Regjisori Luan Kryeziu fton aktorët për audicion për filmin “Loja e jetës”

Regjisori Luan Kryeziu ka hapur audicion për aktorët për filmin artistik të metrazhit të gjatë “Loja e jetës”, përcjellë KultPlus.

Kërkohen aktorë për rolet kryesore, rolet përkrahëse meshkuj, femra dhe fëmijë. Mosha e kërkuar 9 deri në 60 vjeç.

Filmi është kooproduksion Kosovë – SHBA, ndërsa xhirimet planifikohen në USA, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni.

Për tu bërë pjesë e filmit të ardhshëm, ju duhet të dërgoni portfolion tuaj me të dhënat, bashkangjitur CV-në, showreel dhe tri fotografi në e-mail iliria.film@yahoo.com. / KultPlus.com

Filmi që mori 180 mijë euro nga Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar nuk kishte kaluar në QKK

180 mijë euro janë ndarë nga rezervat e shtetit për të realizuar një film, e ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka ngjallë debat të madh në komunitetin artistik, shkruan KultPlus.

Ky projekt përpos që ka marë rezervat e shtetit, në të njëjtën kohë ka kapërcyer edhe institucionin kryesor që mbështetë bërjen e filmit, Qendrën Kinematografike të Kosovës, institucion që bën thirrjen publike për çdo vit.

“Lojë jete” që mban titullin ky film, që sipas regjisorit Kryeziu do të jetë në kooprduksion amerikan, sipas burimeve të KultPlus, ishte pjesë e garës gjatë vitit të kaluar në QKK, por që juria nuk e kishte kaluar.

Po një shije më të hollë duket ta ketë pasur Qeveria e Kosovës, që përgjatë një mbledhje, me një vendim të shpejt ka aprovuar kërkesën e Kryeziut, që këtij të fundit ti ndahen 180 mijë euro.

Luan Kryeziu, skenarist dhe regjisor i këtij filmi ka deklaruar për KultPlus se kërkesën e tij për ta mbështetur këtë film e ka nisë në shumë institucione të Kosovës, në mënyrë që mos ta humbin rastin për një kooproduksion të këtij niveli.

“Nuk kam pasë kohë me pritë konkursin e QKK-së, se nëse pritnim, e humbnim rastin që të jemi pjesë e filmit”, ka thënë Kryeziu, i cili pretendon se pasi ka marë shumën prej 180 mijë eurove, ai tashmë e ka të garantuar që një pjesë e aktorëve të jenë edhe nga Kosova.  

“Unë punoj projekte që janë në interes të shqiptarëve, dhe kjo u pengon serbëve”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka njoftuar se filmi bën fjalë për temë të luftës, ku bëhet fjalë për një grua të rrëmbyer.

Luan Kryeziu ka thënë se është herët të bëhet e ditur për koston e përgjithshme të këtij projekti, dhe sipas tij, nuk duhet të bëhet kaq shumë zhurmë për realizimin e këtij projekti, por, sipas tij, këtij projekti do të duhej ti gëzohen të gjithë.

Ai ka shtuar se xhirimet e këtij filmi do të nisin në shtator të këtij viti, dhe para se të fillojnë xhirimet do të hapet audicioni.

Luan Kryeziu, sikurse që nuk ka bërë të ditur për koston e përgjithshme, ai në të njëjtën kohë ka thënë se është herët të flitet për produksionet që janë pjesë e këtij filmi nga SHBA.

“Së shpejti do të dalim me deklaratë zyrtare”, ka thënë Kryeziu, i cili deklaratën e fundit të MKRS-së, se ata nuk e kanë propozuar në Qeveri për sigurimin e mjeteve nuk ka dashur ta komentojë, por që vazhdon të qëndrojë në verzionine  tij, se kërkesa në Qeveri është bërë po nga MKRS.

“Me rëndësi që filmi po bëhet, dhe do të jetë një pasqyrim i të vërtetës sonë”, ka përfunduar Kryeziu./KultPlus.com

Tallja e regjisorëve kosovarë me figurat e mëdha kombëtare

Shkruan Sarandë Selimi.

