Në përfundime jashtëzakonisht interesante u arrit një ekip analistësh, të cilët mblodhën dhe vlerësuan të dhënat e lindjeve të Zyrës Kombëtare të Statistikave të Mbretërisë së Bashkuar për lindjet e regjistruara mes viteve 2001 dhe 2021 në Angli dhe Uells, duke zbuluar ditëlindjet më të zakonshme, por edhe më të rralla.
Protagonist absolut në lindje duket se është shtatori , duke zënë tre të parat nga pesë datat më të shpeshta të ditëlindjeve. Në veçanti, dita më e zakonshme e lindjes duket të jetë 27 shtatori , duke regjistruar mesatarisht 1993 lindje në vit. Kjo pasohet nga data 24 dhe 25 shtator, me 1987 dhe 1980 lindje mesatarisht çdo vit. Pesë ditëlindjet më të zakonshme janë 1 tetori dhe 23 shtatori, me 1,979 lindje në vit të dyja.
Analistët besojnë se një arsye që mund të shpjegojë shpeshtësinë e lindjeve në shtator është dëshira e çifteve që fëmijët e tyre të jenë më të mëdhenjtë në klasë gjatë viteve të tyre të shkollës. Të tjerë ende argumentojnë se këto rezultate janë për shkak të faktit se njerëzit bëjnë më shumë seks gjatë festave të Krishtlindjeve.
Të njëjtat të dhëna zbuluan edhe datën më pak të shpeshtë të lindjes: Është 26 dhjetori, pra dita pas Krishtlindjes, e cila regjistron vetëm 1345 lindje çdo vit. Edhe në ditët e festave të mëdha dimërore, pra Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, lindjet janë pak më të larta, përkatësisht 1416 dhe 1563.
27 dhe 28 dhjetor përmbyllin treshen e ditëlindjeve më pak të zakonshme, duke regjistruar përkatësisht 1650 dhe 1722 lindje në vit. Analistët besojnë se kjo është për shkak se operacionet cezariane zakonisht nuk planifikohen në atë kohë, kështu që kryhen vetëm lindje normale dhe urgjente . “Lindjet e planifikuara zakonisht zhvendosen në data jashtë kësaj periudhe”, thonë analistët.
Dita e 1 prillit është gjithashtu e ulët në numër lindjesh , me një mesatare prej 1722 lindjesh në vit. Studiuesit besojnë se ata prindër që kanë një zgjedhje, nuk duan që fëmijët e tyre të lindin në një ditë që është shoqëruar me shaka dhe gënjeshtra. Një datë lindjeje jashtëzakonisht e rrallë – siç edhe pritet – është edhe 29 shkurti, datë që shfaqet një herë në katër vjet dhe renditet e 355-ta nga 366 ditë në renditjen e lindjeve.
E njëjta analizë arriti edhe në disa konkluzione interesante në lidhje me profilin e mëmësisë: Sipas gjetjeve, mosha mesatare e grave që kanë fëmijë po rritet, pasi në kohët moderne gratë duket se po e shtyjnë krijimin e familjes deri në fund të jetës.
Në veçanti, mosha mesatare e amësisë tani është 31 vjeç, rreth 5 vjet më shumë se mosha mesatare e amësisë në vitet 1970. /Express /KultPlus.com
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, këto janë fjalët e Shën Nënë Terezës që i kujtojmë në përvjetorin e datëlindjes së saj.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.
Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 5-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku (2016), Dioqeza Prizren-Prishtinë, organizon akademi solemne, ditën e sotme, në orën 19:00, në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. / KultPlus.com
Kantautori amerikan Bob Dylan, fitues i shumë çmimeve të rëndësishme, feston sot ditëlindjen e 81, shkruan KultPlus.
Dylan është autor i shumë albumeve muzikore me këngë që i dhanë famë në mbarë botën. Këngët e tij të famshme janë “Blowin’ in the Wind”, “Like a Rolling Stone” dhe “Hurricane”. Për mëse 5 dekada, ai dha shumë koncerte dhe arriti të jetë fitues i Çmimit Nobel për letërsi, për vitin 2016 me tekstet e tij poetike.
Bob Dylan është një nga muzikantët më të famshëm në botë në vitet 60. Deri më sot ai ka fituar 11 Grammy Awards, dhe është futur në Grammy Hall of Fame dhe Rock and Roll Hall of Fame. / KultPlus.com
Më 28 tetor të vitit 1955 lindi Bill Gates, njeriu që botës i dha kthesë historike për sa i përket teknologjisë dhe zhvillimit të saj. Gates është pronari edhe kryearkitekti softëare-i i firmës së njohur Microsoft e cila bënë xhiro rreth 36.84 miliard dollar Amerikan në vit edhe ka 128,000 punëtorë[1] të shpërndarë në 85 vënde të ndryshme në botë.
Në vijim, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Gates, të cilat sipas tij nuk mund t’i mësoni në shkollë..
1. Jeta nuk është e drejtë, mësohuni me të. Mjaft pritët që jeta “t’ju sjellë” gjërat që ju mendoni se “i meritoni”. 2. Botës nuk i bëhet vonë për vetëvlerësimin tuaj. Filloni të bëni diçka me veten dhe për veten tuaj sot. Tani! 3. Nuk do të kesh një pagë me gjashtë shifra menjëherë pas shkollës. Do të duhet të punosh fort për të arritur atë që dëshiron. 4. Nëse mendon se mësuesi është i ashpër, prit të shohësh si do të jetë shefi. Në vend të të “hajë me dhëmbë” përpara klasës, tani do të jetë përpara një zyre të tërë. 5. Gatimi i hamburgerëve nuk është “përtej dinjitetit tënd”. Gëlltite atë krenari idiote dhe merre atë punë që tani mendon se është nën nivelin që ti meriton. 6. Nëse i çon gjërat për dreq, nuk është faji i prindërve. Mjaft shpërndave fajësime dhe fillo të marrësh përgjegjësi për dështimet e tua. 7. Prindërit dinë diçka që ti nuk e di. Ndoshta, para se të lindje ti, prindërit e tu nuk kanë qenë aq të mërzitshëm sa janë sot. 8. Shkolla mund të ketë hequr fituesit dhe humbësit, por jeta jo. Rezultati i një provimi nuk justifikon mjetet. Nuk ka as edhe ngjashmërinë më të vogël me atë që ndodh në jetën reale. 9. Jeta nuk është e ndarë në semestra. Një herë që fillon, jeta vazhdon e vazhdon, pa fund. Kështu që shpenzoje kohën tënde duke bërë një gjë që vlen. 10. Ajo që sheh në televizor nuk është jetë reale. Në jetën reale, njerëzit duhet ta lënë kafenenë dhe të shkojnë në punë. 11. Tregohu i mirë me ata që vetëm mësojnë. Shanset janë që do të përfundosh të punosh për një prej tyre. / KultPlus.com
Aktorja e njohur Roza Anagnosti, “Artiste e Merituar” feston sot 78 vjetorin e lindjes.
Teatri Kombëtar në Shqipëri uron aktoren e madhe Roza Anagnosti me rastin e ditëlindjes, transmeton KultPlus.
