Ministrja Dumoshi viziton zyrtarisht Tiranën, për të marrë pjesë në themelimin e Ligës Unike

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të qëndrojë në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku sonte, më 10 shtator, ora 19:00, në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshja historike ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet “Liga UNIKE”.

Kjo marrëveshje do të nënshkruhet në praninë e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Vlora Dumoshi dhe Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Besa Shahini.

Ashtu siç është paralajmëruar, i pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE. Ministrja Dumoshi themelimin e Ligës Unike të Basketbollit e konsideron një sukses të jashtëzakonshëm të bashkëpunimit në sport mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Ky është një hap i madh për sportin dhe u ka hapur rrugë edhe sporteve tjera që të fuqizojnë bashkëpunimin ndërmjet federatave përkatëse.

 Në Ligën Unike do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria si dhe organet e mekanizmat tjerë drejtues do t’i kenë me numër të barabartë të përfaqësuesve./ KultPlus.com