‘Politikani bëhet burrë shteti kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme’

Winston Leonard Spencer-Churchill, ishte politikan britanik i njohur kryesisht për drejtimin e Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Ai shërbeu si kryeministër i Britanisë së Madhe prej viteve 1940-1945 dhe përsëri prej viteve 1951-1955. Një burrë shteti dhe një orator i njohur, Churchill ishte edhe oficer në ushtrinë britanike, historian, fitues i Nobelit për Letërsi.

Në krye të skenës politike për rreth 50 vite, ai pati shumë pozita politike dhe në kabinet. Para Luftës së Parë Botërore, ai punoi si President i Bordit Për Tregti, si sekretar dhe Lordi i Parë i Forcave Detare si pjesë e qeverisë liberale. Gjatë luftës ai ende punoi si Lord i Parë deri në luftën shkatërruese në Gallipoli e cila shkaktoi ndarjen e tij prej qeverisë. U kthye si Ministër i Municioneve, Sekretar i Shtetit për Luftë dhe Ajër. Gjatë viteve të luftës shërbeu si Kancelar i Thesarit në qeverinë konservative.

KultPlus sot ju sjell një thënie të tij që flet për politikanin ideal.

“Politikani bëhet burrë shteti kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme”.

Pasi humbi zgjedhjet e vitit 1945, Churchill u bë Lider i Opozitës. Më 1951, u bë sërish Kryeministër deri në vitin 1955 kur dha dorëheqje përfundimisht. Elizabeta II i ofroi titullin Dukë i Londrës, por u refuzua nga djali i tij Randolf, i cili do ta kishte trashëguar titullin pas vdekjes së të atit. Dhe ne vitin 1965 ai vdiq ne Britaninë e Madhe dhe u Varros ne Spanje./ KultPlus.com

Arbën Xhaferi: Në rininë time, të qenit shqiptar shoqërohej gjithnjë me ndjenjën e prestigjit



Sot mbushen dhjetë vjet nga vdekja e politikanit dhe intelektualit, Arbën Xhaferi.

Në vijim po ju përcjell disa nga shprehjet e tij, të cilat ruajnë një aktualitet të gjithëkohshëm.