Anagnosti është aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë shqiptare. E filloi karrierën ne Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyn në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963).
Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jonë” (H. Hakani, 1964). Në shtator 1964, ajo bëhet pjesë e trupës të Teatrit Kombëtar. Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranë ku mund të përmendim: “Qielli i kuq”, “Mbreti Lir”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Vizita e inspektorit”, “Cuca e maleve”, “Toka jonë”, “Besa e madhe”, “Zonja nga qyteti” etj.
Roza Anagnosti u shndërrua në aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare.
Çifti Roza dhe Dhimitër Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), ”Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi “Medalionin e Festivalit” të vitit 1977, “Mësonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall “Aktorja më e mirë” dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi ‘Medalionin’ e dytë. Anagnosti ka interpretuar edhe në filmat “Ndërgjegjia” 1972, “Qyteti më i ri në botë” 1974, “Në shtëpinë tonë” 1979, “Dita e parë e emërimit” 1981, “Besa e kuqe” 1982, “Taulanti kërkon një motër” 1984, “Pranverë e hidhur” 1985, “Botë e padukshme” 1987, “Familja ime” 1987, etj. / KultPlus.com
Më 26 tetor të vitit 1947 lindi Hillary Diane Rodham Clinton. Ajo është ish-Sekretare e Shteteve të Bashkuara, senatore amerikane, dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara nga 1993 deri në 2001.
Kohë më parë Teen Vogue botoi një letër që Clinton e kishte shkruar për veten e saj si një vajzë e re në kolegj, letër kjo të cilën KultPlus e sjell sot në ditëlindjen e kësaj gruaje të fuqishme e të njohur në mbarë botën.
Në letër, ajo ofroi disa këshilla shumë të vlefshme dhe nxjerri në pah disa nga pasiguritë me të cilat është përballë si një studente e re. Duke iu drejtuar vetes si një studente e semestrit të parë në Wellesley College, ajo kishte shkruar.
“Kur erdhe për herë të parë në kampus, u gjenda e rrethuar nga gra të mrekullueshme dhe të kualifikuara. Ato flisnin rrjedhshëm në shumë gjuhë të tjera. Ato kishin jetuar jashtë vendit. Ato kishin lexuar tashmë gjysmën e librave të programit mësimor. Kjo më frikësonte – ishte aq e frikshme për mua sa që u telefonon prindërve për t’u thënë se nuk i përket kolegjit Wellesley, dhe në fund të fundit duhet që të ktheheshe në shtëpi”, kishte shkruar Hillary.
Mësimi që Hillary kishte nxjerrë nga kjo përvojë ishte. “Rrezikoni dhe mos kini frikë të kapeni duke u përpjekur”, tha Clinton. “Bëni çmos për të përqafuar entuziazmin që vjen me mosnjohjen e asaj që vjen në të ardhmen dhe mos harroni se besimi dhe mendja e hapur gjithmonë do t’ju shërbejnë më mirë se pasiguria dhe dyshimi”, kishte shkruar Hillary Clinton. / KultPlus.com
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip, përcjell KultPlus.
Mësimet e para i kreu në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës , një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i ‘Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë’.
Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në perëndim e në lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e tij, Agolli e vendosi veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Si shkrimtar i madh i një ‘gjuhe të vogël’, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombës, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, ai gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij, Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë.
Vepra e tij poetike më e njohur është “Nënë Shqipëri”, ku krijohet figura e atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta me të cilat u përballen. Me vëllimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorkat e mesnatës” autori shpall sfidën e tij të re të mjeshtërisë. Ne këto vëllime shpërfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj. Në prozë, bëri emër sidomos romani ‘Komisari Memo’, në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës Nacional – Çlirimtare.
Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Evropian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”. / KultPlus.com
Sot është 86 vjetori i lindjes së aktores së papërsëritshme, Melihate Ajeti, e cila lindi në Prishtinë më 9 tetor 1935.
Semimaturën e kreu në Prishtinë. Vijoj shkollën e aktrimit në Prishtinë dhe bëri një specializim në Paris (Comedie Française). Aktorja numër një e teatrit prishtinas, e nisi aktrimin si 16 vjeçare më 1951 në Teatrin Krahinorë të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore me të cilat dëshmoi talentin, bukurin e kapacitetin e madh prej aktoreje.
Melihate Ajeti, apo siç e quanin miqtë, Meli, qe një kombinim mes të prekshmes dhe mitologjikes, mes përrallores dhe të dukshmes.
Loja e saj e jashtëzakonshme në teatër dhe në filmat “Vajza pa pajë”, “Kur pranvera vonohet”, “Trimi”, “Etja”, e bëjnë Melihate Ajetin primadonë të filmit e të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Aura e saj rrezatuese, tepër e madhe për skenën e vogël të Teatrit të Kosovës!
Shpërblimet e lëvdatat e panumërta: Për Zonjën me Kamelie – Shpërblimi i dhjetorit (1963). Joakim Vujic(1972) dhe (1975) për Hajrijën dhe Svingën. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë për Ervehen (1971). Çmimi më i lartë i punës (1976). Më 1985 shpërblimi i parë për rol femre në “Shtetrrethimin” në festivalin Joakim Vujic.
Këto janë vetëm disa mirënjohje që dëshmojnë se Melihate Ajeti ishte Primadona e skenës shqiptare. Ajo vdiq më 26 mars 2005 në Prishtinë. / KultPlus.com
Këngëtari i mirënjohur, Armend Rexhepagiqi, edhe pse tash nuk është më aktiv në skenën muzikore ai veçse ka krijuar një bagazh të madh muzikor i cili do të jetojë gjatë në historinë e muzikës shqiptare, shkruan KultPlus.
Një këngë që pikëllon por edhe sjellë nostalgji, “Edhe një herë” është një nga baladat tjera që Armend Rexhepagiqi realizoi në kohën e famës së tij më të madhe.
Sot, Rexhepagiqi feston ditëlindjen e tij të 55-të dhe pikërisht në këtë ditë, KultPlus sjell këtë këngë jo për të sjellë pikëllim, por nostalgji për vitet e kaluara dhe për reflektim duke dëgjuar zërin e dashur të Armendit.
Ka shumë ditë që pikëllimi më mban si një sëmundje e rëndë që bar nuk ka e s`më le të jetoj ka shumë ditë që rrugët përherë na janë nda e ditët e mija netët e mija kot unë i harxhoj
A ka në botë kudo arsye për këtë vuajtje o më beso se faj nuk kam që forca po më le se çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe ëndrrat për dashuri
Edhe një herë o veç edhe një herë këngët që i këndoj të kam o kujt të ja dhuroj edhe një herë o veç edhe një herë gjakun o prapë ta ndez veç një mëngjes me ty ta pres
Edhe një herë o veç edhe një herë të të takoj e veç një çast gëzimi ta jetoj me ty edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë vetëm edhe një herë
Diçka e rëndë sikur hyri në mua më shtrëngon e po dhemb ma mori sigurinë nuk jam i njëjti ai njeri dhe çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe ëndrrat për dashurinë
Edhe një herë o veç edhe një herë të të takoj e veç një çast gëzimi ta jetoj me ty edhe përherë ti mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri edhe një herë o mos të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë vetëm edhe një herë
Se ka shumë ditë që pikëllimi më mban si një sëmundje e rëndë që bar nuk ka e s`më le të jetoj faj unë nuk kam që forca mua më le e s’mund të vdes pa të pa, pa të pa edhe një herë edhe një herë, edhe një herë.
