Qëndroni larg idiotëve

Shkruan: Labinot Kunushevci

 A e dini pse nganjëherë ndjeheni të zhgënjyer, të dëshpruar e të thyer? Të lodhur e të pamotivuar? Në depresion e nëankth? Të pakënaqur e të pasuksesshëm? Të dobët e të pamundshëm?

Sepse jeni të rrethuar nga idiotët me skizofreni kulturore. Nga njerëz që kanë xhelozi të pashëruar, inat të tërbuar e hipokrizi të çmendur. Sepse ju rrethojnë njerëz që shpikin probleme, që flasin për dështime dhe humbje, që kanë vetëm dilema dhe pasiguri, që klithin për pasoja, që ankohen si dembela, që polemizojnë si naiva, që mbijetojnë si parazita, që përfitojnë si viktima. Çfarë ju duhen këta në mesin tuaj? ”Fuck off!”

Në imagjinatën e tyre ka vetëm mendime negative, në shpirtin e tyre ka vetëm frekuenca negative. Janë pa shije, pa stil dhe pa humor. Pa qëllime dhe pa ambicie. Pa fokus, pa vizion dhe pa iniciativë. Kënaqen në komfortin e tyre të shtratit, në zonën e rehatisë, në lumturinë e rrejshme, në iluzionin e vetëkënaqësisë, në një mpirje psikologjike. Dhe vazhdimisht e shajnë realitetin që s’dinë ta jetojnë apo ndryshojnë. Kjo është shoqëria, që duhet t’i jepni fund!

Ata nuk flasin për mundësi a për investime, për ide a për biznes, për projekte a për sukses. Përhapin vetëm thashetheme sepse janë të neveritshëm. Truri i tyre përpunon vetëm fragmente. Nuk besojnë në asgjë, ata dyshojnë në gjithçka. Dhe sillen e shtiren rreth nesh. Janë aktorë të përkryer, ndërsa juve duan të ju bëjnë spektatorë të verbër. Këta janë barriera e suksesit tuaj. 

 Mos u përpiqni t’i ktheni miqtë e vjetër. Ata ua grabitën fatin, kohën, shpresën, suksesin, mundësitë. Ata ua prenë rrugën dhe ju vendosën një destinacion të shkurtë. Vendosën rregulla për ju, që vetë nuk i zbatonin. Ju nxitën të shpenzoni kohë dhe energji për gjëra të vogla, jo për gjëra që janë të rëndësishme për jetën tuaj apo që ju bëjnë të lumtur – që janëburim i mirëqenies tuaj. 

Ju thanë se shansat i keni të vogla, se intuitën dhe instiktet i keni të dobëta, se nuk keni aftësi të merrni vendime, se ende nuk ka ardhur koha juaj. Ç’dreqin janë këto mendime që kanëpër juve? Pse i keni lejuar?

Në çdo dështim gjenin një justifikim. Ata eksperimentuan me karakterin tënd. Nuk ju pranuan ashtu siq jeni. Ju detyruan të bëni kompromis me vlerat tuaja, të shkelni mbi principet tuaja, të thyeni konfidencën tuaj, që ata të kontrollojnë mendjen tuaj. Ju të bëheni skllavi, ndërsa ata patroni: ata japin atë çfarë ata duan dhe ju nuk merrni atë çfarë ju doni. Një gjëështë e sigurt, aty ku mungon ndërgjegjja kolektive, idiotët dominojnë dhe synojnë të marrin kontrollin.

Idiotët u përpoqën që të ju pengojnë të përfitoni nga epoka e mundësive. Ata vranë ëndrra, lënduan ndjenja, shkaktuan trauma. Reputacionin që planifikuat ta ndërtonit për shumë vite, tentuan ta shkatërrojnë për pak minuta. Ua mbollën konceptin se jeta është aventurë. Në mendjen tuaj shpikën rreziqe që ju besuat se nuk mund t’i kapërceni.

Ata punuan që ti të mos jesh i pari, të ndjekni turmat, t’i imitoni të tjerët, të ecni në ura pa brigje, të luftoni për audiencë, të punoni për ta, të mos pavarësoheni, të mbetenipeng i së kaluarës e të mos inspiroheni. Ata punuan që ti të biesh në ankth apo në depresion dhe vendimet t’i merrnit nën emocion! Ky është profili dhe identiteti psikologjik dhe sociologjik i idiotëve burra dhe gra që e gjejmë gjithandej.

