“Revizori” shfaqja fituese e festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut”

Në edicionin e 20-të të festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, i cili në mënyrë tradicionale mbahet në Dibër, triumfoi teatri “Aleksandër Moisiu”, shfaqja e të cilit “Revizori” në regji të Driada Dervishit u shpall si më e mira.

Aktori Gentian Zenelaj u shpall si aktori më i mirë.

Çmimin “Sulejman Pitarka” për regjinë më të mirë e mori Zana Hoxha nga Teatri Kombëtar i Prishtinës për dramën “Zgjimi pranveror”.

Çmimin për aktoren më të mirë, për herë të dytë, e mori Vjollca Bekteshi nga Teatri Shqiptar i Shkupit.

Shfaqjet e teatrove nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova u mbajtën në sallën e koncerteve në Qendrën e Kulturës, duke ruajtur protokollet për mbrojtje nga Covid-19. / atsh / KultPlus.com

Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” shënon edhe një sukses tjetër


Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” me regji të Zana Hoxhës është shpërblyer me çmimin “Regjia më e mirë” në Festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoninë e Veriut” i mbajtur në Dibër.

Ky është një sukses tjetër i “Zgjimit të Pranverës” që deri tani është shpërblyer si: “Shfaqja më mirë në vitin 2020” në Kosovë dhe “Shfaqja më mirë” në edicionin e 14-të të ITF SkupiFestival.

Kurse në Festivalin “Moisiu On” në Tiranë aktorja Arta Muçaj është shpërblyer me çmimin “Aktorja më mirë joprotagoniste” me rolin e saj në shfaqje.

“Zgjimi i Pranverës” është bashkëproduksion i Artpolis – Qendra për Artin dhe Komunitetin dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Ulza, destinacioni turistik në Dibër

Qyteza e Ulzës vetëm 1 orë e 10 minuta larg Tiranës, është një nga destinacionet më interesante për të kaluar fundjavën, mes qetësisë dhe bukurive që kjo qytezë ofron.

Tashmë atë e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj nga Italia, Franca, Gjermania, Çekia e Polonia.

E pozicionuar midis bashkive Mat dhe Mirditë, Parku Rajonal i liqenit të Ulzës ka një sipërfaqe prej 4,206 hektarësh dhe shtrihet nëpër të gjithë kurorën e liqenit të Ulëzës dhe Shkopetit, në një lartësi 400 m mbi nivelin e detit.

Kjo është zona turistike më e afërt për banorët e këtyre bashkive, të cilët e frekuentojnë edhe për plazh gjatë verës. Pas shpalljes Park Natyror Rajonal rreth pesë vite më parë, tashmë Ulzën e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj.

Në këtë qytezë, turistët vendas dhe të huaj shijojnë bukuritë natyrore si dhe pyjet e shumta duke bërë hiking dhe eksploruar shtigjet. Gjithashtu turistët e aventurës mund të shijojnë lundrimin me kanoe në liqen. Për të apasionuarit pas turizmit të kulturës mund të vizitojnë kullat e vjetra plot histori nga e kaluara dhe kishat.

Mikpritja dhe kulinaria e shumëllojshme nuk mungojnë në këtë qytezë ku vizitorët shijojnë ushqimi tradicional me bazë peshku dhe prodhimet bujqësore të zonës.

Ulëza ka shumë për t’i ofruar turistëve përgjatë gjithë vitit. / KultPlus.com

Profili i një shqiptari, kampion bote në keç

Një histori vërtetë interesante, rrëqethëse dhe të duket disi e pabesueshme. Njihej si Akim Manuka, por realisht emri i tij është Hysni. Prejardhja i takon fshatit Luzni të Dibrës, ndërsa për shumë vite jetoi në Belgjikë.

Në vitin 1972, ai shpallet kampion bote në keç në peshën e rëndë dhe që asokohe fitoi shumë famë, duke u bërë një nga mjeshtrit e mbrëmjeve interesante në Bruksel.

Jeta e tij ishte e mbushur me suksese ne sportin qe ai kishte zgjedhur.

Një patriot që zemra i rrihte për atdheun e tij, ashtu si babai i tij Demir Manuka, i cili si një atdhetar i shquar në vite. Pas vitit 1950, familja Manuka arratiset sepse ishte në kundërshtim me regjimin komunist të asaj kohe. Për afro 15 vjet, jetojnë në Maqedoni, ose ish-Jugosllavi që quhej atëherë. Aty vërtet kalojnë një jetë plot peripeci, madje kampioni i ardhshëm i botës punonte në një fermë me panxhar. Pronari, një pasionant i mundjes, organizonte shpesh ndeshje mes djemsh të fortë dhe fituesi meritonte si shpërblim një kavanoz reçel, që ai ia dërgonte nënës për të kaluar një vakt bashkë me familjen e tij.