Armend Rexhepagiqi njihet si legjenda e muzikës shqiptare, ka shkruar dhe kompozuar shumë këngë siç janë : Qaforja, Edhe një herë, Ajo, Dashurine ku e kam, Nasht, Ne radio, Kaqurrele, Te furra e Qerimit, Kuj do t’ia shpreh pikellimin tim, Dude dudie, Ti nuk me meriton, Dugi, Dam dam dam, Harrova, Betohem me këngë, Shko, Qendresa, e shumë e shumë këngë të tjera.
Në vitin 1990 ai përfaqesoi denjësisht Kosoven në Jugovizion për zgjedhjen e këngës kombëtare për garën e Eurovizionit, kënga ishte në shqip dhe quhej ”Mami Mami”. Në vitin 2006 ai doli fitues në festivalin Kenga Magjike me këngën “Kur dashuria vdes” si dhe arriti të marrë çmimin e Kantautorit më të mirë. Si dhe po në këtë vit fitoi video-festivalin e “Video Festit Muzikor” me këngën e tij “Shkel” e cila njihet si një ndër këngët më të mira të tij.
Ai bashkë me gruan e tij, Aida Baraku ka kompozuar këngë edhe për shumë këngëtarë të tjerë siç jane Adelina Berisha, Jehona Sopi, Lori, Valza Bajra, Blertina Shabani, Nora Istrefi, Tuna, Ryva Kajtazi, Leonora Jakupi e shumë e shumë këngëtarë të tjerë ku shumica e këtyre këngeve kanë qenë hite. / KultPlus.com
Më 21 shtator të vitit 1934 lindi njëri nga artistët më të mëdhenj të muzikës, Leonard Cohen.
Leonard Cohen është këngëtar i huaj i njohur. Leonard Norman Cohen ishte një këngëtar-kompozitor kanadez, poet dhe romancier. Puna e tij hulumtoi fenë, politikën, izolimin, seksualitetin dhe marrëdhëniet romantike. Cohen u fut në sallën e famës së muzikës kanadeze, në kanalin kanadez të këngëtarëve të famshëm dhe në sallën e famës Rock and Roll.
Ai u investua si një Shoqërues i Urdhrit të Kanadasë, nderi më i lartë civil i kombit. Në vitin 2011, Cohen mori një nga Çmimet e Prince of Asturias për letërsinë dhe çmimin e nëntë Glenn Gould.
Cohen ndoqi një karrierë si poet dhe romancier gjatë viteve 1950 dhe në fillim të viteve 1960; ai nuk nisi një karrierë muzikore deri në 1967, në moshën 33 vjeç.
Albumi i tij i parë, ”Songs of Leonard Cohen” (1967), u pasua nga tre albume të muzikës popullore: ”Songs of a Room” (1969), ”Songs of Love and Hate” (1971) dhe ”New Skin for the old Ceremony” (1974). Regjistrimi i tij i vitit 1977, ”Death of a Ladies’ Man” ishte bashkë-shkruar dhe prodhuar nga Phil Spector, i cili ishte një lëvizje larg nga tingujt e mëparshëm minimalë të Cohen. Ndoshta kënga më e famshme e Cohen, “Hallelujah” u lansua për herë të parë në albumin e tij të studimit “Various Positions” në vitin 1984.
Cohen u kthye në muzikë në vitin 2001 me lirimin e Ten New Songs, e cila ishte një hit i madh në Kanada dhe Evropë. Albumi i tij i 11-të, I dashur Heather, pasoi në vitin 2004.
Pas një vargu të suksesshëm të turneve midis 2008 dhe 2013, Cohen lëshoi tre albume në katër vitet e fundit të jetës së tij: ”Old Ideas” (2012), ”Popular Problems” (2014) dhe ”You Want It Darker” (2016), i fundit prej të cilit u lirua tre javë para vdekjes së tij.
Më poshtë, KultPlus ju sjell njërën ndër poezitë më të njohura të këtij artisti të madh.
Poezia titullohet nuk ke pse më do dhe vjen e përkthyer nga Ilir Sofroni.
Nuk ke pse më do
Nuk ke pse më do ngaqë je si të gjitha gratë që përherë më kanë munguar U linda për të rendur pas teje çdo natë dhe prapë jam orteku me burra që të dashurojnë Të takoj në tryezë ta marr grushtin mes duarve të mia në taksi nusesh zgjohem fillikat gishtat e mi – te mungesa jote në Bujtinën e Virtytit. I shkrova tërë këto këngë për ty ndeza qirinj të kuq e të zinj në trajtën e një burri dhe një gruaje u martova me tymin e dy piramidave me nallane druri u luta për ty u luta të më duash u luta të mos më duash. / KultPlus.com
Më 15 shtator të viti 1890 lindi Agatha Christie, autorja e cila u bë e njohur në botë për novelat e saj të zhanrit krim, gjithsej 66 të tilla, 14 vëllime me tregime të shkurtra dhe po ashtu për dramën më të shfaqur në histori “The Moustrap”.
Ajo është autorja më e shitur në botë, me 2 billion kopje të shitura, duke e thyer edhe rekordin botëror në Guiness World Records.
Shumë libra të Christie janë adaptuar për televizion, radio, dhe libra grafik. Janë dikund rreth 30 filma të bazuar në romanet e saj. Autorja u edukua në shtëpi nga prindërit e saj dhe filloi të shkruante tregime të misterit gjatë Luftës se dytë Botërore.
Fillimet e saj ishin të vështira dhe shpesh nuk iu pranuan librat nga shtëpitë publikuese, megjithatë libri i saj i parë “The Mysterious Affair at Styles” ishte një sukses i madh. Gjatë fundit të karrierës së saj ajo flloi të shkruante romane të zhanrit romancë me libra si “Unfinished Portrait” dhe “A daughter’s daughter” ndër pseudonimin Mary ëestmacott.
Chrisite u titullua Damë nga shteti i Anglisë në vitin 1971, ndërsa ajo u pa për herë të fundit në publik në vitin 1974 kur u shfaq drama e saj “Murder on The Orient Express. “. Ajo vdiq në vitin 1976. / KultPlus.com
Kujtojmë sot në ditën e lindjes një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, Abdyl Frashëri.
Si sot, më 29 gusht 1839, në Frashër të Përmetit lindi Abdyl Frashëri biri i Halid beut. Emrin e vërtetë e ka Abdullah Hysni. Është një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Është shquar si personalitet politik gjatë Krizës Lindore, në shek. XIX. Në Parlamentin e Parë Osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës; u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës (1877) dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Perandorinë Osmane.
Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës. Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane.
Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.
Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com
Michael Joseph Jackson, lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana.
Ai ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, valltar amerikan. I pagëzuar si Mbreti i Popit, apo siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, King of Pop, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kontributet e Jackson në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë një figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.
Michael Joseph Jackson vdiq më 25 qershor 2009 në Los Anxhelos, Kaliforni./ KultPlus.com
Ali Podrimja u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.
Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitoi lirizmin dhe ndjenjën poetike, por pa mundur të dalë krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional shqiptar.
Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.
Ali Podrimja u denoncua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të që prej datës 18 korrik.
Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.
Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.
Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005. / KultPlus.com
Më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur më vonë si Shën Nënë Tereza, shkruan KultPlus.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katoliko, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebëra dhe tuberkulozi; ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. Ajo u vlerësua dhe u kritikua për akuza të ndryshme, të tilla si për pikëpamjet e saj për abortin dhe kontracepsionin Ajo gjithashtu ka marrë kritika për kushtet në shtëpitë që ajo ofronte për ata që ishin buzë vdekjes.Biografia e saj e autorizuar u shkrua nga Navin Chaëla dhe u botua në 1992, ajo ka qenë subjekt i filmave dhe librave të tjerë. Më 6 Shtator 2017, Tereza dhe Shën Françesk Xavier u emëruan bashkë-mbrojtës të Argjipeshkës Katolike Romake të Kalkutës. / KultPlus.com
Ylli i muzikës pop, aktorja dhe regjisorja e njohur Madonna, sot mbushë plot 63 vjeç.
Pasnjë dyshim, sot ajo është “Mbretëresha e Popit”. Madonna Louise Ciçone, e njohur thjesht si Madonna, nuk ka nevojë për prezantim, pasi të gjithë e njohin mjaft mirë.
Këngëtarja, kantautorja, aktorja dhe biznesmenia e famshme amerikane ka rrëmbyer zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën më hitet dhe rolet e saj.
Gjatë gjithë karrierës së saj, Madonna arriti kaq shumë gjëra dhe veprat e saj janë vlerësuar nga shumë kritikë muzikorë.
61-vjeçarja është e pranishme më gjatë së kushdo tjetër në industrinë e muzikës, duke marrë gjithë vëmendjen.
Por, si ka qenë Madonna para famës. Fotot e mëposhtme do ju lënë pa fjalë. / KultPlus.com
Sot bëhen 61 vjet nga lindja e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit.
Fadil Vokrri ka lindur në fshatin Sfeçël në komunën e Podujevës. Ai njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futobollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazheviç, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Fadil Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola. Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë ndërsa në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë. Pas një kohe të suksesshme atje, ai u kthye në Kosovë ku ishte udhëheqës i Federatës së Futbollit Kosovar. Vokrri ishte më meritori që fillimisht Kosovës iu lejuan ndeshjet miqësore nga UEFA dhe FIFA.
Ndërkohë pas kësaj leje, Vokrri përsëri bëri punën më të madhe që FFK të pranohet me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.
KultPlus i sjell sot disa pamje të cilat flasin për shkëlqimin e tij në fushë. / KultPlus.com
Kushdo që ka lexuar lirikat e tij të trishtuara dhe është magjepsur prej fjalës poetike plot finesë e ndjeshmëri, nuk mund të mos ketë ndërmendur një çast rrugën e vështirë, plot peripeci dhe andrralla të jetës së tij. Në shoqërinë njerëzore, vuajtja, persekutimi, mjerimi skajshëm, goditje tw befta dhe mbrapshtia e fatit, janë po aq të vjetra sa dhe bota.
Por jeta e tallazuar dhe fati aq i trazuar i Reshpjes, marrin një domethënie të veçantë kur vihet në relacion me kohët kur krijoi, me artin e tij dhe poezinë margaritar që la pas, si trashëgimi të vyer në fondin e poezisë shqipe. Frederik Reshpja njoftoi ardhjen e tij premtuese në tempullin e letrave shqipe me vëllimin e parë poetik Rapsodi shqiptare në vitin 1968, ndërsa në vitin 1973 botoi librin e dytë me poezi Në këtë qytet. Më tej jeta e Reshpjes merr rrokullimën, burgoset nga regjimi komunist dhe librat e botuar i hiqen nga qarkullimi si “të papërshtatshëm” dhe “të dëmshëm për edukimin komunist të masave”. Pas një heshtje të gjatë, i harruar dhe mënjanuar , me fillimet e demokracisë, Reshpja plot vrull dhe shpresa përqafon jetën e re, përfshihet në debatet politike të kohës, fillon aktivitetin si gazetar, redaktor dhe rivendos lidhjet e këputura me poezinë e viteve të rinisë.
Në vitin 1994 boton vëllimin me titullin metaforik:Erdhi koha të vdes përsëri .Më pas boton vëllimin me titullin epitaf të jetës së tij-Në vetmi. Sakaq, krahas punës si gazetar dhe redaktor, e provon veten në një sipërmarrje, duke themeluar shtëpinë botuese dhe shtypshkronjën “Europa”. Por shumë shpejt, nga shkëlqimi përkohshëm,do të binte në mjerimin më të skajshëm. Një jetë endacaku rrugëve të Tiranës, me trupin e drobitur nga sëmundjet, i vetmuar, i shpërfillur, deri ditët e fundit të jetës së tij. Ç’ishte kjo jetë me kaq peripeci, nga vinte e ku e kishte burimin ai fat aq dorështrënguar, me një nga lirikët më brilant të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të? Ka një përgjigje dhe gjithçka duket se lidhet me artin e tij, me poezinë e tij të pazakontë dhe kohën kur krijoi. Fati ishte brendashkruar në artin e tij. Arti për Frederik Reshpjen nuk ishte thjesht vetëdija por edhe vetëqenia e tij. Reshpja ishte ”i mallkuar” me art dhe prej artit të tij. Në poezinë e tij Testament, Reshpja përcjell vetëdijen për artin si fat dhe mallkim: Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art. Mos e pastë njeri këtë fat!
