Shqipëri, të qofsha falë, të kam nënë e më ke djalë…

– Poezi nga Lasgush Poradeci

Shqipëri! moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime!
Shqipëri! të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë

Ç’u mbush mali me dëborë,
Ç’u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë
Plot me krushq e me dasmorë,
S’janë Toskë e Malësorë
Me flamur të kuq në dorë
Si dhëndurë me kurorë.
Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë
Shqipëtarët gunë-bardhë,
Seç na ardhë palë-palë
Duke rutulluar malë
Kush më këmb’e kush më kalë
Kush më shpejt, kush më ngadalë;
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mun në Vlorë,
Mun në Vlorën e lirisë,
N’atë thelb të Shqipërisë.

Zemërimi jonë

Poezi nga Lasgush Poradeci

Si të t’a them të shkretën vojtje që ndjej në zemër ças-përças,
Atë durim të padurura të zemërimeve pa gas.
Tashi zë çel një vrer në buzë, tashi zë ndrin një vaj në sy,
Edhe të dhemb më keq se mua, edhe më dhemb më keq se ty.

Kjo këng’ e fellë e heshtjes s’ate, vështrim’i derdhur gjithë përdhe,
Stolitë e hireve të tua ndaj shkon me turp si nuse e re,
Dhe kaqë mijë dashurira, kaq dhëmbshuri që s’thuhet dot,
M’a mbushin plot të mjerën zemër, vetëm me gas, vetëm me lot.

E pata pyetur vetëveten, me t’j-u përgjigjur vetvetiu-
Pse kaqë zi ti motra ime, pse kaqë vrerë unë i ziu:
Nuk paske qënë vrer e zi, po qënke vetëm dashuri,
Qënke një dritë fshehtësije plot bukuri! plot bukuri!

Dhe më pëlqen ah zemërimi ndaj vjen e shkon e qesh e qaj’
Ndaj ri mendohem duke pyetur: a mos ke faj? a mos kam faj?
Dhe ja! m’a fal çfardo mërije! dhe ja! t’a fal çfardo mëri!
Dhe më mbush prapë plot me dritë, plot me të ëmblën dashuri./ KultPlus.com

Syt’ e tu, vetëtimtarët

Poezi nga Lasgush Poradeci

Syt’e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt’e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh
Si t’i fshesh qipall’e rëndë të paçmuarat stoli.

Kur i pash’oh! Në nat’helmi, hën’e largë-ish derdhur n’ar.
Kur i pashë në nat’helmi, ar i derdhur m’u bëj zija:
M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt’ hijen e tija:
Mi shtrat fletë sapo shtruar…na shij qjelli zilitar…

Syt’e tu- enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim;
Syt’e tu- çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.

Syt’e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht.
Syt’e tu vetëtimtarët ëndërojne-aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt’e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht./ KultPlus.com

‘Kush ta fali bukurinë’

Lasgush Poradeci

Kush ta fali bukurinë
Qe t’ë më trerosh te zinë!

Kur të pashë për të vluar,
Pëllumbeshë pendë-shkruar,
Bubu! Plumb në kraharuar,
Plumb që vret dyke gjemuar!

Mbledhur shoqet me një qoshe,
Dic, m’ju flisje, dic m’ju thoshe,
Gushë-e-llerë-e-gji-bardhoshe.

Pa me syckëzat e tua,
Sy-larme! C’më fole mua.

Leshrave t’ju binte hija,
Yll i ndezur me shkëndija,
Ndezur mun në mes ne ballë,
Të më vesh në dhe të gjallë. /KultPlus.com