Ky sukses e shoqëronte atë të gjitha ditët e javës, sepse fitonte ndeshjen dhe bashkë me të, fitonte edhe kavanozin e reçelit. Më pas, familja ikën nga Maqedonia dhe sistemohet në Belgjikë. Falë cilësive të tij, ai nisi punën në një disko si ruajtës i qetësisë, falë edhe trupit që filloi t’i bëhej edhe më i bukur dhe muskuloz. Hysniu ishte trim dhe i vendosur. Ai guxonte të ndeshej me çdo lloj kundërshtari. Në një mbrëmje, në një nga lokalet që merreshin me organizime të lojës së keçit, kampioni i skenës kërkon një sfidant nga salla. Hysniu del dhe e fiton këtë duel, duke lënë shtangur të gjithë të pranishmit.

Që atë mbrëmje ai merr zemër, por tashmë fatin e tij e kishin në dorë menaxheret që iu vërsulën si shushunja, pasi panë një “peshk” të madh. Një nga shqetësimet e menaxhereve, që më së shumti ishin amerikanë dhe kroatë, ishte emri i tij. Për të rritur marketingun e tij në media, ata vendosën që të ndërrojnë emrin e tij. Por këmbëngulja e të atit ishte tejet e madhe. Demiri, babai i tij nuk pranonte edhe pse i afroheshin shuma të mëdha. Tashmë në Bruksel, ai ishte një lider në këtë sport dhe ethet për kampion bote kishin nisur.

Por kërkohej kjo marrëveshje e emrit. Me shumë vështirësi u gjet një emërues i përbashkët, që të ishte emri Akim, një hero i një filmi vizatimor në xhungël, që Hysniu e vendosi vetë, pasi menaxheret donin emër jugosllav. Me ndryshim e emrit, nis një histori e re. Falë stërvitjes dhe egos së tij, një mbrëmje e bukur e gjeti atë në SHBA, ku jetoi 3 vjet. Pas shumë garave dhe shfaqjeve brilante, vjen edhe dita e titullit kampion bote.

Ai kishte sfiduar më parë emra të mëdhenj të botës, si Manuel Soto, Kauzo, Rivera, Evans, etj. Shqiptari, që pakush e njihte si të tillë, bëri famë të madhe dhe pushtoi faqet e gazetave të asaj kohe. Ishte viti 1972. Por fakti qe ai kurrë nuk e mohonte origjinën e tij i prish shumë punë. Në një mbrëmje kur ai fitonte një tjetër finale të madhe, stafi i tij i bën një lojë të habitshme. Katër vajza jugosllave caktohen nga organizatorët që t’i dërgonin lulet në ring kampionit Manuka dhe këtë fitore t’ia faturonin Jugosllavisë. Madje njëra prej vajzave bie në dashuri me djaloshin shqiptar, i cili pa e ditur nga ishte ajo, pranon ftesën e saj të ndjenjës.

Që nga ajo ditë, ai u martua dhe jetoi për 25 vjet me vajzën kroate, të cilën e mori për grua dhe lindi 3 fëmijë. Komentatori në ring e quajti Manukën, kampionin e luleve, sepse ai kur mësoi se nga i vinin lulet dhe qëllimin e keq të menaxherëve dhe stafit nuk e pranoi këtë fitore për hir të ndjenjës patriotike që kishte, por pranoi vetëm lulet, sepse nuk e dinte adresën e tyre nga ishin. Një tjetër mbrëmje e jashtëzakonshme në karrierën e tij, ka qenë ndeshja në Montreal të Kanadasë, kur ndeshej dhe fitonte përballë luanit tjetër,

Eduardo Karpentier dhe fotot e kësaj ndeshje, do të hapnin faqet e gazetave të kohës. Akim Manuka ishte kthyer në një “përbindësh”, që dhuronte spektakël, garë dhe mjeshtëri. Ai ishte bërë personazhi i kohës në këtë sport, por prapaskenat e menaxherëve dhe drejtuesve të sportit, shkelën mbi djersën dhe historinë e tij, e cila u mbyll më shpejt sa meritonte ky kampion i madh. Më pas, ai rikthehet në Belgjikë ku vazhdon jetën e tij, duke u bërë vetë organizator i mbrëmjeve spektakël të keçit në lokalet më të mëdha të Brukselit.

Ai njihet nga të gjithë, si një prej specialistëve dhe njerëzve më të shquar, por edhe organizatorëve të rrallë, që zbulon talente të tilla në një sport, që në Belgjikë është kthyer në kult.

Akim Manuka u nda nga jeta më 1 prill 2016, në moshën 72 vjeçare./ Materiale marrë nga rrëfimi i Dëfrim Met’hasani / KultPlus.com

Elina Duni me turne në Maqedoninë e Veriut

Këngëtarja zvicerane me origjinë shqiptare, Elina Duni, e vlerësuar si një nga zërat më intersante në skenën e Evropës mes folkut dhe xhazit, nga 30 korriku deri në 2 gusht 2021 do të jetë në një turne në Maqedoninë e Veriut, përcjellë KultPlus.

