‘Më vjen turp që jam shoqëruar me ty’, letrat që Ismail Kadare shkëmbente me rusen Ljuba

Një ndër librat e Ismail Kadaresë perceptuar nga vetë autori, si njëfarë bashkëbisedimi mes miqsh është “Ftesë në studio”. Libri pasqyron disa copëza letrash që ai kishte shkëmbyer me vajzat ruse, me të cilat ishte shoqëruar gjatë kohës si student, në Moskë.

Ljuba, ishte njëra prej tyre. Një mikeshë të cilën autori, në kohën kur e ka shkruar letrën, kishte vetëm dy javë që e kishte njohur.

Ja çfarë i shkruan Kadare asaj, duke pasur në mendje letrën që Pushkini ia kishte dërguar Anne Kern:

“Ljuba ime e shtrenjtë. Një javë më parë kur me ndihmën e Zotit të shtiva në dorë (pa guxuar ta shkruaj krejt fjalën e ndyrë ruse, shënova vetëm shkronjën e parë j…. me tri pika), ishte vërtet një gjë e mrekullueshme, një ‘cudnoje mgnovjenje’, siç e shkruan Pushkini i madh.

Veç në mos më ke ngjitur triperin (në gjuhën tonë ai emërtohet me një fjalë me tingëllim madhështor skullamendo, e huajtur nga italishtja dhe që të kujton termat e muzikës, andando moderator, apo jo?), pra veç në mos ma ke ngjitur triperin, ndonëse një shkrimtar, Heminguej më duket, ka thënë se kur e marr prej teje edhe triperi më duket i mrekullueshëm.Kështu, pra, as ai s’ma zbeh dot dashurinë për ty, veç në mos e ke marrë prej ndonjë çifuti uzbek, se pavarësisht nga simpatia që kam për çifutet, kam dëgjuar se çifutet e Uzbekistanit e kanë triperin më të keq se sifilizin”.

Ja përgjigja që i kthen Ljuba:

“Që kishte në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime, kur erdhe për të pirë çaj tek ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë, më tha se ti ishe më i keq se ç’e kishte menduar. Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë i shkretë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty, ishte njësoj si të pije çaj me djallin. Edhe këto janë fjalë të nënës sime, e cila njësoj si unë e ndjen veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj dhe tani më dukesh edhe mua, si mishërimi i së keqes…

Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës veneriane për të kuptuar se ç’përbindësh je. I poshtër gjer në fund, duke e parë se me prindët e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha “Zoti e ndjeftë”.

Më vjen shumë turp që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë, shumë. Ljuba”

Të njëjtin zemërim shpreh edhe Llora, në një tjetër letër. Vetë shkrimtari e shpjegon kështu këtë kohë, në libër “Nga vinte kjo ndjenjë shkatërrimi, që kishte kohë që më kishte kapur? I prishja të gjitha lidhjet, i zëvendësoja me të përkohshme, të cilat ngutesha t’i prishja gjithashtu. Ishte pa dyshim, një sëmundje që zotëronte rreth e rrotull, por që mua më kishte zënë rëndshëm”.

Kadareja e shpjegon këtë krizë studentore, në romanin “Muzgu”. Por, pavarësisht zemërimit të Ljubës, ai është ndër të parët shkrimtarë që e ka cekur hapur këtë anë kaq njerëzore në jetën e një shkrimtari, duke treguar kohët e bukura të jetës studentore në Moskë dhe vajzat që takoi, të cilat ndikuan që ai të shkruante poezitë më të bukura për dashurinë.