Në parathënien e librit me proza poetike të Sharl Bodler “ Brengat e Parisit”, Ismail Kadare përsiat rreth poetëve simbolistë francezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të ashtuquajturit “artistë të mallkuar” , të mallkuar nga institucionet dhe opinioni kohës,jo vetëm për shkak të skandaleve dhe veseve por , sidomos e mbi të gjitha, për shkak të artit të tyre novator, i cili shënoi fillimet e modernitetit në poezinë europiane.Edhe Reshpja, antikonformist nga natyra, shpërfillës i konvencioneve dhe shtrëngesave ideologjike, ashtu si sivëllezërit e tij, poetët simbolistë, u perceptua prej institucioneve dhe të tjerëve si njeriu “skandaloz”. Përballë shpirtit skllav të shumëkujt dhe hipokrizisë si stil mbijetese, Reshpja me shpirtin bohem, shpalli kredon e tij : “ Unë kam lindur skandaloz dhe i lire” ! Shkrimtarët e mallkuar gradualisht u pranuan nga shoqëria dhe zunë vendin e merituar në tempujt dhe panteonet letrare kur , mallkimi i vjetër –thotë Kadare- befas u përtërit në trajtën më të zezë që mund të mendohej, në gjysmën e botës, në atë që quhej “perandoria komuniste”. Burgu, pushkatimi, internimi, persekucioni, ndalimi botimeve, lincimi, “qarkullimi në bazë për riedukim” dhe praktika të tjera të kontrollit dhe represionit, ranë si mallkim mbi poetët dhe krijuesit në Shqipërinë totalitare. Reshpja ishte një nga viktimat e këtij represioni. Në shkrimin Një prill për Fredin ( një homazh plot venerim për Reshpjen) ,ku sheston raportet e shtetit totalitar komunist me shkrimtarët , Kadare nënvizon se Reshpja u shfaq në letrat shqipe në një kohë të papërshtatshme: në kohën e parë,në diktaturë, u përball me egërsinë e shtetit, ndërsa në kohën e dytë, në demokraci, u përball me mospërfilljen. Të dyja kohët , përtej dallimit thelbësor të sistemeve politikë, kohët shoqërore pra, kishin të përbashkët mosdashurinë, klimën e ftohtë, mospërfilljen dhe egërsinë , të mjaftueshme për të thyer shpirtra të brishtë si Reshpja.
Në vitet e rinisë poezia e tij mbart një frymë optimizmi dhe patetizmi, si shprehje e iluzioneve të moshës dhe, njëherazi, si pasojë e kërkesave të ideologjisë së kohës,ku shkrimtarët dhe artistët ishin thirrur si pjesë e mekanizmave të inxhinierisë sociale për projektimin e utopisë komuniste. Me kalimin e viteve, si reflektim i peripecive të jetës dhe zhgënjimeve të njëpasnjëshme, poetika reshpiane dominohet nga nota trishtimi dhe melankonie.Ai që dikur në rini kishte ëndërruar të ishte si “një ylbermbi akuafortën e kohës vizatuar egër” me dhimbje konstaton : Qielli i djalërisë në sqep të një zogu U zhduk pas portës se ylbereve. Zhduket pas portës se ngjyrave djalëria Dhe mua trishtimi me mbulon Përmes poezive përjetohet ndjesia e një stine të përhershme shirash dhe duket sikur poeti futet në muzgun e perëndimit të shpresave. Poeti ndjehet i hedhur në një botë të huaj, motivet bëhen më të ftohta e boreale, peizazhet poetike më të trishta, me një hënë pikëllimi përmbi, si në gjithë ligjërimin e poezisë lirike popullore: Hëna e pikëlluar nëpër re Shkel mbi degët e shirave. Fshehur pas drurëve diku përgjon Vrasësi i vjetër, trishtimi. Eh, mundet që thika e trishtimit Diku përdhe ka për të më lënë, Fshehur nën një perëndim të thyer Fshehur nën shira hëne… Rënia e poetit është si në balada, vetmia e tij është kozmike: Dola nga guernika e kësaj nate I vrarë egërsisht, Kali i zi i pikëllimit ç’më rrezoi Dhe rashë si në balada; I vrarë nga një pranverë e kotë Braktisur nga bota e tërë. Cila “pranverë e kotë” e vrau poetin? “Pranvera mashtruese” e Tiranës e të ashtuquajturit liberalizëm në fillim të viteve 70-të apo ajo e iluzioneve të fillim viteve 90-të?Ndoshta të dyja…Përtej fatit personal, lexohet aludimi për zhgënjimin universal që sjell besimi në iluzionet utopike. Si në momentet e shkëlqimit, ashtu dhe në mjerim, Reshpja e shpërfilli jetën në skajshmëri.
Kjo neglizhencë apo mospërfillje ndaj jetës, përsëri vinte si “mallkim” prej artit. Reshpja ishte i ndërtuar prej materies së artit. Poezia ishte barra dhe kryqi prej të cilit nuk shpëtonte dot. I përhumbur nën peshën e kësaj barre, nën peshën e metafizikës së shpirtit, vetes tjetër fizike, njeriut empirik, i merreshin këmbët dhe “pesha e artit”bëhej pengesë në jetën plot kushtëzime, kurthe, detyrime, banalitete. Albatrosi i Bodlerit, si simbol për natyrën e dyfishtë të poetit: I bukur dhe madhështor në qiejt eternalë të poezisë / i ngathët , i zgërlaqur dhe krahëvarur në tokën e banalitetit dhe njëmendësisë , i shkon për shtat poetëve të klasit si Reshpja. Reshpja sfidoi kohën njerkë,fatin e mbrapshtë dhe ecjen e tij përmes botës së moskuptimit, e distiloi në përftesa poetike me imazhe impresioniste mbresëlënëse. Jetën prozaike të vetmisë dhe ekzistimit temporal, e konvertoi në poezi me frymë eternale. Kohës së jashtme,si jetë e pafat, i kundërvuri kohën e brendshme , metafizikën e shpirtit të mishëruar në artin delikat të poezisë. Përballë një bote të ashpër dhe të pashpresë, të egër dhe mospërfillëse, poeti projekton botën imagjinare ku kompeson humbjet dhe sublimon estetikisht dhimbjen. Poezia e Reshpjes është e shënjuar thellësisht prej fatit që përjetoi si individ. Por do të ishin njëlloj të mangëta në njëanshmërinë e tyre, si qasja e “zhytjes në tekst” sipas konceptit barthesian të “vdekjes së autorit”,ashtu dhe qasja sociologjizuese dhe biografike në analizën e poetikës reshpjiane. Reshpja iu largua tematikave himizuese të kombit, glorifikimit të historisë dhe patetizmit deklamativ, si shenja dominante në historinë e poezisë shqipe. Stili i tij poetik është qartësisht i dallueshëm në polifoninë e zërave poetikë të fillimeve të tranzicionit postkomunist. Poezitë e Reshpjes kanë një frymë thellësisht humane,lirizmi i tij mbart nota epike,motivet e dashurisë mbështillen me tisin e trishtimit, pikëllimi ka frymën e baladave ballkanike.
