Poeti që e bëri Shqipërinë të njohur në botën anglofone

“Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi mbi ty,
O nënë e rreptë burrash t’egër!”

Udhëtimet në një vend ekzotik si Shqipëria po shndërroheshin në një farë mode për anglezët, të cilët kërkonin aventura dhe dalje nga një jetë rregullash shumë të forta dhe kodesh të pathyeshme drejt ”lirisë”, ku natyra kishte falur pa kursim ngjyrat, relievet, larminë pa kufi brenda territoresh të kufizuara. Një ndër ta është Lordi Bajron, aq i njohur për të gjithë shqiptarët për gjithçka që shkruajti për ne në poemën e tij ”Child Harold”, ku romantizmi dhe ekzaltimet nga natyra rebele shqiptare duket se kanë ndikuar dukshëm në portretet e detajuara. Ishte ajo poemë që e bëri atë të shkëlqente menjëherë pas botimit. Ai e vizitoi jugun e Shqipërisë pothuajse fill pas William Martin – Leake-ut. Në letrën e tij dërguar nënës, ai i përshkruan shqiptarët në veshjet e tyre kombëtare si veshja më madhështore në botë. Një kopje e portretit të tij me kostumin kombëtar shqiptar gjendet e ekspozuar në National Portrait’s Gallery në Londër. Ai është konsideruar edhe si portreti më i bukur i tërë kohërave i përzgjedhur me të drejtë në atë muze arti. Ai është objekt studimi i një filmi dokumentar të BBC – së .

Njohja me veprën e Bajroni-t dhe veçanërisht me këto dy letra dërguar nënës së tij, si dhe me udhëtarin tjetër Hobhouse na jep një pamje interesante mbi ndërtimin e marrëdhënieve shpirtërore (ende jo diplomatike) midis shqiptarëve dhe anglezëve. Kjo përbën një pikënisje të njohjes së kombeve tona shumë kohë para se Shqipëria të ribëhej shtet dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Britaninë e Madhe. Ai vuri një gur të rëndë themeli në historinë tonë me përshkrimet e tij për suliotët, Ali Pashain, shqiptarët trima e të paepur, si dhe vendin që zinin ata në raport me grekët e kohës, etj.

Shenim: Portreti i Lordit Byron i pikturuar nga Thomas Philips vlerëson poetin e njohur në kostumin tradicional shqiptar. (Fotografuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve, Londër)

Bajron – i e ka blerë këtë kostum shqiptar në vitin 1809 ndërkohë që po bënte turneun e madh europian bashkë me mikun e tij John Hobhouse (1786 – 1869). Ai ka pozuar me të për këtë portret në vitin 1813, kur ishte njëzet e pesë vjeç. / Nga Mal Berisha / KultPlus.com

“Në jetë zemra e njeriut thyhet, por edhe me zemër të thyer jetohet”

Më 19 prill të vitit 1824, Lord Bajroni vdes në atë që tani është Greqi, ku kishte shkuar për të mbështetur luftën greke për pavarësi nga perandoria osmane. Edhe sot, ai konsiderohet si hero kombëtar grek. Historia e Bajronit është plot skandale, udhëtimet ekzotike; jeta e tij pompoze la përshtypje të thella, dhe emri i tij filloi të nënkuptojë njeriun e ndërlikuar; romantik, arrogant, të errët, cinik; shpërthim krijues, shije intrigues në veshje, muzikë, dhe seksualitet, dinak i pabesë, i poshtër (të gjitha përmblidhen në fjalorin urban nën “byronic”.

George Gordon Byron lindi në Aberdeen, Skoci, në vitin 1788. Këmba e çalë dhe mjedisi i varfër ia bënë të vështirë fëmijërinë, por në moshën 10 vjeçare Bajroni trashëgoi titullin Lord nga ungji i tij. Kjo i dha mundësi të dilte nga skamja, të shkonte në shkollë pastaj në Kolegjin Trinity, Kambrixh, ku u zhyt thellë në borxhe, në jetë të shthurur dhe marrëdhënie të pasionuar me gra e burra. Vëllimi i tij i parë i botuar me poezi, Orët e përtacisë (1807), u hodh poshtë nga kritika, sidomos në Skoci; dhe nw librin e tij të dytë, “English Bards and Scotch Reviewers” (1809), Bajroni sulmoi krijimtarinë dhe kritikën letrare angleze. Po atë vit, ai udhëtoi për në Portugali, Spanjë, dhe në Lindjen e Afërme për dy vjet. Përvojat e tij përfshihen në veprat e mëvonshme, si në “Childe Harold’s Pilgrimage” (1812 ), që i solli sukses të menjëhershëm në Angli; “u zgjova një mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm”, do të shprehej Bajroni; dhe poezia, sjellja, moda, shijet e tij filluan të imitoheshin gjerësisht.