Mos i besoni një shoqërie që ju ndrydh! Lëre të shkojë në djall. Ferri do ta zë mjaftueshëm. Qëndroni larg idiotëve! Hiqni qafe koleksionin e idiotëve rreth juve, sa nuk ju kanë futur në perandorinë e tyre. Shoqërimi me ta është një gabim i kushtueshëm. Ata kanë agjendë që ju të mbeteni pa imunitet kulturor. Ata kanë skenar që ju të luani filma tragji-komik qëpërfundojnë me fatalitet. Dinakëria e tyre ju futë në një cikël të mbyllur të së keqes, duke ju rrënuar vlerat intelektuale dhe humane që keni.

Sa më pak shokë që keni, aq më pak drama do të shihni, aq më pak thyerje do të përjetoni, aq më pak fallsitet do të vëreni. Njerëzit nuk ju trajtojnë siq e meritoni. Mirësinë tuaj e shohin si dobësi. Nëse u ndihmoni atyre, përgatituni për mosmirënjohje. Zvogëloni pritshmëritë që keni ndaj tyre, do të jeni të lumtur. 

Një ditë ata do të flasin fshehurazi për suksesin tënd. Jepu atyre një shfaqje magjepëse. Dhe ti do të jesh storja më e urryer e suksesit për ta sepse ata kanë një urrejtje tëpashpjegueshme. Ju do të jeni i paarritshëm për ta, por edhe shumë i nevojshëm më vonë. Ndërsa ata do t’i rraskapitëxhelozia, jo konkurrenca. Por nëse jeta ju ballafaqon me idiotët në punë, keni kujdes! Ne kalojmë më shumë se gjysmën e jetës në punë, një pjesë të madhe dhe tërëndësishme të kohës për të kaluar me vuajtje në duart e idiotëve. Puna me idiotë është e rrezikshme edhe për zemër sepse ata janë burim i lartë i stresit. Heshtni përballë tyre dhe jepuni një mësim idiotëve: niveli i budallakisë së tyre ju lë pa fjalë.

Suksesi nuk arrihet pa ëndrra, pa vetëmohim, pa dështime, pa sakrificë, pa djersë, pa sprova, pa vuajtje, pa luftë, pa fokus, pa netët pa gjumë e pa mëngjeset e hershme. Ndërsa idetë e idiotëve zakonisht janë sipërfaqësore, periferike, imituese. Mashtrimi, improvizimi, plagjiati, klisheja, akademizmi, primitivizmi, stereotipet, popullizmi, janë disa nga elementet e tyre.

Ne nuk meritojmë të vuajmë jetën që na e shpikin dhe shpifin të tjerët. Duhet ta jetojmë jetën tonë. Lumturia ështëbrenda nesh, nuk e përcaktojnë idiotët. Nuk na duhetvëmendja, fama, entuziazmi, senzacioni, duartrokitjet, falenderimet, mirënjohjet, çmimet dhe admirimi që vijnë ngaidiotët. As nuk jetojmë për t’i impresionuar ata. Mjafton tëkemi paqe dhe harmoni me veten sepse jastëku më i mirëështë ndërgjegjja. Mos lejo që paqja jote e brendshme tëprishet nga sjellja e tyre. Kur ti i premton vetës sukses, asnjëherë nuk do të gjesh dështim. Vetërespekti, vetë-diciplina, vendosmëria, zhdërvjelltësia, inteligjenca, pedantriadhe elokuenca, janë miqtë më të mirë, janë forcat e suksesit qëi heqin qafe idiotët. Por për t’u miqësuar me këto vlera, duhet ta ndryshoni konstruktin e të menduarit dhe zakonet kulturore.

Dembelët duhet ta dinë se fatura e dembelisë paguhet mështrenjt se fatura e suksesit. Ata e gënjejnë veten kur dështojnë ose nuk përpjeken, kur thonë se nuk kanë pasur mundësi. Ata thjesht vuajnë nga pasiguria, i frikësohen rrezikut për të provuar. Frika është armiku më i madh i suksesit. Frika është një iluzion sepse ne vuajmë më shumë nëimagjinatën tonë sesa në realitetin që e jetojmë. Prandaj mos i lejoni idiotët që të ju flasin për idetë dhe planet që keni.