Këngëtarja shqiptare e xhazit, e cila kombinon këngët tradicionale folklorike shqiptare me jazzin, do të interpretojë me Rob Luft dhe Gent Rushin.

“De Saussure” ishte shkolla artistike ku Duni zbuloi jazz-in dhe e gjeti veten në këtë rrymë muzikore. / KultPlus.com

‘Liqeni i Zi’, mrekullia natyrore e Dibrës

Natyra shqiptare i ka të gjitha që nga deti deri në majat e larta të maleve, mes plazheve përallore dhe luginave e liqeneve fantastike të cilat duhen zbuluar e shijuar patjetër.

Mes tyre është edhe “Liqeni i Zi”, një mrekulli natyrore “e fshehur” në Radomirë të Dibrës. Vetëm një orë larg qytetit të Peshkopisë, dhe 20 minuta lrag hyrjes portës së Malit të Korabit, mbi fshatin Tezë.

E mrekullueshme dhe rruga për atje, mes gjelbërimit dhe natyrës së virgjër dhe pishave alpine.

Me të mbërritur në fshatin Tezë mund të provosh dhe prodhimet bio të zonës që nga djathi i baxhove në këmbët e Korabit.

Pavarësisht rrugës pak të vështirë me pak përpjekje ja arrin të dalësh fitimtar dhe gjendesh përballë një mrekullie. Liqeni i rrethuar totalisht me pisha të larta, të jep ndjesi qetësie dhe një ndjesie sikur jeton në një tjetër realitet. Ndodhesh 2200 metër mbi nivelin e detit, afër një liqeni akullnajor ku dimrit ngrin në sipërfaqe dhe ka një hapësirë prej 0.8 ha. Është i pasur me një botë të gjallë dhe formojnë një ekosistem interesant të liqeneve akullnajorë.

Ky liqen, sipas Samet Zagradit, ka vlera shkencore gjeologjike, hidrologjike, biologjike, estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore. Shkurt, qartë dhe bukur ai është vendi ideal për të bërë piknik duke qenë sa më afër se kurrë me natyrën. Bimësia rreth tij është kaq e larmishme dhe e dendur duke pasuruar ekologjikisht këtë vend përrallor.

Destinacionin më pas mund ta vazhdosh drejt Majës së Korabit ku ngjitesh për rreth katër orë. /dsh/ KultPlus.com

Historia e panjohur e Ferid Jegenit, mësuesit patriot që hapi shkollat e para në Dibër

Publikohet historia e panjohur të Ferid Tofik Jegenit me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili pasi morri mësimet e para në qytetin e lindjes dhe më pas në Selanik, bashkë me shumë djem dibranë vazhdoi studimet në kryeqëndrën e Perandorisë osmane në Stamboll, duke ndjekur Fakultetin e Shkencave Ekzakte (Dega Matematikë), por u detyrua t‘i ndërpresë ato, pasi në atë kohë filluan trazirat e luftës ballkanike dhe familja u detyrua ta tërhiqte Feridin në Dibër, ku dhe nisi punën si sekretar krahinor në Komunën e Maqellarës, punë të cilën ai e vazhdoi deri në vitin 1915, ku bashkëpunoi ngushtë me këshillat e pleqve dhe popullin e asaj treve dhe me ndihmën e tyre u ndërtuan privatisht e u hapën 7 shkolla shqipe në fshatrat: Trebisht, Ostren i Vogël, Borovë, Klenjë, Stërblevë, Lejcan, Lladomiricë.

Kur Feridi punonte në krahinën e Gollobordës, në zbatim të vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913, pas nëntë vitesh po përcaktohej në terren kufiri lindor i vendit tonë me Jugosllavinë, i caktuar që më 1913-ën, nga Traktati famëkeq i Londrës, nga një komision i ngritur për këtë qëllim. Në atë kohë, falë edhe gjuhëve të huaja që zotëronte, Feridi u thërrit si konsulent pranë atij komisioni, ku shërbeu disa muaj. Me punën e tij ai ndikoi shumë në vendimet e atij komisioni për vendosjen e vijës së kufirit, duke vërtetuar se të gjitha fshatrat e asaj zone, flisnin gjuhën shqipe.

Pasi Ferdi shërbeu edhe si drejtor i shkollës dhe i konviktit në fshatin Kastriot në Peshkopi, ai u transferua në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, me motivacionin; “Për ide të shkëlqyera në fushën e arsimit dhe për rolin e shkollës në një shoqëri të qytetëruar”. Por edhe pse Ferid Jegeni punoi me një përkushtim të rrallë për disa dekada në përhapjen e arsimit shqip, gjatë viteve të regjimit komunist, puna dhe kontributi i tij u la në harresë, duke mos i’u dhënë vendi që i takonte.

