Kur kartëmonedhat shqiptare humbën vlerën: Çfarë ndodhi në vitin 1945?

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe krijimit të Qeverisë Demokratike, Shqipëria përballej me një situatë të vështirë ekonomike dhe monetare. Në mungesë të mundësisë për të shtypur kartëmonedhë të re, autoritetet ndërmorën një hap të pazakontë: vulosjen e kartëmonedhave ekzistuese.

Më 22 qershor 1945, Banka e Shtetit Shqiptar shpalli zyrtarisht nisjen e procesit të vulosjes së kartëmonedhave dhe çekmonedhave të emetuara më parë nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë. Kjo masë kishte për qëllim të kontrollonte inflacionin dhe të përmirësonte qarkullimin monetar në vendin që sapo kishte dalë nga lufta, përcjellë KultPlus.

Procesi i vulosjes nisi më 27 qershor dhe zgjati deri më 8 korrik 1945, duke filluar nga zonat kufitare e më pas në gjithë territorin e Shqipërisë. Vulosja përfshiu vetëm kartëmonedhat me prerje 20 dhe 100 franga shqiptare, si dhe çekmonedhat me vlerë 20, 100, 500, 1000 dhe 5000 franga shqiptare.

Vula e përdorur kishte trajtën e një drejtkëndëshi me përmasa 52×34 mm, dhe përmbante një shqiponjë dykrenare me yll mbi të, si dhe mbishkrimin “Banka e Shtetit Shqiptar”. Elementët vizualë ishin të vijëzuar dhe të hijëzuar për të garantuar dallueshmërinë dhe origjinalitetin.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vulosja u realizua pa kufizim shume, por kartëmonedhat që nuk u paraqitën për vulosje u shpallën të pavlefshme dhe dolën jashtë qarkullimit. Në total, rreth 20% e monedhës në qarkullim mbeti jashtë këtij procesi, pasi nuk u përfshinë prerjet nën 20 franga.

Efekti në qarkullimin monetar ishte i ndjeshëm: nga një emision prej 384.396.000 franga shqiptare në fund të vitit 1944, shifra ra në 286.100.000 në fund të vitit 1945, një rënie që shënoi një ndërhyrje të rëndësishme në ekonominë e pasluftës./KultPlus.com

Shpella e Lek Petës, gjeomonumenti i rrallë i Kurveleshit, së shpejti i vizitueshëm

 Në Progonat, Tepelenë, gjendet shpella e “Lek Petës”, monument natyre, e cila është zbuluar afro 30 vjet më parë nga ekspertë të fushës së speologjisë greke dhe italiane.

Bashkia e Tepelenës bën të ditur se “ekipi i ekspertëve vizitoi sot këtë vepër të krijuesit, një objekt shkëmbor tejet i veçantë formësuar nga tretja gëlqerore e kretakut të sipërm”.

“Aktualisht po punojmë për matjen e distancave nevojave për ndërhyrje me qëllim që së shpejti të jetë një monument i vizitueshëm dhe t’i shtohet listës së aktiviteteve turistike në zonën tonë”, tha bashkia.

Gjithashtu bashkia i bën apel të gjithë banorëve të zonës dhe jo vetëm, që monumenti të ruhet dhe të mos i thyhen pjesët e brendshme dekoruese, pasi e humbet vlerën e rrallë që ai ka.

Gjatë vizitës ekspertët konstatuan thyerje dhe grumbullim të këtyre formave nga njerëz, të cilët i përdorin për dekorimin e ambienteve private.

Bashkia e Tepelenës theksoi se “ky veprim është i dënueshëm me ligj”.

Shpella është e stolisur me stalaktite e stalagmite me përmasa dhe madhësi të ndryshme. Ajo ka gjurmë të hershme banimi dhe ka një gjatësi afro 200 metra dhe ndodhet në rrjedhjen e sipërme të Përroit të Thatë në lartësinë 1200 m./ atsh/ KultPlus.com