– Me që jetojmë në një botë, kohë të ndërveprimit të kulturave kombëtare, duhet konstatuar se shqiptareve u mungon kryesorja: propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar.
– Në historinë politike shqiptare nuk ekziston, të paktën një broshurë propagandistike drejtuar kundër popujve të tjerë.
– Një popull që humb besimin te të gjitha autoritetet, siç ndodh me shqiptarët, e vë në dyshim qënien e vet, humb vetëbesimin, rezistencën ndaj asimilimit, kështu që përbuzja e vetvetes shoqërohet me adhurimin e tjetrit.
– Albanofobia manifestohet si grekofili, italofili, turkofili, sllavofili etj…
– Mjeshtëria që formon ose e deformon vetëdijen quhet propagandë.
– Shpeshherë më e vërtetë se e vërteta bëhet gënjeshtra, fjalët që paketohen bukur, sipas rregullave të propagandës.
– Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur.
– Nuk thuhet më se çdo mysliman është terrorist, por çdo terrorist është mysliman.
– Për të qenë të përçarë duhet të jenë të barabartë.
– Kushti i parë që një besim fetar të shndërrohet në religjion është: ndarja e shtetit, politikës prej fesë; pra respektimi i parimit të shekullarizmit.
– Disa analistë thonë se ideja e krijimit të Maqedonisë ka qenë vllahe, nga që vetëm kjo popullatë protoballkanike, nuk arriti të krijojë shtetin e vet.
– Faktori ndërkombëtar me vonesë do ta kuptojë gabimin, kur lejoi që luftërat në hapësirat jugosllave të përfundojnë pa emërimin e fajtorit.
– Serbët nuk e pranojnë argumentin e arsyes, prandaj dhe sillen në mënyrë arrogante.
– Autoritet jugosllave heshtazi e zbatonin marrëveshjen e fshehtë jugosllavo-turke, ngjashëm me atë turko-greke të Lozanës, për pastrimin etnik përmes shpërnguljeve masive të popullatës.
– Çdo njeri bën përpjekje që të largohet nga dimensioni i inferioritetit.
– Duhet lexuar për shkak se duhet kuptuar më mirë pse jetojmë, pse kemi ardhur në këtë botë, pse ndodhin fenomene të ndryshme dhe, mbi të gjitha, për të fisnikëruar veten dhe shoqërinë ku jetojmë.
– Gjuha standarde duke mbrojtur vetveten, mbron dhe kombin.
– Luajaliteti ndaj kombit është më e madhe se ndaj shtetit.
– Në dallim nga shqiptarët, serbët, por jo vetëm ata, më se një shekull hartojnë projekte, elaborate të studiuara mirë se si t’i shfarosim shqiptarët, t’i dëbojmë nga vendlindja, t’ua njollosim imazhin, t’u ngjisin bishta, të nxisin përçarjet e brendshme, t’i korruptojnë përfaqësuesit, prijësit e tyre etj.
– Në mes botës perëndimore dhe lindore ekziston një relacion i çuditshëm i këmbimit: perëndimi eksporton në lindje ideologji (dikur komunizmin sot demokracinë); ndërkaq nga lindja pranon religjionin.
– Çdo komb ka thesarin e vet të urtësive, rrjedhimisht dhe populli shqiptar.
– Çdo shoqëri ka heronj dhe oportunistë, flijues dhe utilitaristë. Gjithmonë oportunistët përpiqen të konsumojnë atë që kanë siguruar heronjtë.
– Grekët kanë vënë zapt mbi periudhën antike, sllavët mbi periudhën mesjetare, turqit për pjesën tjetër, ndërkaq qenia shqiptare, gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një të sëmuri paraplegjik, që nuk arrin të lëviz gjymtyrët qafë e tëposhtë.
– Kur religjionet e suspendojnë hyjnoren, atëhere zëri i këmbanës ose i muezinit, përjetohet si shpallje e luftës…
– Luftrat që përfundojnë pa fajtor, kurrë nuk përfundojnë as me paqe.
– Mjerisht, demokracia vetvetiu nuk e sjell lirinë, por liria hap shtegun për paraqitjen e demokracisë.
– Në rininë time, të qenit shqiptar shoqërohej gjithnjë me ndjenjën e prestigjit.
– Një popull shndërrohet në komb kur patriotizmi nuk është më çështje individuale, por çështje institucionale.
– Pluralizmi ka krijuar terren të përshtatshëm për relativizim të gjithçkaje.
– Serbët, por edhe të tjerët, i urrejnë shqiptarët për shkak të krenarisë së tyre.
– Si çdo njeri që synon të ketë një të kaluar të fisme, ashtu dhe çdo popull kërkon të ketë një të kaluar të lavdishme.
– Tipari kryesor i qytetërimit perëndimor, është dyshimi si metodë e zbulimit të së vërtetës, ndërkaq tipari kryesor i qytetërimit lindor është besimi i paluajtshëm ndaj autoritetit.
– Shqiptarët i kanë dhënë kontribut të madh pavarësisë së Greqisë, i kanë dhënë njerëz të shquar, politikanë, ushtarakë, shkencëtarë, krijues etj.
– Në politikë me rëndësi parësore është mjeshtëria e zgjedhjes së prioriteteve.
– Autonomia iu dha Kosovës për shkak të shqiptarëve e jo për shkak të serbëve.
– Një pjesë e madhe e popullit grek ka prejardhje shqiptare.
– Shpesh herë, paqja peshon si vlerë më shumë se interesat e tjera.
– Shteti i parë Serb është formuar në Rashkë dhe jo në Kosovë.
– Sot, në Kosovë dhe në vise, nuk mund të gjesh as 1% të shqiptarëve që janë pro serbë.
– Grekët, që nga koha antike e deri në ditët e sotme, kanë bashkëjetuar me shqiptarët duke u përzier me ta në vazhdimësi.
– Individi dhe komuniteti që nuk kultivon nevojën për pendesë, nuk arrin t’i korrigjojë gabimet.
– Maqedonia s’ka të ardhme, kështu siç po shkon.
– Popujt e Ballkanit vuajnë nga një strabizëm etno-politik që i bën të shohin shtrembër njëri –tjetrin.
– Propanganda serbe është mjeshtërore dhe nuk ka skrupuj moralë.
– Një VIP ( Very Important Person) nuk mund të pranojë lehtë të bëhet NIP (Non Important Person). / KultPlus.com

“Jeta dhe vepra e Arbën Xhaferit”, eveniment kulturore për filozofin dhe politikanin shqiptar

Në nderim të filozofit dhe politikanit Arbën Xhaferi, më 15 gusht, do të mbahet një eveniment përkujtimor, përcjellë KultPlus.

