Kryetari Veliaj shpërndan fotografinë e “Sunny Hill” rreth zhvendosjes së festivalit në Tiranë

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, tanimë e ka konfirmuar mbajtjen e festivalit Sunny Hill në kryeqytetin shqiptar.

“Data e njëjtë, përvojat e bukura të njëjta, lokacion i ndryshëm”, ka shkruar ai në njoftimin e “Sunny Hill” që e ka shpërndarë në rrjetin social Instagram.

Edhe zyrtarisht, “Synny Hill Festival” konfirmon që për edicionin e sivjetmë do të zhvendoset në Tiranë.

Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër, organizatorët bëjnë me dije se festivali nuk do të mbahet në Kosovë për shkak të vonesave nga institucionet në Kosovë që lidhen me lejet për lokacionin e caktuar.

Organizatorët bëjnë me dije se ata që tashmë i kanë blerë biletat, nëse nuk kanë mundësi të marrin pjesë gjatë ditëve të festivalit në Tiranë, do t’u kthehen paratë.

Në njoftimin e publikuar thuhet:

Datat e njëjta, përvojat e njëjta, lokacioni i ndryshëm

Këtë gusht (për shkak të vonesave nga institucionet për të lëshuar lejet e nevojshme për lokacionin), ne detyrohemi të zhvendosemi në Tiranë.

Duam t’ju informojmë të gjithë ata që tashmë kanë bileta, se ato vlejnë për Sunny Hill Festival 2022 – Edicioni në Tiranë, ndërkaq ata që e kanë të pamundur të marrin pjesë në Tiranë, kanë mundësinë që t’i marrin paratë e tyre. (Datat për tërheqje të parave hapen nga 1 gushti deri me 15 gusht). Më shumë detaje dhe instruksione do të jepen ditëve në vazhdim.

Tiranë, po vimë! / KultPlus.com