Loro Boriçi, legjenda e futbollit shqiptar

Si sot, 100 vite më parë, lindi Loro Boriçi. Ai ishte një nga futbollistët më të njohur shqiptarë.

U lind në Shkodër, ku me Vllazninë luajti vitet e para për të provuar më pas Serinë A italiane me ekipin e Lacios. Aventura italiane nuk zgjati shumë, pasi pas dy vjetësh kthehet përsëri në “fushën” shqiptare.

Suksesi më i madh i tij ka qenë Kupa Ballkanit me kombëtaren e Shqipërisë në 1946.

Gjatë 20 viteve të karrierës, Boriçi do të luante për Partizanin, Vllazninë dhe Spartakun e Tiranës. Pas përfundimit të karrierës si futbollist do fillonte atë të trajnerit. Drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, Spartakun e Tiranës, Partizanin, Lokomotivën e Durrësit e për disa vite edhe kombëtaren e RP të Kinës.

Vendlindja e kujton në stadiumin e saj, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e kujton me këtë foto midis nxënësve të tjerë në Kolegjin Saverian, në Shkodër. / atsh / KultPlus.com

Shkëlqimi i Fadil Vokrrit përmes fotografive (FOTO)

Sot bëhen 61 vjet nga lindja e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit.

Fadil Vokrri ka lindur në fshatin Sfeçël në komunën e Podujevës. Ai njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.

Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futobollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazheviç, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.

Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Fadil Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola. Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë ndërsa në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë. Pas një kohe të suksesshme atje, ai u kthye në Kosovë ku ishte udhëheqës i Federatës së Futbollit Kosovar. Vokrri ishte më meritori që fillimisht Kosovës iu lejuan ndeshjet miqësore nga UEFA dhe FIFA.

Ndërkohë pas kësaj leje, Vokrri përsëri bëri punën më të madhe që FFK të pranohet me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.


KultPlus i sjell sot disa pamje të cilat flasin për shkëlqimin e tij në fushë. / KultPlus.com