Liqeni i Zi në Radomirë, një perlë e fshehur mes maleve të Dibrës

Fshati i Radomirës, 37 km nga Dibra është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për të pasionuarit pas ngjitjeve në mal.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau sot në rrjetet sociale pamje nga liqeni i zi në Radomirë, si një ftesë për t’u vizituar nga turistë vendas e të huaj.

Liqeni i zi, një mrekulli natyrore e fshehur në fshatin Radomirë të Dibrës, është një destinacion përrallor.

Liqeni në dimër ngrin në sipërfaqe dhe ka një hapësirë prej 0.8 ha. Është i pasur me një botë të gjallë. Ka vlera shkencore gjeologjike, hidrologjike, biologjike, estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.

Ky liqen është i rrethuar nga një masiv pyjor me pishë të zezë. Për vlerat e veçanta natyrore gëzon statusin Monument Natyre.

Radomira, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, shënon hyrjen në rrugën turistike që ngjitet drejt malit të Korabit.

Pranë këtij fshati sidomos gjatë stinës së verës vijnë shumë turistë vendas e të huaj. E vendosur rrëzë malit të Korabit, majës më të lartë në Shqipëri dhe e rrethuar nga pisha është Radomira magjike.

Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në anët e Korabit përbëjnë burime të çmuara që mund të kontribuojnë në zhvillimin e zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

Dibra ka resurse të jashtëzakonshme natyrore, pasi është një nga trevat më të bukura të vendit, kufizohet me Maqedoninë dhe shtrihet në një territor të gjerë, nga lartësia e malit të Korabit dhe deri në kufijtë e Matit me malin e Dejës, ku shtrihet në veri Lura, një nga perlat e Shqipërisë.

“Liqeni i Zi” në Gramsh, destinacion i preferuar i të apasionuarve pas natyrës

“Liqeni i Zi” në Lenie të Gramshit është një pasuri natyrore që josh turistë nga i gjithë vendi dhe kryesisht të huaj.

I gjendur në një lartësi të madhe nga niveli i deti me origjinë akullnajore, rri në mes të një pllaje të rrethuar me kurorë pishash, livadhe dhe zambak të egër si një dëshmi e bukurive të jashtëzakonshme që ka treva e Gramshit.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur se, “Monumenti i Natyrës “Liqeni i Zi”  Lenie gjendet në lartësinë 1634 m, në afërsi të fshatit Lenie Gramsh. Përfaqëson një liqen me orgjinë akullnanjore. I rrethuar nga peizazhe malore ku liqeni dhe natyra e bukur krijojnë një destinacion të mrekullueshëm për një fundjavë në malet e bukura të Lenies”.

Vendosja e Liqenit të Zi në mes të një pllaje të gjerë, rrethuar me pisha dhe livadh krijon kushte të jashtëzakonshme për kamping, ecje në këmbë apo organizimin e festave për vizitorët. / atsh / KultPlus.com

‘Liqeni i Zi’, mrekullia natyrore e Dibrës

Natyra shqiptare i ka të gjitha që nga deti deri në majat e larta të maleve, mes plazheve përallore dhe luginave e liqeneve fantastike të cilat duhen zbuluar e shijuar patjetër.

Mes tyre është edhe “Liqeni i Zi”, një mrekulli natyrore “e fshehur” në Radomirë të Dibrës. Vetëm një orë larg qytetit të Peshkopisë, dhe 20 minuta lrag hyrjes portës së Malit të Korabit, mbi fshatin Tezë.

E mrekullueshme dhe rruga për atje, mes gjelbërimit dhe natyrës së virgjër dhe pishave alpine.

Me të mbërritur në fshatin Tezë mund të provosh dhe prodhimet bio të zonës që nga djathi i baxhove në këmbët e Korabit.

Pavarësisht rrugës pak të vështirë me pak përpjekje ja arrin të dalësh fitimtar dhe gjendesh përballë një mrekullie. Liqeni i rrethuar totalisht me pisha të larta, të jep ndjesi qetësie dhe një ndjesie sikur jeton në një tjetër realitet. Ndodhesh 2200 metër mbi nivelin e detit, afër një liqeni akullnajor ku dimrit ngrin në sipërfaqe dhe ka një hapësirë prej 0.8 ha. Është i pasur me një botë të gjallë dhe formojnë një ekosistem interesant të liqeneve akullnajorë.

Ky liqen, sipas Samet Zagradit, ka vlera shkencore gjeologjike, hidrologjike, biologjike, estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore. Shkurt, qartë dhe bukur ai është vendi ideal për të bërë piknik duke qenë sa më afër se kurrë me natyrën. Bimësia rreth tij është kaq e larmishme dhe e dendur duke pasuruar ekologjikisht këtë vend përrallor.

Destinacionin më pas mund ta vazhdosh drejt Majës së Korabit ku ngjitesh për rreth katër orë. /dsh/ KultPlus.com