparati shtetëror serb./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe

Në përvjetorin e lindjes së profesor Ukshin Hotit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe. Ai kujtoi 22 dëshmorët dhe 155 martirët të cilët u vranë nga Serbia gjenocidale, teksa ktheu në kujtesë edhe 64 krushjanë të cilët edhe sot e kësaj dite janë ende të pagjetur, në mesin e të cilëve 14 janë nga komuniteti ashkali.

Me dëshmitarët e masakrës së Krushës së Madhe, përkujtuan një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb mbi civilët shqiptarë. Ndërmjet 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë 155 civilë. Në mesin e të vrarëve janë dhe 7 fëmijë e 5 gra, njëra prej tyre shtatzënë. Mbi 700 shtëpi u dogjën, përfshirë institucione fetare e kulturore dhe u shkatërruan pasuritë e fshatarëve. Gjatë luftës u zhdukën me dhunë 64 krushjanë, përfshirë dhe profesorin Ukshin Hoti pas lirimit nga burgu.

Banorët e Krushës folën për dy krematoriumet në Krushë të madhe. Në krematoriumin e parë nga i cili ekzistojnë ende gjurmë të tij, janë djegur 19 civilë të pafajshëm shqiptarë, ndërsa në krematoriumin e dytë në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, forcat paramilitare serbe kanë djegur mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë. Kjo e fundit është vizituar më 23 qershor 1999 dhe nga atëherë ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook.

Gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe, kryeministri shkroi dhe në librin e kujtimeve të Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe.

Kryeministri Kurti: Me fat Bajrami, gëzuar kjo festë që është edhe kujtesë për vlerat e sakrificës dhe devotshmërisë

Kryeministri Albin Kurti ka uruar festën e Kurban Bajrami për të gjithë besimtarët myslimanë.

Ai ka theksuar se me zemra të hapura dhe duar të zgjatura njëri-tjetrit, në këtë Kurban Bajram, “le të ndajmë gëzimin me të gjithë ata që na rrethojnë”.

“Me fat Bajrami! Gëzuar kjo festë që është edhe kujtesë për vlerat e sakrificës dhe devotshmërisë. Për të qenë falënderues për bekimet tona dhe për t’i ndarë me ata që kanë më shumë nevojë. Për më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit, bujari e kujdes për të gjithë, e për bashkim rreth thirrjes për vepra të mira”.

“Me zemra të hapura dhe duar të zgjatura njëri-tjetrit, në këtë Kurban Bajram, le të ndajmë gëzimin me të gjithë ata që na rrethojnë. Le të jemi zemërgjerë, jo vetëm me të mirat materiale, por edhe me kohën, dashurinë dhe mbështetjen tonë. U shtoftë solidariteti ndër ne. Sakrifica e dëlirë u bëftë shpërblim për më të mirën në ne”, ka thënë Kurti në rrjetin social Facebook.

Kryeministri Kurti i gëzuar që studio-bunkeri i radios ‘Kosova e Lirë’ tani është nën përkujdesjen e shtetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gëzuar që studio-bunkeri ku janë përhapur lajmet e radios “Kosova e Lirë”, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë.

Përmes një postimi në Instagram ku ka ndarë edhe disa fotografi, ai shprehi mirënjohje për çlirimtarët lajmëtarë.

“Radio “Kosova e Lirë” ishte radio e Kosovës që luftonte për liri. Lirinë e medias sot, nuk do ta gëzonim dot pa luftën për liri. Gëzohem që kjo vlerë e veçantë e luftës, ky studio-bunker, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë. Një mirënjohje dhe urim i veçantë u takon çlirimtarëve lajmëtarë. Urime 25-vjetori i çlirimit të vendit”, ka shkruar shefi i qeverisë, njofton Klankosova.tv.

Kryeministri Kurti për 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: Këtu janë vënë themelet e shtetit shqiptarë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti mori pjesë dhe ishte njëri nga folësit kryesorë të ngjarjes së organizuar në Prizren për 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që këtë vit po mbahet në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit.

Në fjalën e tij, ai tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet gur themelin e përpjekjeve tona për pavarësi, e cila më pas u kurorëzua me datat e 28 Nëntorit të vitit 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e 96 vite më pas, me 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësinë e Kosovës, duke e realizuar kësisoj një pjesë të programit të Lidhjes, që nuk u arrit të plotësohet në vitin 1912, përcjell Arbresh.info.

“Të ballafaquar nga vendimet e marra në Traktatet e nënshkruara në Evropë, përfaqësues të territoreve të banuara me shqiptarë, u mblodhën në Prizren dhe e themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Një organizatë kjo politike dhe ushtarake mbarë-shqiptare, në mbrojtje të drejtave shqiptare, duke përcaktuar parimet themelore për një jetë të organizuar kolektive e politike në epokën moderne. Kjo është hera e parë në histori kur shqiptarët po flisnin me një zë, pa dallim krahine e feje, duke shprehur kërkesën themelore dhe universale për vetëvendosje dhe për ruajtjen nga copëtimi i territoreve të banuara me shqiptarë”, u shpreh Kurti.

“Në 25-vjetorin e çlirimit dhe 146-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ai po ashtu solli në kujtesë faktin që me 27 mars të vitit 1999, forcat ushtarake serbe me eksplozivë e rrënuan dhe dogjën ndërtesën, duke i rrënuar edhe shtatoret e Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit, si një përpjekje tjetër e Serbisë, e dimensionit të gjenocidit kulturor, për të zhdukur gjurmët e historisë shqiptare vrasjet masive dhe zhdukjen e kufomave. Gjatë agresionit të shtetit serb brenda periudhës shkurt 1998 – qershor 1999 janë shkatërruar së paku 1800 monumente të trashëgimisë kulturore; janë plaçkitur mbi 3000 objekte arkeologjike dhe etnografike, e dokumentacion arkivor; dhe janë djegur mbi 1.7 milion libra në bibliotekat publike. Ky veprim në bazë të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, është vlerësuar si Krim Kundër Njerëzimit”, thuhet në njoftimin nga ZKM.

E megjithatë, “as shtypja mbi njëshekullore, plaçkitja, djegia e rrënimi, nuk kanë arritur të asgjësojnë besimin dhe luftën tonë për liri”, theksoi kryeministri.

Ai bëri thirrje që të vazhdojmë me përkushtim, bashkëpunimin e ngushtë për avancimin e vlerave të demokracisë, drejtësisë e të barazisë në vendet tona e shtetet tona, si dhe punën pa kusht, drejt integrimit së bashku të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Aleancën Veriatlantike e në Bashkimin Evropian, si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve dhe e kombeve fqinjë me ne.

“Idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit le të na frymëzojnë sot në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt avancimit të interesave të përbashkëta e forcimit politik e ushtarak, ekonomik e kulturor të shteteve tona”, tha ai në fund të fjalës së tij.

Në këtë ngjarje, gjatë të cilës u shfaqë edhe një ekspozitë e organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, të pranishëm ishin krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtues e përfaqësues tjerë të institucioneve shtetërore e lokale, e përfaqësues politikë të Preshevës e Bujanocit.