Produksionet e mëdha botërore bëjnë gara se cili nga ta do ta prodhojë një film që flet për figurat e mëdha botërore e kombëtare. Ata, bashkë me regjisorët mundohen të gjejnë një nga aktorët më adekuat për të nxjerrë, nëse jo 100%, të paktën 90% të figurës për të cilën bëhet fjalë. Kjo gjë së fundmi po diskutohet edhe në Kosovë.

Një tentativë interesante ishte kjo e fundit që prodhoi një debat kulturor, ku rëndësi iu dha edhe nga mediet e tjera që kulturën e kanë të fundit në kronikat e tyre ose hiq.

Film për Adem Jasharin, tha që do të bëjë regjisori kosovar Luan Kryeziu. Ky nuk ishte lajmi. Lajmi ishte se kinse aktori kroat Rade Serbedzija, ka pranuar ta jetësojë përmes filmit, figurën e madhe historike të Kosovës, Adem Jasharin.

Në këtë mes, regjisori Kryeziu kishte thënë se ai nuk e pranon Serbedzijan për ta luajtur rolin e Adem Jasharit, dhe se ky i fundit , sipas Luan Kryeziut ka kërkuar nëpërmjet Enver Petrovcit, që të luaj në këtë film. Por, edhe pse pat zhurmë në mediet kosovare dhe në ato serbe, vet Enver Petrovci nuk ka dalë me një deklaratë që të qartësonte, se ku ka ngelë e vërteta.

I pari, doli Rade Serbedzija me një reagim ku e quajti Kryeziun një gënjeshtar. Pas kësaj i menjëhershëm ishte reagimi i Kryeziut, duke e porositur aktorin që të bëhej njëherë njeri, sepse, sipas tij qenka mbet edhe më tutje serb, edhe përkundër karrierës së tij ndërkombëtare.

Më tha e të thash. Projektet filmike me figura të mëdha të vendit janë kthyer në debate të mëdha, duke përdorë më shumë emrat për marketingun e filmave të tyre, se sa koncentrimin në vet bërjen e filmit.

Në anën tjetër, kultura në Kosovë vazhdon të mbetet në birën e fundit të kavallit, dhe ende nuk ka një buxhet të kënaqshëm për ta bërë një film të mirë, e aq më pak, një film për Adem Jasharin – një figurë e madhe jo vetëm për kosovarët, po për gjithë kombin shqiptarë.

Nuk vonoi shumë dhe pas Adem Jasharit, nisën fjalët edhe për një film të radhës për shkrimtarin e letrave shqipe, i cili është shkrimtari i vetëm shqiptar që i lakohet emri edhe për çmimin Nobel, Ismail Kadarenë. U tha se do të bëhet film për rininë e Kadaresë, përmes një fotografie të publikuar nga regjisori Ben Apolloni. Apolloni tha se aktorin e ka tashmë. Ibër Deari është aktori që do të duhej ta luante këtë rol, por sa mjafton ta gjesh një aktor që vetëm i ngjason Ismail Kadaresë, apo do të duhet të merren parasysh se janë edhe shumë faktorë, deri në realizimin e filmave me figura të mëdha.

Është e dhimbshme që në secilin cep të Kosovës ka një rrëfim për tu treguar për botën, e kjo nuk po bëhet. Po ashtu është edhe më shumë e dhimbshme që ende nuk kemi një projekt filmik me të cilin do të mburreshim e t’i tregojmë botës për vlerat tona.

Them lirshëm që me dhjetëra projekte kanë kaluar për tu subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe ende rezultojnë në letër. Filmi nuk bëhet nëpër kafeteritë e Prishtinës, Tiranës e Shkupit. Filmi bëhet në sheshxhirim. Është e vërtetë që nuk ka mjete të mjaftueshme të ndara nga Qeveria e Kosovës, por, ato që i keni shfrytëzoni që të paktën një film i mirë në vit të del nga kjo Kosovë e cila ka shumë për të thënë.