Më 1815, Bajron u martua me Anne Isabella Milbanke, dhe më 1816, çifti u bë me vajzë, Ada, e cila kur të rritej do të shquhej në fushën e matematikës, dhe sot konsiderohet nga disa si programuesja e parë e kompjuterit. Martesa nuk zgjati shumë dhe çifti Bajron u nda ligjërisht. Në këtë kohë, shpërthen skandali mbi incestin e dyshuar të Bajronit me gjysmë-motrën e tij, Augusta Leigh, dhe i përçmuar nga shoqëria, detyrohet të largohet nga Anglia. Fillimisht u vendos në Zvicër, Gjenevë, afër poetit Percy Bysshe Shelley dhe gruas së tij, Mary Wollstonecraft Shelley. Atje, Bajroni përfshihet në marrëdhënie intime me motrën e gruas së Shellit, Claire Clairmont; nga kjo lidhje më janar 1817 lindi vajza tjetër e Bajronit, Allegra. Pas kësaj, Bajroni ikën në Venecia ku marrëdhënie të ngjashme nuk iu ndanë.

“Në fshehtësi u takuam –

Në heshtje u pikëllova,

Se një ditë do t’më harrosh,

Shpirti yt mund të mashtrohet.

Kur unë të dalë përpara

Pas viteve të gjata ,

Si duhet të përshëndes ty? –

Me heshtje dhe lot”

Në vitin 1819, ai u lidh me konteshën Tereza Guiccioli, gruaja e re e një konti të moshuar. Lord Bajron gjithashtu mbeti gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i çështjeve të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, duke mbështetur luftën greke për pavarësi. Ai u bashkua me kauzën e lirisë, udhëtoi e vizitoi Shqipërinë jugore, oborrin e Ali pashë Tepelenës, u takua me shqiptarë, arvanitas, qëndroi me suliotë, adhuroi zakonet, sjelljet, gjuhën, armët e veshjet, udhëhoqi stërvitjen e tyre në Missolongi, ku vdiq nga ethet, pak pas ditëlindjes së tij të 36-të. Bajroni jetoi ashtu siç shkroi ose anasjelltas: “Në jetë zemra e njeriut thyhet, por edhe me zemër të thyer jetohet”. / KultPlus.com

Vajza e Lordit Bajron, ndër programeret e para në botë

Për shumicën e njerëzve mund të duket e çuditshme që programerja e parë ishte një grua, dhe jo më pak se vajza e poetit anglez Lord Byron, Ada Lovelace

Puna e saj në bashkëpunim me Charles Babbage ka sjellë  revolucionin kompjuterik që njohim sot, shkruan KultPlus

Ada është vajza e vetme, brenda martesore, e Lord Byron.
Martesa njëvjeçare e Lord Byron me Anne Isabella Noel Byron solli në jetë gruan që do të bëhej programerja e parë duke i hedhur hapat e parë në botën e kompjuterëve.

Ada ishte braktisur nga babai i saj që kur ishte foshnje por gjatë gjithë jetës së saj kishte qenë e fasionuar me shkrimet e të atit.
Çka e kishte shtyrë nënën e saj Isabela ta detyronte vajzën të merrej me matematikë, ishte sjellja e Lordit Byron të cilin ajo e konsideronte të çmendur dhe injorues ndaj traditave të shoqërisë viktoriane në të cilin jetonin.

Isabela ishte e bindur se Byron ishte i çmendur dhe në një letër këmbim shkruan “Ai është i çmendur, i rrezikshëm dhe i keq me këdo që e takon”
Për ndryshe Ada Lovelace njihet ndryshe edhe si “Princesha e paralelogrameve” dhe ishte një mga mendjet më gjeniale të asaj kohe.

Sukseset të saj i ndihmuan tutorët e shoqërisë së lart angleze si William King (Fizikan) dhe Mary Somerville (Arstronome, matematiciente dhe gruaja e parë që i bashkohet akademisë skoceze për astronomi)./KultPlus.com