Osmani i drejtohet Listës Serbe: Jo vetëm Presidente, jam edhe Komandante Supreme e Ushtrisë

Presidentja Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me homologun slloven i është përgjigjur Listës Serbe dhe kryetarëve të komunave në veri që vijnë nga kjo parti të cilët thanë se shefja e shtetit s’ka çka kërkon ta vizitojë veriun e Kosovës.

Osmani tha se jo vetëm që është presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës por është edhe Komandante Supreme e Ushtrisë.

“Lista Serbe më së paku është përfaqësuese e interesave të serbëve që jetojnë në Kosovë, ajo është shndërruar në interesat të organizatave kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së. Unë jo vetëm që jam presidente e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë por jam edhe Komandante Supreme e ushtrisë së këtij vendi, e cila në mesin e saj ka edhe shqiptarë, serbë, turq e të komuniteteve tjera”, tha ajo.

Osmani u shpreh se qytetarët serbë në veri po kërcënohen nga strukturat ilegale atje.

“Çfarë po ndodhë këto ditë është që qytetarët serbë po kërcënohen nga këto struktura ilegale, qytetarët serbë në Kosovë nuk frikësohen nga unë por nga udhëheqësit e organziatave kriminale të cilët po i mbajnë peng në mënyrë që të krijohen tensione në stilin e Putinit. I ftoj qytetarët serbë që të mos bien pre e propagandës që burimin e ka në Rusi dhe te njerëzit që i takojnë të kaluarës së Millosheviqit”, u shpreh ajo. /KultPlus.com

Lista Serbe e refuzon propozimin e KFOR’it që të qëndrojë në fuqi masa e reciprocitetit të targave

Subjekti politik përfaqësues i pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës, Lista Serbe, nëpërmjet një deklarate të lëshuar ka thënë se iu është refuzuar propozimi komandantit të KFOR’it, Franco Federici.

Ky i fundit iu propozoi që të zëvendësohet Njësiti Special i Kosovës me trupat e misionit paqeruajtës në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe të qëndrojë vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit të targave.

“Në konsultim me qytetarët tanë, ne njëzëri e hodhëm poshtë këtë propozim. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi gati të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën e lirisë së lëvizjes, e cila është vlera e Evropës moderne. Ajo duhej të zbatohej edhe për serbët në këtë zone”, tha Lista Serbe në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve ‘Beta’.

Partia e serbëve në Kuvend e ka quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit të targave, duke kërkuar nga Qeveria Kurti që të zbrapset nga ky vendim.

Ndërkaq, përgjatë ditës së djeshme Komandanti i KFOR’it ka njoftuar se ka biseduar me serbët në veri për ndërprerje të protestave.

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të siguirtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, është cituar të ketë thënë Frederici.

KFOR-i gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës./KultPlus.com