Ferid Jegeni, mësuesi që hapi shkollat e para në Dibër;

Një ndër ata mijëra mësues të armatës së madhe të arsimtarëve shqiptarë, të cilët i’a kushtuan të gjithë jetën e tyre përhapjes së gjuhës shqipe dhe çështjes kombëtare, pa dyshim që mbetet edhe Ferid Jegeni. Një intelektual i njohur me origjinë nga Dibra e Madhe, puna dhe kontributi i të cilit, u la në harresë gjatë viteve të periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nisur nga ky fakt, në shenjë homazhi dhe nderimi, Memorie.al po e kujton këtë misionar të shquar të arsimit shqip, duke sjellë në këtë shkrim një histori të shkurtër të jetës dhe punës së tij, kryesisht në lëmin e arsimit.

Shkollimi në Manastir, Selanik e Stamboll;

Sipas dëshmive dhe kujtimeve të disa prej pinjollëve të familjes së njohur Jegeni nga rrethi i Dibrës dhe të afërmve të tyre, Ferid Jegeni, i cili ishte djali i madh i patriotit të njohur, Tofik Jegeni, u lind në Dibër të Madhe, më 20 shtator të vitit 1893. Ata kujtojnë se Feridi vinte mesatar nga shtati, por kish një trup të lidhur, me sy depërtues dhe që shquhej jo vetëm për edukatën në të sjellur, por edhe për inteligjencën, gjë e cila shumë shpejt tërhoqi vëmendjen e mësuesve dhe shokëve të shkollës. Mësimet e para Feridi, i mori në qytetin e tij të lindjes, në Dibër të Madhe, ku dhe mbaroi me rezultate të larta shkollën qytetare, drejtor i së cilës në atë kohë ishte Abdyl efendi Tirana (Balla).

Nën drejtimin e të atit, Tofikut, bashkë me shumë djem të tjerë dibranë, Feridi mori mësimet e para në gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit. Mësimet e para në qytetin e lindjes, i mbaroi shkëlqyeshëm, duke u shpallur nxënësi më i mirë, dhe si shenjë stimulimi, nga drejtuesit e shkollës atij i dhuruan një orë prej floriri. Pasi mbaroi shkollën qytetëse në Manastir, Feridi, vazhdoi shkollën e mesme në qytetin e Selanikut në Greqi, ku ai u dallua në përvetësimin e gjuhëve të huaja. Si rezultat, në mbarimin e shkollës në Selanik, ai zotëronte shkëlqyeshëm turqishten, frëngjishten, arabishten dhe persishten. Pas kësaj ai ndoqi mësimet në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll, duke studiuar për shkencat ekzakte (në matematikë), por u detyrua t‘i ndërpresë ato, pasi në atë kohë filluan trazirat e luftës ballkanike. Si rezultat i atyre ngjarjeve, familja u detyrua ta tërhiqte Feridin në Dibër, ku dhe nisi punën si sekretar krahinor në Komunën e Maqellarës, punë të cilën ai e vazhdoi deri në vitin 1915.

Hap shkollat në Zerqan;

Në atë periudhë kohe që Feridi shërbente si nëpunës në Komunën e Maqellarës, jashtë detyrës shtetërore, në mënyrë vullnetare, ai u mësonte të rinjve gjuhën shqipe. Por gjatë asaj kohe Feridin e brente lënia për gjysmë e shkollës në Stamboll dhe nisur nga ky fakt, ai i’u përvesh punës duke bërë të mundur që në vitin 1920, të jepte provimet dhe të merrte dëshminë e aftësisë për të dhënë mësim në shkollat e mesme të vendit. Pas kësaj, po atë vit, Feridi nisi detyrën e mësuesit në fshatin Patin të nënprefekturës së Matit.

Në dhjetor të vitit 1922, ai u emërua krahinar (kryetar komune), në trevën e Gollobordës. Sipas dëshmive të familjarëve të tij, Feridi, kujtonte shpesh se ajo periudhë kohe, kishte qenë vendimtare në përcaktimin e synimeve të tij, për t‘ju kushtuar përhapjes së gjuhës shqipe dhe mjaft problemeve të tjera që kishin të bënin me ç’ështjen kombëtare. Kjo është dhe periudha kur ai punoi intensivisht, me të gjitha fuqitë fizike e morale, për përhapjen e dijes e të kulturës në trevën e Dibrës. Në janar të vitit 1923, Feridi i bëri një kërkesë Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku argumenton domosdoshmërinë e hapjes së shkollave shqipe në nënprefekturën e Zerqanit, krahinë e cila historikisht kishte qenë arsimdashëse dhe kishte nxjerrë jo pak figura të shquara, por që në atë kohë ishte lënë në harresë.