Mos debatoni me idiotët që nuk lexojnë libra, kur burim tëvetëm të informacionit kanë rrjetet sociale. Teknologjia dixhitale, inteligjenca artificiale, sot ka krijuar një gjeneratë tëidiotëve që japin leksione pa kompetencë. Telefonat inteligjentë po krijojnë idiotë dixhital. Sot kemi një invazion të idiotëve, ata kanë kolonizuar mediat sociale, ata nuk njohin kufij. 

Jetojmë në një shoqëri që elektrizohet nga masa, që magjepset nga turma, që entuziazmohet nga zhurma, që motivohet nga piskama, që argëtohet me dhunën mediale tëshfaqur në seriale komediane dhe ”reality show”. Shoqëri e tëçmendurve dhe skizofrenëve. Janë si hiena që gllabërojnëgjithçka që ju del përpara.

Nuk duhet të bëhemi të ndytë që ta falim idiotësinë e tyre.Të mos përkulemi që ata të kalërojnë mbi kurrizin tonë. U dhurojmë vetëm buzëqeshje dhe injorim me krenari. Ata nuk do të heqin dorë kurrë nga idiotësia e tyre sepse janë shumëinsistues të mbeten idiotë. Janë të pagdhendur, tëpaedukueshëm, të papërmirësueshëm, të pavëmendshëm, me një ego të brishtë. Të fortifikuar brenda logjikës destruktive.Me zero kontribut human në shoqëri, ndërsa duan të jenë tëlavdëruar. Ndoshta, ata kanë vetëm një mundësi: të bëhen mëpak idiotë!

Hakmarrja nuk është nivel i njerëzve të suksesshëm. Idiotët janë fruta të kalbura që bien vetë. Largohuni nga ambientet e tyre sepse janë toksike dhe të kontaminuara, kundërmojnë dhe helmojnë shumë. Egoja juaj kundër tyre është mjeshtëri, pjekuri dhe superfuqi. Jini vetëvetja! Sepse fleksibiliteti juaj me mjeshtrinë e mprehtë të sjelljes është më i fuqishëm se betonizimi i idiotëve në arrogancë.

Në disa rrugë nuk të duhen miqtë, nuk të duhen kolegët, nuk të duhet familja, nuk të duhen fqinjët. Ti dhe Zoti mjafton. Në disa rrugë vetëm një lloj komunikimi funksionon: komunikimi me vetveten. Arratisje nga rutina, nga kiçi si model jetese. Ndryshe jeta bëhet klishe.

Mos prit që dikush do të bëhet heroi yt! Ti ke vetëm njëhero: inteligjenca. Ik nga konfliktet! Ik nga polemikat me idiotët sepse ata të sfidojnë me përvojë, me ide të vjedhura si piratë! Pastaj kjo prodhon kontra-efekt. Mos e negocio vlerën tënde. Jepu atyre atmosferë misterioze. Nuk meritojnëpërgjigje kur duan të zbulojnë diçka tek ti. Ata duan që ti tëjesh peshku i oqeanit, ndërsa ata peshkaqeni! Që ti të jesh piuni, ndërsa ata mbreti! Dhe mos u befaso kur ata shndërrohen papritmas në armiq sepse ju nuk e keni vërejtur që miqtë e vjetër ishin duke aktruar ndaj juve që nga fillimi, por tani kanë hequr maskat.

Ky është karakteri kontravers dhe depresiv i shoqërisëkosovare. Pse sot vuajnë nga depresioni? Sepse ata jetojnëpeng i së kaluarës. Vetëm e kaluara shkakton plagë që ne e përjetojmë si dhimbje, si bllokim të arteries së jetës kur emocionet rrebelohen kundër nesh. E tashmja asnjëherë nuk shkakton depresion sepse të tashmen mund ta ndryshojmë. E kaluara është histori, që e tundon kokën e të depresionuarve. Mendja e fuqishme i neutralilzon dhe i vë në ekuilibëremocionet e trazuara. Nuk është gjithçka fat, është më shumë zgjedhje.

Çfarë mendojnë të tjerët për ty është problem i tyre, këndvështrim dhe projeksion i tyre, instrument subjektiv i vlerësimit, dioptri shkurtpamëse, pika e fundit rezervë, emetim i gazrave që turbullojnë horizontin e pastër. Mos u shqetëso! Nganjëherë opinioni i tyre për ty është marrëzia që ata e shpikin në mentalitetin e tyre bizar në të cilën besojnë.Ne mund të jemi të këqinj në historinë e dikujt. Ajo histori nuk na përket neve. Nuk brengosemi që t’i arsyetohemi apo t’i dëshmojmë çdo kujt për çdo gjë. Njerëzit i kuptojnë gjërat si duan vetë, jo si janë realisht.

