Përmbyllet projekti “Kultura për ndryshim”, Neziraj: Kultura vazhdon të shihet si luks

Medina Pasoma

Teatri Oda hapi dyert për të shpalosur rrugëtimin 3 vjeçar të projektit “Kultura për Ndryshim” të implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut, shkruan KultPlus.

“Kultura për Ndryshim” ishte ura lidhëse e shumë artistëve dhe organizimeve kulturore në Kosovë. Ky projekt përkrahi bibliotekat publike të institucioneve kulturore dhe arsimore, duke i mbushur raftet e tyre me libra me synim të rritjes së shprehisë së leximit; artistët e pavarur për realizimin e performancave të tyre dhe përkrahi mbi 90 organizata për realizimin e projekteve të tyre.

Aktiviteti përmbyllës i projektit u nda në 3 pjesë, duke sjellur fillimisht në lidhje direkte përfaqësues të institucioneve, pastaj një panel diskutimi me drejtues dhe artistë kulturor si dhe në fund video-dokumentari për rrugëtimin e projektit nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Përgjatë pjesës së parë në lidhje virtuale, prezentë ishin ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi dhe autori i raportit hulumtues për kulturën në Kosovë, Davor Miskovic.

Ambasadori i BE-së përmendi aktivitetet të cilat kanë qenë të përfshira në kuadër të këtij projekti, duke vlerësuar kontributin e tyre në jetën kulturore të vendit.

“Le të mendojmë një moment se si do të ishte jeta jonë pa aktivitetet kulturore këtë vit”, u shpreh Szunyog.

Në anën tjetër ministrja në detyrë, Dumoshi u shpreh se e vlerëson mbështetjen disa vjeçare të BE-së për kulturën e vendit, teksa tha se Qendra Multimedia ka kryer një punë të shkëlqyeshme.

“Kam arritur që pas shumë viteve t’i pavarësoj institucionet tona kulturore, siç janë teatri, pjesa e muzeve dhe trashëgimisë kulturore e kështu me radhë”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Në fund ministrja në detyrë theksoi rëndësinë e diversitetit kulturor dhe bashkëpunimit artistik.

Pas kësaj, fjalën e mori drejtori i Qendrës Multimedia, Jeton Neziraj, i cili u shpreh se ky projekt nuk do të implementohet në vitin e ardhshëm.

“Heqja dorë nga mbështetja e kulturës e bën BE-në t’i ngjasojë këtyre ministrive tona, edhe të kësaj të kulturës, që në mungesë vizioni shtrojnë asfalte, ndërtojnë stadiume e shtëpi kulture kudo dhe kurdo që të jetë e mundur”, u shpreh Neziraj.

Në anën tjetër, ai nuk kurseu kritikat për pikëpamjen ndërkombëtare dhe vendore për kulturën në Kosovë.

“Kultura vazhdon të shihet si luks, e ky vend nuk është vendi i luksit kulturor por i nevojave e emergjencave sociale, politike, ekonomike por jo kulturore”, tha drejtuesi i Qendrës Multimedia.

Neziraj tha se buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vitin e ardhshëm do të reduktohet, mirëpo sipas tij, edhe po të mos ndodh ndonjë reduktim, ajo keq menaxhohet dhe keq shpërndahet.

“Buxheti shkon në fushat e sportit e në shtëpitë e kulturës për t’ua rritur lavdinë kryetarëve të komunave apo partizanëve politikë”, u shpreh dramaturgu Jeton Neziraj.

Ai e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se viti që po vjen do na gjej me më shumë tulla, asfalte, me më pak art, kulturë e liri, teksa shtoi:

“Mirë se vini në Republikën ndërkombëtare të asfaltit!”.

Në vazhdim, përmes lidhjes digjitale fjalën e Davor Miskovic, i cili në bashkëautorësi me Teodor Celakoski ka realizuar një raportin hulumtues për skenën kulturore të Kosovës.

Miskovic përgjatë fjalimit të tij shpalosi procedurat të cilat i ndoqën deri në realizimin e këtij raporti, e që përfshinte mbledhjen e materialit nga mediat dhe dokumentet, realizimin e intervistave në terren dhe konkludimet finale.

“Nga të gjitha informacionet që nxorëm gjatë hulumtimit, ne bëmë disa konkludime për institucionet kulturore të Kosovës, skenën e pavarur, lidhjen mes shoqërisë dhe kulturës”, u shpreh autori i raportit.

Ai çmoi lartë rolin e skenës së pavarur e cila mban lidhje të kulturës me shoqërinë përreth saj.

Pas mbarimit të fjalimeve të secilit veç e veç, radha ishte te paneli i diskutimit të moderuar nga Arif Muharremi, me pjesëmarrjen e artistit të pavarur Edis Galushi, pjesëtares nga ‘Termokiss’ Fjolla Brisku si dhe nga Lumbardhi në Prizren, Rudina Hasimja.

I pari i cili morri fjalën ishte Edis Galushi, i cili nëpërmjet artit të tij vazhdon të promovojë vlerat e komunitetit rom. Duke qenë se vjen nga Prizreni dhe identifikimit të qytetit të tij si vendi i kulturës, ai tha:

“Kjo emblemë e kulturës po vazhdon të zbehet pikërisht për shkak të përkrahjes së brishtë të skenës kulturore në Kosovë, e sidomos në Prizren”.