Poezitë e Reshpjes përgjithësisht janë të lakonike dhe falë përkujdesit për fjalën, hera herës ato përjetohen si forma të kulluara të bukurisë së gjuhës poetike. Duke rimarë teknikën e poezisë popullore, në poezitë si variacione rreth një motivi, përsëritja e figurave artistike përcjell rrekjen e palodhur të Mjeshtrit për të latuar formën me perfekte. Poezia e tij, sikurse ka vënë në dukje kritika, dallohet për muzikalitetin e brendshëm dhe simbolizmin tingullor. Por mbi të gjitha, poetika reshpiane dallohet për kombinimin e formës tingullimore me tablotë imazhiniste , për akuarelin e peizazheve të shpirtëzuara dhe pikturuara plot delikatesë dhe ekspresivitet: Një ujëvarë e vogël vetmon lart në mal dhe luan me ylberët. Mjegulla e hollë, ndanë dritares sime, qan me lot shiu. Përkundër qasjeve të reja avanguardiste në ligjërimin poetik të pasviteve 90- të, Reshpja shpërfaq në poezinë e tij , vizionin e një shpirti pagan parasokratik dhe perceptimin e një fëmije naiv të magjepsur prej natyrës .Falë kësaj optike antropomorfizuese,natyra shpirtëzohet dhe përmes saj projektohen estetikisht brengat, ndjesitë, gjendjet dhe drithërimat më të holla të unit poetik. Reshpja nuk ishte as misionar, sikurse thuhet në ndonjë shkrim analitik dhe as i inspiruar prej kauzave të mëdha. Poezia e tij reflekton shtjellat shpirtërore tepër personale. E megjithatë, pikërisht përmes përjetimeve tepër personale, rroken topikët e vetmisë, trishtimit dhe humbjes së dashurisë, si shqetësime universale ekzistenciale të njeriut postmodern Në këtë universpoetik të sunduar nga Perëndia e Humbjes, mes larmishmërisë së motiveve , spikatin dy figura–objekt adhurimi: ajo reale e Nënës, simbol i dhimbjes dhe dashurisë së pakushtëzuar, e vetmja Perëndi tek e cila beson dhe tjetra, Lora, me shumë gjasa funksionale, ikonë e dashurisë së pamundur, fantazma e së cilës shpërfaqet xixëlluese përmes mjegullës trishtuese që mbështjell poezitë më intime të autorit. Cikli poezive kushtuar imazheve të Lorës përshkohet nga një pikëllim i paskajshëm, ku adhurimi, lutja, obsesioni dhembërthimi pas kujtimit të saj, merr pëmasa orfeike. Lora, si simbol i dashurisë, është Euridikia e humbur, epiqendra e kozmosit dhe premisë e parandalimit të kaosit shpirtëror dhe natyror : Zbrita tek kroi duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit. Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave. Ani, mua më zuri ky mallkim. Po qysh bën pylli pa ty?Si del vjeshta? A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë? Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet? Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët? Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! Me alkiminë e fjalës dhe brymë ëndrrash,mbi rendin material të kësaj bote të trishtë dhe rraskapitëse,Reshpja projektoi botën paralele imagjinative, universin e tij metafizik. Në këtë univers, kali i zi i pikëllimit , si shënja e kohës kur jetoi , transfigurohet në Pegason e frymës poetike që flatron për kah pakohësia. E gjithë poetika e Reshpjes është një arkitekturë kristalore, e ndërtuar me brishtësi dhe e mbushur me një frymë të epërme,delikate dhe qiellore, përballë banalitetit dhe vrazhdësisë tokësore. Kryemjeshtër i metaforave befasuese, këndonjës i vetmisë dhe pikëllimit universal, Reshpja ishte i ngjizur prej A(r) tit. o më kot nënës së tij i drejtohet :Ave ,Shën Mëria ime, nëna ime! * * * Në mbyllje të këtij shkrimi – rekuiem për një nga poetet lirikë më brilantë të poezisë shqipe, nuk mund të mos shprehim një lloj habie (jofilozofike) për heshtjen e kritikës dhe studimeve serioze rreth krijimtarisë së tij cilësore. Mospërfillja që përjetoi sa qe gjallë, mesa duket, parandjeu se do ta ndiqte edhe post mortum, prandaj në poezinë Për veten time shkruan: Mbi një piedestal heshtjeje, dergjet profili im që në lindjen e gurit. Por përtej kësaj mosvëmëndjeje, për Reshpjen nuk do të ketë njëLetelumharrese, por një prani të papengueshme në Letrat e poezisë shqip. Arti ishte “mallkimi” i tij i parathënë. Nëse koha e jetuar rrëzoi njeriun , arti ka forcën e ngritjes së poetit në piedestalin e pakohësisë. Ars longa,vita brevis! Sadedin Mezuraj / KultPlus.com
Në dhjetor të vitit të kaluar Angela Merkel u shpall gruaja më e fuqishme në botë nga revista prestigjioze ‘Forbes’, shkruan KultPlus.
Merkel u vlerësua për qëndrueshmërinë e saj, për qëndrimin përballë Presidentit amerikan Donald Trump dhe për politikën e saj ndaj refugjatëve.
Merkel është kancelarë e Gjermanisë që nga viti 2005, ndërsa shpesh është përshëndetur si udhëheqëse de fakto e Bashkimit Evropian e madje edhe udhëheqëse e ‘botës së lirë ’.
Sot, në 67 vjetorin e lindjes së Merkel, KultPlus ju sjell njërën nga thëniet më të njohura të saj që flet për punën e ndershme dhe efektin e saj në jetë.
-Secili duhet ta dijë se duhet të punojë, pasuria e pandershme nuk sjell fat në jetë. / KultPlus.com
Në dhjetor të vitit të kaluar Angela Merkel u shpall gruaja më e fuqishme në botë nga revista prestigjioze ‘Forbes’, shkruan KultPlus.
Merkel u vlerësua për qëndrueshmërinë e saj, për qëndrimin përballë Presidentit amerikan Donald Trump dhe për politikën e saj ndaj refugjatëve.
Merkel është kancelarë e Gjermanisë që nga viti 2005, ndërsa shpesh është përshëndetur si udhëheqëse de fakto e Bashkimit Evropian e madje edhe udhëheqëse e ‘botës së lirë ’.
Sot, në 67 vjetorin e lindjes së Merkel, KultPlus ju sjell disa fakte pak të njohura rreth saj.
-Angela Merkel është gruaja me mandatin më të gjatë në Evropë. Ajo ka udhëhequr Gjermaninë që nga viti 2005.
-Angela është një bukëpjekëse dhe një kuzhinere eksperte.
-Gjyshi i saj ishte polak. Ludwig Kazmierczak lindi në Poznan, Poloni në 1896. Babai i saj gjermanizoi emrin e familjes në vitet 1930.
-Nofka e Angela’s është ”Mutti”, ose ”Mami”. Përkundër faktit se ajo nuk ka fëmijë, gjermanët i kanë vënë asaj këtë pseudonim.
-Ajo ka shumë frikë nga qentë. Angela u frikësua nga qentë pasi u kafshua nga një në vitet 1990. Vladimir Putin e dintë këtë kur lejoi qentë e tij në një takim me Merkel, disa vjet më parë.
-Ajo flet rrjedhshëm rusisht.
-Ajo është gruaja e vetme që zë pozicionin në seksionin e kimisë teorike të Akademisë së Shkencave të Gjermanisë Lindore.
-Angela mbajti mbiemrin e burrit të saj të parë. Burri i saj i parë ishte një fizikant, me të cilin Angela ishte e martuar për 5 vite. Më pas ajo u martua me Joachim Sauer që nga viti 1998.
–Ajo është një impresioniste e shkëlqyer. Angela Merkel pëlqen të bëjë përshtypje tek liderët e tjerë botërorë, përfshirë Vladimir Putin, Papa Benedikti XVI, ish presidentin francez Nicolas Sarcozy etj./ KultPlus.com
Poliedrija, apo ndryshe gjithëdija e personaliteteve shqiptare, kufizon ndjeshëm dëshirën e atyre që duan të shkruajnë për to, pasi sikurse thonin grekët e lashtë, është e vështirë që të vdekshmit të shkruajnë për të pavdekshmit. Çfarë sot po marr guximin të bëj, në përvjetorin e lindjes së figurës së shquar të shqiptarisë Atë Shtjefën Gjeçovit, është pikërisht kjo: Një i vdekshëm po shkruan për një të pavdekshëm.