E ju regjisorë të dashur që pretendoni filma me këto figura të mëdha, do të duhej që të kishit punuar në sigurimin e produksioneve të mëdha, në sigurimin e fondeve të mëdha, në thirrjen për një konkurs të pranimit të dhjetëra skenarëve po për temat që do të donit t’i trajtoni, e krejt në fund të fillonit të bëni promocionin, edhe atë me një modesti të thellë, në mënyrë që krejt këto projekte mos të tingëllojnë si promovim i vetvetes, por si një qëllim i juaji që njëmend po dëshironi të lëni gjurmë të kinematografisë kosovare.

Tash e shumë vite, jemi dëshmitarë të një fenomeni shumë të çuditshëm të kinematografisë kosovare, më shumë bëhet zhurmë para fillimit të bërjes së filmit, se sa kur fillon, dhe aq më pak kur përfundon filmi.

Sikur kam përshtypjen, se kur filmi fillon të qarkullojë nëpër festivale, e ndjej se mbylleni në guaskën tuaj, që nuk ngjan fare me krekosjen e fillimit.

Natyrisht, në këtë gjykim ka përjashtime, por të gjithë e dimë, se zhurma të mëdha rreth një projekti, vetëm sa e dëmtojnë projektin.

Andaj, nëse njëmend e keni për të bërë film me figura të mëdha, do të besojmë vetëm kur të na vërtetoni që keni një produksioni gjigant pas vetës, një organizim super të mirë, dhe e fundit fare, po më e rëndësishmja, kur e argumentoni se keni pas vetës dhjetëra filma të suksesshëm që i kanë qarë festivalet botërore, mirëpo festivalet e mirëfillta, e jo ato që ndajnë çmime pa asnjë kriter./ KultPlus.com

Luan Kryeziu: Do ta porosisja Rade Serbedzien të bëhet njeri së pari, sepse paska mbetë serb

Shkruan: Luan Kryeziu

Serbet gjithnjë e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën. Rade Serbetdzia edhe pse ka ndryshuar vendbanimin paska mbete serb në mentalitet.

Tani mua me arsyeton edhe më shumë kundërshtimin tim që ai nuk duhet të interpretoj në filmat shqiptar edhe pse kishte arsyetimin e bukur. Kjo gjithashtu vërteton dyshimin tim qe ai nuk vie këtu me një qëllim të mirë. Është krejt normale që ai ndjehet keq nga kundërshtimi im dhe duhet ta kundërshtoj gjithsesi deklaratën time, por nuk e kuptoj si mundet një artist i një ,,niveli te tillë” ta quaj Adem Jasharin dhe familjen e tij terrorist.

Do ta porosisja Rade Serbedzien të behet njeri së pari sepse paska mbetë Serb. Rade unë nuk jam i ri ne profesion sepse vetëm me një film kam 39 çmime të fituara. Kam pjesëmarrje në tri festivale të kategorisë së parë që ti nuk i ke edhe pse me moshë je më i madh. E vërteta nuk rrëfehet duke ofendu dhe duke mashtru opinionin.

E kuptoj arsyen nacionaliste serbe por nuk kuptoj pse tani një artist duke fshehur të vërtetën kërkon të thuhet një e vërtetë tjetër. E siguroj që me deklaratën e tij, kur e quan veten artist dhe i quan terrorist një familje të tërë të masakruar në shtëpitë e tyre nga një pushtet kriminel të cilin e luftoi bota përmes NATO-s, ka treguar që ndoshta ndonjë njeri mund të bëhet i famshëm dhe të luaj në filma, por nuk është dhe kurrë nuk do të bëhet artist.

Duhet ta kuptosh dhe ta pranosh që bota është e madhe dhe kurrë nuk kemi pasur nevojë për ndihmën tuaj as nuk do të kemi. Sot pas 17 vjet shtet ne artistet dhe sportistët e Kosovës kemi suksese më shumë se ju serbët në arenën ndërkombëtare. Prandaj pretendimi yt që unë kam nevojë për promovim nga ti nuk qëndron aspak, përkundrazi nuk më ndihmon por më bënë dëm./KultPlus.com