Kulinaria nxitje turizmit, listë me produkte tipike për t’u regjistruar

Kulinaria konsiderohet si një pjesë e pandashme e turizmit dhe me shumë potencial në zhvillimin e këtij sektori që jep një kontribut të madh në ekonominë e vendit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik, po punojnë për hartimin e një liste me produkte tradicionale shqiptare, të cilat kanë potencialin për t’u regjistruar si skema cilësie, që do të shtojnë vlerë në zhvillimin e turizmit.

Sipas ekspertëve të fushës, turizmi dhe zhvillimi i tij, falë dhe politikave për diversifikimin e ofertave turistike, ka rritur interesin e turistëve të huaj, të zgjedhin vendin tonë për të pushuar.

Konkretisht ekspertët po punojnë në regjistrimin si skema cilësie të recetave të vjetra, ku bëjnë pjesë shumë produkte vendase.

Sipas tyre, në gjysmën e territorit janë screenuar dhe ka mbi 50 produkte që sot kanë potencialin për tu regjistruar si skema cilësie siç i ka Italia.

Ata vlerësojnë se vendi ynë ka qindra produkte që meritojnë të regjistrohen.

MBZHR vitet e fundit po mbështet ngritjen e agroturizmeve si shembujt që po kthehen në trend tashmë nga shumë fermerë dhe banorë të zonave rurale, që investimet në prodhime tipike të zonës dhe i kanë kthyer fermat apo shtëpitë e tyre, në oaze të mikpritjes turistike. /atsh/ KultPlus.com

Kumbaro: Prezantojmë edhe më të mirën e kulinarisë shqiptare

Shqipëria do të ketë vendin e nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin, që zhvillohet në datat 4-6 mars.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot se Shqipëria në këtë panair do të prezantojë edhe më të mirën e kulinarisë shqiptare, me një buqetë shijesh.

Pjesëmarrja në këtë panair synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e turoperatorëve në stendën e Shqipërisë.

Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/ KultPlus.com

“Festa e fërgesës”, promovim i kulinarisë së kryeqytetit

“Festa e Fërgesës” tashmë është kthyer në traditë të përvitshme në Tiranë.

Kjo festë u zhvillua në mjediset e Kalasë së Tiranës, ku restorante të ndryshme ishin të ftuar të marrin pjesë, duke sjellë recetat e tyre speciale të fërgesës.

“Festa e Fërgesës” në këtë edicion, një bashkëpunim mes 2 bashkive, asaj të Tiranës dhe bashkisë së Elbasanit, ishte një mbrëmje me kryefjalë promovimin e kulinarisë dhe traditës së Shqipërisë së Mesme.

Sipas organizatorëve, “Festa e Fërgesës”, solli konkurs gatimi, ushqim, pije, muzikë e lojëra, me temën gazmore “Rakia connecting people, Fërgesa unite them”.

Kjo festë, në thelb ka ruajtjen e traditave të kulinarisë dhe përcjelljen e tyre brezit të ri, por sjell edhe një prezantim dinjitoz e argëtues tek turistët e huaj.

“Festa e Fërgesës” u organizua për të 5-tin vit radhazi. Më herët festa është organizuar edhe në rrethinat e kryeqytetit, si në Surrel.

Mbrëmja u bë edhe më e veçantë, me performancën e ansamblit të këngëve dhe valleve “Isuf Myzyri” të Elbasanit./atsh/ KultPlus.com