Kërkesa e Feridit u pranua menjëherë nga Ministria e Arsimit dhe me miratimin e saj ai nis punën për të realizuar qëllimin që i kishte vënë vetes. Për këtë gjë, Feridi bashkëpunoi ngushtë me këshillat e pleqve dhe popullin e asaj treve. Me ndihmën e tyre u ndërtuan privatisht dhe u hapën 7 shkolla shqipe në fshatrat: Trebisht, Ostren i Vogël, Borovë, Klenjë, Stërblevë, Lejcan, Lladomiricë. Mirëpo, edhe pse u bë e mundur hapja e shkollave në këto fshatra të thellë, Feridi nuk e quante të përfunduar misionin e tij dhe qëllimin që i kishte vënë vetes, pasi mungonin mësuesit që do të jepnin mësim në ato shkolla. Nisur nga ky fakt, Feridi, nis të përgatisë vetë kuadrin mësues, duke udhëtuar fshat më fshat, në një reliev malor dhe kushte klimaterike të ashpra, duke organizuar kurse për përgatitjen e mësuesve të rinj.

Funksionar në Ministrinë e Arsimit;

Në vitin 1924, Feridi krijon familje duke u martuar me një vajzë të re në Dibër të Madhe, e cila quhej Menduka Pustina, e bija e Ali Pustinës, nga familjet më të dëgjuara të Dibrës, mbesa e Nuredin Pustinës, dy personalitete, shoqërore e politike mjaft të njohura të asaj kohe. Ali Pustina ra heroikisht më 1914-ën, në luftë kundër pushtuesit serb, në zonën e Gollobordës. Sipas dokumenteve që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, (kutia nr.2, dosja 28, fleta 323, viti 1923), bëhet e ditur se Ferid Jegeni, ka shërbyer edhe si drejtor i shkollës dhe i konviktit në fshatin Kastriot në Peshkopi, duke qenë kështu i pari drejtor i emëruar i asaj shkolle të famshme, me mjaft emër jo vetëm në Qarkun e Dibrës, por edhe më gjerë.

Gjatë asaj periudhe që ai shërbeu pranë asaj shkolle, nuk mungojnë përpjekjet e jashtëzakonshme të Feridit për ta vënë punën në shkollë mbi baza shkencore dhe për të organizuar e sistemuar konviktin, i cili ishte i pari në atë trevë. Pas pesë viteve që shërbeu ai, në vitin 1928, Feridi transferohet në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, me motivacionin; për ide të shkëlqyera në fushën e arsimit dhe për rolin e shkollës në një shoqëri të qytetëruar. Feridi u përpoq dhe punoi me një përkushtim të rrallë, për një zhvillim të arsimit shqiptar mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike.

Largimi nga Ministria e Arsimit, si person “non grata”;

Sipas dëshmive të familjarëve të tij, si një atdhetar dhe nacionalist i vendosur në çështjen kombëtare, në një kohë kur në arsimin dhe kulturën shqiptare kishin hyrë ideologji të huaja (ndikimi i metodave fashiste italiane), të rrezikshme dhe me pasoja për fatet e Shqipërisë, Ferid Jegeni, do të kundërshtonte, madje nuk do të lejonte ndërhyrjet imponuese në punën e arsimit shqiptar. Pikërisht për këtë qëndrim më 1938-ën, kur ishte funksionar në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, në moshën 45-vjeçare, e nxjerrin në pension, si person “non grata”.

Pas kësaj, Feridi kthehet në vendlindjen e tij tepër i zhgënjyer, dhe për të mposhtur dhimbjen e njëkohësisht dhe pafuqinë e vet, fillon të merret me mbarështrimin e çifligut të familjes, në Sokolliq të Dibrës së Madhe. Atë punë ai e bënte bashkë me të vëllain, Musa Jegenin.

Ndihmon në shkollimin e të rinjve dibranë;

Gjatë periudhës kur Feridi punonte në Ministrinë e Arsimit, ku ai mbulonte edhe sektorin e bursave, ai bëri një përpjekje të madhe për t‘ju akorduar bursa shtetërore, mjaft fëmijëve dhe nxënësve dibranë dhe atyre të viseve të ndryshme të Kosovës. Kështu, gjatë asaj kohe shumë nxënësve nga trevat e Kosovës e të Dibrës, i’u dhanë bursa për të ndjekur shkollat e mesme dhe të larta, jo vetëm në shkollat, liceun pedagogjik dhe tregtar, apo në gjimnazin ushtarak dhe në shkollën Mbretërore Ushtarake në Tiranë e në qytetet kryesore të vendit, por edhe jashtë shtetit.

Në këtë periudhë, shumë djem dhe vajza dibrane u arsimuan me përkrahjen e Feridit, madje edhe të të vëllait të tij më të vogël, Isa Jegenit, i cili në atë kohë, ishte funksionar në Drejtorinë e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Vëllezërit Jegeni, që arsimimin e shihnin si një domosdoshmëri për mëvetësinë dhe përparimin e atdheut të tyre, pa shkelur parimin që t’u jepnin bursa nxënësve me nota shumë të mira dhe që ekonomikisht nuk kishin të ardhura financiare, mundoheshin të përkrahnin këta të fundit, të bindur se të pasurit do të mund t‘i mbanin fëmijët e tyre në shkollë me mundësitë e veta, e në këtë mënyrë rritej numri i të shkolluarve.

