U vodh 3 vite më parë, kthehet e mbështjellë me një këllëf jastëku piktura e Van Gogh

Pas vitesh kërkimi, piktura e Vincent Van Gogh “Kopshti i shtëpisë së famullisë në Neunen në pranverë” (1884), e cila u vodh nga Muzeu Singer Laren në Amsterdam në mars 2020, është gjetur më në fund.

Piktura u zhduk nga muzeu vetëm disa javë pasi institucioni u mbyll për shkak të pandemisë Covid-19. Edhe pse i dyshuari u arrestua një vit më vonë, vepra, e cila ishte huazuar nga Muzeu Groninger aty pranë, nuk ishte gjetur.

Megjithatë, Arthur Brand, një detektiv i famshëm holandez i specializuar në veprat e artit të munguara, arriti të gjurmojë pikturën e Van Gogh dhe ta marrë atë nga një person i paidentifikuar.

Kur i erdhi në duar piktura ishte e mbështjellë me një këllëf jastëku dhe u fut në një kuti, shkruan ArtNet.

Detektivi privat, i cili deri më tani ka ndihmuar në gjetjen e më shumë se 200 veprave të artit të vjedhura, thotë se personi që ktheu pikturën nuk ishte i përfshirë në vjedhje. / KultPlus.com

Kthehen 7 trupa të të vrarëve në Masakrën e Rezallës, presidentja Osmani: Ata përfundimisht do të kenë një vendprehje

Presidentja e Republikës së Kosovës përmes një statusi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se janë kthyer trupat e shtatë qytetarëve të Kosovës, të vrarë nga regjimi serb në Masakrën e Rezallës, përcjell KultPlus.

”Sot, trupat e shtatë qytetarëve tanë të vrarë nga regjimi gjenocidal serb në Masakrën e Rezallës dhe eshtrat e dy trupave që ribashkohen, u kthyen në atdheun e tyre nga Kizhevaku.

Ata përfundimisht do ta kenë një vendprehje ku familjarët dhe ne mund të vendosim lule në kujtim të tyre.

Sot, i bashkohem dhimbjes së familjeve të tyre dhe rikujtoj se zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është angazhim i yni i përditshëm, derisa ta zbardhim fatin e secilit. Siç nuk do të ndalemi as në adresimin e përgjegjësisë për akterët e krimit.

Drejtësia për viktimat është synim i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme, ndërkaq Serbia ka përgjegjësi shtetërore për mbajtjen peng të fatit të edhe mbi 1600 të zhdukurve me dhunë dhe fshehjes së fakteve mbi ta.

U prehshin në paqe të masakruarit e Rezallës dhe i përhershëm qoftë kujtimi për ta!’‘, ka shkruar presidentja Osmani. / KultPlus.com

Foto: Erkin Keçi