“Festa e fërgesës”, promovim i kulinarisë së kryeqytetit

“Festa e Fërgesës” tashmë është kthyer në traditë të përvitshme në Tiranë.

Kjo festë u zhvillua në mjediset e Kalasë së Tiranës, ku restorante të ndryshme ishin të ftuar të marrin pjesë, duke sjellë recetat e tyre speciale të fërgesës.

“Festa e Fërgesës” në këtë edicion, një bashkëpunim mes 2 bashkive, asaj të Tiranës dhe bashkisë së Elbasanit, ishte një mbrëmje me kryefjalë promovimin e kulinarisë dhe traditës së Shqipërisë së Mesme.

Sipas organizatorëve, “Festa e Fërgesës”, solli konkurs gatimi, ushqim, pije, muzikë e lojëra, me temën gazmore “Rakia connecting people, Fërgesa unite them”.

Kjo festë, në thelb ka ruajtjen e traditave të kulinarisë dhe përcjelljen e tyre brezit të ri, por sjell edhe një prezantim dinjitoz e argëtues tek turistët e huaj.

“Festa e Fërgesës” u organizua për të 5-tin vit radhazi. Më herët festa është organizuar edhe në rrethinat e kryeqytetit, si në Surrel.

Mbrëmja u bë edhe më e veçantë, me performancën e ansamblit të këngëve dhe valleve “Isuf Myzyri” të Elbasanit./atsh/ KultPlus.com