Sislej Xhafa mishëron veprën e tij ‘Lost and Found’ me natyrën e Pejës

Alberina Haxhijaj

E njëjta punë me telefonin që pret të cingërojë, nga Venecia e vitit të kaluar e ka sjellë Sislej Xhafën në Pejën e Kosovës.

Artisti ka ardhur në vendlindjen e tij në Pejë për të sjellë ‘E humbur dhe e gjetur’ në kuadër të ekspozitës ‘Të dua pa e ditur’.

Ekspozita “Të dua pa e ditur” e Xhafës është një rrugëtim nëpër lokacione të ndryshme duke zbuluar kështu punime të mëparshme të artistit, por edhe të tilla të reja. Bëhet fjalë për një udhëtim introspektiv, një shprehje e dashurisë së artistit ndaj atdheut- brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij. Një Sislej që shpaloset palë palë në punë artistike që e sjellin artistin e njohur në Kosovë, në habitatin e tij artistik ndoshta.
Ky rrugëtim i artistit kësisoj filloi me “Bazenin me dymbëdhjetë kitrra”, një udhëtim që nisë në fillim të Shtegut të Shëndetit në Pejë, te vendi i njohur si Breg-vorre për të vazhduar duke ecur përgjatë shtegut për më shumë se 30 minuta në ‘kërkim’ të veprës e cila qëndron e vendosur afër lokacionit që njihet si Bazeni, apo pishat.

Në mesin e bukurive të maleve të Rugovës që e rrethojnë hapësirën, në një harmoni të përkryer me natyrën, vizitorët e ekspozitës të lodhur nga ecja e gjejnë veten përballë një kabine me mbishkrimin “Lost and Found” (E humbur dhe e gjetur).

Kabina prapa vetes si mburojë ka malet e Rugovës ndërsa brenda vetëm një telefon me ngjyrë të zezë që tërheq vëmendjen e të gjithëve, një telefon që nuk cingëron.

Për drejtoreshën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Aganin, kjo është vetëm një pjesë përbërëse e ekspozitës e cila do të lërë gjurmë dhe me të cilën galeria dhe artisti po krijojnë histori.

Në anën tjetër për kuratorin Jerome Sans, “Të dua pa e ditur” është një deklaratë e dashurisë, një histori e vërtetë të cilën ai dhe artisti e kanë shkuar si një libër por që ka kapituj të ndryshëm.
“Kjo nuk është një retrospektivë, kjo është një introspektivë brenda vetë artistit”, thekson kuratori.
Ndërsa vepra edhe pse për herë të parë është prezantuar larg Kosovës, ajo është risjellë pasi është Kosova, origjina e kësaj vepre.
“Kjo punë ka potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm për Kosovën por edhe në konceptin global. Pra “Të dua pa e ditur” ju thotë se asnjëherë nuk e kam harruar se nga vij, asnjëherë nuk kam braktisur asgjë, nuk është se vetëm po sjelli vepra dhe po iki”, theksoi kuratori i cili duke buzëqeshur thotë se përmes tij burojnë fjalët e artistit Xhafa.

Pikërisht me këtë pjesë kuratori është shumë i lidhur pasi ai e konsideron veten një endacak të kulturës, gjithmonë në lëvizje nëpër vende të ndryshme ku humb dhe gjen gjëra.

“Pra ne humbim dhe gjejmë gjëra çdo ditë, jeta është e tillë, ne humbim kujtime, zbulojmë gjëra të reja, humbim miq, familjarë por përsëri na vijnë gjëra të reja. Pra, kemi të bëjmë me artin, dashurinë dhe botën”, tregon kuratori.

I rrethuar nga të pranishmit por edhe nga fëmijët që hidheshin në ujin e lumbardhit për tu larë, artisti Sislej Xhafa u shpreh se pikërisht kjo hapësirë i kujton vendlindjen e tij, Pejën.

“Për mua ka qenë shumë me rëndësi që ekspozita të jetë inkluzive, por jo ekskluzive. Prishtina ka kapacitet dhe aftësi, Prizreni është i mrekullueshëm, Gjakova po ashtu dhe të gjitha qytet e tjera. Por, Peja është një qytet magjik ku natyra mishëron gjithçka dhe mentaliteti i njerëzve mua më ka sfiduar me kriju diçka magjike në këtë qytet e që të mos jetë vetëm e këtij qyteti por të jetë edhe një mënyrë më globale e përceptimit të artit me natyrë. Pra, kjo është çka mundet me bo arti me natyrën”, tha Xhafa, artist i dëshmuar tanimë brenda e jashtë Kosovës dhe një personazh me botë artistike të cilën e ka transmetuar në plot ekspozita e ngjarje kulturore.

Sonte në kuadër të ekspozitës “Të dua pa e ditur” do të jetë edhe eventi “Bilbili” në Kuvend të Kosovës, dhe Lepuri i Bardhë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në ora 20:00. / KultPlus.com