Kryetari Rama për Gala Mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’: Prishtina u shndërrua në një skenë të hapur ku arti pushtoi zemrat e mijëra qytetarëve

Këto ditë, Rame Lahaj International Opera Festival- RLIOF ka përmbyllur edicionin e pestë me radhë me Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends”, pas një sërë koncertesh dhe aktivitetesh kulturore me artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët i dhanë Prishtinës imazhin e një qyteti me traditë të muzikës klasike.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se këto aktivitete të mbajtura në kuadër të festivalit RLIOF e kanë shndërruar kryeqytetin në një skenë të hapur, ku arti ka pushtuar zemrat e mijëra qytetarëve.

“Gala “Rame Lahaj & Friends” solli emra të mëdhenj të skenës botërore dhe një emocion të papërshkrueshëm për të gjithë të pranishmit.

Kryeqyteti do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm artistët tanë dhe çdo iniciativë që ndërton ura mes kulturave, sjell artin më të mirë në vendin tonë dhe e vendos kryeqytetin në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare.

Ky është vizioni ynë, një Kryeqytet që jeton me artin dhe kulturën”, ka thënë Kryetari Rama në Facebook./ KultPlus.com

Tenori Ramë Lahaj pritet në takim nga Ambasadori Hovenier: ‘Gala Mbrëmja’ do të jetë një organizim madhështor

Tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj, sot është pritur në takim nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Ky takim i tenorit Lahaj dhe Ambasadorit Hovenier është zhvilluar në vigjilje të ngjarjes së madhe operistike “Gala Mbrëmjes”, e cila vjen në kryeqytet në kuadër të edicionit të katërt të Rame Lahaj International Opera Festival.

Hovenier me këtë rast ka thënë se ky organizim do të jetë madhështor.

“I nderuar të mirëpres këngëtarin e njohur amerikan të operës Charles Castronovo, në Kosovë, së bashku me mikun tim dhe këngëtarin e operës kosovare të klasit botëror Rame Lahaj. Performanca e tyre e 2 gushtit në sheshin Skënderbej premton të jetë e mahnitshme! Gjithmonë një kënaqësi për të mbështetur diplomacinë muzikore dhe shkëmbimin kulturor,” ka shkruar ambasadori Hovenier./ KultPlus.com

Tenori Ramë Lahaj me koncert dedikues ndaj komunitetit shqiptar në ShBA: Dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin Kosovës

Tenori i njohur, Ramë Lahaj, organizon koncert i cili i dedikohet komunitetit shqiptar i cili jeton New York, si shenjë mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen e imazhit të shqiptarëve si dhe në çlirimin e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Tenori Lahaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Tej mase i lumtur që më në fund më 12 prill 2024 do jem në New York, me një koncert dedikuar enkas komunitetit shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për imazhin e shqiptarëve në përgjithësi dhe çlirimin e Kosovës në veçanti”, ka shkruar Lahaj.

Koncerti do të mbahet më 12 Prill, në një nga sallat më historike të New Yorkut, në ‘Saint George Theater’./KultPlus.com

Me koncert të Ramë Lahajt, Ulqini hap sezonin turistik

Tenori i mirënjohur kosovar, Ramë Lahaj, të premten do ta mbajë koncert në Ulqin të Malit të Zi.

Kështu ka bërë të ditur “Ul-Info”, duke shtuar se përmes këtij koncerti do të hapet edhe sezoni kryesor turistik.

“Fillimin e sezonit kryesor turistik në Ulqin do ta shënojë koncerti spektakular i cili do të mbahet në Molen e Madhe, poshtë mureve të Kalasë shekullore. Ylli i kësaj mbrëmje do të jetë tenori i njohur Ramë Lahaj nga Kosova i cili gjatë karrierës së tij ka interpretuar në skenat më të njohura botërore dhe si i tillë është shpërblyer me një sërë mirënjohjesh të çmuara”, shkruan ky portal.

Organizatorë të kësaj ngjarje të rëndësishëm janë Komuna e Ulqinit, Organizata Turistike, Qendra për Kulturë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit e Malit të Zi./klankosova/KultPlus.com