Kur pata fatin të vizitoja disa prej trevave të zonës së Dukagjinit, më bëri shumë përshtypje që në çdo shkollë apo godinë që dikur përdorej si shkollë kishte pllaka të mermerta ku shkruhej emri i një njeriu që nuk ishte edhe emri i shkollës. Në Prekal, fjala bie, ishte emri i Atë Shtjefën Gjeçovit si i pari që çeli një shkollë shqipe atje.
Duke vijuar më tej, këtë emër e shoh të shkruar edhe sa e sa herë, ndër sa e sa pllaka çka pa frikë më bëri të kuptoj diçka: Dukagjini, një trevë e quajtur “e prapambetur” nga dashakeqësit e saj, ka një fat që shumë krahina të tjera të Shqipërisë nuk e kanë: Prej 100 vjetëve ka arsim.
Ky fat, i cili buron nga prania e etërve françeskanë si të vendosur të përhershëm apo vizitues të herë pas hershëm falë programeve të misioneve shëtitëse (të përmendura nga Atë Zef Valentini apo Atë Domenico Pasi në librat e tyre “Misionet Shëtitëse” botuar nga “Plejad”), akoma edhe sot vazhdon të tregojë të mirat që ka sjellë.
Atë Shtjefën Gjeçovi, figura e jashtëzakonshme e kulturës së shqiptarisë, i lindur në Janjevë të Kosovës është ai i cili meriton jo respektin e gjithkujt, pasi me sa e njoh mes shkrimeve të të tjerëve ai nuk synonte të ishte i “gjithëdashur”, por të paktën njohjen nga gjithkush pasi ai qe i pari në shumëçka dhe, për fat të keq, edhe i fundit si punues serioz në thuajse çdo fushë që lëvroi./ KultPlus.com
Më 6 korrik të viti 1907, lindi njëra nga artistet më të njohura të artit pamor, e cila u bë e famshme përmes autoportreteve, shkruan KultPlus.
Në vijim, KultPlus ju sjell një letër të cilën Frida ia kishte shkruar të dashurit të saj, Diegos.
Nata ime është pa hënë. Nata ime ka sy të mëdhenj që ia ngulin shikimin dritës gri që depërton nga dritaret. Nata ime qan dhe jastëku bëhet i lagësht dhe i ftohtë. Nata ime është e gjatë dhe duket e nderë drejt një fundi të pasigurt. Nata ime më hedh tek mungesa jote. Të kërkoj, kërkoj trupin tënd të madh afër timit, frymëmarrjen tënde, aromën tënde.
Nata ime më përgjigjet; zbrazëti. Kam ftohtë nga nata ime dhe ndihem e vetmuar prej saj. Kërkoj të prek diçka: lëkurën. Ku je? Ku je?
Rrotullohem gjithandej, jastëku i lagur, faqja më ngjitet me jastëkun, flokët e lagur mbi tëmtha. Nuk ka mundësi të mos jesh këtu. Mendja ime endet, mendimet e mia ikin, vijnë dhe gëlojnë, trupi im nuk mund ta kuptojë.
Trupi im të do. Trupi im, kjo sipërfaqe e gjymtuar, do të harrohet për një çast në nxehtësinë tënde, trupi im kërkon me ngulm ca orë qetësie.
Nata ime është një zemër e kthyer në zhele. Nata ime e di se mua më pëlqen të të shoh, të ndjek me duar çdo hark të trupit tënd, të njoh fytyrën tënde dhe ta përkëdhel.
Nata ime më merr frymën nga mungesa jote. Nata ime dridhet nga dashuria, nga ajo dashuri që përpiqem ta përmbaj, por që dridhet në gjysmerrësirë, në çdo nerv timin.
Nata ime do të të thërrasë por nuk ka zë. Dhe megjithatë nata ime do të të thërrasë, të të gjejë dhe ta harrojë për një çast këtë kohë që veç të rraskapit.
Nata ime gërryen vetveten deri në atë pikë sa unë nuk e ndiej më mishin dhe ndjenja bëhet më e fortë, më e mprehtë, pa lëndën trupore.
Nata ime më djeg nga dashuria./Përktheu: Elona Caslli/ KultPlus.com
George Orwell lindi më 25 qershor 1903 në Indi në fshatin Motihari afër kufirit me Nepalin.
Ishte një novelist, eseist, gazetar dhe kritik anglez. Ai ishte një njeri i fortë i cili shkroi për disa tema kryesore që lidhen me pikëpamjet politike dhe lëvizjet e kohës së tij.
Romanet e tij më të njohura janë Animal Farm dhe Nineteen Eighty-Four.
Puna e Orwell kishte një ndikim të madh në kulturën popullore dhe politike. Orwellian, i cili përshkruan një situatë, ide, apo gjendje shoqërore të identifikuar si destruktive për mirëqenien e një shoqërie të lirë dhe të hapur.
New York Times rendit Owell të dytin në listën e “50 shkrimtarëve më të mëdhenj britanikë që nga viti 1945” dhe në 2016, ndërsa një statujë e tij është vendosur përpara BBC-së në Londër.
Orwell kishte një ndjenjë të lartë morale dhe respekt për drejtësinë.
KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të tij:
“Në një kohë mashtrimi kur tregohet e vërteta është një akt revolucionar.”
“Mënyra më efektive e tyre për të shkatërruar njerëzit është të mohosh dhe të zhdukësh historinë e tyre.”
“Kush e kontrollon të kaluarën kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen kontrollon të kaluarën.“
“Nëse liria do të thotë asgjë për dikë, kjo do të thotë e drejta për t’u treguar njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë.“
“Përballë dhimbjes nuk ka heronj.“
“Fuqia është në grisjen e mendjeve njerëzore në copa dhe bashkimin e tyre përsëri në forma të reja të zgjedhjes suaj.“
“Thelbi i të qënit njerëzor është se njeriu nuk kërkon përsosmëri.“
“Zgjedhja për njerëzimin qëndron midis lirisë dhe lumturisë dhe për shumicën e madhe të njerëzimit, lumturia është më e mirë.“
“Realiteti ekziston në mendjen e njeriut dhe askund tjetër.“
“Njerëzit flenë në mënyrë paqësore në shtretërit e tyre natën vetëm sepse janë të gatshëm ta bëjnë këtë në emër të tyre.“
“Në tërësi qeniet njerëzore duan të jenë të mira, por jo shumë të mira dhe jo mjaft të mira gjatë gjithë kohës.“
“Ne e dimë se askush nuk e merr pushtetin me qëllim të heqjes dorë prej saj.“
“Nëse doni të mbani një sekret, duhet ta fshihni atë nga vetja.“
“Politikanët, mashtruesit, hajdutët dhe tradhtarët nuk janë viktima, por bashkëpunëtorë.”. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në akademinë solemne në shënim të 85- vjetorit të lindjes së akademikut Rexhep Qosja.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti i uroi profesorit Rexhep Qosja jetë të gjatë dhe krijimtari të vazhdueshme, duke i dëshiruar që çdo përvjetor i ardhshëm të shënohet me suksese të tjera dhe realizim të aspiratave të përbashkëta tonat.