Mos të ju bëj përshtypje kur njerëzit nuk ju përshëndesin, nuk ju kthejnë përgjigje apo nuk ju respektojnë sepse drama e tyre e metrazhit të shkurtë ka përfundu, derisa gjithë kohës kanë aktruar si të rëndësishëm. Mosmirënjohës tregohen ata që nuk e kanë merituar ndihmën tuaj. 

Personaliteti yt nuk duhet të mbetet peng i identitetit që eprojektojnë njerëzit që jetën e tyre e kanë lëmsh të shthurur e katrahurë. Edhe nëse ata shpifin, paragjykojnë, bullizojnë, shkruajnë e flasin, etiketojnë e akuzojnë, ç’t’i bësh, e kanë për mbijetesë. Ti vazhdo i qetë dhe çlirohu nga kompleksi i inferioritetit se çfarë mendojnë të tjerët për ty. Kështu e ruan shëndetin mendor. Stresi për gjërat që nuk mund t’i kontrollosh është peshë e rëndë. Emocionet janë të mira vetëm kur diciplinohen. /KultPlus.com

Covid 19: Pse njerëzit nuk besojnë në shkencë?

Autor: Labinot Kunushevci

      Demotivimi dhe mosbesimi në autoritetin e shkencës fillon që nga edukimi shkollor. Nxënësit vijnë në shkollë pa disponim, i kalojnë orët mësimore me durim të sfiduar duke e pritur me padurim zilen e përfundimit të orës së fundit, madje nëse u mungon ndonjë arsimtar apo profesor, mënyra se si e shprehin gëzimin është shumë e çuditshme. Pse gëzohen kur i mbajnë vetëm pesë orë dhe jo gjashtë? Për shkak se do të shkojnë një orë më herët në shtëpi. Jo pse ata do të kenë më shumë kohë të bëjnë diçka të dobishme jashtë shkollës, por sepse shkolla nuk përjetohet si ambient kreativ, atraktiv, që ofron mundësi të zbulimit të talenteve dhe të shprehjes së stileve dhe të aftësive të ndryshme. Pra, një orë mësimi më pak, një orë monotoni më pak. Ndërsa mësimin e kanë rutinor, mekanik dhe literal. Jo pse besojnë apo kanë një vetëdije mbi përmbajtjet lëndore, por sepse janë të kushtëzuar për të marrë notë kaluese, për të marrë një certifikatë apo diplomë shkolle, për të fituar një kualifikim apo titull. Mosbesimi në shkencë fillon që nga edukimi fillor dhe vazhdon edhe në nivele dhe sfera tjera të jetës.

      Mosbesimi në shkollë, mosbesimi në universitet, mosbesimi në institute, mosbesimi në institucionet e dijes, mosbesimi në mësimdhënës, mosbesimi në ekspertë dhe profesionistë, mosbesimi në shkencë, është problem kulturor.

      Njerëzit injorantë, të pavetëdijshëm dhe të papjekur, janë më shumë të prirur të besojnë në konspiracione e mite, sesa në realitet, në fakte objektive dhe empirike, në të gjetura dhe konstatime shkencore. Si fjala vjen, në periudhën e pandemisë Covid 19, ka njerëz në Kosovë që nuk besojnë në ekzistencën e coronavirusit, duke konspiruar se është propagandë me qëllime të përfitimit ekonomik dhe manipulimit ideologjik.

      Pra, edhe kur një gjë pranohet botërisht, nga shumica e shteteve të botës, për të cilën krijohen teori nga institute dhe universitete shkencore me renome botërore, të vërtetuara në këndvështrime dhe disiplina të ndryshme, epidemiologjike, virologjike, infektologjike, mikrobiologjike, biokimike, sociologjike e psikologjike, nga specialistët dhe ekspertët e dëshmuar, analfabetët funksionalë me errësirën dogmatike dhe me logjikën primitive, krijojnë narracione konspiruese të falsifikuara dhe shpjeguara në atë mënyrë që e bën të lehtë besimin në to – viktimizimin, me tentimet për t’i ”racionalizuar” ato, ashtu që ta shmangnin rrezikun dhe krizën, t’i iknin ankthit social e konsumit psikik që po prodhon pasoja.