Feridi bënte punë agjitative dhe i nxiste familjet e të varfërve që të mos i pengonin fëmijët e tyre për të vazhduar shkollën. Madje, në shumë raste ua shkruante vetë kërkesat nxënësve. Një plejadë e tërë intelektualësh nga treva e Dibrës, jashtë dhe brenda kufirit, mbaruan shkollat e mesme dhe të larta, në sajë të kujdesit e ndihmës së madhe të Ferid dhe Isa Jegenit. Kështu vazhduan liceun e Korçës; Nazmi Uruçi, Akil Sakiqi, Muntaz Kodra e të tjerë djem dibranë, që më vunë u bënë kuadro të larta të shtetit shqiptar.

Në Shkollën Tregtare të Vlorës, studionin Xhevat Pustina, Remzi Verzivolli, Remzi Pustina etj. Në shkollën teknike “Harry Fultz”, Tiranë, studiuan Irfan Tërshana, Dali Ndreu etj. Po kështu, vëllezërit Jegeni kanë ndihmuar për të studiuar jashtë shtetit për shkencat mjekësore edhe Hiqmet Menzelnxhiun (Dibra), Abdulla Pashollin, Urfi Agollin, Shefqet Ndroqin etj., të cilët në specialitetet e tyre u bënë figura të shquara në mbarë vendin.

Kontributi i Jegenit, s‘u vlerësua nga regjimi komunist!

Por edhe pse Ferid Jegeni punoi me një përkushtim të rrallë për disa dekada në përhapjen e arsimit shqip, gjatë viteve të regjimit komunist, puna dhe kontributi i tij u la në harresë, duke mos i’u dhënë vendi që i takonte. Edhe pse në arkivat e shtetit shqiptar gjenden mjaft dokumente me relacionet e bërë kundër tij nga ana e legatës italiane, në periudhën kur Feridi punonte si drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, atij nuk i’u dha kurrë pensioni patriotik.

Madje, jo vetëm kaq, por veprimtaria e tij në fushën e arsimit shkollor, ku qe jo vetëm mësues i nderuar e drejtues shkolle, por edhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit deri në vitin 1938, nuk u përmend as nga shkruesit e historisë së arsimit në Shqipëri. Në muajin nëntor të vitit 1963, i harruar krejtësisht nga shteti të cilit ai i shërbeu për dekada me radhë, Ferid Jegeni ndërroi jetë, pa marrë edhe pensionin që i takonte. Vetëm pas viteve ‘90-të, me propozimin e Ministrisë së Arsimit, Presidenti i Republikës, Sali Berisha, me dekretin nr.642, datë 3.9.1993, i dha titullin “Mësues i Merituar”.

Jeta dhe puna e mësues Feridit në kujtimet e nxënësve të tij;

“Ai ishte një misionar i vërtetë i arsimit shqip”

Sipas Vesel Pitarkës dhe Nefail Pustinës, ish-nxënës të shkollës qytetase të Kastriotit, Peshkopi, (shkollë ku kishte dhënë mësim Feridi), të cilët më vonë do të vazhdonin shkollën ushtarake në Tiranë, me ndërhyrjen e vëllezërve Jegeni, ata u dërguan për të studiuar në Itali. Përkatësisht për ‘Roje Finance’ dhe Inxhinieri, ‘Xhenier ushtarak’. Pas studimeve në Itali, Pitarka me Pustinën u kthyen në Shqipëri, ku patën një karrierë të shkëlqyer në fushat e tyre. Këta ish-nxënës të Ferid Jegenit, së bashku me shokët e tyre: Miftar Jegeni, Ahmet Jegeni dhe Hajri Jegeni, vite më vonë do të kujtonin: “Shkolla dhe konvikti “Dibra” në Kastriot të Peshkopisë, qenë ndër më të mirat e shkollave të vendit. Ferid Jegeni në atë kohë ishte drejtor i shkollës dhe i konviktit, i cili i rrinte mbi kokë vetë çdo pune. Flinte apo nuk flinte 4-5 orë gjumë në 24 orë, por ishte energjik dhe i papërtuar. Përveç kujdesit për përparim në mësime të nxënësve, ai u mësonte atyre të bënin një jetë të kulturuar, në çdo aspekt”. Një tjetër ish-nxënës i Feridit, Ruzhdi Shehu, oficer-akademist, kujton: “Ferid Jegeni atdhetarizmin e vet e manifestonte edhe në fushën fetare. Ai na i përkthente lutjet fetare nga arabishtja në shqip, që ne të luteshim në gjuhën tonë të bukur. Ai, kishte një shije të hollë, fjalë pak, por fjala e tij ishte për të gjithë bindëse. Ai, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ishte një misionar i arsimit shqiptar, me zemër të madhe, fisnik, mësues i denjë dhe patriot i ndershëm.

