7 mijë turistë shijuan mrekullinë mbi liqenin e Komanit

Për të apasionuarit pas natyrës Maja e Murgës është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga ngjitja e një grupi të apasionuarish në Majën e Murgës, të cilët kanë shijuar bukuritë mbi liqenin e Komanit.

“Mirëmëngjes dhe me bukuritë që shtrihen mbi liqenin e Komanit, Maja e Murgës, destinacioni më i ri turistik i Pukës që këtë vit ka pritur mbi 7000 vizitorë, ju uroj një fundjavë të qetë

Maja e Murgës është një ndër destinacionet turistike që ofron Puka. E ndodhur në 600 metra lartësi, Maja e Murgës ofron pamje mahnitëse. Kjo hapësirë është tepër atraktive për të apasionuarit pas natyrës, malit, alpinizmit, lartësive, aventurës, etj.

Ngjitja e kësaj maje nuk është shumë e vështirë dhe me të mbërritur në destinacion, ju do të shijoni liqenin e Komanit në një tjetër këndvështrim. Pamja mbresëlënëse e liqenit të Komanit nga maja e Murgës konfirmon që bukuritë shqiptare i ka pikturuar natyra. / KultPlus.com

“Parajsa” e alpeve shqiptare (FOTO)

Lumi i Shalës në liqenin e Komanit është kthyer  vitet e fundit në një nga vendet më tërheqëse lumore të Alpeve Shqiptare si për turistët vendas edhe për ata të huaj.

I cilësuar nga mediet e huaja si një  “parajsë e vogël”, lumi ai është padyshim destinacioni më i preferuar sidomos nga të rinjtë.

Natyra e paeksploruar, lumi i kaltër dhe mundësitë e shumta të aventurave bëjnë që ky vend që prej muajit qershor të ketë një numër të lartë vizitorësh vendas, sepse të huajt për shkak të COVID-19 ende nuk janë të shumtë në numër.

Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore, e cila vetëm së fundmi është futur në guidat e agjencive turistike po tërheq një vëmendje të jashtëzakonshme, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura,  Shkodër, Agim Dardha tha për ATSH-në se “çdo fundjavë turistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë vizitojnë këtë bukuri natyrore, ndërsa turistët e huaj janë ende të pakët në numër. Çdo fundjavë që prej daljes nga izolimi lumi i Shalës është vizituar nga mbi 1 mijë turistë”.

Sipas tij, turistët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.

“Është padyshim destinacioni më i preferuar vitet e fundit, kjo për shkak të bukurisë mahnitëse që natyra i ka falur kësaj zone”, – shprehet Dardha.

Për të shkuar tek Lumi i Shalës më parë duhet të kalosh tek liqeni i Komanit dhe  padyshim duhet që kjo “rrugë” të bëhet me varkë.

Në afërsisht 1 orë e 20 minuta udhëtim turistët shikojnë  maje të larta malesh të mbuluara me bimësi, ndërsa në male ka disa shtëpi, ku ende banon dikush. Në ato male ndodhen edhe “Blinat e Toplanës” Monument Natyre, kategori e III-të sipas IUCN, ku ndodhen forma shkëmbinjsh edhe ndonjë shpellë.

Gjatë rrugëtimit të bien në sy edhe dy kryqe të vendosur, gjë që lidhet me besimin që ka patur kjo zonë, gjë që e ruan edhe në këto kohë.

Lumi i Shalës vetëm emrin ka të tillë, sepse në këtë pikë, Lumi i Shalës kalon në Njësinë Administrative Shosh. Para se të bëhej kaq i njohur banorët e zonës e njohin me emrin “Guri i Lekës” që lidhet me historinë e Lekë Dukagjinit, simbol i krahinës së Dukagjinit. Ajo që e bën sa të veçantë e të veçuar është fakti se në zonë nuk ka linjë telefonike e as linjë të energjisë elektrik. Kjo bën që turistët të shijojnë në maksimum natyrën e bukur dhe ujin Kristal, ndërsa fiksojnë në telefonat e tyre ose aparatet fotografikë momentet më të bukura dhe peizazhet fantastike.

Në ujin kristal të pastër e me një jeshile të smeraldtë, mund të bëni plazh vetëm nëse i rezistoni temperaturave të ulëta.

Lumi i Shalë duhet të jetë listën e destinacioneve turistike që çdokush dëshiron të eksplorojë këtë verë edhe në kuadër të nismës “Pusho shqip”, e cila do të kërkojë të rikthejë ndjesinë e gjithsecilit për të njohur më shumë Shqipërinë. / ATSH

Zanat zbresin prej bjeshkëve, udhëtojnë përmes Komanit (FOTO)

Duket si legjendë e zbritur nga bjeshkët, por është realitet. Çdo fundjavë në tragetet që çojnë turistët nga Komani në Fierzë dhe drejt Valbonës apo Gjakovës, udhëton një nuse. Me vello të bardhë dhe e bukur. Dhe gjithmonë ka një djalë simpatik që i rri në krah dhe shumë njerëz që i shikojnë. Pa pushkë e kobure si në kohë të vjetra, por me qeleshe të bardha, muzikë popullore. Valle nga Jugu në Veri dhe… hare. Kjo ndodh në liqenin e Komanit çdo fundjavë. Tashmë “Zanat” udhëtojnë me traget.