      Ata i shohim duke komentuar se virusi është një lojë e Fuqive të Mëdha; se virusi është një komplot botëror; se kjo pandemi është krijuar për të tërhequr vëmendjen se po vendoset një ”rend i ri botëror” dhe se bota përmes tij do të transformohet; se ”të infektuarit” po përfitojnë shuma të caktuara parash me kushtin që ta pranojnë statusin e të infektuarit pa qenë fare të infektur; se nëpërmes zbulimit të vaksinës dhe vaksinimit do të vendoset një mikroçip në trupin e njeriut dhe kështu do të vendoset kontrolli dhe sundimi mbi mendjet e njerëzve (pasoja: skepticizmi i vaksinimit si një ndër rreziqet kryesore të shëndetit publik); se virusi është prodhim i qëllimshëm laboratorik si armë biologjike apo biokimike për shfarosjen e njerëzve; se virusi është krijuar vetëm për të prodhuar vaksina dhe për të përfituar industria farmaceutike; se virusi është krijuar për të ulur apo dekompozuar numrin e popullsisë botërore, në veçanti moshës së shtyer – pensionistëve – me qëllim të kursimit të buxhetit të shteteve; se mjekët qëllimisht po i mbytin pacientët me Covid 19 duke përshpejtuar vdekjen e tyre përmes trajtimit joadekuat etj!

      Pra, po jetojmë në një periudhë kaotike ku po shohim lulëzimin e teorive të konspiracionit në rrjete sociale dhe media elektronike, të cilat po e komprometojnë vetëdijen dhe referencat shkencore të institucionalizuara. Dhe popullarizimi i konspiracioneve është bë i rrezikshëm po aq sa virusi, sepse po rrezikohet jeta e njerëzve, po ka humbje të mëdha të njerëzve. E gjithë kjo krijon konfuzion dhe skepticizëm të madh te njerëzit, duke i bërë ata të shpërfillshëm ndaj masave, se mos është një plan i fshehtë i shërbimeve sekrete prapa kësaj. Madje disa ironizojnë me virusin duke treguar papjekurinë dhe mendjelehtësinë e tyre.

      Një gjë është e sigurt se ky virus është i paparashikueshëm dhe si i tillë ka rrëzuar shumë hipoteza të ngritura në fillim të pandemisë që përjetoheshin si shpresë për tejkalimin e tij, se virusi dobësohet dhe zhduket në temperatura të larta, se virusi nuk i infekton fëmijët, se valët e përhapjes së virusit nuk zgjatin shumë dhe virusi për pak muaj zhduket, se na presin dy javë kritike e në fakt po na dalin gati dy vite kritike, gjë që ndodhi e kundërta. Prandaj përderisa ekzistojnë ende pyetje pa përgjigje, ku shkencëtarë të ndryshëm në botë po bëjnë hulumtime dhe po sjellin të gjetura të reja, sidomos në përpjekjen e tyre për zbulimin e vaksinës e cila ditëve të fundit japi disa shkëndija pozitive të efektivitetit në eksperimentimet e bëra, qytetarët duhet ta kursejnë gjuhën e tyre nga konstatimet e ngutshme e të pamatura në emër të shkencës. Hulumtimet shkencore janë referenca shkencore dhe jo statuset dhe qëndrimet personale të skeptikëve që krijojnë opinion në rrugë.

      Këto konspiracione krijohen dhe shpërndahen nga njerëzit më injorantë, më të pashkolluar, që nuk dinë ndonjë gjuhë të huaj, analfabetë funksionalë në përdorimin e teknologjisë, që shoqëria nuk i njeh për ndonjë kontribut të veçantë, të cilët nuk i njohin të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara me ligj, që nuk i njohin as problemet e vendit të vet, as të lagjes e as të familjes së vet, por që pretendojnë se e dinë të fshehten, të ardhmen, komplotet, rendin e ri botëror, marrëveshjet gjeopolitike dhe gjeostrategjike, planet sekrete, parashikimin për virusin etj. Ata që i dinë të gjitha këto nuk dinë asgjë.

      Kjo tregon edhe krizën e thellë të autoritetit të politikës dhe shkencës, ndonëse njerëzit mund të dyshojnë në shkencë sepse arritjet e saj nganjëherë në histori janë përdorur në dëm të njerëzve. Por njerëzit e vetëdijshëm besojnë se shkenca është në shërbimin e njeriut, se shkenca është një projekt në kërkim të së vërtetës dhe jo vetëm një instrument politik a propagandistik, që i shërben vetëm politikës, grupeve oligarke të interesit, qëllimeve të elitave për dominim.

