76 vjet nga themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë

Më 7 tetor të vitit 1945 do të formohej Lidhja e Shkrimtarëve dhe katër vite më pas edhe Lidhja e Artistëve. Viti 1957 solli bashkimin e tyre në një lidhje të vetme, duke e emëruar këtë trup si “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” dhe duke qenë bashkim i shkrimtarëve dhe artistëve të vendit, shkruan KultPlus.

Në fillim kishte 70 anëtarë, duke përfshirë edhe gazetarë e gjuhëtarë dhe një seksion të letrarëve të rinj. Që në hapat e saj të parë zhvilloi një luftë të ashpër kundër koncepteve reaksionare dhe idealiste të letrarëve antipopullorë. Madje, kjo përcaktohej edhe me statusin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ku qëllimi i saj mbetet bashkimi i forcave krijuese për shërbim ndaj socializmit.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organet e saj letrare dhe artistike: revistën “Literatura jonë”, më pas “Letërsia jonë” (1947), më vonë revistën mujore “Nëntori” (1954), të përjavshmen “Drita” (1961), revistën në frëngjisht “Les lettres Albanaises” (1978), “Bota Letrare” dhe “Revista letrare” si botime alternative pas viteve 1990. Ndërkaq si organ promovues i artit dhe të kulturës, në të kalonin emra të mëdhenj të kësaj fushe. Disa nga kryetarët të cilët drejtonin LSHAK janë: Sejfulla Maleshova, Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limos Dizdari, etj.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë numëron më shumë se 1300 anëtarë. Organet e saj drejtuese janë: Kongresi Kombëtar, Kryesia, Kryetari dhe Këshilli Administrativ. Në strukturën organizative funksionojnë: seksioni i letërsisë, i muzikës, i pikturës e skulpturës dhe ai i talenteve të reja./ KultPlus.com

Intervista e rrallë e Rugovës për median gjermane: Unë kam hyrë në politikë duke e mbrojtur Lidhjen e Shkrimtarëve (VIDEO)

Ibrahim Rugova, njihet si presidenti historik i Kosovës i cili krahas kësaj njihej edhe si Intelektual, akademik dhe shkrimtar shqiptar, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për median gjermane, ai ishte pyetur për ndërlidhjen e politikës me letërsinë dhe se si bashkëjetojnë këto dy profesione . Ndërsa ai ishte përgjigjur se në politikë, ka hyrë duke e mbrojtur Shoqatën e Shkrimtarëve.
“Unë kam hyrë në politikë duke e mbrojtur Lidhjen e Shkrimtarëve, kur u prish Jugosllavia u sulmua edhe Lidhja e Shkrimtarëve, pastaj krijuam edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës ndërsa më 1992 u zgjodha president i Kosovës por unë jam edhe kritik letrar ndaj nuk e kam pasur të vështirë të futem në politikë”, ishte përgjigjur presidenti Rugova, i cili më pas kishte shtuar se këtë nuk e ka bërë për qëllime karrieriste por për të mbrojtur ekzistencën e tij dhe të popullit të Kosovës, si dhe për të krijuar një bazë të re të bashkëjetesës së Kosovës me Evropën dhe me botën.

“Është një politikë e ekzistencës dhe mbijetesës, që na është dashur ta zgjidhnim. Kam mësuar shumë nga kritika letrare edhe për marrëdhëniet e pushtetit në një vend të caktuar”, ishte përgjigjur tutje presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.
KultPlus ju sjellë videon e kësaj interviste./ KultPlus.com