Jemi në stinën e verës e të dasmave dhe kjo është koha kur turistët preferojnë të bëjnë një udhëtim përmes liqenit të Komanit. I ndërtuar fillimisht si liqen artificial për furnizimin me ujë të hidrocentralit të Komanit, ai në vitin 2000 filloi të përdorej edhe për udhëtime ujore nga njëri vend në tjetrin, për të lidhur qytetin e Bajram Currit e Gjakovën me pjesën tjetër të vendit.

Më vonë, liqeni i Komanit ka filluar të nxisë edhe kureshtjen e turistëve vendas e të huaj, pikërisht për faktin e bukurive natyrore dhe monumenteve të natyrës e historisë që gjenden përgjatë brigjeve të tij.

Duke lundruar në liqen nga Komani deri në Fierzë, në një udhëtim që zgjat më pak se tre orë, vizitorët mund të shijojnë pamjet e mahnitshme që ofron peizazhi.

Udhëtimi me traget apo me ndonjë barkë më të vogël ofron kënaqësi të papërshkruar, ndërsa joshje më vete janë fshatrat e kësaj zone dhe grykat e disa lumenjve që derdhen në liqen.

Liqeni i Komanit është një ndër vendet më të bukura dhe që më së shumti ia vlen të vizitohen në Shqipëri, për ujërat dhe natyrën e veçantë.

Ka disa vite që organizohen ture nëpër liqen dhe interesimi rritet çdo ditë e më tepër, veçanërisht nga turistët e huaj, të cilët po mahniten me bukuritë që ofron ky udhëtim.

Lëvizjet turistike nëpër ujërat e liqenit të Komanit vazhdojnë përgjatë gjithë vitit, por sezoni i vërtetë turistik fillon nga maji deri në shtator, periudhë kur edhe klima është e përshtatshme.

Operatorët turistikë që operojnë në këtë liqen e pranojnë se zona ka nevojë ende për shumë investime të tjera veç tragetit dhe disa varkave, që të garantojnë turizëm të mirëfilltë. Përveç transportit, në këtë zonë nuk ka ndonjë vend që ofron akomodim për turistët e interesuar. Shpeshherë ata strehohen në shtëpitë e banorëve rreth brigjeve të liqenit, duke përdorur dhe ushqimet e banorëve të zonës.

Për eksploratorët e natyrës dhe të historisë së zonës, të kulturës dhe të zakoneve, shfrytëzohen për fjetje e strehim bujtinat e rralla të fshatrave buzë liqenit. Por, edhe në mungesë të kapaciteteve, zona e liqenit të Komanit duket të jetë mjaft tërheqëse për turistët.

Mundësia e kampingut në ndonjërin prej fshatrave të zonës, shëtitja nëpër pjesët e ndryshme të liqenit dhe ushqimi tradicional, tërësisht bio, duket se janë të mjaftueshme për kënaqësinë e tyre. Qëndrimi në këtë zonë është një aventurë e bukur dhe ja vlen të provohet.

Një nga fshatrat që ia vlen të vizitohet apo të ngrihet një kamping i vogël është edhe fshati Berbull, një fshat me kulla të bukura dhe me një pozicion të mahnitshëm me pamje mbi liqen. Nga këtu mund të nisesh e të vizitosh lumin e Shalës, një vend i mahnitshëm e përrallor; shpellat e tij apo lumin Daica, një vend i mrekullueshëm për qëndrim ditor dhe freskim.

Të mahnitur me pamjet përrallore të liqenit të Komanit janë shprehur shumë turistë të huaj, të cilët lundrimin nga Fierza në Koman apo anasjelltas e kanë cilësuar si “udhëtimin në mes të fjordeve shqiptare”.

Përveç dy porteve në të dyja anët e liqenit, atij të Fierzës dhe të Komanit, liqeni si tërësi ofron edhe shumë vende tjera që ja vlen të vizitohen.

Në mesin e tyre mund të përmendim lumin e Shalës, lumin e Daicës, lumin e Berishës, lumin i Gominës, Shpella e Shalës, Shpella e Kaurrit, Ishulli i Paqës, Përroi i Gjakut, si dhe fshatrat Svinë, Berbull, Zhub, Berishë, Nanbli, Temal, Toplane, Brise, Salcë, Palcë e të tjera.

Operatorët turistikë janë futur në aktivitet të plotë, sepse kjo është stina e lëvizjeve. Ja vlen një fundjavë udhëtimi nëpër Liqenin e Komanit. Zanat kanë zbritur prej bjeshkëve…