Kurti: Serbia po e kërcënon Kosovën me agresion, do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi

Pas situatës së tensionuar që u krijua në pikëkalimet kufitare Jarinjë e Bërnjak, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili thotë se Kosova nuk dëshiron konflikt, por paqe dhe progres. Megjithatë, Kurti thotë se agresionit do t’i përgjigjen me të gjitha fuqitë që ka Kosova.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook tha se nëse këto veprime nuk dënohen nga BE-ja dhe ShBA’të, atëherë kjo do ta inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Komunikata e plotë e kryeministrit Kurti:

Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së.

Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.

Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës).

Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.

Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.

Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë.. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë./ KultPlus.com

Lista Serbe e refuzon propozimin e KFOR’it që të qëndrojë në fuqi masa e reciprocitetit të targave

Subjekti politik përfaqësues i pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës, Lista Serbe, nëpërmjet një deklarate të lëshuar ka thënë se iu është refuzuar propozimi komandantit të KFOR’it, Franco Federici.

Ky i fundit iu propozoi që të zëvendësohet Njësiti Special i Kosovës me trupat e misionit paqeruajtës në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe të qëndrojë vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit të targave.

“Në konsultim me qytetarët tanë, ne njëzëri e hodhëm poshtë këtë propozim. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi gati të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën e lirisë së lëvizjes, e cila është vlera e Evropës moderne. Ajo duhej të zbatohej edhe për serbët në këtë zone”, tha Lista Serbe në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve ‘Beta’.

Partia e serbëve në Kuvend e ka quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit të targave, duke kërkuar nga Qeveria Kurti që të zbrapset nga ky vendim.

Ndërkaq, përgjatë ditës së djeshme Komandanti i KFOR’it ka njoftuar se ka biseduar me serbët në veri për ndërprerje të protestave.

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të siguirtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, është cituar të ketë thënë Frederici.

KFOR-i gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës./KultPlus.com

BE-ja: Kryenegociatorët të vijnë në Bruksel në ditët në vijim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se negociatorë kryesorë të Kosovës dhe Serbisë duhet të shkojnë në Bruksel për t’u takuar.

Ai tha se ky do të ishte edhe hapi i parë pozitiv që duhet të ndërmerret.

“Ne jemi atje duke ofruar shërbimin tonë më të mirë dhe vullnetin më të mirë për t’i ndihmuar Kosovën dhe Serbinë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë ta bëjmë këtë, prandaj përfaqësuesi më i lartë i BE-së, Josep Borrell, dje në deklaratën e tij propozoi takimin e të dy kryenegociatorëve për të ardhur në Bruksel në ditët në vijim si hapi i parë pozitiv për të gjetur zgjidhjet për mosmarrëveshjen diskrete që përshkallëzoi situatën sepse ajo që është urgjente është përshkallëzimi i situatës”, tha ai.

Stano shprehu përkushtimin e BE-së për t’i mbyllur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Që prej se ne kemi rinisur dialogun që është ende duke vazhduar nga viti 2011-të, verën e kaluar ne jemi munduar t’ju bëjmë të qartë të dyja palëve se mënyra e vetme për të arritur të ardhmen evropiane për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë arrihet nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashikimi Evropian”, tha Stano.

Ai tha se BE-ja po mundohet t’i ndihmojë palët për ta gjetur kompromisin e nevojshëm.

“Ky dialog është objektiv i cili duhet të arritur nëpërmjet kompromisit të lidhur ligjërisht përmbledhës me marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, kjo është çka BE-ja ofron dhe ne do të ofrojmë shërbime për të dyja palët për t’i ndihmuar ato që të adresojnë çështjet që mund t’i kenë për njëra-tjetrën për çfarëdo çështje të hapur që mund të kenë… Ne jemi duke u munduar që t’ju ndihmojmë të gjejnë kompromisin e nevojshëm për t’i dhënë fund të gjitha çështjeve të hapura që kanë mes vete”, deklaroi Stano./KultPlus.com