Galushi tha se kultura nuk është prioritet në Kosovë, andaj edhe përkrahja institucionale është e vogël.

“Për momentin jam duke e bërë një lexim letrar në shqip e romisht por përsa i përket përkrahjes financiare po më duhet t’i bashkoj disa burime të financimit publik për diçka minore. Kjo si artist po të bën të mendosh për diçka më të madhe, meqë përkrahja po lënë shumë për të dëshiruar”, u shpreh Edis Galushi.

Për projektin “Kultura për Ndryshim” ai përmendi bashkëpunimin për krijimin e një monodrame. Ndërkaq, pati edhe një dëshirë drejtuar përkrahësve të këtij komuniteti.

“Në momentin kur e fusim krijimtarinë tonë në letër në aspektin financiar, të jemi të lirë e të mos kemi rezerva se ‘hajde tash çfarë lëmoshe kemi me marrë’, por me qenë të liruar nga ajo brengë dhe vetëm të mendojmë se si dhe sa gjerë do të shkojmë me kulturën për të cilën dhe me të cilën po merremi”, shprehi dëshirën e tij Galushi.

Një ndër tjerash, Galushi tha se fokusi kryesor i përkrahjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian po ndodh në sferat e edukimit dhe arsimit, teksa kultura po lihet anash.

Pastaj diskutimi vazhdoi me Fjolla Briskun nga ‘Termokiss’, e cila përmendi se ky institucion ka arritur të organizoj 200 aktivitete përgjatë pandemisë, duke përmendur “Maskë për krejt”, “Bukë për krejt”, klubi “Strofull” me fokus shëndetin mendor dhe organizime të tjera.

“Ne si ‘Termokiss’ kemi pasur mirëkuptim nga donatorët ku ata kanë vlerësuar kontributin njësoj online sikurse fizikisht por, të tjerët nuk kanë qenë edhe aq me fat dhe është rrezikuar e gjithë puna e tyre në skenën kulturore ndër vite”, potencoi Brisku.

Rudina Hasimja nga organizata Lumbardhi në Prizren tha se pandemia e ka rritur pasigurinë për financimin e strukturave udhëheqëse dhe organizimeve kulturore.

“E tëra kjo është një akumulim i defekteve që kanë ndodhur qe 20 vite dhe na kanë gjetur në pandemi”, u shpreh Hasimja.

Përfaqësuesja e ‘Lumbardhit’ theksoi se përgjatë pandemisë kanë marrë subvencione nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtorisë Komunale për Kulturë Rini dhe Sport në Prizren, mirëpo që nuk i kanë përmbushur nevojat financiare të kësaj organizate.

“Ajo ka qenë vetëm një infuzion, që nuk ka mjaftuar për ta përballur, me ç’rast është dashur të bëhet rritje fondesh për ta sjellur organizatën në një lloj sigurie”, tha Rudina Hasimja.

Në fund panelistët shprehën pritjet e tyre dhe dëshirën për përmirësimin e gjendjes kulturore në vend.

Ndërkaq ajo që kurorëzoi mbylljen e projektit “Kultura për Ndryshim” ishte video-dokumentari, në të cilën u paraqitë e gjitha puna dhe rrugëtimi 3 vjeçar, ndryshimet në komunitetin artistiko-kulturor dhe fjalë nga përfituesit e projektit.

Programi “Kultura për Ndryshim” është mbështetur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut. / KultPlus.com

Nesër mbahet ngjarja përmbyllëse e programit Kultura për Ndryshim

Qenda Multimedia dhe Goethe Institut kanë njoftuar se nesër do të mbahet përmbyllëse e programit Kultura për Ndryshim, përcjellë KultPlus.

Gjatë kësaj ngjarje do të promovohet hulumtimi mbi pesazhin kulturor të Kosovës si dhe të lansohet dokumentari mbi programin Kultura për Ndryshim.

Kjo ngjarje do të mbahet të martën më 22 dhjetor në teatrin Oda në Prishtinë duke filluar nga ora 11:00.

Programi Kultura për Ndryshim financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e Beshkimit Evropian në Kosovë ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia e Goethe-Institut.

Për shkak të masave parandaluese të COVID-19, numri i pjesëmarrësve fizik është i kufizuar. / KultPlus.com

Kultura për ndryshim shpall projektet fituese të thirrjes 3

Thirrjes së 3-të për projekt propozime nga programi Kultura për Ndryshim për vitin 2020 i janë përgjigjur 95 organizata, institucione, grupe jo-formale e artistë individualë.

Ekipi vlerësues i përbërë nga Jeton Neziraj, Arif Muharremi, Nadica Vasilevska (Goethe-Institut), Marija Chorbeva-Penoska (Goethe-Institut)  e Shpëtim Selmani kanë hartuar listën përfundimtare të projekteve fituese.

Vlerësimet e projekteve juria i ka bazuar në kriteret e përcaktuara në pakon e “Thirrjes për aplikim” të programit Kultura për Ndryshim.

Në tërësi, në këtë cikël, janë shpërblyer 10 organizata e artistë individualë.

>> Bashkangjitur mund të gjeni listën e plotë të fituesve të Thirrjes së tretë për grante të programit Kultura për Ndryshim 2020. / KultPlus.com