Më 15 Gusht të 2012-tës i tërë opinioni në trojet shqiptare u njoftua se filozofi dhe politikani shqiptar Arbën Xhaferi ndërroi jetë. Një figurë e cila konsiderohej rilindas i fundit i shqiptarëve, që përmes gjuhës së tij dhe filozofisë politike të mprehtë ndërvepronin strategjitë dhe porositë për emancipim të shqiptarëve jo vetëm në Maqedoni, por në tërë rajonin. Emri i tij akoma lakohet dhe përmendet në tryezat ndërkombëtare si politikan pragmatik dhe i vendosur për të vazhduar përpara pavarësinë e Kosovës dhe ngadhënjimin e shqiptarëve.

Në nder dhe përkujtim të të ndjerit Arbën Xhaferit, organizohet eveniment përkujtimor “Jeta dhe Vepra ARBËN XHAFERI” ku do të marrin pjesë elita politike nga trojet shqiptare, ish bashkëpunëtorë të të ndjerit e familjarë. / KultPlus.com

5 vite nga vdekja e ikonës së letërsisë, artit e politikës, Dritëro Agollit

Shkrimtari, poeti dhe politikani shqiptar, Dritëro Agolli, ka vdekur më 3 shkurt të 2017, ai njihet si njëri prej shkrimtarëve më të mirë të kohës, shkruan KultPlus.

Nuk e kishte ndarë asnjëherë cigaren nga jeta e tij, e kjo ndikoi që ai të vuante për një kohë të gjatë nga një sëmundje në mushkëri.

Veprat e autorit të madh shqiptar, i cili u lind më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit, u përkthyen edhe në shumë gjuhë të huaja.

I paharrueshëm është edhe romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që flet për burokratin servil Zylo Kamberi, i cili falë Agollit, u bë subjekt filmash dhe këngësh.

Vepra e fundit e tij është libri me poezi “Prit edhe pak”, të cilin ia kushtoi bashkëshortes Sadijes.

Përveç krijimtarisë artistike, Agolli u mor edhe me politike, duke qenë një nga themeluesit dhe më pas deputet i Partisë Socialiste. /KultPlus.com

Intervista e rrallë e Rugovës për median gjermane: Unë kam hyrë në politikë duke e mbrojtur Lidhjen e Shkrimtarëve (VIDEO)

Ibrahim Rugova, njihet si presidenti historik i Kosovës i cili krahas kësaj njihej edhe si Intelektual, akademik dhe shkrimtar shqiptar, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për median gjermane, ai ishte pyetur për ndërlidhjen e politikës me letërsinë dhe se si bashkëjetojnë këto dy profesione . Ndërsa ai ishte përgjigjur se në politikë, ka hyrë duke e mbrojtur Shoqatën e Shkrimtarëve.
“Unë kam hyrë në politikë duke e mbrojtur Lidhjen e Shkrimtarëve, kur u prish Jugosllavia u sulmua edhe Lidhja e Shkrimtarëve, pastaj krijuam edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës ndërsa më 1992 u zgjodha president i Kosovës por unë jam edhe kritik letrar ndaj nuk e kam pasur të vështirë të futem në politikë”, ishte përgjigjur presidenti Rugova, i cili më pas kishte shtuar se këtë nuk e ka bërë për qëllime karrieriste por për të mbrojtur ekzistencën e tij dhe të popullit të Kosovës, si dhe për të krijuar një bazë të re të bashkëjetesës së Kosovës me Evropën dhe me botën.

“Është një politikë e ekzistencës dhe mbijetesës, që na është dashur ta zgjidhnim. Kam mësuar shumë nga kritika letrare edhe për marrëdhëniet e pushtetit në një vend të caktuar”, ishte përgjigjur tutje presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.
KultPlus ju sjellë videon e kësaj interviste./ KultPlus.com