Promovohet libri “Ky është Dritëroi im”, artistët: Kishte dashuri për çdo gjë, për njerëzit dhe tokën

Një vit më parë, Sadije Agolli, bashkëshortja, lexuesja e parë, redaktorja edhe shoqja besnike e ditëve të vështira të Dritëro Agollit, tregoi për punën që ishte duke bërë për botimin e një libri me kujtime.

Në këto ditë libri me kujtime nga miq, kolegë edhe të njohur gjatë karrierës letrare të Agollit ka marrë jetë, nën titullin, “Ky është Dritëroi im”. Në një promovim modest në Bibliotekën e Paqes Globale artistët Bujar Asqeriu dhe Kilt Roshi rrëfyen njohjen e tyre me shkrimtarin, jo vetëm në letërsi, por edhe si skenarist në kinematografi.

“Kam pas fatin që ta takoj nga afër, ti jap dorën edhe të përqafohem me të. Në një aktivitet i kisha dhuruar një kasetë me poezi të Ali Asllanit. Prej tij pashë, se të mëdhenjtë flasin mirë për të mëdhenjtë. Dritëroi kishte dashuri për njerëzit, për tokën, për çdo gjë, edhe gjatë gjithë krijimtarisë së tij, përcolli këtë dashuri, prandaj edhe njerëzit i ishin mirënjohës”, tregon aktori Bujar Asqeriu, i cili ka luajt në filmin me skenar të Agollit, “Njeriu i mirë” rolin e Telos.

“Filmin e parë e kam luajt tek “I teti në bronx”me skenar të Agollit edhe regji të Viktor Gjikës. Sa kohë ndenja unë në sheshxhirim, ai nuk u shkëput asnjë sekondë nga grupi i xhirimit. Jo për të bërë vrenjtje, por thjesht për të ndihmuar njerëzit. Ishte një skenar i politizuar, por me ndërhyrjet që bënte ai, filmi u shkarkua në këtë drejtim”, rrëfen Roshi.

Misioni Diplomatik për Paqe edhe Prosperitet në mbyllje të aktivitetit ndau titullin e lartë Misionar i Paqes Globale si dhe “Ambasadori i Artë Richard Holbrooke” (Golden Ambassador Richard Holbrooke) (pas vdekjes), të cilën profesor Fatos Klosi ia dorëzoi artistes Marjana Kondi, për shkak se familjarët e Agollit në këto ditë të vështira për shkak të COVID 19 gjenden në Vlorë.  /Shqiptarja.com/ KultPlus.com