Historia e Feridit me Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, që e bindi komisionin që t‘i linte fshatrat shqiptarë këtej kufirit

Ndërkohë që Feridi punonte në krahinën e Gollobordës, në zbatim të vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913, pas plot nëntë vitesh po përcaktohej në terren kufiri lindor i vendit tonë me Jugosllavinë, i caktuar që më 1913-ën, nga Traktati famëkeq i Londrës, nga një komision i ngritur për këtë qëllim. Në atë kohë, falë edhe gjuhëve të huaja që zotëronte, Feridi u thërrit si konsulent pranë atij komisioni, ku shërbeu disa muaj me radhë. Me punën e tij ai ndikoi shumë në vendimet e atij komisioni për vendosjen e vijës së kufirit, duke vërtetuar se të gjitha fshatrat e asaj zone, flisnin  gjuhën shqipe.

Jo vetëm familjarët e Ferid Jegenit, por edhe mjaft të moshuar të atyre zonave ku ai bashkëpunoi ngushtë me përfaqësuesit e huaj të kontrollit dhe ndarjes së kufijve, e mbajnë mend dhe tregojnë akoma në bisedat e tyre rreth odave dibrane, një histori të largët të ndodhur në ato anë kur ndahej kufiri. Ata tregojnë se si Feridi arriti të bindë Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, vetëm me anën e një manovrimi: Ai nxori nga xhepi një qese me para të vogla metalike (korona), dhe i’a dha një mësuesi në oborrin e një shkolle, duke e këshilluar t‘ua hidhte fëmijëve kur ata të dilnin në pushim.

Në prani të përfaqësuesve të Komisionit të Kontrollit të Kufijve, mësuesi dibran veproi ashtu si e porositi Feridi dhe menjëherë të gjithë fëmijët u hodhën për të marrë monedhat, duke thërritur: “Mora kaq, mora aq”. Bile nisën edhe të grinden. “Ma more p’i dore”, “Të marrtë drejqi” etj. Në këto çaste, Feridi u kthehet maqedonasve dhe u thotë: “Hë…, si flasin këtu fëmijët”?! Ata ngelën dhe deshën s‘deshën, thanë: “shqip”. Kështu, falë këtij manovrimi të Feridit, disa fshatra, si: Gjinovec, mali i Gjinovecit (1616 m. mbi nivelin e detit), mali i Raducit, fshati Vernica, Trebishti dhe të tjera, mbetën brenda kufirit tonë shtetëror. Madje, po të shikohet me vëmendje vija kufitare e atij sektori, pasi kufiri kalon nëpër kreshtën e masivit malor të Jabllanicës, në zonën që përshkruam më lart, ajo pëson një kurbim pikërisht te fshatrat dhe malet që treguam më sipër.

Për këtë histori kanë dëshmuar para disa vjetësh edhe Rasim Mata dhe i vëllai i tij, të cilët kishin qenë nxënës në shkollën kur ndodhi ajo histori që përshkruam më lart. Po kështu, lidhur me këtë ngjarje, ka dëshmuar edhe Ali Erebara, jurist dhe anëtar i atij komisioni. Kur është pyetur z. Ali Erebara për atë ngjarje, ai është shprehur: “Unë atë gjest që bani Feridi nuk kam me e harrue kurrë, nuk e ka ba njeri deri më sot. Por ai, Feridi ka shumë merita, sidomos në përhapjen e arsimit në atë zonë. Për këtë ka dokumente në arkiv, sepse çdo gjë është shënuar në procesverbalin e përcaktimit të kufijve”./Memorie.al/ KultPlus.com

Ujëvara e Pocestit, mrekullia natyrore aspak e panjohur për dashamirët e ecjes në mal

Ujëvara e Pocestit, një nga atraksionet e shumta natyrore të Dibrës që pritet të duket edhe nga rruga e re e Arbrit, tashmë nuk është e panjohur për dashamirët e natyrës dhe të ecjes në mal.

Bashkia e Dibrës, duke ofruar pamje të kësaj ujëvare, synon promovimin e sitit për tërheqjen akoma më shumë të vizitorëve.

Ujëvara e Pocestit, ndodhet në lartësinë 1500 m, në shpatin lindor të malit të Deshatit, në afërsi të fshatit Maqellarë. Kjo ujëvarë e bukur është
me lartësi 13 m dhe formohet nga uji që del nga një e çarë e madhe në shkëmbin e thepisur gëlqeror, duke formuar një burim karakteristik, zhurma e të cilit dëgjohet në largësi.

