#NJËFIJEDRITË, nisë fushata kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë (VIDEO)

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC Elvana Shala ka nisur sot fushatën vetëdijesuese kundër diskriminimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Fushata vetëdijesuese me sloganin NJË FIJE DRITË, është iniciuar me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës në thyerjen e paragjykimeve, luftimin e diskriminimit, stigmës, rritjen e ndërgjegjësimit, e mbi të gjitha promovimin e të drejtave të tyre për integrim të barabartë në shoqëri.

Slogani #NJËFIJEDRITË është vendosur me qëllim kërkesës së dritës për të ndriçuar errësirën e krijuar pa fajin e tyre, duke mos pasur guximin, te shfaqen dhe të flasin hapur për fatkeqësinë dhe krimin e padrejtë të cilin e përjetuan 18 vite më parë.

Pjesë kryesore e fushatës është video-mesazhi I realizuar me personalitete nga fusha e politikës, diplomacisë, artit dhe shoqërisë civile, të cilët përmes tekstit të ndërthurur në formë artistike bëjnë thirrje për një jetë më të dinjitetshme për këto viktima.

Gjatë kësaj fushate 10 ditore, Ambasadorja Shala do të zhvilloj takime me të gjitha organizatat që merren me mbrojtjen dhe rehabilitimit e këtyre viktimave, për t’u njohur nga afër me gjendjen aktuale të viktimave, dhe mundësinë e integrimit të barabartë të tyre në shoqëri. Përveç kësaj do të bëhet edhe shpërndarja e broshurave me informacione rreth fushatës, mesazheve vetdijësuese dhe fragmenteve të shkurtra nga përjetimi I dhunës nga viktimat.

Në fund të fushatës do të organizohet konferenca përmbyllëse me pjesëmarrjen e krerëve institucional vendor e ndërkombëtar, ku do të adresohen të gjitha kërkesat dhe nevojat e viktimave për qasje të barabartë në shoqëri.

Fushata është mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Austriak, Ambasada e Turqisë në Kosovë, Ambasada e Zvicrës në Kosovë, IHRC dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës./ KultPlus.com

Angelina Jolie me fjalim të fuqishëm për abuzimin seksual në Hollivud (VIDEO)

Angelina Jolie mbrëmë përmes fjalimit të saj ka bërë një thirrje të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse për të luftuar dhunën seksuale në mbarë botën, shkruan The Independent, përcjellë KultPlus.

“Dhuna seksuale është kudo – në industrinë ku unë punoj, në biznes, në universitete, në politikë, në ushtri dhe në mbarë botën”, tha ajo mbrëmë gjatë fjalimit të saj kryesor në Konferencën Ministrore për Paqe në Vancouver.

Aktorja Angelina Jolie, është një nga shumë gratë që akuzoi Harvey Weinstein për ngacmim seksual. Ajo kishte pasur një përvojë të hidhur me Weinstein gjatë realizimit të filmit “Playing by Heart” në fund të viteve 1990. Ajo tha se Weinstein iu kishte afruar asaj në një dhomë hoteli, gjë që ajo e kishte refuzuar.

Si rezultat, ajo “zgjodhi që kurrë të mos punonte me të dhe t’i paralajmëronte të gjithë të tjerët që punon me Weinstein” kishte shkruar Jolie në një e-mail në Times. “Kjo sjellje ndaj grave në çdo fushë dhe në çdo vend është e papranueshme”, kishte thënë Jolie.

Ajo kritikoi liderët botërorë të cilët nuk po marrin masa vendimtare lidhur më këtë , të cilët e shohin dhunën seksuale ndaj grave si një pjesë të pashmangshme të konfliktit, në vend të një çështjeje që duhet të trajtohet kur bëhet fjalë për negociatat e paqes dhe ndëshkimin.

“Edhe nëse e pranojmë se dhuna seksuale nuk ka të bëjë me seksin, që është një krim dhe se përdoret si një armë, shumë njerëz besojnë së është e pamundur të bëhet diçka lidhur me këtë”, tha ajo.

“Është e vështirë, por nuk është e pamundur, kemi ligje, institucione dhe ekspertizë në mbledhjen e dëshmive, ne jemi në gjendje të identifikojmë autorët e veprave penale. Por ajo që mungon është vullneti politik “, kishte thënë mes tjerash Angelina Jolie. / KultPlus.com

Artistet femra nënshkruajnë peticion kundër ngacmimit seksual

Laurie Anderson, Cindy Sherman, Lynn Nottage dhe qindra artiste, shkrimtare, kuratore kanë nënshkruar një letër të hapur duke dënuar botuesin e Artforum, Knight Landesman dhe duke u zotuar për të luftuar kundër seksizmit dhe ngacmimeve seksuale në botën e artit, shkruan The New York Times, përcjellë KultPlus.

“Ne jemi prekur, ngacmuar, infantilizuar, përbuzur, kërcënuar dhe frikësuar nga ata që janë në pozita të pushtetit që kontrollojnë qasjen në burime dhe mundësi”, shkruan në letër. “Ne nuk do të heshtim më” Jenny Holzer, e cili gjithashtu ka nënshkruar letrën, lejoi që ky grup të përdorte tekstin nga puna e saj, “Abuzimi i pushtetit vjen si jo i papritur”.

Landesman ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij i vjetër si botues i revistës të mërkurën pasi u ngrit një padi duke e akuzuar atë për ngacmimin seksual të së paku nëntë grave. Michelle Kuo, kryeredaktori i revistës, gjithashtu dha dorëheqjen dhe stafi i revistës publikoi një shënim që kritikon botuesin e tij. Një zëdhënës i revistës tha se të gjitha kontaktet me zotin Landesman janë pezulluar dhe se ndërsa tre reklamuesit janë tërhequr nga çështjet që do të ndodhin në të ardhmen, shumë të tjerë kanë premtuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për revistën.

Letra e hapur u bën thirrje institucioneve të artit të heqin abuzuesit dhe të kundërshtojnë pabarazinë dhe abuzimin. “Veprimet tuaja nuk do të jenë më sekrete dhe nuk do të mbesim vetëm në pëshpëritjet tona për shkak të frikës nga shthurja, shmangia profesionale dhe rekrutimi. Kudo që e shohim abuzimin e pushtetit, ne do të flasim”./ KultPlus.com