      Kur edukimit i mungon kultura, vlerat humane, përgjegjësia publike, standardi etik, besimi në Allahun, Zotin dhe Krijuesin e Njerëzimit, atëherë ai keqpërdoret dhe instrumentalizohet, deri në format më ekstreme korruptive dhe të manipulimit publik. Pastaj nga një formë e edukimit pa kulturë paraqitet rreziku i keqpërdorimeve për interesa të caktuar.

      Sipas një artikulli të Daily Mail, dokumentet e zbuluara tregojnë se industria e sheqerit ka paguar dhe korruptuar shkencëtarët prestigjiozë të Harvardit që të publikojnë hulumtime që thonë se yndyra, jo sheqeri, ishte shkaku kryesor i sëmundjeve të zemrës. Pra, këtu kemi pasur të bëjmë me korruptimin e ndërgjegjes akademike, me keqpërdorimin e autoritetit të shkencës, si rezultat i mungesës së përgjegjësisë publike dhe standardit moral e etik në shkencë.

      Prandaj është shumë e logjikshme pyetja se a më shumë po i shërben njeriu shkencës apo shkenca njeriut? Kjo pra është ana tjetër e shkencës, që njerëzit i bën skeptikë, e nganjëherë skepticizmit dhe konfuzionit i kontribuon edhe komplikimi i përgjigjeve shkencore.

      Ambienti më i përshtatshëm i dezinformatës dhe të pavërtetave është ambienti i injorantëve. E injorantët dhe analfabetët funksionalë, që mendojnë me logjikën e turmave, nuk u besojnë koncensuseve dhe teorive shkencore. Më shumë kanë afinitet për të besuar në teori të komplotit dhe të konspiracionit. Ata dinë vetëm të shpërlajnë trurin e njerëzve, të masës së pavetëdijshme. E kjo filloi të përhapej edhe nga njerëz që kishin popullaritet, këngëtarë të estradës muzikore, totalisht naivë dhe injorantë, që në deklaratat e tyre mohonin ekzistencën dhe rrezikun e virusit, duke nënçmuar gjithë kontributin e jashtëzakonshëm të stafit mjekësor, gjithë ndjenjat e personave që humbën familjarët dhe miqtë nga Covid 19, gjithë ato institucione të angazhuara në luftë kundër pandemisë.

      Më shumë janë të prirur t’iu besojnë falltorëve e magjistarëve, demagogëve mashtrues, apo miteve, bestytnive dhe legjendave, të jetojnë si peng të tyre, të kontrolluar prej tyre, sesa një raporti shkencor të verifikuar me prova shkencore. Më përpara kërkojnë shërim tek autoritetet e rrejshme, te manipuluesit e popullit, që kanë bërë emër në shoqëri me metoda primitive, sesa te trajtimet shkencore, te profesionistët shkencorë me aparaturë shkencore moderne.

      Njësoj ekziston edhe një dozë mosbesimi dhe një mendim kritik ndaj mjekësisë dhe farmacisë moderne, me idenë se ”Big Pharma” është e interesuar vetëm në mbajtjen nën tretman dhe recepturë mjekësore të sëmundjeve dhe jo në shërimin absolut të tyre, për shkak se ajo është industri dhe profit, duke marrë shembuj të ndryshëm se si industria farmaceutike në ShBA vetëm për trajtimin e kancerit fiton 100 miliard dollarë në vit apo se si vetëm një medikament që trajton kolesterolin fitimin vjetor në ShBA e ka 15 miliard dollarë.

      Prandaj duhet të minimizohet rreziku që mjekët të bëhen instrumente të industrisë së farmacisë duke mbajtur një qëndrim më kritik dhe kështu ta rikthejnë besimin në shkencë, duke e bërë atë udhërrëfyesin dhe referencën kryesore për zgjidhjen e shumë problemeve dhe dilemave bashkëkohore lidhur me shëndetin publik. Injorimi i shkencës, mohimi i fakteve dhe i provave të vërtetuara, fshehja e gjurmëve, skepticizmi ndaj ekspertëve dhe ekspertizës, tregon që shoqëria është ende në nivele shumë të ulta të zhvillimit dhe larg qytetërimit./ KultPlus.com