Ai theksoi se vepra e Rexhep Qosjes është e pa moshë, aktuale sot sikurse ka qenë në dekadat e shkuara. Ajo është burim frymëzimi për të rinjtë sot, sikurse ka qenë për të rinjtë e viteve ‘68, ’70-ta, ’80-ta, ’90-ta, që gjetën nëpër shkrimet e profesor Qosjes arsyen e motivimin për t’u ndjerë krenarë me identitetin shqiptar dhe për t’i rezistuar me trup e me mendje regjimeve shtypëse jugosllave e serbe.
Më poshtë gjeni fjalimi e plotë të Kryeministrit Kurti.
I nderuari Kryetar i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, z.Lulzim Tafa,
I nderuari Rektor i Kolegjit AAB, z.Bujar Demjaha,
I nderuari Drejtor i Institutit Albanologjik, z.Hysen Matoshi,
Të nderuar profesorë Agim Vinca, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër, profesorë e studentë,
ju falënderoj për ftesën e dërguar dhe ju përgëzoj për nismën e qëlluar për shënimin e një përvjetori kaq të rëndësishëm sa edhe kuptimplotë e obligues për të gjithë neve.
Sot, na ka bashkuar Rexhep Qosja, na ka bashkuar 85-vjetori lindjes së tij, na ka bashkuar emri i shumërespektuar, vepra e tejvlefshme, shumëpalëshe, e shumëllojshme dhe kolosale si dhe trashëgimia e nduarnduarshme e shumësegmentore filozofike, pedagogjike, intelektuale, kulturore, krijuese, letrare e publicistike, politike dhe historike.
Më lejoni pra zonja dhe zotërinj, profesorë e studentë, dhe gjithë ju të pranishëm, që duke ju përshëndetur juve të gjithëve bashkërisht, të përshëndesim të gjithë tok, profesorin dhe akademikun, krijuesin e gjithanshëm dhe personalitetin tonë të madh Rexhep Qosja, t’i urojmë jetë të gjatë e të lumtur, t’i urojmë krijimtari të vazhdueshme, duke i dëshiruar që çdo përvjetor i ardhshëm të shënohet me suksese të tjera dhe realizim të aspiratave të përbashkëta tonat.
Urime profesor!
Sot pra nderojmë dhe urojmë akademikun Rexhep Qosja, në ditëlindjen e tij, shkrimtarin, studiuesin dhe intelektualin publik, emrin e përveçëm të veprës së tij monumentale, e cila tashmë është pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe dëshmi e një kohe.
Rexhep Qosja duket sikur nuk ka moshë, sepse vepra e tij është e pa moshë, aktuale sot sikurse ka qenë në dekadat e shkuara. Ajo është burim frymëzimi për të rinjtë sot, sikurse ka qenë për të rinjtë e viteve ‘68, 70-ta, 80-ta, 90-ta, që gjetën nëpër shkrimet e profesor Qosjes arsyen e motivimin për t’u ndjerë krenarë me identitetin shqiptar dhe për t’i rezistuar me trup e me mendje regjimeve shtypëse jugosllave e serbe. Librat e Rexhep Qosjes dhe të shkrimtarëve dhe studiuesve të tjerë ngriheshin në duart e demonstruesve përballë shkopinjve dhe armëve të policisë dhe, siç na dëshmon historia e përbotshme, libri e pena janë kurdoherë fitimtarë.
Pena e librat e Rexhep Qosjes, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Ukshin Hotit, Ismail Kadaresë e të tjerë shkrimtarëve e studiuesve kanë qenë armët tona, prandaj edhe në fund fituam ne.
Për veprën poliedrike të Rexhep Qosjes flet më së miri opusi i tij krijues dhe, ende i pa botuar tërësisht e i pa përfunduar, e që qysh tash përbën një bibliotekë të tërë në vete. Flasin edhe një mori veprash dhe qindra studimesh, esesh e artikujsh. Flasin edhe arkivat e pagjurmuara dhe ende të paklasifikuara.
Do të mjaftonte të vihet në peshore vetëm thesari krijues i Institutit albanologjik, themeltar dhe drejtues i të cilit ishte, për të dëshmuar peshën e pamatshme te kontributit jetësor të profesor Rexhep Qosjes.
Vepra e Qoses nuk ka moshë, sepse nuk ka moshë romanticizmi i Rilindjes Kombëtare, për të cilin ai ka shkruar studime të shumta, që na i kanë sjellë më pranë dhe na i kanë bërë më të dashur, madje të domosdoshëm, rilindësit tanë të shquar, sidomos Naim Frashërin dhe Asdrenin, e të cilëve profesor Qosja u ka kushtuar monografi të plota. Studimet e tij kritike nuk kanë qenë të kufizuara vetëm me epokën e Rilindjes, por kanë ndjekur me rigorozitet dhe përkushtim shkencor evoluimin e letërsisë moderne shqipe. Pena e tij e rreptë ndonjëherë mund të ketë zemëruar krijuesit e rinj, por si për t’u treguar atyre se ai mund të matej me ta në fushën e tyre, i barabartë me ta, Rexhep Qosja ka shkruar romane e drama që kanë shënjuar modernitetin e prozës shqipe, që nga Vdekja më vjen prej syve të tillë, Mite të zhveshura e deri te romani i tij i fundit Të fshehtat e treguara.
Sot i gëzohemi ditëlindjes së intelektualit publik që çështjen shqiptare e ka mbrojtur me guxim dhe dinjitet si në forumet e ish-federatës jugosllave, po ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Veç titulli i librit Populli i ndaluar, botuar në vitin 1990, mjafton për të rrokur në një togfjalësh historinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe si parathënie e asaj që do të vijonte në dy dekadat e ardhshme. Angazhimi i Rexhep Qosjes në politikën e Kosovës, me gjithë polemikat dhe kundërshtitë e pashmangshme, moskuptimet e mëritë që mund të ketë lënë te të tjerët, nuk është shkëputur aspak nga përpjekja intelektuale për ta ruajtur bashkimin shpirtëror të shqiptarëve dhe për ta ngjizur atë në program politik në rrethanat e kohës. Sërish titujt e veprave flasin vetë: Strategjia e bashkimit kombëtar, Ideologjia e shpërbërjes, Rilindja e dytë, Kosova dhe Shqipëria: Si janë dhe si duhet të jenë. Për sa kohë që përpjekja shqiptare për bashkim e përparim nuk është vetëm historike, por edhe aktuale, këto e të tjera vepra të Rexhep Qosjes nuk do të kenë moshë.
Edhe njëherë, i urojmë akademikut e intelektualit tonë të madh e të dashur të jetojë dekada të reja e të tjera, për ta parë idealin e tij të realizuar!