Letra emocionuese që Abraham Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij

E cili prind, sot nuk do të kishte dashur t’i drejtohej mësuesit të fëmijës së tij, ashtu si Abraham Lincoln mësuesit të të birit. Prandaj, meqë sot është dita e parë e vitit të ri shkollor, kjo letër ia vlen të lexohet sërish, të paktën nga prindërit dhe mësuesit.

Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln, e dinte vlerën e dijes dhe të mësuarit në jetë. Për këtë, ai kishte vendosur që mësuesit të djalit të tij, t’i shkruante në formë përkujtimi rreth mënyrës se si duhet trajtuar një fëmijë i vogël. Lincoln i kishte renditur mësuesit të djalit të tij, pikërisht në ditën e parë të shkollës, një sërë arsyesh e mësimesh të arta të cilat dëshironte që djali i tij t’i mësonte nga mësuesi.

Lexoni më poshtë letrën e Abraham Lincoln të shkruar në vitin 1830:

Mësues i nderuar,

Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e çuditshme dhe e re, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht.

Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet.

Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur Mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë – por butësisht, nëse mundeni.

Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t‘i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur – si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.

Mësojeni se mund të ketë dështim të ndershëm dhe fitore të turpshme.

Mësojeni t’i përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbër.

Mësojeni të këtë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do t`i thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshitë të gjithë atë që dëgjon në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij sesi të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajën për të qenë i padurueshëm. Lejoheni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në zotin. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mirë. Dhe është biri im”.

Me respekt,

Abraham Lincoln /KultPlus.com

Pasi fitoi çmimin Nobel, Albert Camus shkroi një letër të mrekullueshme për mësuesin e fëmijërisë

Një nga shembujt më të bukur të kësaj mirënjohjeje vjen nga Albert Camus, njeriu me dhuntinë e miqësive të rralla, që e kaloi jetën duke mësuar si të jetonte me një qëllim dhe duke kërkuar kuptimin e lumturisë dhe dashurisë.

Kur Camus nuk ishte as një vjeç, i ati u vra në betejë gjatë LIB. Ai dhe i vëllai u rritën nga një mama analfabete, pothuajse e shurdhër dhe një gjyshe despotike, kushte ku nuk mund të pretendohej  një e ardhme e ndritur, por si provë e asaj që mund të ndodhë kur arsimi nxit potencialin më të mirë të një njeriu duke fisnikëruar shpirtin, një mësues, Louis Germaine, pa te Albert-i i ri diçka të veçantë dhe ndërmori detyrën për të nxjerrë një thelb të konsoliduar  dhe një qëllim nga ai djalë, detyra e çdo mentori të mirë. Nën krahët e mësuesit të tij, Camus i i hodhi poshtë letrat e errëta që i kishin ngecur në duar dhe filloi të shndërrohej në gjeniun e ardhshëm që të gjithë e njohim.

Tridhjetë vjet më vonë, Camus u bë njeriu i dytë më i ri në botë që kishte fituar çmimin Nobel, që iu dha për “seriozitetin e sinqertë” të punës së tij, që “ndriçon problemet e koshencës së njeriut.” Pak ditë pasi kishte marrë vlerësimin më të lartë të njerëzimit, Camus bëri të njohur ndikimin e mësuesit të tij në një letër të mahnitshme, që është përfshirë në faqet e fundit të librit të tij “The First Man”.

19 nëntor, 1957

I dashur Zoti Germain,

Po i lë emocionet e forta të këtyre ditëve të qetohen pak para se t’ju flas nga thellësia e zemrës sime. Mua, sapo më kanë dhënë një nderim shumë të madh, që as e kisha kërkuar dhe as isha përpjekur ta merrja, por kur e mora vesh lajmin, mendimi im i parë, pas mamasë sime, ishit ju. Pa ju, pa dorën plot dashuri që ju i zgjatët atij djali të vogël të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, asgjë nga të gjitha këto, nuk do kishte ndodhur. Unë nuk para bëj shumë nga këto lloj falënderimesh, por të paktën ky më jep mundësinë t’ju tregoj çfarë keni qenë dhe çfarë ende jeni për mua dhe t’ju siguroj që përpjekjet tuaja, puna juaj dhe zemra bujare që vutë në të, jeton ende te një prej nxënësve të vegjël, i cili, pavarësisht që kanë kaluar shumë vite, nuk ka ndaluar kurrë së qeni nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj me gjithë zemrën time. / KultPlus.com