Ujëvara e Pocestit është ndër më të vizitueshmet nga turistët vendas dhe të huaj, por me mbarimin e rrugës së Arbit, pritet rritje e interesit për ta vizituar nga afër. /atsh/ KultPlus.com

Rafting në Drinin e Zi, një mundësi më shumë për sezonin turistik në Dibër

Turistë vendas dhe të huaj zgjodhën Drinin e Zi për të kaluar fundjavën, në nja aktivitet që pritet të shndërrohet në risinë e sezonit turistik në këtë zonë.

Pushuesit dhe turistët, që zgjedhin Dibrën për të kaluar pushimet, do të kenë një mundësi më shumë për turizëm, pasi lumi Drin i Zi bashkë me luginën e tij piktoreske ofron mundësi mjaft të mira për rafting, duke i hapur rrugë zhvillimit të turizmit të aventurës në një destinacion të ri turistik.

Rafting i bashkëngjitet ofertave të tjera turistike që ofrohen në Dibër si një potencial më shumë për turistët dhe të apasionuarit pas këtij sporti.

Bashkia Dibër nëpërmjet këtij aktiviteti të mbështetur nga projekti “Bashkitë për në Europë”, North Green, Sava Construction u uron sezon të mbarë turistik të gjitha bizneseve lokale në fushën e turizmit dhe fton turistët vendas e të huaj të mos humbasin mundësinë për të zbuluar potencialet e jashtëzakonshme turistike që Dibra ofron.

Drini i Zi buron nga Liqeni i Ohrit, nga një lartësi mbidetare prej 695 m, ndërsa del nga territori i Maqedonisë në afërsi të qytetit të Dibrës në lartësi mbidetare 476 m. Gjatësia e përgjithshme e lumit është 149 km, dhe brenda Maqedonisë lumi është i gjatë 56 km.

Lumi rrjedh në veri në drejtim të qytetit të Dibrës në një zonë malore, ku pastaj e shënon një pjesë të kufirit të Maqedonia e Veriut – Shqipëri, për të kaluar pastaj në territorin e Shqipërisë. Pranë qytetit të Kukësit Drini i Zi bashkohet me Drinin e Bardhë duke formuar lumin e bashkuar Drini që ka derdhje në Detin Adriatik. /atsh / KultPlus.com

“Festa e të vjelave”, Dibra destinacion turistik

Dibra një destinacion turistik, ku turizmi gërshetohet me traditat, bukuritë natyrore të Korabit, kanionet e Drinit të Zi, vendlindjen e Skënderbeut dhe bashkë me to “Festa e të Vjelave”.

Bashkia Dibër, do të organizojë më 4, 5, dhe 6 tetor “Festën e të Vjelave”.

“Eja në Dibër sepse: festojmë bukuritë e Vjeshtës, dhe është “Festa e të Vjelave” dhe organizojmë: Ture turistike do të organizohen nga guidat lokale, të cilat do ju mundësojnë të kaloni një ditë ose më shumë më afër bukurive të natyrës së Dibrës, dhe të shijoni gatimet dhe karakteristikat tradicionale të saj. Eja dhe njihuni me bukuritë e Peshkopisë: Korabit, malit më të lartë të Shqipërisë, Luginës së Shërimit, Llixhave dhe fshatit turistik të Rabdishtit, vendlindjes së Skënderbeut dhe Kanionin e Setës”, shprehet bashkia Dibër. Në Dibër mund t’i shijoni prodhimet mahnitëse të stinës së vjeshtës.

“Kanionin e Drinit të Zi, në Gradec-Hotesh-Katund i ri; Ballkoni i Peshkopisë me Bahute-Grame-Zmur; Kërcini me bukuritë e agroturizmit në Maqellarë, kulturë dhe natyrë; Hinoska, me fshatrat e Melanit dhe Ilnices, dhe bjeshka e Valivarit; Eja në Dibër, sepse do shijoni prodhimet më të mira të Dibrës në stinën e vjeshtës, sepse është “Festa e të Vjelave”, shprehet bashkia./ KultPlus.com

Bebe Rexha shijon qëndrimin në Dibër (FOTO)

Bebe Rexha, këngëtarja shqiptare ka arritur të prek skenat ndërkombëtare pasi që u bë e njohur me hitin e saj “Meant to be”, me të cilin fitoi edhe një çmim javën e kaluar, shkruan KultPlus.

Bebe Rexha e lindur në New York, vjen nga një familje shqiptare që ka jetuar në Dibër të Maqedonisë. Bebe Rexha këto ditë ka udhëtuar pikërisht në vendin e rrënjëve të saj ndërsa duket se po i shijon ditët e qëndrimit atje pasi qdë sot ka publikuar mjaft pamje nga qëndrimi i saj me familjarët në Dibër.

Ajo madje ka publikuar një video nga shëtitja në qytetin e Dibrës derisa po dëgjon hitin e saj “I’m A Mess”.
“I’m A Mess në Dibër”, ka shkruar këngëtarja shqiptare.

Bebe Rexha kohë më parë ka publikuar albumin e saj më të ri “Expectations”./ KultPlus.com