‘Diç më thanë, mbrëmja dhe mali’

Jorge Luis Borges

Përktheu Edon Qesari

1.

Diç më thanë
mbrëmja dhe mali.
Por e kam humbur.

2.

Nata e pacak
tash s’është gjë tjetër
veç një amësim.

3.

Është apo s’është
ëndrra që harrova
para agimit?

4.

Të pazë telat.
Muzika e dinte
atë që ndiej.

5.

Sot s’po qesh
bajamishtja në kopsht.
Është kujtimi yt.

6.

Nëpër terr
libra, vula, çelësa
ndjekin fatin tim.

7.

Prej asaj dite
s’i kam prekur gurët
mbi fushë të shahut.

8.

Mbi shkretëtirë
po ndodh agu mëngjesit.
Dikush e di.

9.

Shpata bjerraditëse
ëndërron betejat e saj.
Tjetër është ëndrra ime.

10.

Njeriu ka vdekur.
Mjekra nuk di gjë.
Rriten thonjtë.

11.

Kjo është dora
që herë-herë prekte
flokët e tu./ KultPlus.com

‘Çdo njeri që kalon në jetën tonë është i veçantë’

Jorge Luis Borges

Borges është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të XX. Ndonëse nuk e mori Çmimin Nobel në letërsi, vepra e tij arriti majat. Ai shquhet për erudicionin e jashtëzakonshëm, mjeshtrinë e rrëfimit dhe ndjeshmërinë e lartë ndaj çështjeve që prekin dhe kanë tëbëjnë me qeniet njerëzore.

“Çdo njeri që kalon në jetën tonë është i veçantë: lë gjithmonë një pjesë të tij te ne dhe merr diçka nga jeta jonë me vete… Ndonjëri merr më shumë e ndonjëri më pak, por askush nuk ikën pa lënë asgjë. Kjo është përgjegjësia më e madhe e jetës sonë dhe prova e qartë që dy shpirtra nuk takohen kurrë rastësisht..”  /KultPlus.com